19 May 2007

IDOLET E RREJSHME TË PAJTIMIT

Idolet

e rrejshme

të pajtimit


KOLEC TRABOINI

Ka ditë që po percillet me këmbëngulje një Apel për pajtim me popullin serb, pretendim i madh në dukje por që në thelb nuk qëndron. Kryekrejet nuk merret vesh se si mund të bëhet pajtimi me serbët nëpër faqet e internetit, kur populli shqiptar i Kosovës, se atij i bëhet ky apel, nuk e ka ende mundësinë e pasjes masivisht të rrjetit kompiuterik, siç e ka, ta zeme SHBA, ku rreth 90 përqind të familjeve kanë lidhje interneti, kështu që edhe jehona e kësaj nisme është e vakët e më shumë si një dëshirë farfuritese.
E më tej, për çka do të pajtohen shqiptarët me serbët?
Ç’ka është ky vëllazërim popujsh. Kush sot ka ende idole të rrejshme të së shkuarës kur "popujt ishin të pajtuar e vllazëruar" teorikisht, por të shtypur realisht.. Ku konsiston ky pajtim ndërpopujsh që të kujton pajtimet e gjakut, plagë që historikisht i ka patur mjedisi shqiptar.
Më kryesorja kush ka thënë ndonjë herë se populli shqiptar e ka konsideruar popullin serb armik me të cilin qënka prishur a shprishur e tani duhen ndrequr?! Kurrë në histori kjo nuk ka ndodhur. As nuk ka patur e as nuk ka popuj armiq. Nuk duhet ti konceptojmë as luftrat e mëparshme e as atë që bëri UÇK-ja si luftë kundër popullit serb. Jo. Ajo luftë ishte çlirimtare. Ajo kerkonte dëbimin e ushtrisë pushtuese e çlirimin e vendit prej okupatoreve. Dhe okupator nuk ishte populli, nuk ishin njerëzit e thjeshtë, por sistemet e strukturat e organizuara nga shteti vrasës që shtypte saora dhe popullin e vet.
Popujt nuk bëjnë politikë e demagogji. Ata më së shumti bien vetë viktimë nga keqpërdorimi i pushtetit, apo mashtrimi që u bëhet. Nëse nuk do të ishin sistemet që krijohen, qarqet e klanet që e tërheqin popullin për freri me përdhunë, siç e tërhoqi Hitleri popullin gjerman, Millosheviqi popullin serb, të jeni të bindur se kurrnji popull nuk do të kishte armiqësi a ftohje me një popull tjetër.
Nuk e pushtoi Shqipërinë populli italian që vuante nën zgjedhën e fashizmit, nën dhunë e pa bukë, por falangat e Duçes, të cilin italianët, kur shpëtuan prej zgjedhës, e varën me kokë poshtë bashkë me të dashurën Klareta Petaçi.
Prandaj nuk kuptohet se pse u kërkoka pajtimi i popujve. Për çfarë. Në emër të kujt. Çfarë nënkuptojnë hartuesit me emrin popull serb, të cilit i janë referuar. Ata që e kanë vrarë popullin shqiptar të Kosovës nuk është populli serb por janë: shteti, ushtria, policia, radikalët, “Tigrat”, falangat e zeza të nacionalistëve ekstremistë.
Një gjë duhet kuptuar, se populli serb herët a vonë do të ndergjegjësohet për faktin se udhëheqja e shtetit të vet e ka keqpërdorur emrin e tij, janë bërë masakra të përbindëshme prej kriminelëve të veshur me pushtet, të cilët kanë dalë rrejshëm në emër të popullit te vet.
Me këtë nisëm që është marrë e me këtë mënyrë që është formuluar apeli, nuk bëhet kurrgjë tjetër por shkarkohet barra e krimit nga nacionalistët e shovenistët e tipit të Millosheviqit, në kurrizin e popullit serb, pra nga kriminelët Arkan e
gjeneralët e ushtrisë tek njerëzit e thjeshtë, ata që përbëjnë shumicën dërmuese të një populli . Sepse apeli i shpallur disi me eufori, po kërkon pajtim me popullin, çka nënkupton të harrohen krimet, dhuna e gjaku të cilat kurrëqysh nuk mund ti faturohen një populli. Ata që i kanë bërë krimet dihen botërisht dhe u dënuan rreptë nga amerikanët dhe forcat e Natos, ai që ngordhi në një qeli të Hagës ishte kryekreu në bashkpunim me të tjerë që janë fshehur si mijtë vrima për ti shpëtuar drejtesisë e dënimit. Atyre nuk mund tu falet kurrgjë, as dhe një pikë gjaku, nuk mund të ketë kurrë pajtim me kriminelat, vrasësit që mjerisht ende janë në pushtet dhe në forcat politike që rolin një rol dominant në Beograd
Pajtimi i vertetë(më mirë do të ishte ta quanim paqëtimi) bëhët në mënyrë institucionale
në mes të qeverive, parlamenteve, akademive, mirëpo a kanë arritur institucionet e Serbisë deri në atë shkallë ndërgjegjësimi sa të kërkojnë falje publike për krimet që janë bërë në Kosovë. Pa kerkimin zyrtarisht të kësaj falje zor se mund të ketë paqëtim. Aq me teper ata nuk kanë shpëtuar ende nga meningjiti i tërbimit nacionalist, ato akoma nuk janë pastruar prej të keqes, prej krimit, prej gjakut. Fakti që shteti serb, institucionet e tij, parlamenti, partitë, nuk pranojnë që populli shqiptar i Kosovës të vetvendosë për tu bërë e pavarur zot i fateve të veta, madje organizojnë edhe banda terroriste për të sulmuar Kosovën, mbajnë Mitrovicën nën tension gati për të ndezur zjarrin e luftës, tregon se jemi ende larg prej reflektimit, prej katarsisit, prej afrimit në fqinjësi të mirë, për të harruar të kaluarën e për të hyrë në një udhë të re të mirëkuptimi. Vertetë akoma larg.
A do të vijë ajo ditë që shteti e politika e Serbisë ti nënshtrohet arsyes e të shpëtojë prej maktheve të legjendave mesjetare me Stefan Dushan e princ Llazar? Padyshim që do vijë, sepse ajo rrugë që gjer më tani kanë ndjekur,
nuk ka të ardhme në një Europë të Bashkuar me mirëqënie e mirëkuptim në mes shtetesh. E sa për popujt, ata janë si ti udhëheqësh, si ti drejtosh por mbi ta kurrë nuk mund të bjerë mallkimi kolektiv për një krim a gjenocid të bërë nga kastat që kanë uzurpuar pushtetin apo me dinakeri e mashtrim kanë arritur të dalin në krye e ta keqperdorin atë pushtet.
Popujt, çka nënkupton njerëzit e thjeshtë, duke përfshirë intelektualët si ndergjegje progresive e tij, artistët, shkrimtarët, specialistët e fushave humane, gjithmonë e gjejnë gjuhën e afrimit e të paqes. E në këtë kuptim, të vjen keq kur ndodhesh përpara një shfrimi antikulturë që shprehnin disa nga bashkatdhetarët tanë, madje edhe në shtyp, kundër vajzave
këngëtare serbe që kënduan e fituan me meritë interpretimi ( me ose pa plagjiaturë kjo është një çeshtje tjetër, profesionale) në Finlandën e qetësinë e butësisë njerëzore. E këto shfrymje të shoqëruara me fyerje të krijonin përshtypjen se ende jemi në llogore lufte me bomba e barut, e jo para ekraneve të një festivali ndërkombëtar, ku binin në sy të rinjtë europianë me fytyra të qeshura, që simbolizojnë të ardhmen, miqësinë e dashurinë në mes të njerëzve.
Popujt gjithmonë e gjejnë gjuhën e përbashkët, nga natyra janë gjithmonë për pajtim, por është politika shpesh herë agresive që i armiqëson mardhëniet në mes të shteteve e për rrjedhim në mes popujve krijohen hendeqe e gremina tragjike.
Këto hapsira të ngrira, artistët e shkrimtarët ballkanas me fuqinë e artit të tyre duhet të kontribuojnë që ti bëjnë të paqëna, që të përshpejtohet ardhja e asaj dite kur, shqiptarët, grekët, malazezet, maqedonasit, bullgarët, rumunët, kroatët, sllovenët, serbet, boshnjaket e turqit, pra mbarë popujt e Ballkanit ta ndjejnë me të vertetë veten të vëllazëruar në familjen e përbashkët europiane.
Gjithësesi këtë pajtim, edhe pse qëllimmirë, nuk ka pse të nxitojmë tua kërkojmë popujve, popujt nuk bëjnë gjenocid ndaj njëri tjetrit, nuk kanë shkak për ta urryer njëri tjetrin. Anipse shumica e maskaralleqëve
të pushtetmbajtësve të kësaj bote së shumti bëhen krejt rrejshëm në emër të popujve, nuk duhet kurrësesi t’u vihen popujve në shpatull e as në ndërgjegje gurët e rëndë të pendimin për masakrat që kanë bërë eksponentet e politikës së krimit e gjenocidit ndaj popujve të tjerë.

maj 2007

www.traboini.com