12 January 2016

🔴 Familja e Hotit shuar për Atdhe - nga Kolec Traboini


FAMILJA E HOTIT SHUAR PËR ATDHE
Dedë Gjo Luli, Nik Gjelosh Luli, Gjergj Dedë Gjo Luli, Kol Dedë Gjo Luli,
Luc Nishi, Pal Luc Nishi, Gjelosh Luli.

Nga KOLEC TRABOINI

Nga largësia e një shekulli emri e vepra e Dedë Gjo Lulit shfaqet akoma më madhështore. Me një figurë të tillë në histori krejt ngjashëm të krijohet imazhi i largimit prej një mali. Kur je afër nuk mbërrin me e pa të gjithin, por duke u larguar në hapësirë mali të shfaqet me tërë madhështinë e vet. Koha prej njëqind vjetësh ka qenë një gur prove për shumë figura historike, për mirë apo për keq. Disa lartësohen gjithnjë e më shumë dhe vepra e tyre merr vlerë të jashtëzakonshme për ekzistencën e shtetit shqiptar, mjafton të përmendim Gjergj Kastriotin, Ismail Qemalin, Luigj Gurakuqin, Hasan Prishtinën, Dedë Gjo Lulin, Isa Buletinin e plot të tjerë. Disa prej këtyre burrave të kombit iu pre jeta në mes, e disa edhe e mbyllën përgjithmonë derën e shtëpisë së vet.
Dedë Gjo Luli i Traboinit të Hotit ishte nga fisi Gozdjen ku përfshihen(Dedvukajt, Nicajt , Gjelajt dhe Camajt), që ishte në vllazni me Gojçajt dhe Dushajt. Ishin tre vëllezër pra bijtë e Geg Lazër Keqa Prekës, e prej këtij të fundit burojnë tërë familjet e Hotit. Dedë Gjo Luli ka lindur në Bardhaj të Traboinit në vitin 1840 dhe ishte vojvoda i Traboinit, por për shkak të urtësisë së tij, fjala e tij peshonte në 500 shtëpitë e Hotit dhe dëgjohej me urti edhe nga bajraktari Mul Delia. Dedë Gjoni kishte marrë pjesë në shumë luftëra, por pesha më e madhe mbi supet e tij ra në kryengritjen e vitit 1911, kur ai ishte në moshën 71-vjeçare. Barrë tepër e rëndë për një burrë në moshë kaq të madhe, por ai e përballoi si të ishte në rininë e tij.
E paimagjinueshme se ai me disa familje të Hotit, ma së shumti të fisit të vet Dedvukaj, por edhe Gojçaj e Dushaj, do të lëshonte Hotin e do të kalonte kufirin në Mal të Zi për t’u përgatitur për një kryengritje të madhe, kur i kishte apo s’i kishte pesëdhjetë pushkë. E megjithatë ia nisi një lufte që për çdo mendje të kthjelltë apo profesionale ushtarake do të ishte llogaritur humbëse. Por Dedë Gjo Luli nuk i bënte hesapet me pushkë e fishekë, apo plane shtabesh ushtarake, por me djem e burra të malësisë, duke i armatosur edhe me kmesa, se pushkët ia marrin armikut në luftë.
 “New York Times” duke ju referuar “International Herald Tribune” botonte këtë lajm në pranverë 1911:Nga Shkodra, sot më 30 mars, njoftohemi se Valiu ka deklaruar se Tuzi po e përballon tani për tani mundësinë e  sulmeve të më se 5,000 deri në 6,000 shqiptarëve. Pozita e tij megjithatë është e dëshpëruar. Lajmi i shpërthimit të lëvizjes duket se kanë sjellë një situatë të ngjashme me panik në qytetin e Shkodrës, sepse garnizoni (turk) është i dobësuar për shkak të ekspeditës në jug të qytetit, në Lezhë. Valiu bëri thirrje për vullnetarë nëpërmjet kasnecëve në qytet, të cilët krijuan një ndjesi se ishte duke u shpallur një luftë fetare ose luftë e shenjtë kundër shqiptarëve të krishterë.”
Çfarë nuk përdorën pushtuesit otomanë për të përçarë popullin shqiptar e për të izoluar malësorët kryengritës. Arritën të mashtrojnë shumë djem myslimanë  shqiptarë të cilët u nisën kundër kryengritësve,  por u shpartalluan e u kapën të gjallë me të zbritur në breg të Liqenit dhe u çarmatosën. I kthyen mbrapsht në qytet me varka përmes liqenit pa u dëmtuar, por të turpëruar, me porosinë se duhej të luftonin për atdheun e jo për pushtuesin. Ishte një akt i pashembullt që fitoi simpatinë e gjithë qytetarëve të Shkodrës pavarësisht çfarë feje i përkisnin.
Po bëjmë luftë për kombin. Nuk e derdhim gjakun tonë. - ishte fjala e mençur e kuptimplotë e trimit të maleve Dedë Gjo Luli. Jo vetëm në trimëri, por edhe në fushën morale kryengritësit shqiptarë të udhëhequr nga Dedë Gjo Luli qëndronin shumë lart. Këtu kuptohen sakrificat e ndërgjegjshme të luftëtarëve malësorë që dëshironin që lufta të mos ish vetëm e tyre por e mbarë shqiptarisë.
Malësorët as donin t’ia dinin për kërcënimet e forcave perandorake që dyndeshin si stuhi e zezë nga Stambolli. Më mirë të vdisnin se sa të vazhdonin të jetonin nën shtypje e nën robëri. Ndjesia e sakrificës ishte e madhe. Jetën e vet askush nuk e vinte në peshore përpara qëllimit të lartë. Të luftoje për liri ishte një nder për çdo malësor kryengritës. Të vriteshe për Atdhe ishte lavdi. Të tilla ngjarje nuk përsëriten shumë herë në histori.
Një përkushtim ky i jashtëzakonshëm në ideal të lirisë, një sakrificë deri në kufijtë e të paimagjinueshmes. Tipike ka qenë biseda e nënës së Luigj Gurakuqit me djalin e vet. Po një nuse, more bir se koha po të ikën, - i tha nëna. Luigj Gurakuqi iu përgjigj: “E kam marrë nusen teme, moj nanë, nusen ma të bukur që mund të gjendet e ajo është Shqypnija”. Ajo çfarë na vë në mendime në këto kohëra të turbullta, është se këta burra të kombit i kishin vënë interesat e Atdheut mbi të gjitha interesat e tjera, madje edhe jetën e shkrinë për Atdhe. E kështu në sakrificë sublime fati tragjik e deshi të shuhen shumë familje shqiptare. Ndër familjet shqiptare të Malësisë së Hotit, më tipikja në histori deri në kufijtë e mitit është familja e Dedë Gjo Lulit, që me bijtë e me kushërinj u shua e gjitha për Atdhe.

DEDË GJO LULI
Rënë për Atdhe në vitin 1915

Vrasja e Dedë Gjo Lulit është trajtuar aq shumë sa mund të krijosh libra të pafund me rrëfime që thonë të kundërta sipas qëllimeve dhe orekseve që kanë njerëzit që i pëlqejnë histori të tilla duke i veshur me konspiracione provincialësh. Kemi pasur luftëtarë të mëdhenj në histori, por duhet pranuar se kemi edhe përrallëtarë të mëdhenj. Dedë Gjo Luli e ka shkruar historinë e vet. E dinte rrugën që kishte nisur që në moshën 20-vjeçare kur shkoi të luftonte në Urën e Rrzhanicës. Që atë kohë e deri sa mbylli sytë përjetë, ai nuk reshti së luftuari për trojet e lirinë e vet e të bashkatdhetarëve të vet,  sa fjalët që tha për të kur e priti në derë Ismail Qemali janë lapidare. “Dedë Gjo Luli, pushkë e ngrehun për Shqipërinë.” Dedë Gjo Luli e dinte mirëfilli çfarë po bënte kur mori familjet e Hotit dhe doli në Podgoricë, prej ku nisi organizimin e burrave të Hotit, por edhe në lidhje me tërë Malësinë e Madhe për të shporrur halldupin nga trojet shqiptare. Dedë Gjo Luli e dinte se fuqia e tij ishte e vogël, se edhe jetën nuk e kishte të gjatë, ishte shtatëdhjetë e një  vjeç, por ai dinte gjithashtu se të luftosh edhe një ditë për vendin e Atdheun tënd është si të kesh lindur. Prandaj i thoshin në Malësi fjalët madhështore për atë që binte në luftë: “E bëri dekën si me le”. Në të vërtetë Dedë Gjo Luli ashtu e bëri dekën e vet. Ai nuk e donte çastin e fundit ta kishte në shtrat. Vdekjen e mendonte. Ndaj e shkroi testamentin e vet në Kallmet të Lezhës, më 24 qershor  1915.  Tokë e mall e çka kishte në Bardhaj të Traboinit të Hotit ia linte Pretë Diloshes, së shoqes dhe të resë Nore Kola, gruas së të birit Kolës. Dedë Gjo Luli vuri vulën, Kola, i biri, vuri gishtin me bojë, po ashtu bëri edhe dëshmitari Lek Prel Martini.
Më pas u strehuan në shtëpinë e  Kol Tomës së Velës, ku nuk ndenji shumë se forcat esadiste ishin aty rrotull. Ndaj mori rrugën për në veri. Kishte pleqëruar mendimin për të kaluar në Malësi të Madhe. I rëndë ky udhëtim përmes malesh për një burrë shtatëdhjetë e pesë vjeç. Ishin kohë të vështira për Shqipërinë. Shtetet ballkanike kërkonin ricopëtimin e tokave shqiptare, sikur të mos mjaftonte hanxhari i vitit të tmerrshëm 1913, kur edhe trojet e Dedë Gjo Lulit e hotjanëve të tjerë që luftuan e mundën një perandori, mbetën jashtë kufijve të Shqipërisë. Dhe bënë një luftë aq të madhe, aq heroike, bënë një luftë që gazetarët amerikanë e përshkruanin në New York Times në 1911 si “Termopilet shqiptare”, për të mbetur pa troje.
Mbërrin në Spaç, por atje një korrier i dërguar nga Kol Toma i Velës i dorëzon një letër dërguar nga kapedan Marka Gjoni që e ftonte për një kuvend për punët e Shqipërisë. Dedë Gjo Luli kthen rrugë e niset për tek Kisha e Oroshit ku do të mbahej kuvendi. Të tjerat dihen. Forcat serbe kishin pushtuar Oroshin dhe me ta ishin forcat e Esat Pashë Toptanit, kryetradhtarit të Shqipërisë. Tre emrat që duhen përmendur  për masakrën në Sheshëz të Oroshit janë Kapiten Gjura i Serbisë, Sheh Hamdiu dhe Ali Fehmiu, esadistë, bashkëpunëtorë të pushtuesve. Këta dy të fundit ndërsa morën me vete Kolë Tomën dhe Preng Mark Prengën e të tjerët, Dedë Gjo Lulin ua lanë në dorë serbëve, të cilët e morën të lidhur për në vendkomandën e tyre në Nënshejt, por rrugës e ekzekutuan.
Është shkruar për Dedë Gjo Lulin e do të vazhdojë të shkruhet, sepse atij populli i ka kënduar dhe e ka ngritur në lartësinë e një miti. Por jo nga ato mite që i sajojnë agjenturat e shteteve apo veglat qorre të qeverive me qëllime të caktuara. Ai ishte një mit real, tokësor, gjithçka që përshkruhet për të është tokësore. Ai nuk kishte shkuar në asnjë shkollë ushtarake e megjithatë mundi gjeneralët që perandoria otomane i kish dërguar në shkollat më të mira ushtarake në botë. Suksesi i tij nuk qëndronte tek planet ushtarake, tek llogaritë, por thjesht tek prakticiteti. Rrethohej nga njerëz besnikë të cilët nuk kishin asnjë rrugë tjetër veç luftës dhe që kishin krenarinë që të vriteshe për Atdheun është përjetësi. Shumë gjëra kanë ndryshuar në një shekull shqiptar, por ajo çfarë bënë malësorët me Dedë Gjo Lulin mbetet në analet e historisë si akti më i pashembullt i vendosmërisë së shqiptarëve për ta fituar lirinë pas pesëqind vjetëve robëri. Dedë Gjo Luli mbeti burri i panjollë, njeriu me ndërgjegje kristal, njeriu i besës, i burrërisë, i cilësive më të mira të shqiptarit që tashmë reliket kombëtare me të cilat i mburremi sadopak botës.
Fundi i Dedë Gjo Lulit si fundi i një tragjedie të madhe. Me vrasjen e Dedë Gjo Lulit, Hotit iu shua ai mit i madh i ngritur në disa shekuj për të cilët populli kishte thënë fjalë që mbetën në histori e kalonin gojë më gojë: “Bafti i Zotit, pushka e Hotit”, legjendë që kish nisur kush e di sa shekuj më parë, kur dikush vrau një malësor nga Hoti, e si e pa që ra, shkoi t’i marrë pushkën. Tërhoqi tytën e armës, por qe e pamundur, sepse hotjani i vdekur e kishte gishtin të ngrirë në këmbëz. Pushka shkrepi dhe vrasësi me plumbin në lule të ballit u përmbys pikë vdekur. Ata që e panë këtë skenë e treguan, e kështu fjalë pas fjale, ngjarja mori dhenë. Dedë Gjo Luli ishte nga një malësi që kishte emër të madh, por ai me krenarinë e një malësori që e do lirinë mbi gjithçka e çoi edhe më lart lavdinë e të parëve të vet, të Traboinit të Hotit, por edhe mbarë Shqipërisë.
Shteti komunist e ka vlerësuar Dedë Gjo Lulin, por në një anë e vlerësonte në anën tjetër gjithë familjen e fisin e tij e persekutoi në mënyrën më të egër e më çnjerëzore. Ai u përpoq të shfrytëzonte ngjarjen tragjike të 25 shtatorit 1915, për të ulur në sytë e popullit familjen e kapedanëve të Mirditës. Dhe kjo propagandë e stërholluar nuk ishte pa efekt në popull. Ka njerëz që edhe sot thonë se kreshniku i Hotit u tradhtua. Por këta njerëz nuk kanë parasysh faktin se Dedë Gjo Luli e kish dhënë fjalën të dilte në Orosh, madje edhe kur i thanë “kthehu”, ai vendosi të vazhdonte rrugën. Ai nuk mund të vdiste duke e ndjekur me plumb mbas shpine. Dedë Gjo Luli ishte mësuar në jetën e tij të kishte përballë këdo, mik dhe armik. Prandaj iu ngjit Oroshit e ia doli që me faqe të bardhë të mbetej përjetë në histori. Kush nuk e kupton karakterin e malësorit, cilësive të tij të larta, besnikërisë së tij, që sot të shfaqen si ëndrra në këtë kaos ku ndodhemi e ka të vështirë të kuptojë jetën e njeriu që ka principe të larta. Ata që e vranë ishin serbët që kishin pushtuar trojet shqiptare në bashkëpunim me tradhtarët si Esat Pashë Toptani dhe asnjë variant njerëzish që kërkojnë ndasi e përçarje mes shqiptarësh nuk qëndron. Fakti që Dedë Gjo Luli u vra krah për krah shumë mirditorëve trima që i dolën në mbrojtje tregon shumë më tepër se thëniet e liga që duan të trazojnë ujëra në jetën e shqiptarëve.
Monumenti i Dedë Gjo Lulit në qendër të Tiranës që u vendos në njëqind vjetorin e vrasjes, për të cilën dha ndihmesë të madhe diaspora e shqiptarëve në Amerikë, është padyshim triumfi i plotë i madhështisë së figurës së Dedë Gjo Lulit si një nga burrat më të shquar të kombit shqiptar.


NIK GJELOSH LULI
Rënë për Atdhe në Deçiq në vitin 1911.

Kryengritja e nisur më 23 mars 1911 është me të vërtetë si një shkreptimë rrufeje që bie në një pyll të thatë. Gjithë ajo perandori osmane do të lëshohej ta shuante zjarrin për liri që nisi në Malësinë e Hotit dhe u përhap në të gjithë Malësinë e Madhe, por nuk qe e mundur. Por edhe shumë burra nga Malësia u vranë. Deri tani nuk kemi një listë të plotë se sa luftëtarë dhanë jetën në kryengritje( Studiuesi Ndue Bacaj sjell një listë me 104 dëshmorë nga Hoti në kryengritjen e vitit 1911) por edhe në vazhdimin e luftimeve edhe në 1912, ani pse kjo e fundit është lënë në harresë. Gjatë vitit 1912 janë bërë po aq luftime të ashpra e këtë e tregojnë edhe emrat e atyre që u vranë gjatë luftimeve. I pari që u vra në luftë në ditën e parë të kryengritjes më 23 mars 1911 ka qenë Kol Marash Vata e bashkë me të trimi Lek Marash Peci, të dy nga fisi Gojçaj.
Më 25 mars 1911, mbas dy ditësh bien në luftë edhe 6 burra e këta të gjithë të fisit Gozdjen, që i përkiste edhe Dedë Gjo Luli. Po i përmendim këtu në nderim të flijimit për mëvehtësimin e Shqipërisë, meqë askush nuk i kujton në Shqipëri e asnjë institucion nuk është kujdesur për dekorimin e tyre. Dy vëllezërit Gjon e Zef Lulash Zeka, xhaxhai i tyre Gjon Lulash Zeka, Zef Lan Ula, Ujk Gjelosh Leka, Zef Vuksan Leka. Më 28 mars 1911 pasi çliruan Tuzin, nisën luftime për marrjen e kalasë së Shipshanikut ku ishin jo pak, por 600 ushtarë e oficerë turq. Në këto luftime të rrepta ku mbetën rreth 80 nizamë ishte vrarë një prej luftëtarëve më të shquar, Gjon Ujk Çeku, Gojçaj.
Vijmë kështu në ditën kur bie dëshmor kushëriri i parë i Dedë Gjo Lulit, miku i tij më i ngushtë, kryekomandanti ushtarak i tërë forcave kryengritëse, Nik Gjelosh Luli. Ja çfarë shkruan në poemën e tij historike “Lufta e Maleve” bashkëluftëtari i tij Palok Traboini:

“U thye astjeri kahë Miloshi,
Urra djelm si Shala e Shoshi!»
Por si ndien ky Nik Gjeloshi
hof! prej pritet në kambë çohet,
nafakpremi! shpejt, a rrzohet,
i ra plumbi lules s' ballit
e përmbys ra anës s' zallit,
si pra tash me ia ba hallit?
Nik Gjelosh, ora e Malsis,
shpresa e fortë e gjith djelmnis,
Idhtë në jaz ti ne na mblove ,
edhe shpresën na e pakove,
t' tanë bajrakun e ligshtove.

Vrasja e Nik Gjelosh Lulit ishte e rëndë për Dedë Gjo Lulin. Për gjithçka në nisjen e kryengritjes e pleqëronte me Nikën. Atij i kishte ngarkuar barrën më të rëndë për kryengritjen. E caktoi komandant të gjithë forcave kryengritëse të Malësisë së Madhe. Ishte Nik Gjelosh Luli që i koordinonte veprimet ushtarake me forcat e tjera. Ai ishte një burrë i shtruar dhe trim. E veçanta e Nik Gjelosh Lulit ishte se gjendej kurdoherë në ballë të frontit. Ndërkohë që trupat kryengritëse të Hotit i komandonte i biri i Dedë Gjo Lulit, Kola. Nik Gjelosh Luli kishte një djalë që atëbotë ishte i ri, Luc Nishi që edhe ai mori pjesë në kryengritje përkrah babait të vet.


GJERGJ DEDË GJO LULI
Rënë për Atdhe në vitin 1912

Gjergj Dedë Gjo Luli, i biri i Dedë Gjo Lulit ka marrë pjesë në të gjitha luftimet e vitit 1911, por për të ka pak materiale dhe nuk gjendet një fotografi, veç pohime të dëshmitarëve të ndryshëm, të cilat janë kontradiktore. Në poemën “Lufta e maleve” të Palok Traboinit, pjesëmarrës në të gjitha luftimet, ku përmenden shumë dëshmorë të kryengritjes së vitit 1911 nuk përmendet në asnjë rast emri i Gjergj Dedë Gjo Lulit. Kjo poemë është shkruar në dhjetor 1911 kur kryengritja kishte përfunduar. Në librin e Pal Doçit  shkruhet mbështetur në burime që nuk i citon,  se Gjergji është vrarë më 29 maj 1911 dhe në një vrasje të veçuar, “një turk i fshehur në do guva e qëlloi mbas shpine”. Ne nuk e dimë se kush nga 12 personat që kanë dhënë tregime gojore për këtë libër e ka dhënë këtë fakt. Por dimë se Pal Doçi ka marrë në Hot të Ri në Shkodër në vitin 1962 shënimet me kujtime të vëllait të Gjok Ujk Çekut- dëshmor, Martinit dhe jo vetëm nuk ia ka kthyer, por as nuk e ka cituar ndër dëshmitarët e vet. Martin Ujk Çeku më ka dhënë edhe mua disa faqe kujtime të rishkruara. Ai që ka qenë pjesëmarrës i kryengritjes, është edhe në fotografi bashkë me vëllanë e vet dëshmor dhe Dedë Gjo Lulin. Martin Ujk Çeku shkruan se Gjergj Dedë Gjo Luli është vrarë në luftë më 20 shtator 1912 prej nizamëve të ushtrisë turke. Dhe në luftën që është bërë ai nuk ka qenë i vetmi, por janë vrarë edhe gjashtë luftëtarë të tjerë bashkë me të, të cilët po i citojmë: Gjok Kol Preli, Gojç, Dedë Gjoni, Gjon Tom Hasi, Gjon Marash Loshi, Luc Gjergji dhe Preloc Mark Gjeka, të gjithë këta të fisit Gozdjen, të cilit i përkisnin edhe Dedvukajt.
Ne nuk e dimë pse nuk i ka përdorur Pal Doçi shënimet e Martin Ujkës. Nëse i ka do të qe me vlerë t’i ballafaqonim me shënimet që ka lënë për mua në vitin 1972 dhe për të parë pse në librin e tij, studiuesi me një shprehje të shkurtër thotë: “Malësia e Madhe mbeti e veçuar dhe e shkëputun nga lëvizja kombëtare dhe si rrjedhim në kryengritjen e vjetit 1912, nuk dha ndonjë ndihmë të dukshme” (Pal Doçi “Dedë Gjo Luli” f.136, bot. “Geer”, Tiranë, 2003).
Nëse i referohemi Petraq Pepos në librin e tij "Lufta për çlirim kombëtar në vitet 1878-1912", (f. 446-44, Tiranë, 1962, Kujtime të Martin Ujkës) kemi një pasqyrë të zhvillimeve të luftimit të kryengritësve malësorë edhe gjatë vitit 1912. Aty shkruhet për ngritjen e dytë të flamurit te Kisha e Traboinit, si dhe për luftime të zhvilluara në mes të malësorëve kryengritës e trupave ushtarake turke. Në kapitujt me emrin e vendeve “Përpjekja e Samoborrit” shkruhet: “Natën e 11 korrikut 1912 rrethuem Samoborrin dhe e mormë pa lind dielli. Më 12 korrik u ramë 50 nizamëve që po ktheheshin prej Bukoviçit, ku kishin çue ushqim. I qitme fare, gadi krejt, veç disave që ranë në dorë. Mbetën dekun prej nesh Lek Dedë Vuji dhe u varrue Zef Met Haxhia”. Ndërsa në episodin tjetër “Përpjekja e Nokonjelit” shkruhet: “Në at gjak të nxehtë, mbas një çerek sahati, rrethueme Nokonjelin, nji kodër me istikam përballë Bukoviqit. Mark Ded Gjo Staka, Palok Traboini dhe unë ja mbrrime buzë istikamit. Nji nizam qiti mauzerren për frangi për t’na çartë. Mark Ded Gjo Staka i ndëj gati e i kapi pushkën. Nizami s'e lëshoi, Por Marku, burrë i lidhun i dha vedit e ra ledhi megjithë nizam. Paloka (Traboini) pa lanë kohë ndërmjet vrau oficerin turk. Atëherë Hoti u turr nëpër ledh e afër 80 nizamë ranë në dorë se s’ kish kush t'i udhëhiqte.”
Pra kemi një mospërputhje sa i përket zhvillimit të luftimeve dhe datës së rënies së Gjergj Dedë Gjo Lulit. Dihet që Dedë Gjo Lulit shkuan e i thanë se kanë mbetë në luftë shumë djem Hoti. Ai ra në hidhërim të thellë, por për të mos e lshue veten ua ktheu: “Po burrat në luftë do të mbesin.” Ma vonë ia sollën fjalën se kishte ra në luftë edhe Gjergji, djali i tij. Dedë Gjo Luli pa e dhënë veten u përqendrua e tha: “Po edhe ai djalë nane ishte”.
Në një shkrim mbi 100-vjetorin e vrasjes së Dedë Gjo Lulit, në faqen elektronike Malësia.org, u gjendën shumë komente mbi atë që kishte ngjarë më 25 shtator 1915, madje dikush i ushqyer me frymën e konspiracioneve përcolli një ide që solli një reagim të ashpër tek shumë lexues. Komentuesi me pseudonim “Malësori 2020” hodhi në diskutim gjoja një ngjarje që nuk e dimë nga e kishte gjetur. Sikur Gjergjin, të birin e Dedë Gjo Lulit, e kishin vrarë vetë fisi i vet dhe nuk ishte vrarë në luftë. Madje shtonte edhe ca iniciale për ta bërë me të besueshme rrenën e vet: “Të njëjtin vend ku vrau Gj.D., e vrau edhe Gj.K.C. nga mbrapa, atëherë Hotjani M.Gj.M.N. automatikisht jau mori gjakun të dy Gjergjave duke e lanë të vdekur vrastarin e vëllezërve të vet”.
Mesa duket fshehaniku me epitetin “Malësori 2020” mbas  mbi  100-vjetësh që i biri i Dedë Gjo Lulit është vrarë në luftë, nis e tjerr histori, të cilat duken hapur se janë të thurura me pe të kuq a të bëra me porosi. Ne nuk kemi ndërmend t’i japim rëndësi një shpifjeje sepse ajo nuk qëndron, por ka rëndësi të zbulojmë shkaqet se pse bëhen këto insinuata për fisin e Dedë Gjo Lulit, Dedvukajt, që aq shumë kanë sakrifikuar për kombin shqiptar. Është krejt e natyrshme që të vëmë edhe pyetjen se kujt i intereson e gjithë kjo? Kujt i shërben? Të tjerëve sigurisht, se shqiptarëve e Malësisë tonë jo e jo.
Së pari ne nuk kemi as dhe një emër të vrari, në ato që ranë në një ditë me Gjergj Dedë Gjo Lulin që të ketë pasur inicialet GJ. K. C. siç thotë provokatori me pseudonimin malësori. Po si është e mundur që nga ndonjë pinjoll bastard i shqiptarëve të mbetur në Malin e Zi ta ketë gërmuar këtë histori varrezash e ta ketë mbajtur gjallë deri më sot. Kur lexova ato komente njerëzish të shitur që paguhen për të sjellë përçarje e vëllavrasje ndër shqiptarë, m’u kujtua libri i Prenk Grudës me pseudonimin Fatmir Kosova mbi veprimtarinë e UDB-së në radhët e emigracionit shqiptar në Amerikë. Atje shpjegohet shumë mirë se si kanë vepruar agjenturat duke kompromentuar disa shqiptarë me qëllim që ta mbanin gjithnjë nën kontroll komunitetin shqiptar në Amerikë, veçmas ata që vinin nga Malësia e Madhe dhe Kosova. Edhe mjaft vrasje që janë bërë nga malësorët në mes veti në Detroit apo qytete të tjera, kanë qenë dora e zgjatur e UDB-së. Shumë gjëra kanë ndodhur, por agjenturat e vjetra pas një periudhe letargjie për shkak të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë kanë nisur të aktivizohen. Aq më tepër bie poshtë gjithë kjo shpifje ogurzezë, sepse askush nga malësorët e Hotit të shpërngulur në Shqipëri pas vitit 1920 e të vendosur kryesisht në Hot të Ri, në Shkodër, nuk e di këtë bëmë-gjëmë që na e përcjell një anonim si Jago. Personalisht në vitet 1960-1970 kam takuar njerëz të cilët kanë qenë pjesëmarrës në kryengritjen e vitit 1911 dhe asnjë prej tyre nuk e kishte në kujtesë një histori të tillë. Dhe nuk është shkruar askund e nuk është folur në asnjë rast. Nore Kolja, gruaja e Kol Dedë Gjo Lulit, vëllait të Gjergjit, me të cilën bisedoja kur isha në moshë shkollore, sepse ishim me shtëpi pranë e pranë, nuk e ka përmendur asnjë herë një gjë të tillë. Si erdhi kësisoj e na u shfaq në vitin 2016? Veç ata që i shërbyen UDB-së me devotshmëri apo bijtë e tyre mund të kenë interes për të sjellë grindje e përçarje ndër shqiptarë përzier kjo edhe me një xhelozi të fëlliqur, sepse Dedvukajt e New York-ut, të Detroitit apo kudo ndodhen, pra fisi i Dedë Gjo Lulit, janë jo vetëm atdhetarë të spikatur, por edhe biznesmenë të suksesshëm. Dhe zilia ta plas syrin e të shtyn që si krimb i zi dheu të kërkosh fakte të sajuara nëpër varreza shekullore, pa e lënë të qetë as dëshmorin e Atdheut Gjergj Dedë Gjo Lulin.

KOL DEDË GJO LULI
Helmuar nga armiqtë e Shqipërisë 1918

Nuk e kishte veç bir Kolën, i ati Dedë Gjo Luli e kishte edhe një nga bashkluftëtarët  më të aftë dhe krahu i djathtë i tij në veprimet luftarake në Hot. I rritur pranë të atit në të gjitha veprimtaritë që zhvillonte prijësi i Hotit, Kola mësoi shumë nga trimëria, por mbi të gjitha nga urtia e Dedë Gjo Lulit. Me fillimin e kryengritjes Kol Dedë Gjo Luli u caktua komandant i luftëtarëve të Hotit. Dihet se qendra e kryengritjes ishte në Hot dhe forcat turke të gjithë goditjen e kishin përqëndruar në këtë krahinë, megjithëse luftime bëheshin kahmot në Malësi të Madhe me qëllim që t’i çorientonin trupat otomane. Para se të fillonte kryengritja, Dedë Gjo Luli e mendoi punën hollë. Vendosi që të porosiste një flamur si flamujt e të gjitha mbretërive e shteteve të Europës e për këtë dërgoi në Vjenë të birin, Kolën. Kola shkoi në Vjenë e atje bie në kontakt me Alardo Kastriotin. Duhet thënë se Alardo Kastrioti ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për çështjen shqiptare në skenën europiane, por kjo veprimtari e tij është lënë qëllimisht në heshtje nga historianët e epokës së komunizmit. Dihet një gjë se Alardo Kastioti e ka ndihmuar Faik Konicën, ka qenë i pari që ka porositur një flamur të Gjergj Kastriotit dhe të tillë flamuj ka shpërndarë që në 1902 në Paris dhe të gjithë flamurët e futur në Shqipëri kanë qenë porositur e financuar prej tij. Madje edhe ai që është ngritur në Deçiq, por edhe në Vlorë është i njëjti njeri që i ka porositur. Kush lexon shënimet historike të Eqerem Vlorës e ka vënë re se flamurin atij ia kishte dhuruar Alardo Kastrioti. Kola, i biri i Dedë Gjo Lulit, në Vjenë shkoi me një mision tjetër, sigurimin e armëve dhe ndihma nga Austria dhe për këtë janë bërë takime të fshehta. Të gjithë në Hot e kanë ditur se Kol Dedë Gjo Luli ka shkuar në Vjenë dhe atje i është premtuar ndihma për Malësinë në rast të një lufte me forcat turke. Por takimet e Kol Dedë Gjo Lulit kanë qenë sekrete dhe për këtë as që është folur. Shkaku ka qenë se perandoria Austro Hungareze druhej se angazhimi i saj në ndihmë të kryengritësve do të sillte një konflikt luftarak me Perandorinë Otomane dhe këtë ajo nuk e dëshironte. Ndoshta për këtë nuk kemi të regjistuar apo të botuar asnjë material ku kryengritësit e Malësisë së Madhe të kenë patur lidhje apo takime me autoritete të Vjenës. Megjithatë dihet tashmë se Austria në marrëveshje të fshehta përdori një kanal tjetër për të ndihmuar kryengritësit. I kaloi ato nëpërmjet Malit të Zi. Ka njerëz ndër shqiptarë që me prirje dhe aspirim të otomanizmit të ri në Ballkan nxjerrin shkrime a foto sikur malësorët ishin mercenarë të Malit të Zi në luftën kundër Perandorisë Otomane. Ky është vetëm një mashtrim historik. Nga Mali i zi kanë ardhur ndihma ushqimore dhe armatim, i cili ishte i financuar nga Austria, por kjo nuk dëshironte të dilte në skenë. Në këtë kuadër ishte dhe vizita e Kol Dedë Gjo Lulit në Vjenë, ku siç thamë u gjet rasti dhe u bë porosia për Flamurin që do të punohej e do të ishte simboli i kryengritjes shqiptare e jo thjesht një revoltë e veçuar krahinore. Ishte lënë që Flamuri të vinte e më pas të niste kryengritja. Por, Flamuri po vononte siç thonë dëshmitarët dhe kryengritja filloi. Menjëherë ka arritur njoftimi se Flamuri nga Vjena ishte nisur. Kolë Dedë Gjo Luli që komandonte trupat kryengritëse të Hotit nuk mund të largohej nga skena e luftës, prandaj Dedë Gjo Luli ka ngarkuar me këtë detyrë mësuesin kryengritës Palok Traboini, i cili e solli flamurin përmes Dalmacisë. Ky është ai që quhet Flamuri i Dedë Gjo Lulit, por edhe i Deçiqit. Duhet thënë se para se të shpalosej Flamuri në Deçiq është shpalosur në vendin e quajtur Logu i Kishës në Traboin të Hotit. Gjithherë është harruar ky fakt, por ky është i regjistruar në poemën e vetë Palok Traboinit  shkruajtur në Prizren më dhjetor 1911, ku thotë:

Tue krisë pushka shpat e n' shpat
gjimojnë malet lak e n' lak
nji djalë Hotit* vjen prej larg
pa pikë frymë prej Dallmacis,
Dedë Gjo Luli ku e kish nisë
me pru flamurin e Shqipnis.
N'log të Kishsë kur djali a kapë
dy flamurë n' erë ka hapë,
dy flamurë kuq e zi
qindisë n' ar për bukuri.
Aty at-herë Kolë Dedë Gjo Luli
njenin flamur n' bli e nguli
prej të gjithve me u soditë.
pala-pala tue valvitë.

Pra siç shihet flamuri i parë i ngritur ka qenë ai i ngulur në blirin e Logut të Kishës në Traboin të Hotit. Më pas autori që ka qenë vetë protagonist i kësaj ngjarjeje vazhdon në këtë kronikë historike në vargje:

N' kambë u çuen në shej nderimit
të tanë djelt e Traboinit;
kërset pushka prej gëzimit,
gjithkah hapet brohorija:
“Rrnoftë flamuri e rrnoftë Shqipnija,
orën çuet e ka Malsija!”
Dedë Gjo Luli u çue n' kambë,
tjetrin flamur ja u ka dhanë
djelve t' Hotit e u ka thanë:
“Çonju tash, djelt e mi,
me dekë sot për flamuri
se i erdh dita ksaj Shqipni.
Në Deçiq ja u due n' ket ditë
flamurin n' majë me e ngritë.
qi ta shohin krali e mbreti
se bajmë luftë na veç për veti
me qitë n' dritë Shqipnin n' ditë t' sotit.
tue u djegë gjallë në flakë t' barotit.”

Kjo dëshmi historike na thotë qartë se për herë të parë flamurin e kryengritjes e ka ngritur Kol Dedë Gjo Luli më 6 prill 1911 në Traboin të Hotit në vendin e quajtur Logu i Kishës, dhe flamurin tjetër, me urdhër të Dedë Gjo Lulit e kanë ngritur në një grumbull gurësh në Bratilë, në mal të Deçiqit, sepse ishte pika më e lartë nga mund të shihej prej të gjitha anëve, madje edhe prej Tuzit. Ka edhe historianë të cilët kanë rënë në kurthin e kujtimeve sporadike të atyre që mbase as nuk kanë qenë pjesëmarrës ngjarjesh. Dhe një protagonisti të madh në kryengritjen e vitit 1911 si Kol Dedë Gjo Luli, që ishte edhe komandat i luftëtarëve të Hotit shpesh i është anashkaluar çdo meritë, duke e lënë në hije të babait të vet. Është fatkeqësi kur mendësia e kultit të një individi i ngjitet historianëve në kokë si rriqna, sepse nuk ka kryengritje në botë që bëhet me një luftëtar, sado i jashtëzakonshëm të jetë. Dedë Gjo Luli kishte rreth vetes luftëtarë të mëdhenj, emra të mëdhenj që meritojnë të shkruhen në histori me gërma të arta. Dedë Gjo Luli e dinte këtë, e dinte kë kish rreth vetes prandaj dhe mori guximin dhe e filloi kryengritjen. Kryengritja nuk ishte një trill, as një inat apo zemërim i malësorëve, as thjesht se sundimtarët otomanë kërkonin t’u hiqnin armët, por se kishte ardhur koha e shpëtimit të trojeve shqiptare prej sundimit shekullor.
Mbas kryengritjes së vitit 1911, Kolë Dedë Gjo Luli e vazhdoi veprimtarinë luftarake me trimat e Hotit në mbrojtje të trojeve shqiptare. Në ndërrim të viteve 1912-1913 Kola e shoqëron babain e vet në Vlorë, ku u prit nga Ismail Qemali, në maj 1914 u takua me princ Vidin, po atje ishte ministër Esat Toptani që kishte armiqësi me Hotin e Dedë Gjo Lulin. Për këtë forcat e Esat Toptanit që ishin përqëndruar në Durrës, të shumta në numër arritën t’i rrethojnë luftëtarët e Hotit, u zhvillua një betejë në Rrashbull, por në sajë të aftësive të veçanta të komandantit të tyre Kolë Dedë Gjo Luli, malësorët arritën të çajnë rrethimin. Megjithëse në librin e Pal Doçit thuhet se hotjanët nuk patën asnjë humbje në këto luftime, në të vërtetë mbeti i vrarë luftëtari i Hotit Gjok Prel Çeku, Gojçaj më 22 qershor 1914.
Në vitin 1915, Kolë Dedë Gjo Luli u bashkua sërish me babain e vet dhe kudo u gjendën bashkë deri në çastin e fundit në Orosh, ku më 25 shtator 1915 trupat esadiste që bashkëpunonin me ushtrinë serbe e ekzekutojnë kreshnikun e malësisë. Kolë Dedë Gjo Lulin e burgosur forcat esadiste të cilat ia dorëzuan italianëve, ata e internuan në Siçili. Sipas kujtimit të një bashkëkohësi, Ibrahim Shyti nga Vlora, Kol Dedë Gjo Luli erdhi i sëmurë nga Italia. Ishte fundi i vitit 1918. I strehuar në hotelin e këtij qyteti, e helmuan ata që nuk e donin të gjallë këtë luftëtar të madh, këtë simbol trimërie e fisnikërie. Më ndihmën e Ali Asllanit, Osman Haxhiut e disa atdhetarëve të tjerë u shtrua në spitalin e qytetit, por ishte e pamundur të shpëtonte. Kishte shpëtuar prej plumbave të armiqve në frontin e luftës për pavarësi, por tradhtia arriti të bënte atë që nuk e bëri dot plumbi i armikut. Me vrasjen e Kolës, që nuk la fëmijë pas vetes, shuhet familja Dedë Gjo Lulit, dera më e shquar e Malësisë së Hotit.
LUC NISHI
Rënë për Atdhe në vitin 1920

Luc Nishi, i biri i kushëririt të parë të Dedë Gjo Lulit, Nik Gjelosh Lulit, ka lindur në Traboin të Hotit në vitin 1893. Ishte fort i ri në kryengritjen e vitit 1911, por megjithatë mori  pjesë në luftime. I edukuar me frymë atdhetare, bir i një luftëtari të madh, Luc Nishi ndoqi karrierën ushtarake. Ishin kohë të turbullta, kur shpesh Shqipëria kalonte nëpër rreziqe të mëdha, ndaj Luc Nishi ndoqi atë rrugë për t’i shërbyer sa më mirë vendit të vet. U martua me Katrinën, bijën e Kol Kurtit të Pikalës së Grudës, që ishte motra më e vogël e Nore Kolës, gruas së Kol Dedë Gjo Lulit, e njohur  nga të gjithë si Nore e Hotit, ani pse bijë Grude.
Nga kjo martesë oficerit Luc Nishi i lindi një djalë të cilit ia vuri emrin Pal. Në vitin 1920 ai shërbente në ushtrinë shqiptare. Pikërisht në këtë vit kufiri shqiptar u sulmua nga forcat e bashkuara serbo-malazeze. Shqipëria ishte ende një shtet i dobët dhe fqinjët e veriut menduan se ishte koha më e mirë për të realizuar një ëndërr të kahershme për pushtimin e trojeve shqiptare. Në këtë luftë kombëtare që zgjati 203 ditë, filloi më 27 korrik 1920 e vazhdoi deri më 14 shkurt 1921(megjithëse ishin bërë luftime sporadike dhe më parë)  morën pjesë luftëtarë nga të gjitha trevat shqiptare. Sipas studiuesit Ndue Baca në radhët e luftëtarëve ishin përfshirë edhe 120 trupa nga Rapsha e Hotit si dhe 102 nga Traboini. U zhvilluan beteja në Vrakë, Gruemirë, Grizhë, tek Prroi i Thatë, tek Kodrat e Koplikut, Buzë Ujit, madje luftime u zhvilluan deri në Qytezë të Hotit e deri në Bardhaj e Traboin që ishin lënë jashtë kufijve të vitit 1913. Një prej betejave më të ashpra ishte ajo të Sukat e Moksetit ku agresorët serbo-malazes përdorën edhe artilerinë e ku sipas studiuesit Bacaj, “Beteja në Suka të Moksetit përsëriti heroizmin e vitit 1911”.
Në këtë betejë më 25 gusht 1920 mbeti i vrarë nga një e shtënë topi oficeri Luc Nishi, i biri i Nik Gjelosh Lulit, në moshën 27 vjeçare - at e bir në altarin e lirisë së kombit shqiptar.


PAL LUC NISHI
Vdekur në Itali më 1936

Tashmë ishin dy motra, Nora e Katrina, e të dyja me burra të vrarë. Ndryshe prej Nore Kolës që nuk kishte fëmijë, Katrinës së Luc Nishit gjithsesi i kishte mbetë një ngushëllim, i biri Pali, të cilin e rriti me sa e sa mundime, e rriti si një filiz i ri në derën hotiane të Nik Gjelosh Lulit, e rriti me dëshirën për t’i ngja atij trungu familjar që lindi legjenda, por fati për Katrinën u tregua i pamëshirshëm duke i pre shpresën e fundit ashtu si të motrës Nore Kolës.
Pal Luc Nishi, i biri i Katrinës, kishte prirje për letërsi, krijonte poezi dhe la të shkruar pjesë nga historia e trungut të fisit Luli që i përkiste. Pjesë nga krijimet e tij u botuan në almanakun Shkodra, në vitin 1962. Dorëshkrimet origjinale pas vdekjes së Nore Kolës e Katrinës së Luc Nishit, që duhej të ishin në atë kashunin që kisha parë në fëmini, nuk dihet se ku përfunduan. Ndoshta humbën përgjithmonë. Ndoshta i përpiu koha, si shumë e shumë relike e ngjarje. Por kanë mbetur një tufëz shkrime që, siç shkruante redaksia e Almanakut “Shkodra” 1962, megjithë do “zbrasti dhe ndërpremje, të cilat autori mendonte me i plotësue ma vonë, prap se prap përshkohen nga një frymë e zjarrtë patriotike që i bajnë mjaft interesante. Ai andrronte, siç dëshmon e ama, me mbledhë kujtimet e familjes së vet, që kish dhanë aq njerës për lirinë e vendit.”
Po ku janë tani këto shkrime të pinjollit të fundit të familjes atdhetare të Nik Gjelosh Lulit? Nuk dimë ku mund të marrim një gjegje për t’i sjellë në dritën e botimit ato shënime. Disa prej vjershave të veta, Pal Luc Nishi ia kushton aktit sublim të babës së vet që ra dëshmor për Atdhe. Një prej tyre është edhe kjo e shkruar në Chieri të Italisë më 12 maj 1932, kur ishte me studime:

LAMTUMIRË…

Lamtumirë, o grue, o shoqe e kësaj jete,
ushtrinat n’ luftë janë nisë me hi,
e unë në front me ba mos me u gjetë
kishte me kenë si një tradhëti.

Trompeta, pra, ka ra,
e prej këndej më duhet me u largue,
s’ke pse mekësh, duhet me u nda,
pse në detyrë më duhet me shkue.

N’anmik unë me ra,
po sa kam me mujtë,
pse gjaku për vatan
gjithherë më ka luejte.

E, jo mue vetëm,
por edhe të parëve të mi,
të cilët dhanë jetën
të gjithë për Shqipni.

Pse deka për vatan,
s’asht gja, thonë, ma e qetë,
çdo kurban qi don me i ba
atmes në këtë jetë
……………………

Pal Luc Nishi ndërroi jetë në një sanatorium në bjeshkët e Torinos, Itali, më 31 tetor 1936. Ishte në moshën 22-vjeçare. Ky mort i fundit e mbylli derën e Lucë e Nik Gjelosh Lulit përgjithmonë.
   
GJELOSH LULI
Masakruar nga komunistët në vitin 1947

Gjelosh Luli është nip i kësaj familje të madhe. Ai lindi në shtëpinë e Dedë Gjo Lulit në Bardhaj të Traboinit të Hotit në vitin 1912. Babai i tij Gjok Luli, u shpërngul e u vendos në Hot të Ri, pranë Shkodrës. Atëherë Gjelosh Luli ishte shtatë vjeç. Duke qenë një nxënës i dalluar dhe nga familje e madhe hotjane iu dha bursa për në Akademinë Ushtarake në Torino prej nga doli oficer. Pas studimeve kthehet në Shqipëri dhe emërohet me gradën toger në Regjimentin e Artilerisë në qytetin e Tiranës. Më pas transferohet në Shkodër me gradën kapiten i parë dhe martohet me Elenën, bijë e familjes së njohur Mirakaj nga Puka. Gjelosh Luli, njohës i disa gjuhëve, jepte edhe mësim në gjimnazin e Shkodrës dhe herë pas here botonte shkrime në shtypin e kohës në të cilën shprehte edhe mendime antikomuniste mbi rrezikun që përbënte për Shqipërinë kjo ideologji e mbështetur dhe përhapur nga sllavo-bolshevikët e Rusisë. Nuk e priti mirë pushtimin fashist, por më pas pranoi të shërbente si ushtarak në ushtrinë kombëtare, siç e cilësonin në atë kohë, por pa angazhime politike. Forcimi i lëvizjes komuniste e detyroi Gjelosh Lulin të merrte pjesë në veprimtari që zhvillonin forcat nacionaliste në përpjekje për të penguar ardhjen në pushtet të komunistëve, por kur kjo ndodhi ai nuk pa rrugë tjetër, por të shkonte e të jetonte në male dhe të organizonte qëndresën.
Bashkëpunoi me Llesh Marashin për të organizuar një kryengritje kundër qeverisë komuniste, por kjo dështoi. Mbajti dhe një takim me popullin në Koplik  Nuk pranoi ta braktiste Shqipërinë. Por edhe jeta në male qe e vështirë. Rezistoi mjaft kohë duke u strehuar herë në Traboin të Hotit, por herë në vende të tjera në kushte shumë të rënda moti. Është e njohur strehimi që i bënë vëllezërit Mark e Kol Miri, të cilët anipse të torturuar madje me zjarr e në rrezik vdekje, nuk e dorëzuan Gjelosh Lulin. U strehua gjithashtu në Kastrat. Në dimrin e egër 1947 e mbanin edhe në vig, sepse i ishin ngrirë këmbët. Tregoi një qëndresë të pashoqe. Së fundi u strehua në një shpellë. U rrethua dy herë nga forcat komuniste të ndjekjes, por arriti t’u ikte. Por herën e dytë ndërsa çante rrethimin ngriu nga të ftohtit në dëborë. Ishte në moshën tridhjetë e pesë vjeçare dhe bëri emër aq të madh në një jetë aq të shkurtër. Komunistët e gjetën dikur, por nuk ishin të bindur se ishte ai, ngaqë emri i tij ishte kthyer në legjendën e një trimi që nuk prekej as me dorë e as me plumb. I prenë kokën dhe trupin ia lanë në dëborë.
Vetëm kështu, duke ua treguar njerëzve kokën e prerë, më së fundi e verifikuan se ai ishte kapiteni trim Gjelosh Luli që nuk u dorëzua i gjallë.
Në të dalë të dimrit, në mars të vitit 1948, trupin e tij e gjeti një malësor, i cili e varrosi dhe vuri një shenjë që të mos e harronte vendin. Mbas vitit 1991 dy të bijat e gjetën varrin dhe eshtrat e Gjelosh Lulit, ish-komandantit të përgjithshëm të Forcave Nacionaliste të Malësisë së Madhe, u vendosën në varret e Rrmajit, në qytetin e Shkodrës. Ky ishte luftëtari i fundit nga dera e Gjon Lulëve të Hotit që u shua për  Atdhe.

 Janar 2016


kryengrites 1911
Martin Ujk Çeku-Gojçaj
BURIME
“Shkodra” - Almanak 1962
"Lufta për çlirim kombëtar në vitet 1878-1912" - Petraq Pepo 1962
“Lufta e maleve” Palok Traboini, dorëshkrim, Prizren 1911
“Flamuri në Deçiq” - Palok Traboini, Pantheon Book 2012
“Gazeta shqiptare” - Kujtimet e Izabela Lulit nga Dashnor Kaloçi
“Lufta e Koplikut”- Ndue Bacaj
“Dorëshkrime” - Pal Luc Nishi, 1932
“Dorëshkrime” - Martin Ujka 1972
“Dedë Gjo Luli” - Pal Doçi, Geer 2003
“New York Times”- New York, mars 1911
“Gjurmë në histori”- Kolec Traboini, Athinë 1995
“Kujtime” - Dom Ndoc Nikaj, Plejad 2003

07 January 2016

Albanofobi që shtiret si Albanolog- nga Kolec Traboini

Emigrantët shqiptarë të lidhur me pranga në mes të Athinës 1993 në fushatën "Fshesa për shqiptarët"

ALBANOFOBI QË SHTIRET SI ALBANOLOG

Nga KOLEC TRABOINI

Shumë shqiptarë të painformuar apo të keqpërdorur po na e shesin studiuesin grek Titos Johalas si një arvanitas të madh. Si një figurë e respektuar, kur ai nuk është i tillë, të paktën për ne shqiptarët jo. Mbase për grekët e Greqinë bëhet i tillë mjaftueshëm. Po vihet re se pas vrasjes së Aristidh Kolës dhe dëshirës së shfrenuar për të vënë në harrim veprën e tij,  po dalin soj-soj figurinash që po na i shesin si studiues arvanitas apo ironikisht e mjerisht si “albanologë”.  Është krejt e kuptueshme sepse tani mungon ai që kishte guximin tua thoshte të vërtetën në sy e përpara të cilit zgërlaqeshin. Kështu po del tani ky Titos Johalas që gëzon simpatinë e qeveritarëve të Athinës në mënyrë të përhershme, ndërkohë që për arvanitasit e mëdhenj heshtet. Akoma më tepër  bëhet çfarë është e mundur të minimizohen historia e traditat e shqiptarëve të Greqisë,  madje  duke i konsideruar se nuk kanë asnjë lidhje me shqiptaret e Shqipërisë dhe të Kosovës. Janë një popullsi tjetër, thonë myteberrët e megaloidhesë, pra thjeshtë kanë mësuar të flasin shqip. Ky është argumenti i mediokritetit nacionalist grek.  Cinizmi i tyre nuk ka fund e në këtë qëllim të shuarjes së çështjes së arvanitëve dhe mision mohues ndihmojnë sa të jetë e mundur studiues të tipit Titos Johalas që janë në të njëjtën hulli me politikën qeveritare madje  të thuash saktë janë sejmenë të tyre.

Të bën përshtypje se edhe ish-kryeministri shqiptar(dhe jo grek)  Aleksandër Meksi në një koment të tij na e quan këtë Johalasin si albanolog arvanitas. Mbase di më shumë ndaj dhe del e flet vërtetë dy fjalë por si të thuash i jep një nderim të madh “arvanitit”  Titos Johalas-it. Por “taftotita” që jep Meksi nuk pi më ujë. Johalasin e kemi njohur herët që kur ishte në rrethin e miqve të ngushtë në oborrin e Dora Bakojanit dhe sillej zyrave të partisë së babait të saj kryeministër.
Ky Tito Johalas mund të jetë çfarë të dojë por jo “albanolog arvanitas” siç e quan ish kryeministri Aleksandër Meksi. Shkrimtari minoritar Spiro Xhai edhe pse vetë ishte grek me origjinë, nuk e honepste këtë Tito Johalasin. Është oborrtar i politikës së Micotaqit, më thoshte në bisedat që bënim në Athinë. E pra Spiro Xhai që nuk jeton më, nuk i ndante shqiptarët nga vetja ani pse ishte grek. E këtë njeri dinjitoz aspak nuk e kujtojnë sepse e kanë mendjen tek Johalasi që  tash së voni po kujtohet të shfaqet si mik i shqiptarëve sa dhe Akademia qorrfermane e  Shkencave në Tiranë i përuroi edhe veprat në vitin 2012. Na ruaj zot nga kësisoj miqësh por edhe prej marrëzive tona na ruaj, se pleqtë e rrjedhur të Akademisë nuk e dinë çfarë bëjnë.

Tito Johalas me aq sa di unë që kam qenë emigrant në Greqi në vitet 1991-1995, ishte një regres i gjallë. Ai ndante me një fill të kuq arvanitasit e shqiptarët. E kam lexuar në reagimet e tij në shtypin grek. E kam dëgjuar në intervista në televizion. Mik i renegates plakë të rrjedhur Marie Dede e me kauzë të përbashkët që shqiptarët e arvanitët nuk kanë asnjë lidhje kulturore apo historike por as dhe prejardhje të përbashkët. Ky Tito Johalas ishte miku më i ngushtë i familjes së Konstandin Micotaqit, buallit të Kretës, i cili vërtetë gruan Marika e kishte arvanite, por i urrente shqiptarët deri në tërbim dhe krijoi operacionin famëkeq  fshesa “Skupa ja tous alvanous”.

Me dhjetëra mijëra policë grekë u lëshuan si qen të tërbuar anë e mbanë Greqisë e ishujve, si nazistët në Gjermani mbi çifutët, për të kapur shqiptarët. I kam parë me sytë e mi në stacionin e autobusit të Athinës( Praktorio) dhjetëra shqiptarë të lidhur me zinxhirë si në mesjetë e jo pak por me grupe deri në 20-30 së bashku. Kam parë në Athinë mesjetën, atë që kisha parë nëpër filma në kohën e skllavërisë dhe mesjetës së hershme.  Prandaj mos i merrni këto lloj antishqiptarësh në rrethin e miqve, të mos i bëjmë varrin vetvetes.  Një të tillë e fton Akademia e Shkencave, i bën nderim të madh kjo Akademi mediokre pa palcë kombëtare dhe thene hapur e rrjedhur, që as nuk e kujton Aristidh Kolën, dhe as nuk i vete mendja që në vend të bustit të Sabri Godos të vejë atë të Aristidh Kolës. Se Akademia e Shkencave nuk është Akademi Politike. As Akademia e Sigurimit të Shteti komunist ku dikur ka qenë i inkuadruar  Sabri Godo. As Akademia e puthadorëve të megaloidhesë së Athinës.  

Ky  Tito Johalas është një fytyrë antipatike që ka punuar e punon kundër shqiptarëve me teorinë e tij arvanitët popull tjetër nga shqiptarët, por natyrisht në një mënyrë  të tillë që të duket sikur është një studiues i shquar e aq më tepër si një albanolog. Është mënyra më e mirë e hijeve të Akropolit për të lënë në harrim veprimtarët e studiuesit e mëdhenj arvanitas Anastas Kullurioti, Aristidh Kola, Vangjel Labi, Jorgo Maruga, Luka Çiçipi, Jorgo Miha, Jorgo Jeru.  Dhe harrojnë se kemi një studiues të madh me përmasa evropiane nga Prevezë e Çamërisë si Niko Stillo, të cilit duhet më shumë ti kushtojmë vëmendje e më shumë ti hapim rrugën e mundësisht ta pranojmë si anëtar nderi të Akademisë së Shkencave sepse me veprën e tij nderon në tërësi kombin shqiptar.

Aristidh Kola ua dinte rrënjë e dhëmballë këtyre pseudomiqeve si Titos Johalas. Zoti Meksi nuk i di punët mirë sepse vinte në Greqi si kryeministër e kudo e shoqëronte një salltanet i madh që grekët e politikës dinë ta bëjnë,  por duke të futur ujin nën rrogoz e pastaj të thuash “O Zot, e paskam bërë në brekë!”.   Kësisoj i ndodhi  ish kryeministrin Meksi në Athinë.  Personalisht i thashë zotit Meksi në pritjen që u bë në ambasadën shqiptare në Athinë mbrëmjen e 17 majit 1993,  bëj diçka për emigrantët  e mbetur pa mbrojtje  zoti kryeministër, e Meksi ma ktheu,  se për ju po mundohemi. Në të vërtetë kish firmosur  një marrëveshje për ekstradimet dhe disa probleme gjyqësore,  por asgjë për emigracionin nuk ishte e saktë dhe jeta e afro një milion shqiptarëve ishte e pasigurt dhe e pambrojtur.

Mbas pak kohë të vizitës euforike të kryeministrit shqiptar, në Greqi filloi fushata e tërbuar e kryemikut të Tito Johalasit, maskarait dhe e fytyrës së urryer Konstandin Micotaqi, kryeministri i Greqisë. Mbi gjysmë milioni shqiptarë u riatdhesuan të rrahur e të keqtrajtuan, të lënë pa bukë pa ujë,  por pati edhe shumë të vrarë. Nuk dihet shifra po janë me mijëra emigrantë shqiptarë të zhdukur në Greqi pa lënë gjurmë. Sa për kujtesë atë kohë botoja në Athinë gazetën e parë në gjuhën shqipe në Greqi “Egnatia”, 1993-1995 dhe isha në korrent të gjithçkaje që trajtonte media greke në lidhje me emigrantët. As dhe një mbrojtje e vetme nga ana e qeverisë që drejtonte Aleksandër Meksi nuk u shfaq. Atë kohë për të tërhequr vëmendjen e politikës e të shtetit për fatin e emigrantëve shqiptarë në Greqi botova shkrimet “Emigracioni dhe Diplomacia” si dhe “Emigracioni dhe politika”. Por qeveria atë botë kishte probleme  të tjera, që të shiste për një copë bukë çdo gjë që kishte mbetur si trashëgim nga ekonomia e përbashkët socialiste. Ndërkohë që shkatërronin prisnin çekun e bardhë që nuk erdhi kurrë.  Gjasat janë që edhe atë kohë, me euforinë e asaj vizite të dështuar me ujë grek nën rrogoz,  Aleksandër Meksi të këtë takuar edhe plot njerëz te kallëpit të Tito  Johalas ndaj dhe ka aq nderim për të, duke e quajtur as më pak e as më shumë por “albanolog” në vend që ta quante albanofob.

8 janar 2016
Emigrantët shqiptarë duke blerë gazetën "Egnatia", Athinë 1993
Marrëveshja Meksi-Micotaqi, 17 maj 1993, ku erdhëm për lesh e dolëm të qethur



06 January 2016

Enciklopedi dashurie për Shkodrën- mbi librin e Farida Ramadanit

ENCIKLOPEDI DASHURIE PËR SHKODRËN
Mbi librin “Shkodra në 12 yje” të Farida Ramadanit

Të shkruash për vendlindjen është gjëja me e zakonshme për çdo autor që merret me poezi. Poezitë kushtuar nënës edhe vendlindjes zënë pothuajse të njëjtat përmasa në krijimtarinë e çdo poeti. Është e natyrshme se kur largohemi nga vendlindja e jetojmë në vise të tjera apo shtete të tjera kjo temë bëhet akoma më e prekshme e nostalgjike për shkak të largësisë e pamundësisë për t’u gjendur atje ku ende e ndjen përgjakjen e gjunjëve, kur ke hedhur hapat e parë apo më pas prej vrapimeve nga një rrugicë në një tjetër, nga njëra derë në një tjetër. Për ata që kane fatin të mbeten në atë vend ku kanë lindur e të kalojnë jetën në këtë dashuri e ngrohtësi të përjetshme, mbase kjo tematikë nuk është dhe aq e “nxehtë” me mall përvëlues, nëse mund të shprehemi kështu. Kujtojmë shkodranin Filip Shiroka, ngrohtësinë e vargjeve të përcjellura nëpërmjet krahëve të dallëndysheve. Por më vjen ndërmend edhe Frederik Rreshpja në një nga ato kthimet e tij nga Tirana në Shkodër me një mall të brishtë e të drithërueshëm si shelgjet lotuese të varura deri në ujërat në brigjet e liqenit.

Farida Ramadani, autore e njohur për këmbënguljen e shqetësimin e përhershëm krijues, nuk ka ndjekur atë udhëz e atë shteg nëpër të cilin ne të gjithë kemi kaluar thuajse njejtësisht. Ajo ka marrë një shteg tjetër për t’i kënduar qytetit të vet në librin e saj “Shkodra në 12 Yje”. Çfarë është ky libër ne tashmë e dimë se e kemi në duar, ajo çfarë mund të themi ndërsa e shfletojmë pa e lëshuar nga dora është se këtu ka aq shumë dashuri për qytetin e Shkodrës, një dashuri e përzier me krenari të ligjshme ndërsa shpalos një e nga një reliket e çmuara. I ka konceptuar si yje, i ka venë një shifër 12, sepse janë 12 kapituj që e strukturojnë këtë libër si një guidë për këdo që e viziton këtë qytet. Janë të njohura guidat turistike të qyteteve në të gjithë botën, por në këtë rast kemi një guide në vargje për ta bërë më emocionale çdo njohje apo kontakt me këtë qytet.
  
Nuk ka rëndësi nëse ky kapitull njohës është i ri apo i vjetër, në përditshmëri apo histori. Ato janë pjesë e së tërës por edhe e bukura që zbulohet shkallë shkallë. Por, kjo njohje emocionale nuk është vetëm për ata që vijnë e vizitojnë këtë qytet, por edhe për vetë vendasit, shkodranët, sepse në këtë shpalosje poetike të vlerave të qytetit gjithsekush e gjen veten në një mënyrë a në një tjetër. Këtu shfaqen cilësitë e banorëve të qytetit të Shkodrës, bujaria proverbiale shkodrane, kultura, historia, traditat por dhe sporti dhe aspekte të tjera që janë objekt krenarie për cilindo që është lindur e rritur në këtë qytet. Struktura poetike është mbajtur në frymën popullore, me vargje të mbështetur me shumë në traditën krijuese, vargje të matur, me rimë herë të rregullt e herë jo, pra gjithnjë e zhdërvjelltë në krijim,  që t’i shërbejë më mirë pikësynimit në zbulimin e vlerave të qytetit nëpërmjet frymës poetike. 

Shkodra është e njohur për njerëz me aftësinë për të krijuar vargje në të cilat shpesh gjen vend humori tradicional, tipik shkodran. E këto vargje e vjersha të mbetura anonime,  shpesh kalonin gojë në gojë e nga një brez në një tjetër. Fryma që përcillej në to ishte dëshira për jete, për gëzim, shpesh herë me to shkodrani përpiqej ta mbyste atë ndjenjë pikëlluese në të cilën  njeriun shpesh herë e vinte jeta. Gjithsesi  Shkodra mbetet qyteti që ka aq shumë dritë në krijimtarinë e vet tradicionale, aq shumë gëzim, të cilat shpaloseshin si në festat familjare por edhe ato të përbashkëta. Kapur pas kësaj tradite të bukur krijuese, vëllimi “Shkodra në 12 yje” është shumë më tepër se një guidë në vargje për njohjen e vlerave të qytetit. Do të thoshim se Farida Ramadani ka krijuar me këtë libër një enciklopedi dashurie për Shkodrën, dashuri e cila nuk ka të shterur në zemrën e autores, për të cilën mendoj se do të vazhdojë të sjellë edhe yje të tjerë poetikë nga qiellnaja e Shkodrës, “kësaj dashnorje të shekujve” siç e quante  Migjeni.

Kolec Traboini
6 nëntor 2016


03 January 2016

Kur autorja e Tuzit kërkon qiqrra në Kishë- nga Kolec Traboini



KUR AUTORJA E TUZIT KËRKON QIQRRA NË KISHË

Nga KOLEC TRABOINI

Autorja e një libri, Farije Kajoshaj, libër që nuk e dimë mirë çfarë përmbajtje ka, se në Shqipëri e Kosovë botohen tashmë qindra mijëra libra, të shumtit krejt kot,  kjo autore pra është lëshuar me një mllef e uturimë kundër Patër Pashkut të Kishës së Tuzit në shënimin me titull “Nuk u lejua shpërndarja e librit “Rruga pa kthim”.
Ky titull pompoz të pshtjellon sikur ke të bësh me ndonjë libër të famshëm e  kush e di se çfarë, që na paska dalë urdhëresa e ndalimit. Një vetëledhatim publik i pa parë ndonjëherë nga ndonjë autor në Shqipëri e Kosovë.
Lexoni çka shkruan kjo autore: “Këtë gjest të tij (Patër Pashkut- shënimi im K.T.), nuk e shoh si diçka të mirë për Malësinë dhe malësorët meqë libri as që ka nocione antifetare, por është novelë me motive kombëtare.”.
Ky libër pra, sipas autores me banin në Mynih, Gjermani, por origjinën e ka nga Tuzi,   na paska motive kombëtare dhe tanë Malësia jonë e Madhe paska humb se Patër Pashku nuk e paska dhanë mundësinë për ta lexuar malësorët librin e saj.
 Kështu lexuesi merr vesh që Patër Pashku e paska fik Malësinë. Tragjedi e madhe kjo punë. Kjo punë për një libër. Një novelë e një autoreje, emrin e të cilës  për herë të parë e dëgjojmë. Ja çfarë xhevahiri lëshon në shkrimin e vet autorja:
“Shqiptarët në Malësi janë bërë si “brienat në thes”.
Meqë përmend edhe thesin edhe brenat po ja mbajmë edhe ne avazin kësisoj: Fryj moj erë nga Gjermania,  fryjë,  se kur ti fryn edhe tullumbacet ngjitën lart e me lart, madje deri në maj maleve tona kombëtare. Dhe me tej ajo shkruan:
“ Prifti në fjalë e refuzoi shpërndarjen me një arsyetim paksa kriptik se “nuk dëshiron që ai libër të shpërndahet në kishë“ – mirëpo vetëm pasi kuptoi se kush është autori. Ndoshta refuzimi i tij nuk do kishte ndodhur po qe emri im të kishte vetëm një shkronjë ndryshe (nga „Farije“ ne „Marije“) …”
Me kësisoj arsyetimesh fantazore autorja ja ka gjetur bukur mirë rrfanën vekshit.
Kërkesa e Farije Kajoshaj  na paska qenë as më pak e as më shumë por me e vu Patër Pashkun me ja shpërnda librin e kësaj shkrimtares së madhe ndër besimtarë katolikë që vinë të luten në Kishë. Një kërkesë me të vërtetë për të çuditur edhe harabelat e Tuzit në fluturim. Por po na i del krah edhe Simon Gjon Sinishtaj kësaj kritike pa bereqet,  që jam i bindur se nuk e ka lexuar atë libër në asnjë rresht, por do të gjendet edhe ai në sebep.
Duke lexuar ankimet në adresë të Patër Pashkut dua të them:
Ku keni parë ju, o ankimtarë, që të marrë kleriku libra e ti shpërndajë në Kishë përpos letërsisë fetare të botuara këto nga institucioni fetar. Po çka ishte ky libër i kësaj zonje, ndonjë libër për fenë, moralin, edukimin a diçka tjetër libër psikologjik a pedagogjik? Nuk shpërndan Kisha literature artistike, çojani edhe Hoxhës së Xhamisë së Tuzit por edhe ai do ti kthej mbrapsht, more çojeni edhe në Prishtinë po deshët dhe po ajo përgjigje do të jepet. I kisha këshillua kësaj zonjës shkrimtare që të marrë një deng me libra e ti çojë në Vatikan dhe të kërkojë t’ia shpërndaj vetë Papa Francesku të dielën e meshës se madhe ne sheshin e Shën Pjetrit. Kush e di mbase ndodh ndonjë mrekulli. E nëse nuk ja shpërndan autorja të lëshojë një komunikatë si kjo kundër Patër Pashkut se edhe Papa i Romës na bëka dallime fetare.
Pse po e sulmon kjo zonja Farije Kajoshaj, Patër Pashkun në një shkrim që nuk ka nivelin e shkrimtares, por të një stili të flet-rrufeve të viteve ‘70 të shekullit të kaluar në Shqipëri? Për mendimin tim shumë mirë ka bërë Patër Pashku  që ja ka kthyer mbrapsht at soj libri që nuk e dimë çfarë është. Që të jemi të sinqertë,  unë dyshoj edhe në vlerat artistike,  se një shkrimtar i mirë nuk ngre kësisoj problemesh me një mungesë të plotë etike,  por është modest për veprën e vet. Nuk ngutet  për të sulmuar një klerik vetëm pse ai nuk ka marr përsipër rolin e një postieri siç kërkoj kjo autorja Farije Kajoshaj,  për të cilën kërkuam në Google  dhe na doli vetëm në dy vende, një nga të cilët në facebook. Pra me librat e vet nuk na del e njohur kurrkund, madje krejt e panjohur. E vetmja njohje e vërtetë na qenka ankimi për Patër Pashkun në një blog interneti. Tani po i them kësaj autoreje meqë problemin e trajton se prapthi, unë kam plot libra, e kam në fis Patër Pashkun e Tuzit, jemi të dy nga Hoti, po asnjë libër nuk ja kam dërguar me e shpërnda në Kishë. As nuk kërkoj ta bëjë këtë gjë. Se Kisha nuk shpërndan libra ndër besimtarë. Kisha ka tjetër funksion e nuk është ndërmarrje për qarkullimin e librave. Meqë jetoni në Tuz, çojeni librin tuaj në Bibliotekën e qytetit. Rruga e hapur është.  Atëherë pse u dashka që Frati me ja shpërnda librin e Farijes? Dhe kjo Farije ma quan dukuri negative që Kisha nuk ia shpërndan librin e saj. As Kadare nuk do të ankohej kësisoj. Pa le të tjerët.
Kaq e pa takt e agresive  në akuzën e vet po më duket kjo autore që arrin të shkruaj të tilla shprehje vulgare, për të mos thënë marrëzira :
” Moslejimi i shpërndarjes, madje falas, të literaturës kombëtare shqiptare në Malësi, flet për një dukuri tejet negative nga ana e klerit – kur dihet që Malësisë sot më shumë se kurrë i nevojitet literatura shqipe, bashkëveprimi dhe mirëkuptimi i ndërsjelle. Me gjeste të tilla, Patër Pashku po krijon paragjykime dhe ndasi fetare të panevojshme.”.
Na ruaj Zot prej kësaj mendësie. Po edhe prej këtij deliri që e konsideron novelëzen e vet “literaturë kombëtare shqiptare në Malësi”. Kur shprehet kështu pa pikë etike, modestie dhe përgjegjësie, merret me mend niveli i librit që ka shkruar. Kjo autore kërkon të gjejë qimen në qull, a ndryshe kërkon qiqrra në hell,   duke e  trajtuar problemin se po i bëhet një padrejtësi se qenka e fesë tjetër. Po kush po të pyet çfarë feje i përket. Një shkrimtar që i hyn këtyre hullive të përkatësive fetare, tregon se është  i cekët e ka një nivel mjeran. Si mundet autori të edukojë me veprën e vet kur është në këtë mendësi e duke kërkuar konflikte religjioze aty ku nuk ka. Mos vallë duhet që unë të shkoj te Hoxha i Tuzit e ti kërkoj të më shpërndaj librat e mi ndër besimtarët e vet, e nëse ai nuk pranon duhet të shkruaj se ai ma bën këtë se ka paragjykime për katolikët. Edhe logjika më e thjeshtë e naive nuk të lë ta trajtosh problemin në këtë mënyrë. Kjo autore më të vërtetë duhet të ndalohet e të analizojë veten e nëse vuan nga këto paranoja do ti kërkoja një gjë. Të mos shkruaj më asnjë libër. Është gjëja më e mirë që mund të bëjë. Të shpëtojë ajo nga mundimet e shkrimit,  por kësisoj edhe Malësia, edhe Tuzi, edhe Patër Pashku, por edhe ne nga kjo katraurë ku po kërkon të na fusë, thjeshtë prej egoizmit personal dhe aspak profesional sa i përket letërsisë. Gjithashtu aspak atdhetar kombëtar siç pretendohet.
Për ata që po gjejnë sebep për të lëshuar helm kundër Patër Pashk Gojçajt duhet ta dinë se ai përtej klerikut të devotshëm është një erudit, një shkrimtar i mirë me vepra edukative e i përkushtuar në botimet periodike fort të çmuara të Kishës së Tuzit. Po ju them gjithashtu disa shkjepulëve në të folur, mos flisni gjëra që nuk qëndrojnë dhe mos i lëshoni frerin gojës se turpi mbetet mbi atë që nxjerr një pisllëk nga goja e jo atij që i drejtohet.

3 janar 2016