01 May 2021

🔴 Revolucioni i munguar i politikës- nga Kolec P. Traboini


REVOLUCIONI I MUNGUAR I POLITIKËS

Nga Kolec P. Traboini

Kur punët në një shoqëri ngërthehen e nuk gjejnë zgjidhje, aty ndjehet nevoja e përmbysjeve të mëdha për ti hapur rrugën progresit. Këtu nuk flitet për armë, as për 97-tën e mallkuar, por për beteja të mendjeve të zgjuara që inspirojnë progresin social. Por vihet re se nuk ka risi në strukturat e ngurta partiake e as në mentalitetin politik. Sa pranë kësaj zgjidhje ishim e kur presim të ndodh përmbysja e kastave të korruptuara të politikes? A do jete ky një evolucion i ngadalshëm me stërmundime i politikanëve të konsumuar, apo një revolucion intelektual i menjëhershëm e shpëtimtar i brezave të rinj?

Një realitet absurd ishte skema si funksionoi opozita shqiptare në fushatën e zgjedhjeve të 25 prillit 2021. Duke qenë pjesë e elektoratit gri vrisja mendjen si mund të fitoheshin zgjedhjet kundër një makinerie shtetërorë që punonte me tëra kapacitetet. Si mund të fitoheshin zgjedhjet kur nuk ke në dorë asnjë institucion në pushtet qendror dhe lokal. Bojkoti parlamentar dhe i zgjedhjeve lokale ishte një katastrofë e krijuar prej vete opozitës, duke harruar se politika punon me parime e përvoja si, "mos i fut të gjitha vezët në një shportë", mos rreziko gjithçka, aq më tepër blofet nuk janë zgjidhje e nuk të çojnë kurrkund. Opozita i vuri të gjitha në risk, rrezikoi për të fituar gjithçka  dhe oreksi i madh e tundimi e çoi ti humbiste të gjitha. Veç një Bashki në një zonë të sigurte si Shkodra, që u ruajt aksidentalisht. Si mund të fitohen zgjedhjet pa figura  të fuqishme me aftësi organizuese dhe komunikuese në elektorat, ndërkohë që socialisti Veliaj punonte ditë për ditë në Tiranë me 6 motorë. Dhe si mund të fitoheshin zgjedhjet me aleatë figura politikisht të konsumuara në sytë e opinionit publik, si Fatmir Mehdiu, Nard Noka, Dashi i përjetshëm e Co, që përfaqësojnë një elektorat të pakët e që nuk thotë asgjë. Nuk kisha asnjë besim që kjo aleancë e plakur, ku vetëm Basha ishte aktiv e reflektonte energji, do të fitonte zgjedhjet. Por edhe energjia e përpjekjet e Bashës ishin jo bindëse, sepse pas shpatullave të tij elektorati shihte figurën sfiduese të shefit të madh, që elektoratit gri u sillte nëpër mend se PD ishte parti e familjes. Dhe pak shpresë kam se mund të fitojnë edhe pas 4 vitesh nëse nuk do të ndodh një rikonstruktim me themel i kësaj partie. Po kush ta bëjë? Karrieristët që luftojnë për kolltuk? Ish pushtetarë që shumëkush në Shqipëri ka dëshirë deri te ankthshme ti shohin pas hekurave në burgun e Reçit. Po çfarë kërkon ne media vizive ish presidenti që konsiderohet njeriu më i vakët deri në nivel politik mediokër, që në një intervistë ku kërkonte dorëheqjen e Bashës përdori 777 herë fjalën politikë, të cilën nuk di ta bëjë dhe as ka aftësinë të binde dy vetë nga mënyra se si i parashtron pretendimet e veta. Apo ish ministri i Mbrojtjes që ka pasur luhatje të çuditshme sa brenda dhe jashtë PD por edhe me aferat në ministrinë që drejtonte e që  janë një skandal i madh,  sepse u shitën apo u përvetësuan pronat publike të Ushtrisë Kombëtare.  Prandaj shohim në horizont prognoza të zymta. Kryetari aktual i PD, Lulëzim Basha duhej të inspironte një revolucion në politikën shqiptare, në transformimin e pushtetit, në nxjerrjen e përgjegjësive, në dhënien fund të korrupsionit, të ishte një zë i fuqishëm në mbrojtjen e pasurive kombëtare që shpërdorohen ose nuk dihet se ku e si shpenzohen të ardhurat që vinë prej tyre, as sa të ardhura ka që nuk bëhen publike.  Në çdo fjalim t’u përmendte drejtësinë e munguar e jo ta citonte atë si vegël të pushtetit, por as nuk premtoi ta bënte, çfarë nuk krijoi siguri se kjo plaçkitje e pasurive kombëtare do të merrte fund një herë e mirë e grabitësit do të përfundonin pas hekurave. Prandaj nuk frymëzoi. Mund të thuhet gjithë ditën, apo natën paneleve televizive se votat janë vjedhur, por ngado që të vërtiten, qeverisja tani është zgjedhur.  Aq më tepër se, jo vetëm populli që është  i lodhur e në hallet të veta, por as ndërkombëtarët nuk duan kokëçarje. Tani Bashës, apo atij që do ta zëvendësojë, revolucionin i duhet të bëjë në partinë e tij e kjo kërkon forcë e stërmundime për ta rikrijuar PD si parti e të ardhmes e jo të djeshmes, e ku të vërshojë brezi i ri.   Ndërsa të moçmit, të respektuar apo të korruptuar qofshin, të shkojnë në shtëpi se duke jetuar me dëlirin e të qenit VIP tërë jetën, kanë harruar të jenë qytetarë të thjeshtë e nuk kanë gatuar një drekë në jetën e tyre. Revolucionet, paqësore sigurisht që të mos keqkuptohemi,  nuk bëhet me babagjyshër me tespie dhe as me përfitues a përvetësues parazitë të pasurive kombëtare, të cilët i ngjiten hallkave të pushtetit si rriqna, të cilat vështirë të bien edhe kur të jenë ngopur me gjak. Kush ka jetuar në fshat qoftë dhe një ditë ja di kuptimin edhe metaforik të kësaj shprehje, ndaj rriqnat e pushteteve a të politikës duhen shkulur pa mëshirë. Amerika për këtë e krijoj SPAK-un, po gjë prej gjëje në horizont ende nuk po duket. Nuk na lejohet të jemi pesimiste, por edhe prej optimizmit që fluturon me pras asnjë e mirë nuk i vjen kësaj Shqipërie halleshumë.


2 maj 2021