29 December 2019

Bajraktari i New Yorkut zbulon armiq në Tiranë - nga K.P.Traboini

BAJRAKTARI I NEW YORKUT ZBULON ARMIQ NË TIRANË
Bajraktari i New Yorkut është një shërbëtor i vjetër i politikës së Tiranës dhe përzien kaçamak sipas nevojave vetiake. Dikur kam shkruar në "Albanian of Boston" 1996, se ky Harry, që Bujar Nishani e pllakosi "Nderi i Kombit" (kuku moj nanë ku ka mbrrit kombi), në zgjedhjet e 26 majit 1996 që i vodhi klani i Berishës me kuç e me maç e ku doli me shifra të larta si në kohë të Enverit, ky pra Bajraktari i New Yorkut, festoi me pilaf e mish pule e verë të kuqe nëpër restorantet e shqiptarëve. Dolli e çfarë dollish....me dollibash e me fund. Dhe në gazetën ku ishte pronar (para se ta shiste me një shumë të majme dollarësh), bashkë me ambasadorin Pëllumb Kulla (berishist aso kohe edhe ky, se koha dridhet e përdridhet vjen ne kunj e mblidhet) sulmonin gazetaren e "New York Times" Jane Perlez, të dërguarën e posaçme për ato zgjedhje llahtarë, sikur të ishte një e përdalë që bridhte nëpër rrugët e Tiranës, e jo gazetare e nderuar në gazetën më të madhe të botës. E sulmuan me një fjalor rrugaçësh e huliganesh.
Kush i ka koleksionet e gazetës "Illyria" e gjen jo vetëm shkrimin por edhe foton mbi tas të pilafit të fitores së 26 marsit 1996. Ky Bajraktar i thukët ishte një berishist i shpëlarë trush asokohe. Tani ky po angazhohet prapë se kush e di cilës thelë ia ka vënë syrin e po na tregon se ku i kemi armiqtë e Shqipërisë, si të ishte një agjent i sprovuar si Sherlok Homsi.
Ky nuk flet kurrë kot. E ka një objektiv. E ka një interes. Kështu nderi i kombit /pilafxhiu i New Yorkut është lëshuar sërish revan për të zbuluar armiq. Jo se nuk kemi armiq, por kur i zbulon Harry- Hajdari i New Yorkut të bëhen detyrimisht e satirikisht të besueshëm.
Në foto "Rreth ideal-pilafit të përbashkuar!"
K. P. Traboini
29 dhjetor 2019