14 June 2024

Nongrata, me firmë, me vulë e me kullë- nga K. P. Traboini


NONGRATA ME FIRMË, ME VULË DHE ME KULLË

Nga Kolec P. Traboini

Mendonim se grupi i PD, krahu anti Nongrata mblidheshin rreth një ideali dhe ideje që PD të mos ishte parti klan familjar mirëpo edhe Gjykata paska pasë mendimin një parti politike mund të ishte tokë e zanun e stan i familjes. Nuk çuditemi se edhe gjyqtarët shqiptarë të rritur në këtë klimë politike janë, mendësia e tyre nuk ndryshon shumë nga mendimi i përgjithshëm. Mirëpo çfarë është bërë nuk mund të zhbëhet. Ato janë ngjarjet.Kështu pasi u bë grusht shteti në PD duke e quajtur atë epitetin e lodhshëm "rithemelim", madje si të ishin saraçenë sulmuan ndërtesën e PD (sa shpejt i harrojmë huliganizmat politike dhe turmat e tërbuara), por të gjitha u harruan si të mos kishin qenë dhe Gjykatai dha Vulën, Bajrakun dhe Kullën klanit Berisha. Tani ky ka të drejtë të shkojë në të bëjë regjistrimin si Parti e trashëgueshme e vetë Zot i saj me firmë e vulë të Gjykatës. E bija, që për një firmë merrte 1 milion dollarë siç e pat deklaruar në Media, tani e ka rrugën e hapur. Monarku i Partisë kinse Demokratike, mbas tradhëtisë nga i zgjedhuri i familjes, nuk ka më besim ndonjë tjetër njeri, kot rreken Bardhoku me përbetime prej sejmeni, apo rioshi tiranas Belind Këlliçi, gjë në sqep nuk do t'u bjerë. Monarku ka besim vetem tek Princesha e Familjes. Por ky shkrim nuk ka synim të merret vetem me familjen politike të Partisë Klan, por të hedhim një shkul dritë në kampin tjetër ku po zien kazani politik anti Non Grata. Siç thamë mendonim se i përbashkonte ideali për një parti të hapur pa klane e pa njerëz karrierist që janë sejmenë të liderit të përjetshëm të Partisë. E vërteta është se ata qëndruan thujse dy vjet, madje edhe rrethimit prej jeniçerëve i rezistuan, por doli një Zhukri dhe ndërtesën ua moren. Ra Berati është aforizma historike e para pesë shekujve. Kështu e pësuan. Por siç u ka thënë kundershtari politik që për 12 vjet rri si mbret në pushtet nuk kishin parë gjë akoma. Gjylja ra tha Plaku Mere. Gjykata urdhëroi grupin Antiklan ti dorëzojë Vulën Nongratës. Dhe kështu u bë. Amerika të thojë çfarë të dojë, njerëzit në gjykata kanë mendjen e vet pa e vrarë mendjen për pasojat.
Kështu tabloja politike shqiptare shfaqet kësisoj; në një anë në pushtet një parti e kontrolluar si në grusht nga Kryeministri dhe përballë një një Parti Opozitare me udhëheqje absolute me nishanin Nongrata nga Amerikanët. Dhe diku në skaj një grup që vendimi i Gjykatës i solli huti e kaos. Dolën zera se ky grup tani është në qorrsokak. Le ta kenë kauzën të pastër, le të kenë ideale, kush po pyet në këtë vend për ideale. Pyesin vetëm për tasin. Kush ka tasin plot pas tij vrapojnë. Pavllovi bënte eksperimentonte reflekset e qenëve. I binte ziles e qentë vraponin tek tasat e vet e prisnin ushqimin. Por mua më vjen me qesh me këto reklama që i bëjnë Pavllovit. Më duket si një paralele gazmore, në karshillëkun e Gjykatava Shqiptare me Nongratët e Amerikanëve. Më vjen të qesh se ka qenë gjyshja ime më shkencëtare se Pavllovi, sepse kur donte të ushqente pulat i binte teneqesë dhe të gjitha pulat mblidheshin. Shkencen e bëri gjyshja ime Norë dhe lavdinë e mori rusi Pavllov. Pika shkences dhe gjykatave.
Ja dhe tani kur Pavllovit i ka humbur vula, shikoni si Monarku i madh i Partisë eksperimenton me reflekset politike të kundërshtarëve të vet; ai i bie tasit dhe pulat e stanit deri dje kundershta po mblidhen.
Sepse ku është tasi shkojnë pulat.