05 March 2017

Kungujt e Qeverise / nga Kolec Traboini

ese
Kolec Traboini
KUNGUJT E QEVERISË


Nga KOLEC TRABOINI


           Mbasi dëgjova llafeollogjine e ministrit të financave Arben Ahmetaj për sukseset e mëdha ekonomike të Qeverisë, dola në pazarin më të afërt të fruta perimeve në rrugën "Myslym Shyri" në Tiranë. Kisha mendimin që ky që flet e po na çan defterin për suksese diçka di e nuk flet kot. Kot gjithashtu nuk e kanë vënë në maj të Pikaloit qeveritar. Pastaj ky po dublon edhe ministren e Ekonomisë, por edhe atë të Mirëqenia Sociale i cili, kur flet për suksese bën belbaçin. Ky i fundit dreqi e di ku e ka degdisur kokën se mirëqenie në Shqipëri nuk ka.
I hodha një vështrim perimeve se me ato e mban barkun populli. Me ra në sy se një produkti i ishte ulur çmimi. Kungulli nga 300 lekë për kg. ishte bërë 250 lekë ose me të vjetra dymijë e pesëqind lekë. Ja pra thashë që mirëqenia nuk ka por suksese ka. Mirëpo që kungulli të jetë afërsisht sa të ardhurat ditore të një pensionisti në Shqipëri kjo nuk ka ndodhur kurrë në këtë tokë shqiptare. Kungullin e kemi pas blerë me 3 lekë kg. pra gati 100 herë më e pak se rroga ime ditore.
           Si kanë surrat e flasin. Si nuk u plasi cipa këtyre mburravecëve të shëmtuar që na tregojnë sukseset kur jetojmë në buzë të katastrofës. Mirë ky delenxhi ministër që gënjen sa ka kokën, por kryeministri çfarë ka që na tregon suksese dhe ai. E ka lidh çdo përparim të këtij vendi me një Veting. Mashtrim i kulluar. Pa le kur na thotë një tjetër palo ministër, më duket ai i energjetikës, Damjani i Gjiknurëve, që na e kripos kokën mirë me fatura të energjisë me çmime të larta e na thotë se kush është kundër Vetingut është kundër popullit. Ore, po ky ka rrjedhur. I ka rënë tavani fare. Shyqyr që nuk ka rrojtur në kohë të Duçes se do ta merrte si ministër propogande nga se thotë gënjeshtra të tilla që bëjnë popullin në atë shkallë lumturie sa të hedh valle në ditë të mortit. 

More, kam një pyetje për popullin tonë punëtor, heroik e të pa punë, që shkon në votime dhe voton për myteberrë. Çfarë mendon Populli? Këta që kemi në krye janë ministra apo kunguj?
           Unë mendoj se janë kunguj, madje me çmim të lartë e po na kushtojnë shumë shtrenjtë. Nuk na mbetet veç të parodizojmë një këngë të kohës së lavdishme të Malukatit të madh që polli maluketër të vegjël:
Nga na erdhën këta sharlatanë?!