25 February 2024

Karnevalet - qershia mbi tortë e humorit shkodran - nga K. P. Traboini

KARNEVALET - QERSHIA MBI TORTËN E HUMORIT SHKODRAN


Ashtu si im atë në vitin 1907 po më bie edhe mua rasti të shkruaj për karnevalet e Shkodrës në vitin 2024.
Nuk arrij të kuptoj ironinë e Profesor Artan Fugës se pse Shkodra u dashka të organizojë festen e Karnevaleve. E quan festë të huaj e ja faturon venecianëve e kinse ne shkodranët po imitojmë karnevalet e Venecias.
Jo nuk është imitim, i nderuar profesor. Përkundrazi. Shkodra traditën e humorit nuk e ka të huazuar, por e ka pjesë të natyrshme të jetës shoqnore. Madje bio. Shkoni e pyesni në Venecia a kanë ata Kol Tivar, Filip Dai, Oso të Falltores, Gjergj Mullagë, sajesa humori si Ndoc Rroku, humorist i gjithanshëm si Gjosho Vasia, humoristë të lindur si Tano Banushi, Paulin Preka, Zef Deda, Jolanda Shala, Zyliha Miloti, Drane Xhaj, Katrina Biga, Besnik Çinari, për të mos shkuar më tej në një plejadë humoristësh të paharruar. Megjithatë Shkodra me kulturen veneciane kanë pas lidhje të natyrshme qysh në epokën e Gjergj Kastriotit e vazhdoi deri sa ra në sundimin e Kalifatit turko-osman kur gazmendi u kthye në vaj. Në qendresen 10 vjeçare në rrethim 1468-1479 Shkodra ka qenë mbështetur nga shteti i Venedikut me armë dhe ushqime që vinin me anije të vogla përmes Bunës deri rrëzë kalasë. Kush e ka lexuar Barletin e di mirë se një pjesë e forcave që mbronin qytetin kështjellë ishin dhe venecianët. Mjafton t'ju kujtoj një emër, Arkitekt Donati, që duhej ta kishte emrin një rrugë e jo ti vihej Evlia Çelebiu, kronikanit të Sulltanit. Arkitekti venecian drejtonte mbrojtjen nga ana teknikës me gurahedhës. Pra Shkodrën e mbrojtën edhe venecianët, luftuan dhe u vranë edhe ata bashkë me shkodranët. Kjo lidhje miqësore ka rrënjë historike e nuk ka të bëjë me imitime shabllone siç shohim sot në disa shfaqje kulturore e artistike.
Pra profesor, janë lidhje të vjetra e jo të reja. Të natyrshme e jo të sajuara. Shkodranët kanë qenë e mbeten europianë. Nuk e ndajnë veten nga Europa. Janë organizuar karnevale madje edhe në kohë pushtimesh dhe është bërë traditë tashmë. Këtu po festohet festa e xhazit, ministria e kultuares e asaj kohe që iku financoi dhe një film që nuk e di a është bërë për xhazin, por edhe për djathin kaçkavall e qenka e tepert festa e Karnevaleve. Karnevalet janë festa të vjetra në të cilat populli, të pakten një herë në vit i lejohet të qesh me gjithçka që në ditet e tjera e rëndojnë nga mundimet e mbijetesës. Shkodra nuk mund të mjaftohet vetem me barcoleta se është e njohur ndër të tjera si qyteti i humorit. Prandaj lëre Shkodër Locen të festojë. Im atë që ka qenë nxënës në Shkollën Teknike & Tregtare Italiane ka shkruar për karnevalet e Shkodrës që në vitin 1907. Pra karnevalet festoheshin para krijimit të shtetit të pavarur shqiptar. Me i hjek humorin Shkodrës është si me i marr shpirtin shkodranëve. Për ma tepër në këtë vend ka plot gjana për të heq e ndreq, por jo humorin e amël shkodran, ju lutem!

K. P. Traboini
alias Kol Shkodrani