19 February 2024

Bukuri shkodrane - nga K. P. Traboini

Pina Palosha / Shoshi

BUKURI SHKODRANE

E bukura Pina Palosha dhe vajza e saj e talentuar, këngëtarja e mohuar Nikoleta Shoshi.

Nga K. P. Traboini

Shkodra ka pas gjithmonë vajza të bukura. A ju kujtohet Lili i Elektrikut (më duket me mbiemër Leka)? Po Jolanda Pogu,e bija e pronarit te Fabrikës së Sapunit që e burgosën ( ajo ishte dhe mësuesja ime në shkollën pedagogjike në Tiranë, tek e cila bukuria i harmonizohej me mirësinë e sjelljen e përkorë), për të shkuar tek Roza Xhuxha, Meri Topallaj, Poli Ingris, Violeta Ashiku e plot të tjera lule të bahçeve shkodrane. Por në përgatitjen e një vidio- imazhi të muzikuar "Bukuri shkodrane" që paraqesim, nuk ka qënë qëllimi të evidentojmë vetëm një ëmër, por të zbulojmë një realitet magjepës shkodran. Kërkoni në kujtesën tuaj të tjera fytyra të bukura dhe na i sillni ti kujtojmë e të mos ti lëmë në pluhurin e harrimit. A ju kujtohet Lajdja e Marianit, (durrsake e martuar me Marjan Skanjetin)...po Leze Sakatja që jetonte në rrugicën e Kol Idromenos në Gjuhadol dhe ai i kishte bërë një portret. Fytyrat e vajzave e grave shkodrane kanë qënë Mis Albania në histori. Vazhdim dinjitoz i Irena Dushmanit, për të cilën, si të ishte një Helene Troje, vriteshin princat shqiptarë në kohën e Gjergjit të Madh, Ati i kombit shqiptar.
Ndërsa kjo vajze e re dhe e bukur që kemi venë në kopertinën e vidios "Bukuri shkodrane" e duket si një princeshë, fëmininë e ka kaluar fare pranë shtëpisë ku jetoja. Në fundin e rrugës Kojaj ( tani e quajnë rruga Kokaj), ku më pas jetonte motra e saj Vitore Palosha.
Ka njerëz që ende e kujtojnë këte vajzë në fotografi. Pina Palosha (e bija e Palok Pjetrit), kjo mrekulli shkodrane, ështe martuar me Ndoc Shoshin. Ajo kishte tre fëmijë, dy vajza e nji djalë, vajzën e madhe Gjina, djalin Kolec Shoshi. Ndërsa vajza e vogël, Nikoleta Shoshi, kishte talent të spikatur dhe këndonte bukur, bukuria e nënës Pina në tinguj, madje mori pjesë edhe në Festivalin e Dytë të Këngës në Radio në dhjetor 1963 me këngën "Flakë e borë" e kompozuar nga shkodrani i madh Tish Daija. Interesant është fakti që veç bukurisë së interpretimit të këngës, një rol të madh luajti Gaspër Çurçia me instrumentat e frymës. Gasprin pas më se një dekade e ekzekutoi komunizmi.
Nikoleta Shoshi fitoi çmimin e parë në Festivalin e dytë më 1963 kur ishte ende një vajzë adoloshente. Padyshim një sukses i madh dhe natyrshëm do të ishte si një pararendje e një talenti në zhvillim. Por mjerisht nuk ndodhi kështu anipse interpretimi i saj ishte i jashtëzakonshëm. Pëlqimi i publikut gjithashtu. Ndodhi ashtu si ndodh vetëm në një sistem absurd ku vlerat nuk mateshin me talent, por me kritere të tjera në kuadër të çmendurisë kolektive. Pas festivalit dikush dha një orientim dhe këngën e këndoi Vaçe Zela. Padyshim që Vaçe Zela e këndoi bukur, por zëri i Nikoletës ishte diçka tjetër, ishte një zë i pastër që dilte nga shpirti e jo nga teknika. Dhe ndodhi ajo që ishte djallëzisht e paramenduar, Nikoletën e sfumuan dhe nëpër vite të gjithë mendonin se çmimin e parë e kishte marrë Vaçe Zela. Asnjë vlerësim për Nikoletën.
Për ta bërë më të besueshme këtë manovër dinake, Nikoletën sapo mbaroi Liceun Artistik në Tiranë e caktuan në shtëpinë e Kulturës në Pukë. Dhe atje, mes të ftohtit, shiut e borës, erërave të çmendura dhe në kushte të vështira jetese, ku njerëzit ngrinin nëpër shtylla si Deda, gjithçka që ata projektuan nuk kishte si të mos ndodhte. 11 vite në Pukë, dhe 5 vite të tjera mësuese në Fushë-Arrëz, mjaftueshëm për tu harruar e për të mos e parë më skenen. Ndoshta as sot pasionantët e muzikës nuk e dinë se fituese e Festivalit të Dytë të këngës në Radio ishte e talentuara Nikoleta Shoshi, e bija e një nane shkodrane me bukuri të mahnitshme, si të ishte një princeshë e vërtetë.
Nikoleta e lidhi jeten me mjekun Ylber Berisha, i cili ishte i pasionuar pas muzikës, këndonte dhe i binte kitarës. Ai ishte nga Kosova, i lindur në 1946 në Prishtinë, por pas vrasjes së babait, veprimtari i shquar atdhetar për Bashkim Kombëtar, Rifat Berisha, nga serbët në 1949, Ylber Berisha që atëbotë ishte vetëm 3 vjeç, u gjend në Shqipëri ku u shkollua dhe kreu studimet universitare për mjekësi.
Nga kjo martesë ju lindi një vajzë, Dajana Y Berisha që është shumë aktive në jeten social-kulturore në Kosovë dhe një djalë Ermal Berisha. Në koncertet "Këngët e shekullit" Nikoleta Shoshi Berisha interpretoi, pas mbi gjysmë shekulli, këngën "Flakë e borë", duke dalë për të dytën herë në një skenë kombëtare.

Nikoleta Shoshi / Berisha
Nikoleta Shoshi - Berisha

❤️BUKURI SHKODRANE Vidio URL: https://youtu.be/o-pV1J4-MRc