12 December 2019

🔴 Si nisi e ku bitisi demokracia - nga K.P.Traboini


SI NISI E KU BITISI DEMOKRACIA
- Azem Hajdari na tha: Saliun e mbajti Ramizi -


Nga Kolec P. Traboini 

Tepër rëndë dhe e vështirë është të pranohet se studentët u përdorën nga PPSH dhe Sigurimi i fshehtë  në protestat e dhjetorit 90 por edhe të shkurtit 1991, natyrisht pa dijeninë e tyre. Por duam nuk duam u përdorën. Në pamje të parë të duket se ishin heronj, por dikush në prapaskenë ndiqte çdo lëvizje të tyre dhe programonte çdo efekt. Fakti se në pushtet erdhën ish spiunë sigurimi, ish komunistë dhe një grup i vogël ish të persekutuarish që edhe ata u përdorën dhe u shtrydhen si limonë, me pas duke i hedhur, tregon se kishim të bënim me një skenar të mirëmenduar nga aparatçikët komuniste. Personalisht e kam kuptuar që kur u shfaqën kuadrot e para me pardesy të bardhë që vraponin të dilnin para publikut, në tribuna dhe në krye të çdo lëvizje popullore.
 Me 10 janar 1991 personalisht organizova mitingun para stadiumit “Qemal Stafa” ku sot është sheshi “Nënë Tereza”,  ku u ngutën të dilnin e të flisnin pikërisht ata që më pas bënë karrierë dhe punuan pa u lodhur për interes të xhepit. I kishin udhëzimet të prera e të qarta, të dilnin në ballë të tubimeve. Dhe ja ku na dolën ish komunistët e bijtë e baballarëve sërish në pushtet.
Atë ditëmegjithëse organizova mitingun (për të cilin kam shkruar e botuar një shkrim të veçantë), nuk fola. Kur më pyeten pse, u thashë, fakti që mitingu pro demokracisë u zhvillua për mua është e mjaftueshme sikur të kisha folur. I kam ndjekur ngjarjet të gjitha me vëmendje. Kur doli në krye të partisë opozitare demokratike  ish sekretari i Partisë moniste, formoi parti edhe Gjinushi ministri i kulturës i komunizmit, u binda se këtu nuk kishte për të ndodhur asnjë ndryshim thelbësor. Përkundrazi demagogji e mashtrim.
Shkova në një rast të takoja Azem Hajdarin. Mirëpo nuk ishte në selinë e PD në rrugën “Fortuzi” se kishin shkuar në një takim me presidentin Ramiz Alia dhe e prita. Kur erdhi, u takuam e biseduam. Mark Topallaj e pyeti Azemin a nuk ishte Saliu me ty. Po, tha Azemi, ishim bashkë por pas mbledhjes Saliun e mbajti Ramizi e ne ikëm. Azemi e tha pa të keq, por mua më mbeti mendja. Pse vallë e mbajti Ramiz Alia, sekretari i parë i KQ të PPSH shefin e opozitës së asaj kohe në një takim tet a tet. Takim për të cilin asnjë prej tyre nuk është prononcuar ndonjëherë. Me mendjen time atëherë konkludova se po luhej pingpong me dëshirat e zjarrta të shqiptarëve për demokraci.
Si mund ta sillte demokracinë i biri i një krimineli si Josif Pashko, kryetar i gjykatave të diktaturës që kishte dhënë dënime me vdekje për njerez të pafajshëm apo nacionalistë të ndershëm? Si mund ta sillte demokracinë sekretari i Komitetit Qendror të Rinisë Komuniste, ish anëtar i Komitetit Qendror i strukur rishtazi në radhët e partisë kinse opozitare?!
I zhgënjyer ika nga Shqipëria më 28 shkurt 1991. I ndoqa ngjarjet nga Greqia, Amerika dhe Shqipëria. Katraura shqiptare nuk kishte të ndalur, për të cilën gjithnjë kam shkruar e botuar në shtyp shqetësimin tim si qytetar pa qenë i angazhaur në asnjë parti.
Dhe ja ku jemi pas tridhjetë vjetësh. Ish ministrin e brendshëm sot vazhdon të jetë në kupolë të shtetit ani pse kanë kaluar 30 vjet nga "revolucioni" demokratik. Po demokraci i thonë kësaj? Ja ku kemi djalin e Xhelil Gjonit një herë ministër i brendshëm e tani ambasador në Zvicër. Ambasador madje në Amerikë djali i sekretarit të diktatorit  Enver Hoxha, Fatosi i Tarifës. Të tund gishtin si dikur kur ishte ministër në diktaturë Sabiti i Brokajve. Ja ku kemi nipin e Spiro Kolekës kryeministër. Ja ku kemi vajzën e anëtarit të Byrosë Politike Lambi Gegprifti diku në një funksion dikasterial. Ja ku i kemi hetuesit e spiunët e komunizmit ende në parlament si farë e keqe. E që ta ngasim llafin krejt siç duhet, pardesytë e bardha të vitit 1991 ishin falangat e zeza me të cilat u krye mashtrimi i madh kinse po bëjmë demokraci.
Ndaj arrij të kuptoj se si kemi kurajë të festojmë e të krenohemi për një dështim total e të turpshëm në luftën për demokraci, për më tepër,  nuk besoj se gjëndet në faqe të dheut ndonjë ekzemplar të llojit shqipo, që të festojë dështimet e disfatat denjësisht e fatalisht si ne.