20 May 2007

KOOPERATIVA E SHKRIMTARËVE



KOOPERATIVA
E
SHKRIMTARËVE

...nuk duhet folur vetëm atëherë kur e pësojmë prej kryetarëve, por përpara, që të mos i lëmë të guxojnë të gabojnë.


KOLEC TRABOINI


E drejtë vrejtja që bëhet për squk-squlljen e antarëve shoqatës së shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë. Shkrimtari më i mirë i kësaj shoqate, një personalitet i letrave shqipe, Naum Prifti, në moshën 75 vjeçare, në shënjë proteste të sjelljeve denigruese ndaj tij prej kryetarit te SHSHSHA , del publikisht prej radhëve të kësaj shoqate ku punohet në mënyrë mafioze siç thuhet tekstualisht ne deklarimin publik te Naum Priftit, por kurrnji antar nuk flet. Ata që nuk e dinë çfarë ndodh në këtë organizëm të mykur e kanë të vështirë ta kuptojnë këtë paradoks. E kanë vështirë ta mendojnë se si mund të ketë mungesë demokracie në një shoqatë krijuesish të lirë. E kjo është afër menç, sepse gjithkush e di se krijuesit janë simbol i shpirtit të lirë.

Ata, antarët pra, nuk flasin a thënë më saktë nuk guxojnë të flasin sepse kush digjet nga qumështi i fryn kosit, për më tepër ata ishin dëshmitarë të skenës kur unë fola dhe e "pësova", nga kryetari, aso kohe i sapozgjedhur, vetë vulë e vetë firmë që më përjashtoi me nje vendim të deklaruar bujshëm si të ishte një perjashtim nga pleniumi i Komitetit Qëndror i PPSH… Dhe guxova të flas e të marr nën mbrojtje një antar, Lek Gjokën, që kryetari e kishte kërcënuar në telefon me perjashtim nëse nuk i jepte 100 dollarët e antarësisë, e kështu tërhoqa mbi veten atë mllef fshatarak që ende sot e kësaj dite, paçka se në atdheun e Linkolnit, punon me stilin e Enver Hoxhës e të ca të tjerëve, ish komunistë, që lyen vetëm surratin me bojë blu, por në thelb mbetën po ata që ishin. Jo pak njerëz që kanë ardhur në Amerikë prej fshatrave më të humbura të Shqipërisë, që kanë pas kontakte të ralla me mjediset e kulturuara, kanë marrë përpjetë si misra hibridë. Ju duket se me të shkelur në Amerikë janë bërë si me magji të ditur, të kulturuar, të shkolluar, se i dinë të gjitha e nuk kanë më nevojë të mësojnë kurrgjë, madje e quajnë vetën shkrimtarë, pa patur kurrëfarë shkolle e dije mbi letërsinë, dhe po u zgjodhën në kryetarllëk nuk e kanë për gjë i bëjnë hatanë madje dhe një autoriteti në letërsi si Naum Prifti. Mjerë ata për mëndjen që kanë. Është turpi tyre e nderi i Naum Priftit dalja publike prej atij mjedisi ku fjalës së lirë i zihet fryma.
Kjo shoqatë në fillimet e veta u nis si një ide e bukur për të patur lidhje e komunikim krijuesish, një shoqatë e hapur demokratike, e kështu ishte sa kohë ishte në krye Naum Prifti. Duke u nisur nga fryma e komunikimit që Naumi kishte krijuar me kolegët, propozova rizgjedhjen e tij edhe në një mandat të dytë, por mu kundërshtua rreptë nga mbikqyrsi i përjetshëm i kësaj shoqate Gjek Marinaj duke më treguar rregulloren që kishte hartuar Gjeka si të ishte një kushtetutë shteti. Pra kjo shoqatë nuk do të kishte rizgjedhje të kryetarit. Mirëpo kjo e gjitha ishte një lojë, sepse pasi u zgjodh me makinacione ky kryetar që është sot, Ramiz Gjini, u bë rizgjedhja e tij duke e thyer atë ligjin e rreptë të mosrizgjedhjes së kryetarit. Që këtu duket hapur se ajo shoqatë ka rënë në duar të njerëzve që bëjnë makinacione, që e kanë kthyer në një instrument për të kënaqur egon e vet.
I kam ndjerë këto qysh herët dhe kam konstatuar dy gjëra: e para: që, ata që e drejtojnë aktualisht këtë shoqatë janë një kult i vertetë, nuk marrin mendimin e kurrkujt dhe as pyesin njeri, të gjitha i ka e i bën kryetari, me një antar apo dy si hije. E dyta: kanë arritur që të krijojnë tek antarët mefshtësinë, mungesën e kurajos për të folur, për të kritikuar kur venë në dukje diçka që nuk shkon, që bëhet mbrapsht që manipulohet. Mjaft prej shkrimtarëve realisht janë shmangur prej kësaj shoqate pa fjale e pa bujë. Antarësia sot përbëhet në shumicën e saj prej amatorëve që nuk kanë kurrfarë kualiteti krijues, kanë ndonjë botim mediokerr dhe duke qënë të tillë nuk kanë autoritet të flasin. Por veç duhet pranuar se edhe ata që janë shkrimtarë apo poetë me reputacion, edhe ata heshtin. Nuk duan ta prishin me kryesinë e kryetarin sepse e dinë se çfarë pasoje do të kenë. Gabim e kanë sepse, nisur prej përvojës sime mund tu them se përjashtimi prej kësaj shoqate mua më ka shërbyer për mirë, e kam ndjerë veten krijues të lirë, produktiv dhe larg atyre njerëzve që punojnë pas kuintave. E për këtë mund të them me plot gojë, mund të falenderoj publikisht kryetarin që më ka përjashtuar si të isha Sejfulla Malëshova apo Fadil Paçrami: Të faleminderit Ramiz!
Për makinacionet e prapaskenat që janë bërë me Naum Priftin nuk çuditem fare, sepse i di fort mirë opinionet e këtyre njerëzve që e manipulojnë këtë shoqatë vertetë inekzistente siç thotë gazetari Vasil Qesari. Që kur u shpreha publikisht dhe individualisht në biseda me ata që luajnë gishtat e bishtat e fshehin dorën, më janë shprehur me doza mosbesimi e nënvleftësimi për Naum Priftin. Nuk do të them hollësira sepse nuk është qellimi për të hapur plagë të vjetra por dua thjeshtë të shprehem se ajo çfarë ndodhi me Naum Priftin nuk është e papritur.
Kur ja bëjnë këtë gjë Naum Priftit që është një nga shkrimtarët më të njohur të letersisë shqipe, i njohur kudo në Shqipëri e Kosovë, kur nuk përtuan të ma bënin edhe mua që kam ndihmuar në formimin e kësaj shoqate duke sjellë dy të tretat e antarësisë e kam botuar 11 libra, çfarë mund të presin disa autorë që kanë botuar një a dy libra e janë kujtuar pertej të pesëdhjetave të merren me poezi rapsodike. Kuptohen, ata janë mirënjohës që janë në listën e kryetarit me vulë dhe nuk guxojnë ti thonë madje as shëndet, kur teshtin.
A tështin kryetari,... a e dhjesin mizat portretin e perandorit... Të perandorit mbase po, por të kryetarit të shoqatës së shkrimtarëve koperativiste kurrsësi....sepse një kryetar, kur është shqiptar, të bën gjëmen, të bën të flasësh me vete, të bën më shumë se mund të bënte asokohe perandori i Habsburgëve.
Se ja ku janë bëm-gjëmat...ec e flisni për to po deshët....a ua mban? Ju nxorrën prej shoqate, o antarë!
E fundit që dua të them, e mbështes shkrimtarin Faruk Myrtaj në mendimin se, nuk duhet folur vetëm atëhere kur e pësojmë prej kryetarëve, por përpara, që të mos i lëmë të guxojnë të gabojnë...

maj 2007

www.traboini.com