đ„ AUTOKRATI
Nga Kolec P. Traboini
Miliona mesazhe dërgon autokrati në drejtim të zgjedhësve. Mesazhet e tij si stuhia e karkalecave pushtojnë gjithë qiellin elektronik e nuk lënë gjeth të blertë mbi faqe të dheut, e nuk është çudi që në këtë delir madhështie e drithërimë rrëzimi me votën e popullit, ti ketë dërguar një mesazh edhe vetes. I pangopur në pushtet, i etur deri në çmenduri për të qenë babai i kombit kur Autokrati nuk është tjetër veç shtrigu i kombit. Sinonimi i makutërisë, është një përsëritje komike e të gjithë diktatorëve që kësisoj nisin e bitisin, që përshkallëzojnë uzurpimin e pushtetit pa u ndalur nga arsyeja sepse logjika e tij qytetare është e lëkundur, sepse ata që aspirojnë autokracinë e pushtet të pakufizuar nuk u konvenon liria e qytetarëve. Por nuk është e keqja vetëm tek një njeri patologjik në babëzinë për pushtet, më e keqja janë vemjet që i vinë nga pas dhe e mbajnë në pushtet, aparati i instaluar si një mekanizëm i metaltë, një lloj prangash sociale që atrofizon mendimin qytetar. Pas tij si skotë e zezë janë urithët që nuk e duan dritën e meqë nuk kanë vetë sy ta shohin duan edhe ne të tjerëve të na lënë pa dritë dhe në errësirë. Një pjesë urithëve po vinë edhe nga Kosova se ka urithë edhe andej, vinë të votojnë në Shqipëri duke mos pas të drejtë të votojnë këtu, sa kohë që ne qytetarëve të Shqipërisë nuk na lejohet të vemi të votojmë në Kosovë. Por ky Autokrat që ka instaluar në Shqipëri një diktaturë e pushtet personal, i ka marrë masat duke shpërnda karta identiteti shqiptar me shumicë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e kudo duke u dhëne madje nga dy karta. Punishtet e kartave të rreme punojnë me shumicë në Tiranë, shtypi i zbulon e policia ngre supet. E natyrisht kësisoj nuk është çudi të fitojë me një shumë sa dyfishi i zgjedhësve në Shqipëri. Nga babëzia ka humbur kontrollin e vetvetes e jo më të drejtoj një shtet normal. Se në fakt ai është shteti dhe pushteti, legjislativi dhe ekzekutivi, ai është prokuroria dhe gjyqi, është Zoti, është mbret është Diell. Ai nuk do të ikë. Se natyrisht si do të bëjë ky shtet pa Diellin e tij që konvenon me errësirën tonë. Ai është fataliteti ynë. Por unë që kam shpëtuar nga diktatura e komunizmit një herë nuk e fus më kokën nën një diktaturë tjetër të një njeriu që punon me një platformë vrastare për lirinë e demokracinë në këtë vend. Kjo pjellë tinëzare e komunizmit është si një virus me imunitet nga çdo lloj antibiotiku në trupin e Shqipërisë të cilës i ka sjellë shumë mundime që nuk është vendi këtu të përmenden, por koha do të vijë që të shkruhet gjithçka për të, për ta vizatuar kësisoj përfundimisht portretin e shtrigut të kombit.
traboini@yahoo.com