đŠđ± M I T I I H O T I T đŠđ±
(Vazhdimi 2)ME NJĂ TĂ RAME TĂ LAPSIT, AS SHKRUHET E AS NUK SHUHET HISTORIA
Mos u ngutni të thoni se Hoti nuk mori pjesë në qendresën antikomuniste kur hordhitë e kuqe të Enver Hoxhës ja mësynë maleve të Veriut si të ishte një epidemi murtaje. E di që sot bijt e murtajës na sundojnë, por kjo nuk më ndalon të them të verteten. Për ato që kanë ngjarë në 1944 e më pas, vertetë askush nuk i di të gjitha se të dekunit nuk flasin e të gjallët i thonë gjërat si tua dojë mideja. Mos merrni persipër me thanë as kështu dhe as ashtu vetëm duke u nis nga kujtesa e do njerëzëve që nuk kanë qenë as dëshmitar. E para duhet të shkoqitim se për cilën kohë flitet, kujt ngjarje i referoheni? Janë dy ngjarje në atë kohë tragjike në Malësi të Madhe që të kujtojnë mësymjet mizore të osmanëllinjëve të Turgut Pashës. Hordhitë e Enver Hoxhës nuk ishin më pak mizore. Kur repartet partizane mësynë me hi në Kelmend pati kundershti për mos me i lanë, pra në 1945 nuk pati kryengritje, por rezistencë. Kjo rezistencë nuk ishte e organizuar, por aty këtu ku shfaqesh murtaja e kuqe komuniste malësorët i bënin ballë. Në këtë qendresë pati të vramë nga dy palët. Shqiptar me shqiptarë vriteshin, dhe këtu secila palë quan heroj të vetet, por në të vërtetë ishin viktima të luftës civile që historianët e kulisave, xhufkëkuqët e komunizmit më kot i mohojnë. Si kudo në Ballkan ku mbinte bari i keq i ndikimeve të Kremlinit. Në këtë qendresë kishte nga Kelmendi ma shumë se atje shkuan partizanët e Enver Hoxhës. Por u vranë edhe nga Hoti. Nuk i lejohet askujt të thotë se Hoti ndihmoi partizanët për të hy tradhtisht në Kelmend. Së pari Hoti ishte i nda përgjysë. Në gjysmën andej kufirit partizanët e Titos pushkatuan në Hot kë deshen. Edhe priftin e Traboinit At Zefin me disa dashamirë të tij i pushkatuan pa gjyq. Pa gjyq pushkatuan në Pejë edhe femra shqiptare si Domenika Skanjeti Vila, vajza e Motres Tone, mbesë e Kol Idromenos. Pushkatuan në Kosovë edhe vajzën shkodrane Marie Shllaku dhe priftin Benardin Llupi, e dy të tjerë. Këtej kish mbet Gjelosh Luli i Traboinit të Hotit, qendrestar deri në vdekje. Ai që ndihmoi partizanët që shkonin me vra në Kelmend ishte një Rapshjanë, faqja e zezë Kol Maçi që dhe ai viktimë e komunisteve u bë. E vranë pas disa vitesh komunistët në burg "Ruben e kuqe". Tash shkollës i kanë vu emrin e tij në Rapsh. Dy herë faqja e zezë. Po të kishin vu emrin e një mesuesi të gjimnazit të Pejës, Gjergj Martinit, i pushkatuar në Kosovë djalë trim dhe i talentuar nga Traboini i Hotit. Punë për Rapshjanët por ata me Kol Maçin nuk e përfaqësojnë tërë Hotin. Një njeri që çnderon veten nuk mund të nderoj askend e jo më Hotin kreshnik më bëma në histori " Pushka e Hotit e dora e Zotit" siç thotë tan Malësia e Shkodra. Prandaj mos thoni se nuk e luajtu stolin Hoti kunder komunistëve. E gjithë kjo nuk ishtë kryengritje, por qendresë madje spontane dhe e pa organizuar si Malësi e Madhe. Kryengritje quhet ajo që në 1945 bëri Gjergj Shabani në Zadrimë, kryengritsi i parë kunder komunistëve, por dështoi. Ndër ata që u pushkatuan, nëntë burra katolikë në një ditë, ishte edhe një djalë trim nga familja e Marash Ucit, Palok Uci i Traboinit të Hotit, u pushkatue në mars 1945. Organizimi i një kryengritje me përmasa të mëdha është ajo që ka emrin Kryengritja e Postribës. Megjithëse emri i mbeti Postribës, se aty përgjakja nga hordhitë komuniste u bë më e madhe, më mizore, por në fakt ish lidh besa me tan krahinat rreth e qark Shkodres dhe në kryengritje kishte edhe eksponentë nga Shkodra dhe katundet e tjera. Nuk arrit të kordinoheshin dhe Kryengritja filloi e pjesëshme. I mbeti puna Postribës dhe atyre shkodranëve e të tjerëve që ishin vendue në Postribë. Aty bënin pjeshë shumë burra nga Hoti, dy nga të cilët i kam njohur Gjon Luc Gjeloshi Lekaj i vëllai i kompozitorit Zef Lekaj, dhe Gjelosh Vata të dy këta nga Traboini i Hotit që u burgosën si kryengritës e s'duhen harruar. Kryengritja dështoi se nuk u ngritën të gjithë në një kohë siç qe parashikuar duke perfshi Nënshkodren. Ishte dyshimi se komunistët kishin dijeni për ditën e Kryengritjes prandaj nisi para kohe. Veç luftëtarëve që zbriten nga ura e Mesit askush nga rrethinat e Shkodrës nuk lëvizi. Por gjithësesi kryengritja nuk ishte vetëm e Postribës, por Postriba u bë qendra ku mblidheshin ata që e urreni komunizmin. Dhe nder pushkatime që bënë komunistët është dhe ndonjë shkodran si Guljerm Suma, por edhe një mësues kryengritës nga Traboini i Hotit Pjeter Pali që ishte edhe mik edhe kushëri me babën tem. Pra nuk mund të thojë askush se nuk luajti Hoti nga stoli e ndenji në një qoshe kur bijte e tij pushkatoheshin nga komunistët. Fatkeqësia kombëtare e shqiptarëve në histori ka qenë e mbetet mos përbashkësia, edhe pse e dinë mirë se shkopinjt thyhen më lehtë një e nga një se të gjithë bashkë vazhduan e vazhdojnë të jenë krye në vedi. E ka stigmatizue At Fishta këtë dukuri shqiptare, por nuk nxirret asnjë mësim kur veshi punon e mendja flë. Që ti kthehemi fjalës ku e nisëm: Me një të rënë të lapsit as shkruhet e as shuhet historia.
©️ Kolec P. Traboini