08 July 2016

⛔ Kopili i Haxhi Qamilit- nga Kolec Traboini

KOPILI I HAXHI QAMILIT
Aventurat nga kolumbithra e Greqisë, në skutat mistike të Arabisë 
e deri te fjordet e Kanadasë.

Nga KOLEC TRABOINI

Më të vërtetë është një karrierë e çuditshme kjo e kopilit të Haxhi Qamilit. Nga një emigrant i papunë e endacak  në Greqi, ku u konvertua në ortodoks, shiti kryqin e nunit grek dhe pas flirteve me fondacionet arabe në Tiranë, mori një bursë  në një universitet fetar në Kuala Lumpur të Malajzisë. Pas diplomimit u shfaq me egërsi si një islamik radikal fanatik që sulmonte gjithçka kombëtare, duke e konsideruar popullin shqiptar një mbetje osmane dhe Gjergj Kastriotin një tradhtar i madh, një kafir. Me siguri Oliver G. Shmid, një historian zviceran i hallakatur, është mbështetur në të tillë elementë renegatë antikombëtarë që ka arritur deri në atë mjerim sa të përpiqet të rrënojë figurën e heroit kombëtar të shqiptarëve, mbrojtësin e qytetërimit europian.
Të hallakaturin në historinë tonë shqiptare Oliver G.Shmid e dimë, po kush është kjo teneqe e shpuar anadollake, ithtar i Esat Toptanit, Haxhi Qamilit dhe Beqir Grebenesë me emrin Kopili i Haxhi Qamilit, që tani, me që nuk i zënë këmbët dhe në vendlindje,  llomotit përçartë antishqiptarizmin e tij si fshehanik nga Kanadaja
Kopili i Haxhi Qamilit, i shfaqur e rënduar së tepërmi nëpër media si historian, studiues është rritur në një lagje të Kombinatit në Tiranë, krejt afër me Sharrën e Haxhiut që i ngeci qafa në litar. Me një fjalë e konsideron veten kombinats. Rrjedh nga një familje kazanxhinjsh nga Devollit. Kopili i Haxhi Qamilit nuk e përmend kurrë origjinën e vet, ruhet prej saj si djalli nga temjani,  por dihet se të parët e tij të largët ishin jabanxhi dhe rrinin me çadra rrëzë lumit. Këtë lloj grupimi laraman e ka përshkruar bukur Faik Konica tek shkrimi “Muhaxhirët”. Herë pas here u shkonin pas kolonave të ushtrisë turko-osmane për një tas pilaf apo një vorbë grosh duke kënduar këngën:

Jam jabanxhi
 Jam kazanxhi
Një çadër shiu
Kam çati!

Por ky për vete  e kishte sajuar këngën ndryshe dhe e këndonte me zë koke kur ishte çakërrqejf. Ja vargjet që i pëlqenin më shumë: 

Mal në mal 
Këndon bilbili
Jam Kopili 
i Haxhi Qamilit!

Por edhe këta ja shpërblenin duke i furnizuar me çengie kolonat e ushtrisë perandorake. Ndërkohë që ushtarët turko-osmanlinj shpinin gjymtyrët, shtriqeshin në divane me femrat e darovitura të fisit të kazanxhi-jabanxhinjve, ata plot gëzim i binin defit. Dhe i binin mirë. Pasion i trashëguar brez pas brezi ky i defaxhiut por edhe i dafllakxhiut jo pak herë.
Pas viteve 90, te ky pinjoll u zgjua instinkti i stërgjyshërve dhe shkoi emigrant në Greqi. Ishte në moshë të re, por nuk ja hante krahu të punonte. Kërkonte të mbijetonte në mënyra të tjera të lehta.  Si pehlivan që ishte, gjeti një kumbarë grek, afendiko të kamur dhe anipse në moshë të rritur u pagëzua ortodoks. Prifti grek  në kishë e vajosi me vaj ulliri, e fërkoi ku mundi në atë që grekët e quajnë kolombithër (kazan me ujë ku futet i pagëzuari) dhe psalti i këndoi uratën me ritualin bizantin. Kumbara grek i vuri një kryq të madh ari në qafë. Mori dhe emër grek të cilin nuk e tregon kurrë. Ca thonë i vunë emrin Jorgaqis. Por kumbari e thërriste Pulaqi mu. Do kohë gjithçka i vajti mbarë. Por kur panë se nuk kishte ndërmend të zinte punë me dorë, vetëm të sorollatej poshtë e lart, ja prenë tagjinë kalit.
Kur Kopilit te Haxhi Qamilit nuk po ja varte më njeri e nuk po i jepnin më gjë prej gjëje, iku, u kthye në Shqipëri.  Erdhi vërdallë ca kohë. As këtu nuk po i shkonte më kungulli përmbi ujë. Me së fundi e gjeti një zgjidhje ku mund të kishte një burim të ardhurash. 
U lidh me arabët që, të infiltruar në ca pseudo shoqata bamirëse,  përgatisnin terrenin për radikalizmin islamik të Shqipërisë, si një revansh i vonë  i veprimeve perandorake osmane të mbetura përgjysmë në vitin 1912 kur thyen qafën për në Anadoll.
Kur shërbeu tek arabët e pseudo shoqatave bamirëse, u kthye në fenë myslimane. Kryqin e artë e kishte shitur me kohë dhe këtë histori arabëve nuk ua tregoi kurrë. Besnikërinë ja shpërblyen me një bursë në universitetin islamik në Kuala Lumpur të Malajzisë. Gjatë studimeve nisi të bënte një propagandë të madhe e të shfrenuar për islamizimin e shqiptareve duke predikuar nëpër kanalet e ndryshme  internetike, se gjoja ne shqiptarët qenkemi një komb mysliman. U bashkua me disa anonim interneti, fanatikë fetarë të stacionuar në Belgjikë, Irlandë e gjetkë,  por edhe me disa studentë shqiptare në universitetet e Stambollit në Turqi, të Damaskut në Siri, që edhe ata ishin islamikë radikalë vehabistë që sulmonin çdo gjë shqiptare. Disa prej këtyre  bij sulltan sulejmanësh, mjerisht janë kthyer në Shqipëri, punojnë në kompani turke apo bëjnë edhe karrierë si mësimdhënës, shfaqen gjoja  si studiues, por nën rrogoz punojnë për otomanizimin e Shqipërisë dhe Kosovës.
Vetë Kopili i Haxhi Qamilit kur ishte student në Malajzi, për tu konsoliduar si islamik vehabist ekstremist, vendosi të shkojë në Mekë e të vetshpallej Haxhi. Këtë titull e ëndërronte që të bënte karrierë fetare. E kishte shprehur në internet se dëshironte të bëhej Haxhi Kopili. Por Kopili i Haxhi Qamilit, megjithëse u nis, ec e ec e s’ka të sosur.... nuk u bë kurrë Haxhi. Arabët, me të cilët qe i lidhur, kishin një plan tjetër me Kopilin e Haxhiut të Sharrës. E kishin studiuar e piketuar që të bëhej një propagandist diversionist si Musa Qazimi,  meqë e dinte veten për orator i spikatur dogmash, mjeshtër i sofizmit.  Kështu sapo mbërriti në Arabi u bashkua me arabët konspirativë,  të cilët e mbajtën mjaft kohë, sa u konsiderua i zhdukur. Dyshimet janë se e kanë kapur, mbajtur dhe e kanë përpunuar. Kur u kthye sërish në Universitetin e Kuala Lumpurit, nëpër diskutime në fillim dukej si pulë e lagur. Atë kohë e pyetëm nëpërmjet internetit si vajti me udhëtimin në Mekë e pse nuk u bë gjallë. A mund të konsiderojmë Haxhi pas këtij udhëtimi, e pyetje të tjera si këto. Ai nuk foli, nuk tregoi. I shmangej kësaj bisede mbi udhëtimin e tij në Arabi. Kishte ndodh diçka misterioze. Pas do kohe ai nisi sërish kursin e sulmeve ndaj çdo gjëje shqiptare. Kryesisht sulmoi Gjergj Kastriotin që e konsideronte një kaçak, vrasës e hajdut, ndërsa sulltanët i lavdëronte, duke e konsideruar pushtimin pesëshekullor turko-osman një lumturi e madhe për popullin. Nënë Terezën e quante nëpër ca intervista të shpifura si Majka Tereza. Ded Gjo Lulin dhe çdo figurë atdhetare shqiptare i konsideronte agjent të Vatikanit, tradhtarë dhe spiunë të europianëve të krishterë. Sepse këta, sipas Kopilit të Haxhi Qamilit,  kishin vrarë vëllezërit turko-osmanë. Mesa duket merrte para dhe kishte mbetur peng i diçkaje të fshehtë apo detyrimi  në Arabi. Atje ishte programuar për këtë punë, otomanizimin e Shqipërisë e mbarë shqiptareve në Ballkan.
 Nga që i doli boja në Shqipëri, sepse sillte përçarje edhe në mes të vetë myslimanëve, vitet e fundit krisi e iku në Itali. Por edhe atje nuk i ngrohu vezët sepse kishte rënë në sy si një ekstremist fanatik që mbillte përçarje në mes të komunitetit shqiptar. Me ndihmën e disa qarqeve që e mbështesin në aventurën e tij të neo-osmanizmit panballkanik u vendos në Kanada.
Këtë kurs vazhdon edhe sot e kësaj dite, i mbështetur  mjerisht nga turkoshakët e televizoneve shqiptare në Shqipëri e Kosovë, të cilët i kanë lënë shpesh herë vend në programet e veta këtij antikombëtari. Tani së fundi ka dalë me një lloj statusi si gjoja studiues, historian e të tjera pallavra dhe del në mbrojtje të historianit turk që përdhosi figurën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në vendvarrimin e tij në Lezhë. Por mbi të gjitha spikat titulli qesharak që i ka vënë vetes ky myteberr i osmanizmit mesjetar anadollak, Dr. Kopili i Haxhi Qamilit, që të kujton Doktor Adhamutin e Çajupit. Por nuk ka faj ky njeri i fandaksur,  që hedh poshtë çdo vlerë kombëtare shqiptare dhe është bërë avangarda e antishqiptarizmës, faj kanë ata pronarë mediash që na shitën si atdhetarë, por e pranojnë të përhap ide të mbrapshta në ekranin e vogël apo dhe në shtyp.
Pyetja është: pse i bëjnë vend lëtyrave të kësaj mendje të çartur, pse tregohen kaq tolerant më këtë haxhiqamilist, apo pse jo edhe pinjoll i farës së keqe të Beqir Grebenesë?
Vetëm kopilat e Haxhi Qamilit e pjellat perverse të osmanizmit agresiv primitiv, të ringjallur një shekull pas ngordhjes, bëjnë të tilla sulme të paskrupullta mbi traditën dhe historinë tonë kombëtare apo dhe mbi atdhetarët tanë që i kushtuan jetën e veprën e vet kombit shqiptar.

© Autori në këtë rrëfim për Kopilin e Haxhi Qamilit, nuk mban përgjegjësi për bëmat e personazheve që kërkojnë më çdo kusht e në çdo rrethanë t’u ngjajnë personave realë.

TRABOINI ART STUDIO CHANNEL


03 July 2016

🔴Kivanç Tatlitug- një tjetër aktor i shquar me origjinë shqiptare- nga K.P. Traboini




KIVANÇ TATLITUĞ
NJË TJETËR AKTOR I SHQUAR ME ORIGJINË SHQIPTARE

Nga KOLEC P. TRABOINI

Kivanç Tatlituğ bisedë në CNN Turk 2010
Kemi shkruar kohët e fundit  për aktoren e parë femër të Turqisë Halida Molla shqiptare e lindur në Shkodër,  e njohur edhe me emrin skenik Halide Piskin, për aktorin e madh turk Halit Ergenc, i deklaruar me origjinë shqiptare nga nëna. Edhe një tjetër aktor i madh bën një deklaratë të tillë publike nëpërmjet një bisede televizive në CNN Turk në vitin 2010. Kjo intervistë e regjistruar gjendet në You Tube dhe mund të shihet nga gjithkush, (pjesa e parë, minuta  3:24 në gjuhën turke).  Ky është Kivanç Tatlituğ, i lindur në Adana më  27 Tetor 1983, një aktor i ri shumë i suksesshëm në Turqi por edhe shumë i njohur në Europë. Babai i tij është shqiptar nga Prishtina e Kosovës ndërsa nënën e ka nga Adanaja.
Familja e tij është marrë në Adana me furrtari afro 100 vjet. Ai ka mbaruar shkollën e mesme private dhe ishte i shkëlqyer në basketboll. Pas sëmundjes së babait në 1997, familja u shpërngul në Stamboll për trajtime mjekësorë. Në Stamboll Kivanç  ka vazhduar Universitetin e Bosforit, dhe u përfshi në ekipin “Fenerbaçe”  për një vit. Në vazhdim për një vit e gjysmë u aktivizua në klubin “Beshiktash” si lojtar amator basketbolli.  Por e ndërpreu sportin pas një dëmtimi.  
Në vitin 2002 mori pjesë në konkurrimin “Modeli më i mirë në Turqi” dhe u klasifikua numri një, pra fitues i konkursit dhe si i tillë kishte të drejtën e konkurrimin për  “Modeli më i mirë në botë”, që u zhvillua në Paris ku ai doli më i miri dhe zuri vendin e parë. Ky ishte një sukses i madh ndaj vendosi të qëndronte në Paris në ndjekje të karrierës si model për një vit e gjysmë. U kthye  në Turqi ku i afruan për të luajtur në filma televiziv. Kështu nis veprimtarinë artistike tashmë si aktor. Në vitin 2005 debuton në filmin “Gumuş” (2005), e në vazhdim “Meneksheja dhe Halili” 2007, 2008 , “Ezel” filma të cilat janë shfaqur nga stacionet televizive shqiptare dhe nga artdashësit tanë janë të njohur.
Është fitues i dy çmimeve të mëdha për lojën aktoriale në filma: “Golden Butterfly Award for Best Actor” 2009, të njëjtin çmim e ka fituar për lojën si aktor në vitin 2012.
Në media ende shkruhet për lidhjen e Kivanç Tatlituğ me modelen dhe aktoren turke Azra Akin, e cila në vitin 2002 u shpall Miss Bota. Por kjo lidhje, të cilën shumë fansa të tyre e konsideronin bashkimi i një princi e një princeshe u prish në vitin 2008. Kivanaç u njoh në Paris me stilisten Başak Dizer qysh në vitin 2013, lidhje që më 19 shkurt 2016 çoi në martesën e tyre në ambasadën turke në Paris.
Ai është konsideruar Brad Pitti i Mesdheut dhe është vlerësuar si mashkulli më i bukur i Turqisë në kohën e sotme nga gazeta e përditshme “Hyrrjet” në vitin 2009.
K
ıvanç Tatlıtuğ e kishte mbajtur jashtë vëmendjes së shtypit dhe medias familjen e tij prindërore. Asgjë nuk shkruhej për ta. Por në intervistën e tij të vitit 2010 në CNN Turk, kur gazetarja e pyeti se cilin nga prindërit i ke me origjinë shqiptar ai u përgjigj se  babai im është shqiptar nga Prishtina. Ky fakt  ka qenë i panjohur deri atëherë. Fansat e tij do të mësonin më shumë rreth familjes me rastin e martesës se vëllait të vet të madh Cem Tatlituğ dhe media do të botonte me këtë rast fotografinë e familjes se aktorit të madh me vëllain, nusen e tij, nënën e babain.
Por ajo çfarë tërhoqi më shumë vëmendjen ishte motra e tij Melisa Tatlıtuğ. Në foton që e shoqërojmë shkrimin vihet re se ndërsa vëllai Cem i ngjet nënës nga pamja, përkundrazi aktori Kıvanç i ngjet krejt babait të tij shqiptar dhe motra ka një ngjashmëri të madhe me vëllain aktor. Kjo bëri që shumë artdashës pasionantë  të kishin shpresën se edhe motra do të tërhiqte vëmendjen e producentëve të filmave për tu bërë dhe ajo një star në filma.
Melisa kishte marrë pjesë në një konkurim të Super Lady dhe pas kësaj filloi karrierën shumë premtuese si modele, por mbas martese ajo i dha fund pjesëmarrjes në veprimtari artistike.
Tashmë, pas kësaj njohje publike të origjinës shqiptare edhe të këtij aktori, i mbetët Ministrisë shqiptare të Kulturës që të organizojë një pritje për këtë aktorë të madh, bashkë me Halit Ergenc,  i cilët kanë krenarinë të thonë se janë me origjinë shqiptare nga Kosova, por mbase vetë Prishtinës i takon ky nder para së gjithash. Ne duhet ti afrojmë shqiptarët nëpër botë e jo të qëndrojmë të ftohtë e indiferentë ndaj tyre, sepse bjerrjet e mëdha janë fatale për kombet, aq më tepër në Turqi ku kemi rreth 15 deri në 20 milion shqiptarë. Nuk është shifër e zmadhuar, është një shifër të cilën qeveritarët turq, ani pse ruajnë në dukje një fare respekti për ne si komb, u mohojnë çdo të drejtë një komuniteti milionësh duke synuar që çdo ndjesi kombëtare e krenarie të prejardhjes tu shuhet.
Por rasti i një aktori të madh si Kivanç Tatlituğ na tregon se gjaku arbëror në damarët e shqiptarëve nëpër botë kurrë nuk humb, por ai pret rastin të shfaqet. Dhe ja ku u shfaq tek një prej aktorëve më simpatike në Europë, tiparet e të cilit na kujtojnë paraardhësit tanë ilire. Një bukuri e përshkruar nga sa e sa udhëtarë që kalonin nëpër trojet shqiptare nëpër shekuj e thoshnin se toka Arbërore ishte vendi i trimave por edhe i grave dhe burrave të hijshëm. Më vine parasysh në këtë çast fytyrat e Aleksandër Moisiut, Bekim Fehmiut, Irini Papës, Melina Merkurit, Halide Molles (Piskin) e tashme edhe Kivanç Tatlituğ-ut.
Le ta mbyllim me fjalët e aktorit më të madh të filmit në Turqi Halit Ergenc: “Më duhet të rrëfej që të parët e mi nga ana e nënës sime kanë ardhur në Turqi në periudhën osmane. Mund të them me plot gojën që edhe në damarët e mi ka gjak shqiptari. Unë dua të përshëndes gjithë Shqipërinë. Shpresoj që sa më shpejt të gjej mundësinë të vizitoj tokën shqiptare dhe të njihem me ju”.- përfundon Ergenc.
Siç shikohet, ata i mirëpresin këto njohje me rrënjët e tyre të vjetra arbërore, të cilat i bëjnë të ndjehen krenar. Atëherë në çfarë presim që zhargitemi duke harruar nëpër hapësirën ballkanike dhe më gjërë krahët e shqiponjës Arbërore dhe gjakun tonë të shprishur, siç thoshnin arbëreshët tanë të mëdhenj që përtej detit?!

Kivanç Tatlituğ, nëna, nusja e vëllait Cem, vëllai, dhe babai, shqiptar nga Prishtina.








Me gruan stilisten Başak Dizer
Aktori Kivanç Tatlituğ me motrën Melisa


Aktori Kivanç Tatlituğ

29 June 2016

Mbi polemikat denigruese të ndërsjellta të Artur Zhejit dhe Andi Bushatit

KUR INTELEKTUALËT E NJË VENDI U SHËRBEJNË KASTAVE POLITIKE QË VEPROJNË SI BANDA MAFIOZE, MJERË POPULLI SE I KA HUMBUR EDHE SHPRESA E FUNDIT

  Mbi polemikat denigruese të ndërsjellta të Artur Zhejit dhe Andi Bushatit. Është luks i tepërt që gazetarët të merren me njëri-tjetrin në kohën kur problemet e atdheut janë katastrofale.

                      Andi Bushati                                                                            Artur Zheji                                
Çfarë janë këto mllefe e shfryrje i nderuar Artur Zheji. Pse merreni me të tilla gjëra të vogla që nuk të çojnë kurrkund. Kujt i duhen. Ke gjë për ish mikun tënd Andi Bushati për sa i përket ideve të tij të gabuara, apo do të na thuash se paske punësuar një femër kur ishe në TVSH me porosi të Andit...që e thua e nuk e thua. Po punë e madhe. Kujt i plasi se paska ndërhyrë Andi Bushati për të punësuar një femër. Kë po çudit kjo, kur këtë vit, një drejtoresh arsimi në Lushnjë përcillte për "testim" mësuese të bukura që të kalonin në krevatet e shefave të Partisë që të fitonin të drejtën për tu punësuar, i dimë këto.Gjithë populli i di...Janë të reja e po na thua se një femër u punësua ne TVSH këtu e 7-8 vjet më parë. Po në këtë Shqipërinë tonë të sallahaneve një ministër kaloi në kallam kush e di sa femra në Ministrisë së Kulturës dhe gjemb në këmbë nuk i hyri, madje dhe e shpërblyen se i shkelen privatësinë në shtëpinë e vet, më sakte në krevatin e vet.
Kurrë me mos shkruaj të tilla shkrime i nderuar Artur Zheji, se ke mbiemër të madh e të admirueshëm. Ruaj dinjitetin tënd edhe kur e sulmon një gazetar, por për idetë e tij e jo për gjëra personale. As Andi Bushatin por as Kastriot Myftaraj dhe as mua që po te shkruaj nëse nuk të pëlqen ky shënim. Gazetaria lufton me ide dhe përballet me ide. Ajo dhe vetëm ajo është fushëbeteja e një gazetari me sedër profesionale. Se çfarë bën tjetri me jetën e tij, a ja fal moralit apo ja fal dreqit është punë për të, nuk është biznesi yt, të thonë në Amerikë.
Më vjen shumë keq. Kurrë nuk prisja të shkruaje një shkrim të tillë denigrues jashtë kulturës e profilit tënd për një koleg gazetar, por as prej Andi Bushatit gjithashtu. Nuk kam simpati për asnjë politikan e as ndonjë palo parti. Janë një tufë maskarenjsh. Banditë që po e shkatërrojnë këtë popull. E pse u dashka që për hir të tyre gazetarët ti vënë munxat njëri tjetrit. Dhe një gjë që dihet, por ja vlen të theksohet, kur intelektualët e një vendi u shërbejnë neveritshëm kastave politike që veprojnë si banda mafioze, mjerë populli se i ka humbur edhe shpresa e fundit.
Me respekt!

Kolec P. Traboini
30 qershor 2016