29 December 2019

Bajraktari i New Yorkut zbulon armiq në Tiranë - nga K.P.Traboini

BAJRAKTARI I NEW YORKUT ZBULON ARMIQ NË TIRANË
Bajraktari i New Yorkut është një shërbëtor i vjetër i politikës së Tiranës dhe përzien kaçamak sipas nevojave vetiake. Dikur kam shkruar në "Albanian of Boston" 1996, se ky Harry, që Bujar Nishani e pllakosi "Nderi i Kombit" (kuku moj nanë ku ka mbrrit kombi), në zgjedhjet e 26 majit 1996 që i vodhi klani i Berishës me kuç e me maç e ku doli me shifra të larta si në kohë të Enverit, ky pra Bajraktari i New Yorkut, festoi me pilaf e mish pule e verë të kuqe nëpër restorantet e shqiptarëve. Dolli e çfarë dollish....me dollibash e me fund. Dhe në gazetën ku ishte pronar (para se ta shiste me një shumë të majme dollarësh), bashkë me ambasadorin Pëllumb Kulla (berishist aso kohe edhe ky, se koha dridhet e përdridhet vjen ne kunj e mblidhet) sulmonin gazetaren e "New York Times" Jane Perlez, të dërguarën e posaçme për ato zgjedhje llahtarë, sikur të ishte një e përdalë që bridhte nëpër rrugët e Tiranës, e jo gazetare e nderuar në gazetën më të madhe të botës. E sulmuan me një fjalor rrugaçësh e huliganesh.
Kush i ka koleksionet e gazetës "Illyria" e gjen jo vetëm shkrimin por edhe foton mbi tas të pilafit të fitores së 26 marsit 1996. Ky Bajraktar i thukët ishte një berishist i shpëlarë trush asokohe. Tani ky po angazhohet prapë se kush e di cilës thelë ia ka vënë syrin e po na tregon se ku i kemi armiqtë e Shqipërisë, si të ishte një agjent i sprovuar si Sherlok Homsi.
Ky nuk flet kurrë kot. E ka një objektiv. E ka një interes. Kështu nderi i kombit /pilafxhiu i New Yorkut është lëshuar sërish revan për të zbuluar armiq. Jo se nuk kemi armiq, por kur i zbulon Harry- Hajdari i New Yorkut të bëhen detyrimisht e satirikisht të besueshëm.
Në foto "Rreth ideal-pilafit të përbashkuar!"
K. P. Traboini
29 dhjetor 2019

24 December 2019

Festival me brekë në gardh të komshinjëve - nga K.P.Traboini

FESTIVAL ME BREKË NË GARDH TË KOMSHINJËVE

Festival - Karnaval, ku çmimin e parë e marrin kompozitorët sllavë. More çfarë është ky kaos, ishte festival i këngës më të bukur apo këngëtares më të bukur. Të gjithë flasin për këngëtarët. Por fiton kënga, kompozimi, nuk mund të dalë interpretimi mbi kompozimin, por natyrisht bashkë me interpretimin.
Na rrofshin vajzat e bukura e koketat mendjelehta që e konsiderojnë skenën si një koncert personal, që më së shumti ulërijnë se këndojnë. Këngët me të bukura janë ato që meditojnë...jo më shaj e të shava, duke e zbritur përmbajtjen në batak e vulgaritete. Pse nuk mbështeteni tek krijimtaria e poetëve shqiptarë por mbështeteni nëpër sajesa fjalësh pa lidhje. Një zot e di çfarë bëhet me gramatikën, si masakrohet gjuha shqipe nëpër dhëmbë pa ditur se teksti është ai që i jep identitet këngës.
Ajo vajza e çmimit të tretë Sara Bajraktari do të ishte më dinjitoze ta përfaqësonte Shqipërinë në Eurosong. Sepse ishte bio - Shqipëri. Nuk ka nevoje  një zë koke për të hyrë në shpirtin e njeriut.
Sepse arti nuk ka nevojë të buçasë. Eurosongu nuk është koncert në stadium. Në Eurosong përfaqësohen vlerat e shteteve e popujve duke sjelle secili shpirtin e vet. Ne po dërgojmë shpirtin e sllavëve.
Ku-ku medet për organizatorët dhe jurinë pa kokë.
Kundërshtoni sa të doni, motivojuni, mbrohuni, na konsideroni po deshët të paditur ne që jemi ushqyer me Mentor Xhemalin, Vaçe Zelen, Gaqo Qakon,Tonin Tershanën, por ne e dimë çfarë është kënga shqiptare. Gjithsesi unë e konsideroj si një Fest-Skifo shqiptarësh të shpëlarë trush me pan-sllavizma ballkanike.
Edhe festivalin e 58-të një mini Shengen idiot me brekë në gardh të komshinjve.

Kolec Traboini
24 dhjetor 2019
_____________

12 December 2019

🔴 Si nisi e ku bitisi demokracia - nga K.P.Traboini


SI NISI E KU BITISI DEMOKRACIA
- Azem Hajdari na tha: Saliun e mbajti Ramizi -


Nga Kolec P. Traboini 

Tepër rëndë dhe e vështirë është të pranohet se studentët u përdorën nga PPSH dhe Sigurimi i fshehtë  në protestat e dhjetorit 90 por edhe të shkurtit 1991, natyrisht pa dijeninë e tyre. Por duam nuk duam u përdorën. Në pamje të parë të duket se ishin heronj, por dikush në prapaskenë ndiqte çdo lëvizje të tyre dhe programonte çdo efekt. Fakti se në pushtet erdhën ish spiunë sigurimi, ish komunistë dhe një grup i vogël ish të persekutuarish që edhe ata u përdorën dhe u shtrydhen si limonë, me pas duke i hedhur, tregon se kishim të bënim me një skenar të mirëmenduar nga aparatçikët komuniste. Personalisht e kam kuptuar që kur u shfaqën kuadrot e para me pardesy të bardhë që vraponin të dilnin para publikut, në tribuna dhe në krye të çdo lëvizje popullore.
 Me 10 janar 1991 personalisht organizova mitingun para stadiumit “Qemal Stafa” ku sot është sheshi “Nënë Tereza”,  ku u ngutën të dilnin e të flisnin pikërisht ata që më pas bënë karrierë dhe punuan pa u lodhur për interes të xhepit. I kishin udhëzimet të prera e të qarta, të dilnin në ballë të tubimeve. Dhe ja ku na dolën ish komunistët e bijtë e baballarëve sërish në pushtet.
Atë ditëmegjithëse organizova mitingun (për të cilin kam shkruar e botuar një shkrim të veçantë), nuk fola. Kur më pyeten pse, u thashë, fakti që mitingu pro demokracisë u zhvillua për mua është e mjaftueshme sikur të kisha folur. I kam ndjekur ngjarjet të gjitha me vëmendje. Kur doli në krye të partisë opozitare demokratike  ish sekretari i Partisë moniste, formoi parti edhe Gjinushi ministri i kulturës i komunizmit, u binda se këtu nuk kishte për të ndodhur asnjë ndryshim thelbësor. Përkundrazi demagogji e mashtrim.
Shkova në një rast të takoja Azem Hajdarin. Mirëpo nuk ishte në selinë e PD në rrugën “Fortuzi” se kishin shkuar në një takim me presidentin Ramiz Alia dhe e prita. Kur erdhi, u takuam e biseduam. Mark Topallaj e pyeti Azemin a nuk ishte Saliu me ty. Po, tha Azemi, ishim bashkë por pas mbledhjes Saliun e mbajti Ramizi e ne ikëm. Azemi e tha pa të keq, por mua më mbeti mendja. Pse vallë e mbajti Ramiz Alia, sekretari i parë i KQ të PPSH shefin e opozitës së asaj kohe në një takim tet a tet. Takim për të cilin asnjë prej tyre nuk është prononcuar ndonjëherë. Me mendjen time atëherë konkludova se po luhej pingpong me dëshirat e zjarrta të shqiptarëve për demokraci.
Si mund ta sillte demokracinë i biri i një krimineli si Josif Pashko, kryetar i gjykatave të diktaturës që kishte dhënë dënime me vdekje për njerez të pafajshëm apo nacionalistë të ndershëm? Si mund ta sillte demokracinë sekretari i Komitetit Qendror të Rinisë Komuniste, ish anëtar i Komitetit Qendror i strukur rishtazi në radhët e partisë kinse opozitare?!
I zhgënjyer ika nga Shqipëria më 28 shkurt 1991. I ndoqa ngjarjet nga Greqia, Amerika dhe Shqipëria. Katraura shqiptare nuk kishte të ndalur, për të cilën gjithnjë kam shkruar e botuar në shtyp shqetësimin tim si qytetar pa qenë i angazhaur në asnjë parti.
Dhe ja ku jemi pas tridhjetë vjetësh. Ish ministrin e brendshëm sot vazhdon të jetë në kupolë të shtetit ani pse kanë kaluar 30 vjet nga "revolucioni" demokratik. Po demokraci i thonë kësaj? Ja ku kemi djalin e Xhelil Gjonit një herë ministër i brendshëm e tani ambasador në Zvicër. Ambasador madje në Amerikë djali i sekretarit të diktatorit  Enver Hoxha, Fatosi i Tarifës. Të tund gishtin si dikur kur ishte ministër në diktaturë Sabiti i Brokajve. Ja ku kemi nipin e Spiro Kolekës kryeministër. Ja ku kemi vajzën e anëtarit të Byrosë Politike Lambi Gegprifti diku në një funksion dikasterial. Ja ku i kemi hetuesit e spiunët e komunizmit ende në parlament si farë e keqe. E që ta ngasim llafin krejt siç duhet, pardesytë e bardha të vitit 1991 ishin falangat e zeza me të cilat u krye mashtrimi i madh kinse po bëjmë demokraci.
Ndaj arrij të kuptoj se si kemi kurajë të festojmë e të krenohemi për një dështim total e të turpshëm në luftën për demokraci, për më tepër,  nuk besoj se gjëndet në faqe të dheut ndonjë ekzemplar të llojit shqipo, që të festojë dështimet e disfatat denjësisht e fatalisht si ne.