27 February 2017

Çiçikovët e Qeverisë...- nga Kolec Traboini




ÇIÇIKOVËT E QEVERISË

Kryeministri në mashtrimin e radhës deklaroi: Vetingu nuk bëhet as për mua, as për Metën e as për Lulzim Bashën....po për ke atëhere? Me një fjalë këta politikanët do të vazhdojnë të vjedhin edhe me tej siç e kanë vjedhur këtë mjeran popull për njëzetepesë vjet. Ky është Vetingu. Firmosni, o qyqarë...

Nga KOLEC TRABOINI

Shumë njerëz po gënjehen me Vetingun. Po keqkuptohen e mashtrohen shumë shqiptare që firmosin pa ditur se pse. Firmosin për drejtësi imagjinare. E tha kryeministri me gojën e vet, Vetingu nuk është për mua, as për Metën as për Lulzim Bashën. Po për kë është atëherë? Pse duhen mbledhur firmat nga shoqatat servile të Qeverisë që u jep ndonjë llokme. Shoqata zagarësh që e sjellin gjahun në pritë për ta qëlluar gjahtari i madh? Mashtrim më i hapur në këtë botë njerëzore nuk mund të gjendet. Siç bënte Enveri, me tufëzimin që do të krijonte gjoja bollëk, do e bënte popullin më të lumtur e më të pastër dhe fshatarët i ngordhi urie. Është krejt e natyrshme që bijtë të bëjnë atë që bënin baballarët. Të tufëzohet populli pas kauzave të krye qeveritarit që po i shket toka nën këmbë. Kjo është një lojë e ndyrë politike për të mbajtur pushtetin. Dhe ca politikuc të vegjël që në njëzetepesë vjet janë darovitur me kolltukë herë nga Berisha e herë nga Nano-Rama  dalin e bëjnë propagande për mbledhje firmash. Referendumin kundra plehrave e refuzojnë e këtë palo veting, këtë tullumbace ngjyra-ngjyra për gjoja drejtësi dalin dhe e mbrojnë, dhe e propagandojnë. Qëllimi një kolltuk tjetër. Neveri... Këta që janë sot po këta do jenë edhe neser. Tani këta do të kontrollojnë edhe Drejtësinë. Për hesap të xhepit të vet sigurisht. Kaq naiv jeni more shqiptarë. E hani sapunin e kryeministrit për djathë Gjirokastre? Ju qofshi!
Tani doli edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Velia, një Sorist i njohur për mashtrimin e tij me shoqatën "Mjaft",  që u kthye në lake të politikës, e shiti kauzën që hapi Sorosi në Amerikë për një kolltuk në Shqipëri. Krye bashkiaku që duhet të merret me ujin, dritat, kanalet e fekalet që po na mbulojnë e jo me politikën e ditës si sejmen i Kryeministrit, si një Çiçikov i pështirë firmash e shpirtrash të vdekur. Se të gjallët, mor zotni, e marrin vesh mire dhe e kuptojnë çfarë janë këto firma në peticione fantazmë të organizuar nga qeveria.
Një hall i madh i ka zënë që dalin me shkop e me traste të mbledhin firma. E tmerrshme. Çfarë po ndodh në këtë vend. Do bëjnë hallvaxhiun mbret, siç shkruante Noli i madh, demokrati më i madh shqiptar në histori. Qeveria mbledh firma kundër Opozitës. Kjo është me të vërtete ajo që nuhat aludon Ismail Kadare, se në horizont po duken re të zeza, prandaj përgatituni për ngadhënjimin e absurdit, diktaturën. Se diktatorët e vendosin pushtetin e vet absolut duke mashtruar së pari popullin. Të gjithë diktatorët kështu bëjnë. Edhe kryeministri këtë po bën. E ka thënë që në fillim, pritni se nuk keni parë gjë akoma. Dhe pak nga pak po e bën atë që ka premtuar. Pushtetin e tij absolut dhe katraurën e Shqipërisë. Ju qyqarë shqiptarë, që firmosni në peticione servile qeveritare mendoni se jetoni në demokraci, por diktaturën pas dere e keni. Asnjë pendim nuk e kthen mbrapsht gabimin e sotëm fatal.
A keni sy për të parë? A keni veshë për të dëgjuar. Ju ka qorruar e shurdhuar politika, o popull. Ju po bëni të kundërtën e asaj që po bën Rumania. Po i konsolidoni pushtetin një njeriu dëlirant e narcist që nuk mendon as një sekondë të jetës së vet për këtë të mjerë popull, që të rras në burg për një fature energjie e të lë aty deri sa të vrasësh vetën. Kryeqeveritari, ky tagrambledhës i madh, mendon e punon vetëm për luksin e vet, të ministrave të vet, të rrethit të vet, të shkëlqimit të vet të rremë. Një popull që shkon pas dëlirantëve e jo pas njerëzve racional përfundon në greminë. Pa pikë dyshimi shkon ne depresion e fatalitet. Kaq herë keni rënë. Në 1944 shkuat pas berihait të Enver Hoxhës dhe komunisteve dhe e patë veten ku kishit rënë vetëm në 1990 kur Amerika me politikat e strategjinë e saj afatgjatë të konkurrencës, e shkatërroi sistemin e hekurt komunist të Rusisë sovjetike. Vetëm atëherë u zgjuat, një zgjim i vonuar me plagë të rënda shoqërore. Dhe mendojmë se mësuat diçka nga kjo histori tragjike. Asnjë shans diktaturave, mos u jepni asnjë mundësi, asnjë votë dëlirantëve që nesër mund t’ju rrezikojnë jetën tuaj dhe të pasardhësve tuaj, që mjerisht e fatalisht për kombin shqiptar, nuk e shohin të ardhmen e vet në këtë vend, por vazhdojnë të marrin nga sytë këmbët e të ikin nga Shqipëria. Ndalimi artificial që i bëri Europa këtyre ikjeve duke mos u dhënë azil shqiptarëve si sirianëve, me mendimin te drejtë mbase se nuk duhet të boshatiset Shqipëria. Por kjo nuk është zgjidhje, është thjeshte një injeksion i kërkuar nga qeveria e dalë boje e Shqipërisë pa asnjë efekt kurativ. E keqja është fasada, oratoria shterpë që nuk zgjidh asnjë problem, veç llomotitjeve televizive groteske:  punë ka por specialist nuk ka. Një mashtrim kolosal, një cinizëm i pashoq i krye qeveritarit me rininë shqiptare të papunë, me pa të ardhme,  që rri gjithë ditën kafeneve si në asnjë vend tjetër të Europës e më gjerë.
Dhe kësaj katrahurë i jepni firma në peticionet që organizon një qeveri e rrënuese, e paaftë, një qeveri që punon vetëm për xhepat e vet, që nuk e di çfarë po ndodh me popullin shqiptar në skamje, që nuk e di se pensioni i një dite është i barabarte me një kilogram kungull, çfarë nuk ka qenë kurrë në këtë vend e çfarë nuk ka qenë as në kohën e varfërisë më të madhe të diktaturës, Dhe i jepni firmën për ti zgjatur jetën Qeverise se Kungullit. Mos e vrisni vetën me dorën tuaj, o njerëz. Se ata këtë duan. Vetëvrasjen e trumcakut migjenian.
Po si mund të organizojnë peticione publike këta që nxorën ligjin e çmëndur për ta mbushur Shqipërinë me plehrat e Europës. Ju mashtrojnë këta çmendurakë në mënyre të hapur e ju me naivitet firmosni. Vetingu është thjeshtë se kush gjyqtar do të zgjidhet e kush do të skualifikohet. Po kujt i hyn në qase se kush gjyqtar zgjidhet, përderisa po ato që ishin janë. Gatuajnë brumë me miell te mykur e ju thonë, kjo po, është një gjë e re. Kanë vjedhur shumë e hapur tani do përpiqen të vjedhin më fshehurazi. Por do të vazhdojnë të vjedhin sigurisht. Juve që firmosni peticionin e qeverise do t’ju vjedhin. Që shkoni si cjapi te kasapi. Problemi e lufta bëhet se kush nga krahët e politikes do të caktojë të vetët me shumicë në drejtësi, që të drejtojnë e vjedhim më lirshëm,  që të mos dënohen për vjedhjet që do të bëjnë edhe ne te ardhmen. Siç ka ndodhur deri më tani.  Se nuk ka folur kush për ndonjë veting të politikes, për këta gjoja të varfrit hajdutë me çizme,  që janë në krye të partive qe kur marrin pushtetin bëhen si Ali Baba me dyzet  hajdutë, që vjedhin me miliona nëpërmjet korrupsionit me tendera mikut e shokut, djalit dhe kunatës, dreqit e të birit, por jo njerëzve të thjeshtë të popullit. Janë milionerë dhe jo me lekë po me miliona Euro dhe Dollarë.
Jo, jo! Plehrat e politikës nuk mund të bëjnë as Veting dhe aq me tepër Drejtësi.
Por ata mund te dalin me shkop e me traste të mbledhin firma ndër shqiptarë që nuk kanë intuitë e janë mësuar të gënjehen prej këtyre Çiçikovëve politikë që kërkojnë rrugëve e shesheve të Shqipërisë për shpirtra të vdekur.

© k.p.traboini 2017