20 February 2024

Rambuje parë ndryshe - nga K. P. Traboini


RAMBUJE PARË NDRYSHE
ose Pakoja e Ndalimit Ahtisari 

 
Nga K. P. Traboini

E lexova me vemendje shkrimin "Letra e mosmirënjohjes" të kolegut gazetar Ruben Avxhiu, botuar në gazetën "Shekulli" dhe megjithëse jam i një mendje me të përsa i përket gjykimit të mjaft aspekteve të replikës shikim vëngër të zotit Sadri Fetiu ndaj Ismail Kadaresë, nuk mund të jem i një mendje me disa gjykime, të cilat përpiqen të përgjithësojnë ngjarje të bujshme e misterioze, si ajo çfarë ndodhi në kështjellën franceze në Rambuje e të cilën kohët e fundit ka nis ta zbardhë në shënimet e veta Bedri Islami.
Drejtë shkruan gazetari Avxhiu, kur nënvizon se Sadri Fetiu edhe pse drejtor i Insitutit të Albanaologjisë tregohet tejskajet mediokërr kur gjykon se Katedralja e re e Prishtinës tregoka mjerimin tonë. Ky drejtor në këtë rast, vërtetë na shfaqet jo si albanolog, por si teolog fanatik e me një gjykim të errët regresiv. Kjo mjafton që të gjitha çeshtjet e tjera që ai përpiqet t’i "sqarojë" në lidhje me "gabimet" e Kadaresë të mos merren fare në konsideratë. Dhe pozicioni i tij në krye të një Instituti me reputacion tregon vërtetë mjerimin institucional aktual në fushën e studimeve historike.
Deri këtu kolegu Avxhiu ka të drejtë, ndërkohë që nuk më duket se e vlerëson saktë e objektivisht paketën e Ahtisarit, që për mua nuk është kurrgjë tjetër, vetëm se një përpjekje titanike e këtij diplomati nordik, që përballë një realiteti pakthim në çeshtjen e Kosovës, të merret me joshjen e serbëve duke sakrifikuar çeshtjen e shqiptarëve të Kosovës. Një sy i vemendshëm që e lexon këtë paketë e që nuk ka shumë njohuri për çfarë me parë ka ngjarë, i krijohet përshtypja se e tërë paketa është një mbrojtje e të drejtave të serbeve, të cilat u kërcenokan nga shqiptarët.
Fund e krye rreh kjo temë, madje në një kapitull, Aneksi V, Trashëgimia Fetare e Kulturore në të pesë pikat e saj flet vetëm për të drejtat e kishës orthodokseve serbe, pa shënuar kurrkund asnjë fjalë për të drejtat e kishës katolike shqiptare, çfarë të krijohet përshtypja se nuk ekziston. Për më tej në Aneksin e I-rë të Dispozitave Kushtetuese në nenin 3 vihet kushti me absurd në faqe të dheut e që kolegu Avxhiu bën sikur nuk e sheh, që për ndryshiment e amendamenteve kushtetuese do të duhet dy të tretat e Kuvendit përfshirë këtu dhe dy të tretat e vendeve te rezervuara për komunitetet ( lexo serbët sepse ata kanë 50 përqind të 20 vendeve të rezervuara per komunitetet).
Në cilin vend të botës është parë ky lloj ligji q të e fut shtetin e shoqërinë në kolaps e në varësi të plotë prej komunitetit serb që ka lidhje direkte të lejuara po në këtë paketë me Beogradin. Pse nuk e kanë këtë të drejtë edhe shqiptarët e Maqedonisë që përbëjnë jo pak por 25 përqind të popullsisë së atij shteti, pse nuk e kanë këtë të drejtë shqiptarët e Malit të Zi, që nuk i lejojnë madje të bëjnë as dhe një komunë, ate të Tuzit. Çfarë jemi ne shqiptarët? Raja të popujve të tjerë, të nështruarit e Ballkanit, të dënuar. Pse ky qëndrim kaq i përçmuar ndaj nesh, si popull e si komb, sepse ta themi hapur nuk ka e nuk do të ketë kurrë komb kosovar, por komb shqiptar i coptuar, i nëpërkëmbur dhe mjerisht i përçmuar.
Edhe ky qëndrim në paketën Ahtisari, e cila shpreh hapur se Kosova në aparencë mund të jetë e shkëputur prej Serbisë por në fakt ajo do të jetë e lidhur ngërç, një ngërç paralitik që do ta bëjë të ketë vartësi edhe më tutje.
Nuk e di pse gazetari Avxhiu bën sikur ky ngërç nuk ekziston kur shprehet: "kjo sigurisht nuk ekziston në Propozimin e Ahtisarit."
Po atëhere çfarë ekziston? Pse flasim e pse grindemi? Pse po na i vrasin djemtë në mes të Prishtinës, kur në duar kanë kurrgjë tjetër veç pllakatave ku shkruan fjalën e artë buruar prej Zotit e Ligjit të Arësyes njerëzore, "Vetvendosje"?
Atëherë pse ende po e mbajnë në burg djaloshin me zemër të madhe atdhetare Albin Kurti? Mos edhe ai është një bezdi për diplomatet europianë proserbe, ta zemë siç mund të ishte i harruari prej politikës e shtetarucëve, por i paharruar prej popullit Ukshin Hoti.
Nëse nuk ekziston ky problem, për të cilin rrodhi gjak i pafajshëm në sheshet e Prishtinës, të na e thojë qartë pa ekuivoke kolegu gazetar si dhe ata që i thurin tiranda paketës së Ndalimit Ahtisari se përse është ai kufizim, përveç se për të joshur serbët e Beogradit, për t’u dhënë të kuptojnë se ata do të mund t’i fusin duart madje edhe deri në paralizimin e kuvendit të Kosovës.
Një aspekt i trajtuar krejt jo saktë më duket vlerësimi mbi nënshkrimin në famëkeqen Rambuje.
Një gazetar duhet të kuptoje se përse diplomacia perëndimore e imponoi firmosjen e Rambujes-ë prej shqiptarëve, pra kapitullimin e plotë të qëllimit final, pavarësisë së Kosovës. Rambuje është në të vërtetë triumf i diplomacisë europiane, e cila kurrsesi nuk donte që Kosova të shkëputej prej Serbisë, dhe kush ka sy të shohë e veshë të dëgjojë e ka të qartë se Kosova në Rambuje mbeti nën Serbi.
Rambujeja është para se nder një turp, e në mos turp, një pazotësi dhe paaftësi e prijësve tanë për t’i zgjidhur problemet në favor të interesave kombëtare, se atëhere, përse djemtë e Kosovës e të Shqipërisë rrëmbyen armët e derdhën gjakun e vet. Mos vallë për ti qëndruar besnik nenit fatkeq që e njeh sovranitetin e Serbisë ndaj Kosovës?! Jo për ate Zot. Jo! Se ndryshe kjo do të ishte një tallje me gjakun e rinisë shqiptare, gjakun e prindërve të masakruara dhe nderin e vajzave e të grave që u përdhunuan prej ushtarëve serbe, përdhunim katastrofal në psiqikën e tramatizuar shqiptare, që politika e ambicja kolltukofage shumë shpejt e harroi.
Nuk mundet pra që këtë inkoseguencën tonë historike me emrin Rambuje ( qoftë për një qind arsye të dobësive tona), ta shesim si një fitore. Kurrsesi. Ishte mediokrriteti e fanatizmi, mendjemadhësia e sharlatanizmi i një kasapi si Millosheviçi që ofertën, pra kulaçin e perëndimit, nuk e pranoi dhe ata i treguan kërbaçin.
Le ta gjykojmë Rambujen-ë, nëse rrjedhimi i ngjarjeve do të kishte kahje tjetër.
Sikur Beogradi të pranonte ta firmoste Rambujen-ë, të mos bombardohej, a do të shtrohej ndonjë herë problemi i pavarësisë së Kosovës? Si do të etiketoheshin firmëtarët e Rambujes -ë si heronj apo si tradhëtare? Ma do mendje se nëse serbët do të binin dakort me çfarë u vendos në Rambuje, ngjarjet do të përcipitonin ndryshe e miqtë e Serbisë në Europë, të cilët sot kanë ndjesi "vrasje ndërgjegjeje" ndaj Serbisë( gjykata europiane i nxorri xhelatët me duar të lara), nuk do të linin gurë pa levizur që Kosova të ishte kurrgjë më shumë se një republikë nën tutelën e përjetshme të Beogradit.
E sotmja gjysmake nuk e justifikon të djeshmen e trishtuar, i nderuar koleg, përkundrazi veprimet tona të djeshme t’i gjykojmë nëse e justifikojne të sotmen, pra të ardhmen, pra pavarësinë e dëshëruar që kush e kush po përpiqet ta vonojë apo ta ngecë.
Përsa i takon ndalim-bashkimi me Shqipërinë, padyshin kjo është kurrgjë tjetër, vetëm se një tjetër joshje për Serbinë, por ndërkohë edhe përballimi i një frike panballkanike e madje europiane...që nuk e di pse e kanë gogol Shqipërinë natyrore, të drejtën e pamohueshme që shqiptarët të jetojnë në një shtet.
Pse nuk marrim në analizë faktin se përse Europa kërkon me insistim që shqiptarët të vazhdojnë të jenë të ndarë e të përçarë edhe në kushtet moderne, në pesë shtete të Ballkanit.
Cilit popull tjetër në botë i vihen të tilla privime?
Megjithatë, ëndrrimet që shprehin dëshirat e popujve nuk mund të ndalohen, nuk ka tagër Europa, aleate e kahershme e Serbisë, të na ndalojë të ëndërrojmë bashkimin tonë kombëtar.
Unë sa të kem frymë, këtij bashkimi i falem, paçka se i moçmi Ahtisari, si të ishte plaku Mere me tespije, na i ve ëndërrimet kombëtare në grykë të topit, në Pakon e tij të Ndalimit.


Nga libri "Bukuri shkodrane" 
Boston 2007