Në vitin 2013 kur po ndodhte rotacioni politik në pushtet pasi që PD pësoi disfatë të plotë e Sali Berisha dha dorëheqjen, shkrova e botova në gazetën "Sot" shkrimin "Doli nga dera, për të hyr nga dritarja pasi e kemi qarë me lot". Në këtë kinse ikje, si fasadë u vu Lulëzim Basha. Berisha kurrë nuk u largua nga drejtimi, por luajti rolin e eminencës gri. Edhe gjëmën e Nongratës nga amerikanët po e përballon, çfarë askush veç tij nuk mund ta bënte.
Berisha, sa të ketë Shqipëria një lloj turme të verbër e një tufë karrieristë të paskrupullt që kanë bërë pasuri nën hijen e tij, do të bëjë punën e zhurmuesit politik dhe viktimës njëkohësisht. Sikur Shqipëria të mos kish punë e hall tjetër veç hallit të tij.
Berisha është mjeshtër në manipulimin e opinionit publik. Ai shfrytëzon çdo thashethe nga qytetari i tij digjital, por edhe çdo të vërtetë nga pakënaqësia e njerëzve, sa publiku, aq më tepër ata që i shkojnë pas verbazi, nuk arrijnë të dallojnë të vërtetën nga e pavërteta. Në këtë rast të vërtetat që përdor e ndihmojnë kreun e foltores, që flet nga kati i pestë me megafon, të mbulojë qëllimin e vet dhe kinse lufton për ideale të larta. Ai e di më mirë se kushdo që nuk fiton, as sot e as mot, por përpiqet për të mbijetuar. Mobilizimi i tij është total. Shkon pas thënies së Shekspirit "Qëndro që armiku ta ketë frikën". Dhe kjo po ndodh. Spak-u është mpakur para sulmeve marramendëse që po i bën Sali Berisha duke i quajtur vegla të krimit e kriminelë. Spak-u as del ti përgënjeshtrojë këto akuza. Kjo tregon se Berisha di ku e kë të sulmojë dhe është më i mençur se kundërshtarët e vet. Ai u bën presion organeve ligj zbatuese që ata të mos veprojnë. Të mos guxojnë të shkojnë më tej se kalamendja me një firmë. Mbi qeverisjen e Berishës rëndojnë krime, por askush nuk po e akuzon për 4 të masakruarit e 21 Janarit 2011 as për 36 viktimat e Gërdecit 2008, as për shkatërrimin e Shqipërisë në kohën e presidencës së tij 1992-1997, me një kryeministër mediokër si Aleksandër Meksi që rri strukur si një urith. Berishën veç po e gudulisin për një firmë të Klubit "Partizani" kur ishte kryeministër. Veç për një firmë se vulën ja kanë marrë minoranca që i doli dore.
SPAK-u dhe Berisha po lozin. Dhe kanë arsye për ta bërë këtë. Spaku nuk e përballon dot Berishën, por as Berisha nuk e shmang dot Spakun. Janë në një rreth vicioz, nuk i shpëtojnë dot njeri-tjetrit. Berisha është gurë prove për Spakun. Nëse heqin dorë nga Berisha dhe ky del i pa lagur, në Shqipëri nuk do të ketë më dënime për kokat e politikës e të shtetit që e kanë vjedhur këtë popull mizorisht. Ata që e kanë lënë në varfëri, që e kanë përzënë si të ishin muhaxhirë pa atdhe, do të vazhdojnë të mos ndëshkohen edhe në të ardhmen. Të dy palët mashtrojnë e vet mashtrohen. Këta thonë se toka te klubi "Partizani" ju kthye pronarëve. Këta dhe ata, akuzuesit e të akuzuarit, të dy palët pra me gjithë avokatët tellallë gënjejnë dhe gënjeshtrën e bëjnë ligj.
Kur italianët bënë fushën e aviacionit ku përfshihet edhe toka ku më vonë u ngrit klubi "Partizani" nuk ka pasur asnjë shtëpi në atë vend. Ishin kopshte dhe tokë që përdorej për bujqësi a blegtori, ase tokë djerr. Në vitin 1940, por as deri në vitin që u ngrit klubi "Partizani" familjet Begeja e Compani nuk kishin shtëpi në atë vend. Pra nuk ishte tokë truall. Por çfarë thotë ligji 7501? Tokat që nuk janë truall konsiderohen toka bujqësore e nuk kthehen, veç rasteve kur pronari është bujk dhe e ka në përdorim. Kam të trashëguar 27 dynym tokë bujqësore në ish fermën e Shtojit, Shkodër, por nuk më kthehen. Dhe kanë të drejte se në këtë rast vepron ligji. Po pse atyre të Begeve dhe dhëndrit të Sali Berishës i kthehet, apo se këtu nuk vepron Ligji por Maliqi. Po Spak-u si nuk qenka në gjendje të lexojë e të interpretojë ligjin 7501?
Dinë, por edhe ata gjejnë shtegun pa telashe të mëdha. Duan ta dënojnë Sali Berishën për një firmë. Kësisoj një dënim i butë, kondicionel, dhe shpëtojnë nga telashet. Gjykata nuk do ta lërë të dënuarin të merret me veprimtari drejtuese, kësisoj Sali Berisha shmanget. Ky është qëllimi. Shmangien e Sali Berishës si kundërshtar politik. A po bën lojë politike Spak-u vetë, apo ky është udhëzim amerikan sipas stilit të eleminimit të Al Kapones për evazion fiskal kur të vrarët prej tij në rrugët e Çikagos i kalonin shifrën 200. Thirrja në Washington DC e Bardhokut ndërmjetës nuk është pa asnjë kuptim. As ardhja e Sekretarit të Shtetit Amerikan në Shqipëri për tu takuar me Dumanin e Spak-ut nuk ka si të mbulohet veç si serum për Drejtësinë e kalamendun shqiptare. Ndaj është katandis dueli Spak - Berisha si një lojë pa fitues, por edhe pa humbës. Ngjashëm me disa pensionistë që lozin domino në park pastaj të qetë shkojnë e hanë drekën. Apo si fëmijët në lojën kukafshehtas e që ndahen me mirëkuptim. Por ka disa që i bëjnë thirrje arsyes se Berishës, që për shpëtimin e PD të tërhiqet butë. Këta janë iluzionistë. Kjo është si ti thërrasin arsyes së një njeriu që po mbytet duke i thënë mbytu sa më shpejt të shpëtojmë prej teje.
Berisha nuk tërhiqet, është trashëgim nga koha e kapitenëve të vjetër, mentalitet të cilit i përket dhe ai, kur vinte fundi kapitenët mbyteshin bashkë me anijen e vet. Ashtu po bën dhe Berisha, me destinë "pas meje qameti!"
Po këta Spakillarët nuk duan ta lënë anijen të lundrojë, por as të mbytet. Si në gojëdhënën "Baba, kapa hajdutin". Sille - i thoshte babai. Nuk e sjell dot se ai nuk do- gjegjej i biri. Po lëshoje atëherë - i tha babai. Djali ia ktheu: E lëshoj unë po nuk më lëshon ai. Kësisoj loja cic-mic me drejtësinë Sali - Spak vazhdon...
1