16 March 2017

Kuislingu titist Azem Vllasi dhe tollovia e mediave të Prishtinës-nga Kolec Traboini


KUISLINGU TITIST AZEM VLLASI DHE TOLLOVIA E MEDIAVE 
TË PRISHTINËS

Nga KOLEC TRABOINI


I tërë shtypi llaskandraq i Prishtinës janë lëshuar si marrokët pas erës, kundër Murat Jasharit, i cili u konfliktua me armë me renegatin kuisling Azem Vllasi. Në vend të na tregojnë bëmat tradhtare të Vllasit, shkruajnë për ca lidhje e biseda të Murat Jasharit me Mona A. një shqiptare Rumanie. Sikur Kosova nuk ka punë tjetër por se çfarë i tha Murati, si ja kërkoi e si ju përgjegj me pelqim e miklim Mona e kush e di sa marrëzi të tjera. Këta të shtypit llaskandraq në Prishtinë qenkan trokë fare. Po çfarë ju duhet atyre se si flasin një mashkull e një femër në intimitet të plotë, apo të shkruajnë në gazeta a të japin në lajme se kush ja hyp e kush ja zdryp tjetrit? Çfarë gjë e jashtëzakonshme qenka një idil dashurie qoftë dhe seksual. Dhe për ta plotësuar kuadrin e marrëzisë së shtyp-shtypsave të Prishtinës na thonë se ajo vajza qenka spiune. Dhe nuk sjellin asnjë fakt. Po çfarë lesh shtypi kanë këta. E vetmja gjë që thonë është se kur Mona A. kaloi në kufirin e Maqedonisë e mbajti policia nën kontroll për 5 orë. Dhe këta mendje shkalë e konsiderojnë se kjo mbajtje është patjetër një bashkëpunim për spiunazh. O shtyp-shtypsa, po mua më 5-6 janar 2017 më mbajtën 24 orë në Aeroportin Ataturk të Stambollit sepse më ngatërruan linjën (me qëllim apo jo dreqi e di) sa në vend të shkoj në Washington DC më detyruan të kthehem sërish në Tiranë, po mos do thoni se kësisoj unë u bëra agjent i Erdoganit. O të marrë! Ju piftë sorra trutë! Hiqni dorë nga fantazitë e sëmura e shpifjet ordinere. Liria që keni fituar e që i atribuohet Amerikës e jo Osmanlinjve të Anadollit, të cilëve u faleni si perëndi, nuk duhet spekuluar. Spekulimi me lirinë e të tjerëve me dinjitetin e të tjerëve në shtete normale dënohet. Mirëpo punët janë të tilla që shtypi llapaqen e llaskandraq i Prishtinës nuk pyet as për ligje e as për etike qytetare. Edhe i Tiranës shpesh herë. Po ka një kufi, ka një cak, prandaj shkurtoni gjuhën e gjatë e mjaft i thurët lavde një kuislingu të Serbisë që shtypi përgjakshëm demonstratat e vitit 1981.
Se si ndodhi që u përleshen Murat Jashari, vëllai i Heroit Ismet Jashari, me kuislingun e titistin Azem Vllasi këtë le ta shtjellojë e qartësojë drejtësia, se kush ishte agresori e kush viktim. Por veç një renegat i pa principtë si Azem Vllasi, zor që mund të jetë një viktimë. Viktima janë ata që masakroi Azem Vllasi me policinë serbe në Kosovë në pranverën e vitit 1981. E për këtë duhej kalbur në burg e jo të bënte avokatin në Kosovë apo me absurdja  të vijë të na përrallisë në televizionet e Tiranës në ca intervista të shpifura.

17 mars 2017

Në foto: Azem Vllasi bashkëpunëtor me kriminelin e vrasësin e shqiptarëve Millosheviq, në foton tjetër gazeta "Rilindja" me 4 prill 1981 me fjalimin e Vllasit kundër demonstratave të vitit 1981 si dhe lavdërimi i forcave të policisë serbe që terrorizuar shqiptarët.

05 March 2017

Kungujt e Qeverise / nga Kolec Traboini

ese
Kolec Traboini
KUNGUJT E QEVERISË


Nga KOLEC TRABOINI


           Mbasi dëgjova llafeollogjine e ministrit të financave Arben Ahmetaj për sukseset e mëdha ekonomike të Qeverisë, dola në pazarin më të afërt të fruta perimeve në rrugën "Myslym Shyri" në Tiranë. Kisha mendimin që ky që flet e po na çan defterin për suksese diçka di e nuk flet kot. Kot gjithashtu nuk e kanë vënë në maj të Pikaloit qeveritar. Pastaj ky po dublon edhe ministren e Ekonomisë, por edhe atë të Mirëqenia Sociale i cili, kur flet për suksese bën belbaçin. Ky i fundit dreqi e di ku e ka degdisur kokën se mirëqenie në Shqipëri nuk ka.
I hodha një vështrim perimeve se me ato e mban barkun populli. Me ra në sy se një produkti i ishte ulur çmimi. Kungulli nga 300 lekë për kg. ishte bërë 250 lekë ose me të vjetra dymijë e pesëqind lekë. Ja pra thashë që mirëqenia nuk ka por suksese ka. Mirëpo që kungulli të jetë afërsisht sa të ardhurat ditore të një pensionisti në Shqipëri kjo nuk ka ndodhur kurrë në këtë tokë shqiptare. Kungullin e kemi pas blerë me 3 lekë kg. pra gati 100 herë më e pak se rroga ime ditore.
           Si kanë surrat e flasin. Si nuk u plasi cipa këtyre mburravecëve të shëmtuar që na tregojnë sukseset kur jetojmë në buzë të katastrofës. Mirë ky delenxhi ministër që gënjen sa ka kokën, por kryeministri çfarë ka që na tregon suksese dhe ai. E ka lidh çdo përparim të këtij vendi me një Veting. Mashtrim i kulluar. Pa le kur na thotë një tjetër palo ministër, më duket ai i energjetikës, Damjani i Gjiknurëve, që na e kripos kokën mirë me fatura të energjisë me çmime të larta e na thotë se kush është kundër Vetingut është kundër popullit. Ore, po ky ka rrjedhur. I ka rënë tavani fare. Shyqyr që nuk ka rrojtur në kohë të Duçes se do ta merrte si ministër propogande nga se thotë gënjeshtra të tilla që bëjnë popullin në atë shkallë lumturie sa të hedh valle në ditë të mortit. 

More, kam një pyetje për popullin tonë punëtor, heroik e të pa punë, që shkon në votime dhe voton për myteberrë. Çfarë mendon Populli? Këta që kemi në krye janë ministra apo kunguj?
           Unë mendoj se janë kunguj, madje me çmim të lartë e po na kushtojnë shumë shtrenjtë. Nuk na mbetet veç të parodizojmë një këngë të kohës së lavdishme të Malukatit të madh që polli maluketër të vegjël:
Nga na erdhën këta sharlatanë?!

27 February 2017

Çiçikovët e Qeverisë...- nga Kolec Traboini




ÇIÇIKOVËT E QEVERISË

Kryeministri në mashtrimin e radhës deklaroi: Vetingu nuk bëhet as për mua, as për Metën e as për Lulzim Bashën....po për ke atëhere? Me një fjalë këta politikanët do të vazhdojnë të vjedhin edhe me tej siç e kanë vjedhur këtë mjeran popull për njëzetepesë vjet. Ky është Vetingu. Firmosni, o qyqarë...

Nga KOLEC TRABOINI

Shumë njerëz po gënjehen me Vetingun. Po keqkuptohen e mashtrohen shumë shqiptare që firmosin pa ditur se pse. Firmosin për drejtësi imagjinare. E tha kryeministri me gojën e vet, Vetingu nuk është për mua, as për Metën as për Lulzim Bashën. Po për kë është atëherë? Pse duhen mbledhur firmat nga shoqatat servile të Qeverisë që u jep ndonjë llokme. Shoqata zagarësh që e sjellin gjahun në pritë për ta qëlluar gjahtari i madh? Mashtrim më i hapur në këtë botë njerëzore nuk mund të gjendet. Siç bënte Enveri, me tufëzimin që do të krijonte gjoja bollëk, do e bënte popullin më të lumtur e më të pastër dhe fshatarët i ngordhi urie. Është krejt e natyrshme që bijtë të bëjnë atë që bënin baballarët. Të tufëzohet populli pas kauzave të krye qeveritarit që po i shket toka nën këmbë. Kjo është një lojë e ndyrë politike për të mbajtur pushtetin. Dhe ca politikuc të vegjël që në njëzetepesë vjet janë darovitur me kolltukë herë nga Berisha e herë nga Nano-Rama  dalin e bëjnë propagande për mbledhje firmash. Referendumin kundra plehrave e refuzojnë e këtë palo veting, këtë tullumbace ngjyra-ngjyra për gjoja drejtësi dalin dhe e mbrojnë, dhe e propagandojnë. Qëllimi një kolltuk tjetër. Neveri... Këta që janë sot po këta do jenë edhe neser. Tani këta do të kontrollojnë edhe Drejtësinë. Për hesap të xhepit të vet sigurisht. Kaq naiv jeni more shqiptarë. E hani sapunin e kryeministrit për djathë Gjirokastre? Ju qofshi!
Tani doli edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Velia, një Sorist i njohur për mashtrimin e tij me shoqatën "Mjaft",  që u kthye në lake të politikës, e shiti kauzën që hapi Sorosi në Amerikë për një kolltuk në Shqipëri. Krye bashkiaku që duhet të merret me ujin, dritat, kanalet e fekalet që po na mbulojnë e jo me politikën e ditës si sejmen i Kryeministrit, si një Çiçikov i pështirë firmash e shpirtrash të vdekur. Se të gjallët, mor zotni, e marrin vesh mire dhe e kuptojnë çfarë janë këto firma në peticione fantazmë të organizuar nga qeveria.
Një hall i madh i ka zënë që dalin me shkop e me traste të mbledhin firma. E tmerrshme. Çfarë po ndodh në këtë vend. Do bëjnë hallvaxhiun mbret, siç shkruante Noli i madh, demokrati më i madh shqiptar në histori. Qeveria mbledh firma kundër Opozitës. Kjo është me të vërtete ajo që nuhat aludon Ismail Kadare, se në horizont po duken re të zeza, prandaj përgatituni për ngadhënjimin e absurdit, diktaturën. Se diktatorët e vendosin pushtetin e vet absolut duke mashtruar së pari popullin. Të gjithë diktatorët kështu bëjnë. Edhe kryeministri këtë po bën. E ka thënë që në fillim, pritni se nuk keni parë gjë akoma. Dhe pak nga pak po e bën atë që ka premtuar. Pushtetin e tij absolut dhe katraurën e Shqipërisë. Ju qyqarë shqiptarë, që firmosni në peticione servile qeveritare mendoni se jetoni në demokraci, por diktaturën pas dere e keni. Asnjë pendim nuk e kthen mbrapsht gabimin e sotëm fatal.
A keni sy për të parë? A keni veshë për të dëgjuar. Ju ka qorruar e shurdhuar politika, o popull. Ju po bëni të kundërtën e asaj që po bën Rumania. Po i konsolidoni pushtetin një njeriu dëlirant e narcist që nuk mendon as një sekondë të jetës së vet për këtë të mjerë popull, që të rras në burg për një fature energjie e të lë aty deri sa të vrasësh vetën. Kryeqeveritari, ky tagrambledhës i madh, mendon e punon vetëm për luksin e vet, të ministrave të vet, të rrethit të vet, të shkëlqimit të vet të rremë. Një popull që shkon pas dëlirantëve e jo pas njerëzve racional përfundon në greminë. Pa pikë dyshimi shkon ne depresion e fatalitet. Kaq herë keni rënë. Në 1944 shkuat pas berihait të Enver Hoxhës dhe komunisteve dhe e patë veten ku kishit rënë vetëm në 1990 kur Amerika me politikat e strategjinë e saj afatgjatë të konkurrencës, e shkatërroi sistemin e hekurt komunist të Rusisë sovjetike. Vetëm atëherë u zgjuat, një zgjim i vonuar me plagë të rënda shoqërore. Dhe mendojmë se mësuat diçka nga kjo histori tragjike. Asnjë shans diktaturave, mos u jepni asnjë mundësi, asnjë votë dëlirantëve që nesër mund t’ju rrezikojnë jetën tuaj dhe të pasardhësve tuaj, që mjerisht e fatalisht për kombin shqiptar, nuk e shohin të ardhmen e vet në këtë vend, por vazhdojnë të marrin nga sytë këmbët e të ikin nga Shqipëria. Ndalimi artificial që i bëri Europa këtyre ikjeve duke mos u dhënë azil shqiptarëve si sirianëve, me mendimin te drejtë mbase se nuk duhet të boshatiset Shqipëria. Por kjo nuk është zgjidhje, është thjeshte një injeksion i kërkuar nga qeveria e dalë boje e Shqipërisë pa asnjë efekt kurativ. E keqja është fasada, oratoria shterpë që nuk zgjidh asnjë problem, veç llomotitjeve televizive groteske:  punë ka por specialist nuk ka. Një mashtrim kolosal, një cinizëm i pashoq i krye qeveritarit me rininë shqiptare të papunë, me pa të ardhme,  që rri gjithë ditën kafeneve si në asnjë vend tjetër të Europës e më gjerë.
Dhe kësaj katrahurë i jepni firma në peticionet që organizon një qeveri e rrënuese, e paaftë, një qeveri që punon vetëm për xhepat e vet, që nuk e di çfarë po ndodh me popullin shqiptar në skamje, që nuk e di se pensioni i një dite është i barabarte me një kilogram kungull, çfarë nuk ka qenë kurrë në këtë vend e çfarë nuk ka qenë as në kohën e varfërisë më të madhe të diktaturës, Dhe i jepni firmën për ti zgjatur jetën Qeverise se Kungullit. Mos e vrisni vetën me dorën tuaj, o njerëz. Se ata këtë duan. Vetëvrasjen e trumcakut migjenian.
Po si mund të organizojnë peticione publike këta që nxorën ligjin e çmëndur për ta mbushur Shqipërinë me plehrat e Europës. Ju mashtrojnë këta çmendurakë në mënyre të hapur e ju me naivitet firmosni. Vetingu është thjeshtë se kush gjyqtar do të zgjidhet e kush do të skualifikohet. Po kujt i hyn në qase se kush gjyqtar zgjidhet, përderisa po ato që ishin janë. Gatuajnë brumë me miell te mykur e ju thonë, kjo po, është një gjë e re. Kanë vjedhur shumë e hapur tani do përpiqen të vjedhin më fshehurazi. Por do të vazhdojnë të vjedhin sigurisht. Juve që firmosni peticionin e qeverise do t’ju vjedhin. Që shkoni si cjapi te kasapi. Problemi e lufta bëhet se kush nga krahët e politikes do të caktojë të vetët me shumicë në drejtësi, që të drejtojnë e vjedhim më lirshëm,  që të mos dënohen për vjedhjet që do të bëjnë edhe ne te ardhmen. Siç ka ndodhur deri më tani.  Se nuk ka folur kush për ndonjë veting të politikes, për këta gjoja të varfrit hajdutë me çizme,  që janë në krye të partive qe kur marrin pushtetin bëhen si Ali Baba me dyzet  hajdutë, që vjedhin me miliona nëpërmjet korrupsionit me tendera mikut e shokut, djalit dhe kunatës, dreqit e të birit, por jo njerëzve të thjeshtë të popullit. Janë milionerë dhe jo me lekë po me miliona Euro dhe Dollarë.
Jo, jo! Plehrat e politikës nuk mund të bëjnë as Veting dhe aq me tepër Drejtësi.
Por ata mund te dalin me shkop e me traste të mbledhin firma ndër shqiptarë që nuk kanë intuitë e janë mësuar të gënjehen prej këtyre Çiçikovëve politikë që kërkojnë rrugëve e shesheve të Shqipërisë për shpirtra të vdekur.

© k.p.traboini 2017

26 February 2017

Si e pse nuk u bëra kurrë komunist - nga Kolec Traboini



SI E PSE NUK U BËRA KURRË KOMUNIST
-  Megjithë këmbënguljen e Niko Kolekës, dajës së kryeministrit të sotëm -

Nga KOLEC P: TRABOINI

Më thonë shpesh se qenkam produkt i kohës së lavdishme të Enver satanit. Më gjykojnë me mëndet e veta që u kanë mbetur peng i kohës së perënduar, se unë nuk e di veten produkt i bolshevizmit, as komunizmit e as i rrymave të tjera qëllim liga si këto. Veç dashurisë për Atdheun që e kam të pakontestueshme e të patjetërsueshme, nuk më lidh asgjë me kohën kur jetova në diktaturë.
Mallkuar qoftë ajo kohë gjaku e krimesh monstruoze!
Gjithsekush e ka nevojë të bejë apologjinë e vet. Edhe unë gjithashtu.
Unë Kolec Traboini jam produkt i Hotit dhe i Shkodrës, i biri i Palok Luc Çekut - Gojçaj, nga Traboini i Hotit që mbajti mbi shpatulla një histori. I lindur fatkeq në diktaturë kam qenë i detyruar të mbijetoj. Kam bërë koncesione plot ne punën time si skenarist filmi në Kinostudio, e kjo që të mbijetoja, si pinjoll i vetëm që isha, që të mos na shuhej raca e gjyshit tim Luc Çek Gojçit që e ka varrin në Traboini të Hotit, se boll na ka shuar komunizmi në Malësi, shumë dyer ka mbyllur njëherë e përgjithmonë.
Produkt komunist nuk jam e nuk mund të jem, aq më tepër vetë daja i Kryeministrit të sotëm, që ishte nip i një udhëheqësi  të diktaturës, Spiro Kolekës, ndjesë pastë Niko Koleka në Kinostudio, ka insistuar aq shumë që të bëhesha komunist, por në asnjë rrethanë nuk kam pranuar.
Niko Koleka kishte qëllim të mirë, nuk e vë në dyshim, se pa qenë komunist nuk kishe asnjë përparësi, por unë kisha një kujtesë të llahtarshme se si kishin vepruar komunistët me njerëzit e krahinës sime Hot, por edhe në Nanlocën tonë Shkodër. E megjithëse pagova haraç e bëra koncesionet e mbijetesës, kurrë nuk e kam tentuar e as çuar nëpër mend të jem produkt i kohës hoxhiste. Nuk me linte të bëhesha komunist kujtimi i Nunit tim Prenk Uci i Hotit, i burgosur politik që u vetëvra prej persekutimesh, kujtimi i vëllait të tij Palok Uci që me urdhër e firmë të Enver Hoxhës u ekzekutua në mars 1945 në moshë pak më shumë se 20 vjeçare. Kujtimi i djalit të fisit tonë Nikoll Gojçi komandant i batalionit të 3 të brigadës së I Sulmuese në moshën 26 vjeçare, që u ekzekutua pas shpine nga Mehmet Shehu. Nuk më linte as kujtimi i hotjanëve  të tjerë të ekzekutuar si miku i ngushtë tim eti, mësuesi nga Hoti Pjetër Pali, po ashtu kapiteni trim Gjelosh Luli, i miri Patër Zefi i Traboinit, mësuesi artist Gjokë Martini, Kol Maçi e të tjerë.  Mes meje e këlyshëve të Enver Hoxhës që bënin krime të përbindshme në Malësi e në Shkodër kishte një hendek gjaku. Gjaku i bashkë-malësorëve të mi, i fisit tim, i miqve e të afërmëve të Atit tim.
Ne nuk e lindëm komunizmin kur erdhëm në këtë botë, e gjetëm këtu. Ndërsa për ata që e sollën ka një thënie të komunistit të parë, shkodranit Zef Mala, se,  as populli as historia nuk do të na falë kurrë se sollëm farën e keqe shkatërrimtare në këtë vend.
E vërteta është si dielli, i cili nuk mund të fshihet pas ferrave të komunizmit.
Punë e vështirë.

© Kolec P. Traboini 2017