03 July 2016

🔴Kivanç Tatlitug- një tjetër aktor i shquar me origjinë shqiptare- nga K.P. Traboini




KIVANÇ TATLITUĞ
NJË TJETËR AKTOR I SHQUAR ME ORIGJINË SHQIPTARE

Nga KOLEC P. TRABOINI

Kivanç Tatlituğ bisedë në CNN Turk 2010
Kemi shkruar kohët e fundit  për aktoren e parë femër të Turqisë Halida Molla shqiptare e lindur në Shkodër,  e njohur edhe me emrin skenik Halide Piskin, për aktorin e madh turk Halit Ergenc, i deklaruar me origjinë shqiptare nga nëna. Edhe një tjetër aktor i madh bën një deklaratë të tillë publike nëpërmjet një bisede televizive në CNN Turk në vitin 2010. Kjo intervistë e regjistruar gjendet në You Tube dhe mund të shihet nga gjithkush, (pjesa e parë, minuta  3:24 në gjuhën turke).  Ky është Kivanç Tatlituğ, i lindur në Adana më  27 Tetor 1983, një aktor i ri shumë i suksesshëm në Turqi por edhe shumë i njohur në Europë. Babai i tij është shqiptar nga Prishtina e Kosovës ndërsa nënën e ka nga Adanaja.
Familja e tij është marrë në Adana me furrtari afro 100 vjet. Ai ka mbaruar shkollën e mesme private dhe ishte i shkëlqyer në basketboll. Pas sëmundjes së babait në 1997, familja u shpërngul në Stamboll për trajtime mjekësorë. Në Stamboll Kivanç  ka vazhduar Universitetin e Bosforit, dhe u përfshi në ekipin “Fenerbaçe”  për një vit. Në vazhdim për një vit e gjysmë u aktivizua në klubin “Beshiktash” si lojtar amator basketbolli.  Por e ndërpreu sportin pas një dëmtimi.  
Në vitin 2002 mori pjesë në konkurrimin “Modeli më i mirë në Turqi” dhe u klasifikua numri një, pra fitues i konkursit dhe si i tillë kishte të drejtën e konkurrimin për  “Modeli më i mirë në botë”, që u zhvillua në Paris ku ai doli më i miri dhe zuri vendin e parë. Ky ishte një sukses i madh ndaj vendosi të qëndronte në Paris në ndjekje të karrierës si model për një vit e gjysmë. U kthye  në Turqi ku i afruan për të luajtur në filma televiziv. Kështu nis veprimtarinë artistike tashmë si aktor. Në vitin 2005 debuton në filmin “Gumuş” (2005), e në vazhdim “Meneksheja dhe Halili” 2007, 2008 , “Ezel” filma të cilat janë shfaqur nga stacionet televizive shqiptare dhe nga artdashësit tanë janë të njohur.
Është fitues i dy çmimeve të mëdha për lojën aktoriale në filma: “Golden Butterfly Award for Best Actor” 2009, të njëjtin çmim e ka fituar për lojën si aktor në vitin 2012.
Në media ende shkruhet për lidhjen e Kivanç Tatlituğ me modelen dhe aktoren turke Azra Akin, e cila në vitin 2002 u shpall Miss Bota. Por kjo lidhje, të cilën shumë fansa të tyre e konsideronin bashkimi i një princi e një princeshe u prish në vitin 2008. Kivanaç u njoh në Paris me stilisten Başak Dizer qysh në vitin 2013, lidhje që më 19 shkurt 2016 çoi në martesën e tyre në ambasadën turke në Paris.
Ai është konsideruar Brad Pitti i Mesdheut dhe është vlerësuar si mashkulli më i bukur i Turqisë në kohën e sotme nga gazeta e përditshme “Hyrrjet” në vitin 2009.
K
ıvanç Tatlıtuğ e kishte mbajtur jashtë vëmendjes së shtypit dhe medias familjen e tij prindërore. Asgjë nuk shkruhej për ta. Por në intervistën e tij të vitit 2010 në CNN Turk, kur gazetarja e pyeti se cilin nga prindërit i ke me origjinë shqiptar ai u përgjigj se  babai im është shqiptar nga Prishtina. Ky fakt  ka qenë i panjohur deri atëherë. Fansat e tij do të mësonin më shumë rreth familjes me rastin e martesës se vëllait të vet të madh Cem Tatlituğ dhe media do të botonte me këtë rast fotografinë e familjes se aktorit të madh me vëllain, nusen e tij, nënën e babain.
Por ajo çfarë tërhoqi më shumë vëmendjen ishte motra e tij Melisa Tatlıtuğ. Në foton që e shoqërojmë shkrimin vihet re se ndërsa vëllai Cem i ngjet nënës nga pamja, përkundrazi aktori Kıvanç i ngjet krejt babait të tij shqiptar dhe motra ka një ngjashmëri të madhe me vëllain aktor. Kjo bëri që shumë artdashës pasionantë  të kishin shpresën se edhe motra do të tërhiqte vëmendjen e producentëve të filmave për tu bërë dhe ajo një star në filma.
Melisa kishte marrë pjesë në një konkurim të Super Lady dhe pas kësaj filloi karrierën shumë premtuese si modele, por mbas martese ajo i dha fund pjesëmarrjes në veprimtari artistike.
Tashmë, pas kësaj njohje publike të origjinës shqiptare edhe të këtij aktori, i mbetët Ministrisë shqiptare të Kulturës që të organizojë një pritje për këtë aktorë të madh, bashkë me Halit Ergenc,  i cilët kanë krenarinë të thonë se janë me origjinë shqiptare nga Kosova, por mbase vetë Prishtinës i takon ky nder para së gjithash. Ne duhet ti afrojmë shqiptarët nëpër botë e jo të qëndrojmë të ftohtë e indiferentë ndaj tyre, sepse bjerrjet e mëdha janë fatale për kombet, aq më tepër në Turqi ku kemi rreth 15 deri në 20 milion shqiptarë. Nuk është shifër e zmadhuar, është një shifër të cilën qeveritarët turq, ani pse ruajnë në dukje një fare respekti për ne si komb, u mohojnë çdo të drejtë një komuniteti milionësh duke synuar që çdo ndjesi kombëtare e krenarie të prejardhjes tu shuhet.
Por rasti i një aktori të madh si Kivanç Tatlituğ na tregon se gjaku arbëror në damarët e shqiptarëve nëpër botë kurrë nuk humb, por ai pret rastin të shfaqet. Dhe ja ku u shfaq tek një prej aktorëve më simpatike në Europë, tiparet e të cilit na kujtojnë paraardhësit tanë ilire. Një bukuri e përshkruar nga sa e sa udhëtarë që kalonin nëpër trojet shqiptare nëpër shekuj e thoshnin se toka Arbërore ishte vendi i trimave por edhe i grave dhe burrave të hijshëm. Më vine parasysh në këtë çast fytyrat e Aleksandër Moisiut, Bekim Fehmiut, Irini Papës, Melina Merkurit, Halide Molles (Piskin) e tashme edhe Kivanç Tatlituğ-ut.
Le ta mbyllim me fjalët e aktorit më të madh të filmit në Turqi Halit Ergenc: “Më duhet të rrëfej që të parët e mi nga ana e nënës sime kanë ardhur në Turqi në periudhën osmane. Mund të them me plot gojën që edhe në damarët e mi ka gjak shqiptari. Unë dua të përshëndes gjithë Shqipërinë. Shpresoj që sa më shpejt të gjej mundësinë të vizitoj tokën shqiptare dhe të njihem me ju”.- përfundon Ergenc.
Siç shikohet, ata i mirëpresin këto njohje me rrënjët e tyre të vjetra arbërore, të cilat i bëjnë të ndjehen krenar. Atëherë në çfarë presim që zhargitemi duke harruar nëpër hapësirën ballkanike dhe më gjërë krahët e shqiponjës Arbërore dhe gjakun tonë të shprishur, siç thoshnin arbëreshët tanë të mëdhenj që përtej detit?!

Kivanç Tatlituğ, nëna, nusja e vëllait Cem, vëllai, dhe babai, shqiptar nga Prishtina.








Me gruan stilisten Başak Dizer
Aktori Kivanç Tatlituğ me motrën Melisa


Aktori Kivanç Tatlituğ