Në veprën historike "KOSOVA The Albanians in Yugoslavia in light of historial documents", Safete Juka, 1984 , Nju Jork,dalin në dritë mjaft dokumente historike, të cilat i shërbejnë edhe sot e kësaj dite lexuesve anglishtfolës, historianëve shqiptarë dhe të huaj, aq më tepër tani, kur Kosova është në qendër të vëmendjes së opinionit botëror, të qarqeve diplomatike dhe të qendrave të vendosjes. Në këtë kuadër, kjo vepër vazhdon të jetë aktuale dhe të japë kontributin për zbulimin e së vërtetës mbi Kosovën dhe çmitizimin e asaj që serbët, nëpërmjet mashtrimeve historike ende e quajnë si djepin e tyre. Në këtë kuptim, vepra e Safete Jukës mund të konsiderohet si drita e së vërtetës shqiptare përballë errësirës së mashtrimit serb.
Një pikë delikate në studimin "Kosova Shqiptare e Jugosllavisë nën dritën e dokumenteve historike", është keqkuptimi që ka sjellë tek ndonjë lexues shqiptar shtrimi i problemit të dyndjes së sllavëve.
Duke e trajtuar këtë temë autorja nuk mund të mos prekte, përveç fakteve të dokumentuara, edhe hamendjet apo siç i thonë, hipotezat rreth disa gërshetimeve midis ardhacakëve të vonë (sllavëve) dh venedasve etnikë (ilirëve), natyrisht, me qëllim për të ndriçuar të vërtetën dhe kundërshtuar mashtrimin.
Historikisht, fenomene të kësaj natyre njihen në Europë. Duke u kapur pas këtij fenomeni në përgjithësi, ka patur historianë të caktuar që i kanë mëshuar kësaj ideje që niset nga interesa pansllaviste, apo nga qarqe të caktuara ku përpunohen teoritë e pansllavizmit ruso-serb. Qëllimi ka qënë gjetja e motiveve për shtrirje ekspansioniste në jug-perëndim dhe dalje në det gjatë shembjes së Perandorisë Otomane. Eshte e natyrshme qe ardhacaket kane gjetur ne terrenin ilir kulturen e traditat dhe popullsisë autoktone, dhe degë të caktuara të saj, nën ndikimin e kulturës vendase të kenë ndryshuar disi në raport me fiset e tjera që nuk i kanë patur këto kontakte. Kështu, në pjesën perendimore të Ballkanit, ardhacaket gjetën një kulturë të lartë dhe zhvillim ekonomik mjaft të përparuar për kohën. Fakt është se një pjesë e ardhacakëve përqafuan fenë katolike (Bregu Dalmat), ndryshe nga pjesa qendrore dhe lindore e Ballkanit, ku objektet e kultit vendas që i përkisnin religjionit katolik u kthyen me dhunë në faltore të orthodoksisë bizantine dhe më pas të ortodoksisë sllave, duke u shpallur prej tyre si monumente kombëtare të pansllavizmit.
Gjithkush e di çfarë ka qënë Raguza, Dubrovniku i sotëm, qendra më e zhvilluar tregtare, ekonomike, kulturore e diplomatike në Adriatik, që kishte arritur të bënte zë në tërë Europën. Ardhacakët në këto rajone nuk arritën ta shembnin kulturën dhe traditat vendase, përkundrazi, pranuan për shkak të inferioritetit nënshtrimin kulturor. Pranuan fenë, krijuan lidhjet ekonomike, dhe u përpoqën të përshtateshin në kushtet e një qytetërimi të zhvilluar vendas. Kjo solli që në arenën e historisë të krijohej një popullsi me emrin Kroate, e cila gjithnjë e më shumë përpiqej të largohej nga sllavët e tjerë lindorë, madje duke i konsideruar inferiorë e të pagdhendur. Është e natyrshme se, me krijimin e ndërgjegjes kombëtare nëpërmjet influencave perendimore dhe përfitimit të traditave kulturore të vendasve, ata kërkonin me çdo kusht motive me rrënjë në histori, për të patur një hendek me sllavët e tjerë (veçmas serbët) që i konsideronin si të pagdhendur, madje hera herës dhe armiq.
Ndërkohë, serbët, mitologjinë e tyre e kanë një kapitull qendror që ushqen ndjenjat e epërsisë së këtij populli mbi fqinjët. Cilësia kryesore e vetlavdëruar e popullit serb, e lavdëruar deri në atë masë sa t'i japë atij të drejtën t'i shohë fqinjët vetëm nga lart, me misionin hyjnor për të qënë vetëm gjykues dhe ndëshkues, pra cilësia kryesore që i jep popullit serb këtë epërsi, është besnikëria që ai ka treguar ndaj fesë ortodokse, shkruan autori Besnik Mustafa. Në një bisedë që ky autor kish patur në maj 1991 në Zagreb, me një nga politikanët kryesorë kroatë, bashkëpunëtor i afërt i Presidentit Tuxhman, ai i kishte tjerrë një teori të tërë për të cilën nuk kish dëgjuar kurrë më parë; kroatët nuk ishin sllavë por ilirë të sllavizuar. Më solli dhe një mori faktesh nga antropologjia dhe etnologjia, shkruan B.Mustafa, mbi të cilat mbështetej kjo teori. Pra, ata kishin të njëjtën origjinë etnike me shqiptarët. Kam dëgjuar edhe kroatë të tjerë , edhe sllovenë të tjerë, të më shprehen me një lloj përbuzjeje raciste për serbët: "Ata përfaqësojnë barbarinë sllave të zbritur nga Kaukazi. Europianëve u kanë ardhur e do t'u vijnë vetëm të këqia prej tyre".
Nuk kishte rëndësi vërtetësia historike përpara realizimit të qëllimit, prandaj është e natyrshme që historianë kroatë të kenë kërkuar lidhjet historike të popullit të vet me ilirët vendas, të cilët kanë arritur të mbijetojnë edhe sot e kësaj dite si arbëreshë të hershëm në Zare dhe të njohur si Arbëreshët e Zares (komunitet i vogël por me identitet të ruajtur dhe me personalitete të shquara).
Ndërsa në librin e autores Safete Juka, nuk merret përsipër të trajtohen gjerësisht këto ide, por ajo pohon disa pretendime të pjesës katolike të ish-Jugosllavisë perendimore e cila, siç e thamë, duke qënë me fe të ndryshme nga serbët, nivel të ndryshëm kulturor, madje në armiqësi historike, nuk dëshironte të indentifikohej si ata e, për rrjedhojë, kjo pjesë (katolike) është përpjekur të tregojë ndryshimet duke bërë aludime historike. Por gjithsesi, kur thuhet ‘popuj sllavë’ megjithë pretendimet e paraqitura prej degëzimeve të ndryshme apo shartimeve të pretenduara, padyshim nuk kemi të bëjmë me ilirë por me ardhacakë të vonë.
Në ndryshim nga kroatët, malazezët asnjëherë nuk e kanë vënë në dyshim origjinën e tyre. Kjo në aspektin e politikës dhe marrëdhënieve të Cetinës me Beogradin, që kanë qënë të kordinuara dhe në bashkëveprim të përhershëm me mëmën e pansllavizmit, Rusinë. Megjithatë, historianë e arkeologë, studiues të fushave të ndryshme, arrijnë të bëjnë nuancime sado të lehta midis këtyre dy popullsive. Madje, shkohet deri atje saqë shprehet mundësia e sllavizimit të një pjese të popullsisë shqiptare dhe, bashkë me të, edhe të folklorit gojor arbëresh pasi, në traditën popullore malazeze, gjen këngë të epikës legjendare dhe historike; madje me personazhe gati të njëjtë, me instrument të njëjtë, lahutën. Thuhet se mes popullsisë së Malit të Zi gjenden familje me të dhëna historike shqiptare, (këtyre lidhjeve sipas gojëdhanave, nuk i shpëtoi as Mark Milani i Malit të Zi, i njohur për luftrat e tij të egra e çfarosëse, por dhe njohës i traditave dhe cilësive morale e luftarake të shqiptarëve).
Po kështu, gjen fshatra të thellë në Mal të Zi, me tradita më tepër të ngjashme me malësorët tanë të Veriut se sa me serbët, saqë ka hipoteza të caktuara që i sjell ata si shqiptarë të sllavizuar dhe më pas të harruar...Historianët, gjithsesi, janë të ftohtë ndaj fenomeneve dhe ndjenjave nacionale, siç mund të jenë qytetarët e zakonshëm bashkëkombas të tyre. Pra e shohin historinë më ftohtë nga ne. Në këtë pikpamje, për një historian kërkimi i lidhjeve midis shqiptarëve dhe kroatëve në ish Raguzën e vjetër, tash Dubrovniku, ose me malazezët, nuk është ndonjë çudi e madhe, ndërsa ne, kurrsesi nuk pranojmë të hyjmë në diskutime të tilla edhe për shkakun se kemi një kujtesë historike tragjike dhe lumenj gjaku mes sllavëve e shqiptarëve, Dhe kur themi sllav-shqa, ne i fusim të gjithë në një kategori, pa arritur të bëjmë nuancime historike dhe dallime midis ish popujve të së ashtuquajturës Jugosllavi. Mirëpo disa nuancime, të cilat shprehin interesin tonë për të patur aleatë qoftë edhe të përkohshëm në realizimin e qëllimit kombëtar, nuk janë punë pa dobi e kalli pa bukë.
Aq më tepër kur nëpërmjet disa inkursioneve në histori, siç është vepruar me shumë sukses në rastin e studimit të kishave, të cilat para se të bëheshin monumente kulti të serbëve kanë qënë faltore të paraardhësve tanë ilirë, mund t’i tregojmë opinionit ndërkombëtar se shqiptarët janë vendas në këto treva që në zanafillën ekulturës dhe qytetërimit të njerëzimit.
Ndërsa ardhacakët, jo vetëm që janë të vonë, por kanë bërë çfarë është e mundur për të përvetësuar kulturën vendase, monumentet e kultit, dhe janë përpjekur t’i shesin këto si traditë dhe kulturë të tyre, çka nuk përbën gjë tjetër veçse një mashtrim historik me qëllime shovene të këtyre ardhacakëve të vonë të Ballkanit. Nga libri “E verteta përveluese e Aristidh Kolias” esè , K.Traboini, 2005
"....e paguaj shtrenjtë dhe në mënyrë të përditëshme me nderin, dinjitetin dhe lirinë ... Mbi kokën time nuk pranoj kurrgjë tjetër veç qiellit të lirë e pafund!"- Aristidh Kolia.
shkruar nga KOLEC TRABOINI
Personaliteti i madh arvanitas Aristidh Kolia vdiq në mënyrë enigmatike, siç cilëson ende dhe sot e kësaj dite anipse me gjysem zë shtypi shqiptar, por e thënë hapur e vranë ultranacionalistët grekë siç janë vrarë edhe arvanitas të tjerë të shquar në histori, duke filluar me Gjergj Karaiskaqin në pusi, që fjalen e fundit te jetes e tha ne gjuhen shqipe, helmuan Teodor Kollokotronin (Bithguri) në burgjet ku u përplas heroi kombëtar nga hierarkët grekë të fanatizmit nacionalist, e vite më pas me të zjarrtin arvanitas të Salaminës, gazetarin Anastas Kullurioti e të tjerë, krime të cilat historia i mban akoma në skutat e fshehta e të errëta të arkivave greke, mbase për të mos u hapur kurrë.
Ky fillim shekulli kishte ruajtur të njëjtin fat edhe për ish presidentin e Arvanitasve të Greqisë, historianin e studiuesin Aristidh Kolia, për të treguar kështu, se edhe në kushtet e zhvillimeve moderne Greqia, që e quan veten pjesëtare të asaj bote të ndritur e të kulturuar, që quhet Bashkim Europian, mjerisht vazhdon ende qëndrimin e paprinciptë të një shteti arrogant, që nuk njeh asnjë të drejtë për minoritetet, për t’u shkolluar e ruajtur traditat dhe kulturën e tyre. Traditat dhe kulturat e minoriteteve përbëjnë sot vlera për çdo lloj shoqërie në shtetet e zhvilluara demokratike, por natyrisht, jo në Greqinë e mentalitetit mesjetar e bizantin, të cilët mjerisht kanë harruar se ishin vetë grekët ata që urreheshin dhe persekutoheshin si popull nga hierarkët bizantinë. Grekët e sotëm, ndërkohë që përdorin të tërë makinacionet e stilit bizantin për t'u mohuar të drejtat minoriteteve, çuditërisht, i kanë si idhujt e tyre të admirueshëm shtypësit e tyre të dikurshëm. Të kthesh në idhull xhelatin tënd që të ka dhunuar, përzënë e shfarosur, është një paradoks i çuditshëm që vetëm në Ballkan mund të ndodhë.
Në shkrimin “Vrasja e dytë e Aristidh Kolës”, botuar në gazetën “Dielli”, New York 2000, kemi shënuar se me vrasjen fizike të studiuesit e udhëheqësit arvanitas Aristidh Kolia, nuk qe e mbaruar puna e megaloidhesë shoviniste, e mohuesve të lirisë e të drejtave të arvanitasve për gjuhën e kulturën e vet, se edhe më tej do të vazhdonin të vrisnin pak e nga pak idealin e ndritur të Anastas Kulluriotit dhe Aristidh Kolias.
Nuk do të shkonin veç dy vite pas tragjedisë së Aristidh Kolias, që në shtypin grek, e më pas përkthyer edhe në shtypin shqiptar, të shfaqej një shkrim i dy autorëve grekë Leonidha Embirikos dhe Lambros Balciotis me titull: “Grekët dhe shqiptarët në shekullin e 19-të dhe 20-të”, i cili që në krye e deklaron thuajse hapur qëllimin dhe platformën e vet kur thotë se “është absurd e qesharak pretendimi i emigrantëve shqiptarë në Greqi se Aristidh Kolian e helmoi shteti grek”.
Zotërinjtë në fjalë, që tashmë në shtyp na hiqen si ish miq të afërt të Aristidh Kolias duke shprehur një keqardhje hipokrite për vdekjen (jo vrasjen) e tij, jo pa qëllim përpiqen të konfondojnë faktin se askush prej miqve të tij të vërtetë qofshin shqiptarë apo grekë, nuk kanë thënë më parë e as nuk e thonë tani se shteti grek është drejt për së drejti vrasës i Aristidh Kolias, përkundrazi është thënë fillimisht prej vetë Aristidh Kolias në shtratin e vdekjes dhe më pas prej miqve të tij se, vrasës janë qarqe të caktuara shoviniste, që gjithsesi kanë të drejtë të shfaqen në forma legale sepse kanë përkrahjen indirekte a direkte, jo vetëm nga shteti por edhe nga mediat ultranacionaliste dhe klima raciste që ekziston masivisht në shoqërinë greke.
Zotërinjtë Leonidha Embirikos dhe Lambros Balciotis nuk marrin fare në konsideratë faktin se dënimi me vdekje i Aristidh Kolias është shpallur publikisht para se të ekzekutohej fshehtësisht, pra të gjithë e parandjenin atë që do të ndodhte. Nuk marrin në konsideratë bisedën në një rubrikë televizive direkte transmetuar në Athinë më 1999, kur gjithë të pranishmit në një kor shovinist e racist (intelektualë grekë këta!!!) të dirigjuar nga komunistja shterpë Liana Kaneli, shanin e mallkonin pa pikë kulture dhe etike dhe u hodhën si të tërbuar kundër Aristidh Kolias që gjithsesi i qëndroi me dinjitet kësaj lukunie çakejsh si të kishin dalë nga shpellat e mesjetës, e që nuk janë pa përgjegjësi me përgatitjen e klimës për vrasjen e Aristidh Kolias. Sulmeve të pacipa deri në masmedia publike, shkrimtari arvanitas i priti me gjakftohtësi, pa acarime, me një kulturë qe i shkonte për shtat emrit të tij si shkrimtar e studiues i shquar, veprat e të cilit kishin përhapje të gjerë dhe ribotoheshin shpesh herë. Ja si shkruan në revistën e tij duke iu referuar këtij incidenti të turpshëm të masmedias greke:
"Shumë miq më telefonuan për të shprehur indinjatën për baltën që hodhi mbi mua zonja Liana Kaneli gjatë emisionit televiziv në "Skaj" 5 Maj 1999, dhe më pyetën përse e përballova me qetësi, kur duhej të kundërsulmoja... Miqtë e mi, mos u mërzisni e mos u hidhëroni për këtë, sepse "e drejta del, vjen kur ti vijë ora…".E kam dashur dhe e dua vendin tim, por dashuria ime nuk është me fjalë por me veprat e mia, të cilat do të kujtohen kur balta e zonjës…Kaneli të kalojë në harresën e shekullit. Kam preferuar gjithmonë të shkoj kundra rrymës e jo të shkoj nga shkon rryma dhe fryjnë erërat . Nuk jam lëpirë e nuk kam puthur kurrë këmbët e përmjera dhe për këtë e paguaj shtrenjtë dhe në mënyrë të përditëshme me nderin, dinjitetin dhe lirinë time..."
Por gjithsesi, zemra e madhe e Aristidh Kolias e dinte se sa shqetësim e sa dëme i sillnin në krijimtari, sa tundime madje edhe në rrethin familjar, sepse presioni i opinionit shoqëror binte edhe mbi familjen e tij, mbi të afërmit dhe miqtë.
Nuk marret në konsideratë fakti se banditët kapsalistë kishin shkruar nëpër muret e Athinës “Vdekje Aristidh Kolias”, apo “Tradhëtari Kolia në litar”, për faktin se Aristidh Kolia denonconte gjenocidin serb ndaj shqiptarëve të Kosovës në librin e tij “Greqia në grackën e serbëve të Milosheviçit”. Këto gjëra, për këta dy zotërinj nuk ekzistojnë. Nuk ekziston as fakti se zyrat e Aristidh Kolias në rrugën “Filipidu” të Athinës kanë patur një bombardim intensiv me rreze radioaktive, sa ndoshta edhe sot e kesaj dite, do të kenë mbetur ende gjurmë. Përpara se zotërinjtë grekë, pseudo miq të arvanitasit të madh, të mohojnë me një të rënë të lapsit plot të vërteta mbi çfarë po ndodh me arvanitasit në Greqi apo të mohojnë çfarë të tjerët besojnë se tragjikisht e mizorisht ka ndodhur, le t’i kërkojnë organeve të specializuara t’i bëjnë një hetim studios së Aristidh Kolias, që tashmë familjarët e tij, me të drejtë e kanë kthyer në rezidencën e vet për t’iu shmangur sa të jetë e mundur manipulimit të fakteve që ende mund të kenë mbetur diku në suvatë e mureve e që nesër mund të flasin. E, për më tepër, këta dy zotërinj që duan të mbrojnë dinjitetin e shtetit grek, le t’i kërkojnë shtetit apo organeve të specializuara të Bashkimit Europian të bëjë të mundur që të analizohen kockat e Aristidh Kolias nëse kanë apo nuk kanë ende gjurmë radioaktive që çojnë fatalisht drejt leuçemisë. Mbase kështu do ta lehtësojnë shtetin dhe opinionin mediatik të mbarsur me shovinizëm prej peshës së fajit e të krimit të përbashkët të mbarë shoqërisë greke jo vetëm ndaj Aristidh Kolias, por ndaj mbarë arvanitasve që nuk janë pak por mbi një milion, paçka se shifrat e vërteta fshihen po nga ky shtet i "pafajshëm" sipas tyre.
Gjithmonë kur do të shkatërrosh dikë, mënyra më e mirë është të hiqesh si mik, e këtë dy zotërinjtë grekë Embirikos dhe Balciotis e dinë më mirë se kushdo në botë sepse janë grekë dhe kanë lidhje jo vetëm shpirtërore por dhe gjeneze me Kalin e Trojës.
Zotërinjtë e tyre arrijë deri atje sa stilin grek të eliminimit fizik të njerëzve "të padëshirueshëm" ta vënë në dyshim madje deri dhe në rastin flagrant të Anastas Kulloriotit, duke shkruar në artikullin e tyre se ai ishte mbase një rast “i mundshëm në dhjetëvjeçarin 1880”. Pra grekët bashkëkohorë, (tashmë të europianizuar!!!) ngjarjen reale e bëjnë të dyshueshme (mbase), ndërsa rastin e dyshueshëm e bëjnë të paqënë duke shtuar se këto janë më shumë vartësi të ideologjive të shkuara madje edhe atyre të shekullit të 19-të, të cilat, gjithnjë sipas dyshes greke Embirikos dhe Balciotis, “torturojnë” edhe sot shoqërinë shqiptare dhe shkencën e historisë.
Këta dy antishqiptarë, çfarë nënkupton dhe antiarvanitas, më kot hiqen si ish miq të Aristidh Kolias me të cilin, siç thonë, që në të gjallë kishin patur divergjenca në lidhje me vlerësimet të historisë. Duket hapur qëllimi i tyre që në krye të shkrimit, ndaj të gjitha rrokanisjet e tjera gjoja shkencore për marrëdhëniet shqiptaro - greke në histori, janë vetëm një kontorno e stilit grek të helmit në kafe ku përpara Aristidh Kolias mund të radhitet një plejadë herojsh duke filluar me kryeheroin Teodor Kollokotronin e plot të tjerë.
Por sidoqë të vinë punët, e sidoqë të spërdridhen grekët e politikës dhe diplomacisë së paprinciptë, arvanitët, arbëreshët e Greqisë, të steresë dhe të ishujve, kurrë nuk mund ta harrojnë amanetin e të pavdekshmit Anastas Kullurioti, i cili nga Salamina e betejave navale arvanitase ngrinte zërin e tij: "Kombet nuk janë insekte që mund të heqin dorë dhe të braktisin aq kollaj kombësinë, gjuhën, zakonet dhe traditat e tyre si gjarpërinjtë që ndërrojnë lëkurën, të mohojnë etërit, mëmëdheun dhe fisnikërinë e tij, traditat e trimërisë së vet; është anakronizëm dhe e padëgjuar që në historinë e kombeve të gjejmë një popull aq haram dhe indiferent ndaj vetvetes".
Kështu tha në të gjallë të tij Anastas Kullorioti dhe nga këto mësime u udhëhoq në të gjallë të tij Aristidh Kolia për zgjimin dhe ndërgjegjësimin e mbi një milion arvanitasve të Greqisë, prandaj edhe i vranë që të dy. Ashtu siç vranë në vitin 1982 edhe presidentin arvanitas Jorgo Maruga. I vranë se guxuan. I vranë se mbrojtën të vërtetën. Edhe mësuesin, edhe dishepullin e vazhduesin e veprës së tij.
Tashmë hienat e shovinizmit grek po i përvishen ethshëm veprave të tyre. Por këtu e kanë të vështirë. Tepër të vështirë. Dhe, në këtë rast, për mjerimin e tyre, nuk u bëjnë punë as helmi në kafe e as rrezet radioaktive, por as dhe haluçinacionet e pseudostudiuesve, që nën petkun e “mikut” të martirëve, marrin në mbrojtje mbrapshtitë e shekujve.
IDETË E ARISTIDH KOLIAS
Në shkrimin e veprave, Aristidh Kolia nuk u nis vetëm nga vetja, por u mbështet edhe në shumë studiues të tjerë paraardhës, qofshin studiues arvanitas, akademikë grekë apo albanologë shqiptarë e të huaj, prandaj nuk ka shkak të lëshohen pasthirrma padurimi nga ndonjë lexues i pavëmendshëm, se fjalët e lashtësisë që gjen dhe përqas ky autor me gjuhën arvanitase - përkatësisht shqiptare, kanë mungesa të argumentimeve të thella shkencore në fushën e gjuhësisë.
Në fund të fundit, Aristidh Kolia jep shembuj dhe ngre hipoteza pa pretenduar të sjellë risi apo ndryshime në strukturën gjeneologjike të gjuhësisë në hapsirën ballkanike. Ai gjen ngjashmëri ashtu si shumë studiues e gjuhëtarë me parë kanë gjetur, duke përfshirë edhe të madhin Eqerem Çabej, dhe i sistemon ato me qëllimin për të lartësuar dinjitetin e një populli të nëpërkëmbur.
Këto ai i quante kërkime, sistemime, nxjerrje në evidencë e jo zbulime. Nuk e kemi dëgjuar, të paktën ne që e kemi njohur personalisht, po as nuk kemi lexuar të jetë shprehur gjëkundi në këtë mënyrë për veprën e vet, përkundrazi, ai ishte teper modest dhe përdorte gjithnjë referenca veprash të historianëve e dijetarëve që prej lashtësisë deri në kohët moderne. Prandaj nuk duhet të kapemi pas ndonjë fjale apo shprehjeje që nuk gjen mbështetje të plotë shkencore, por që në të njëjtën kohë është shumë e vështirë ta kundërshtosh, kur një fjalë a shprehje që gjendet tek Homeri nuk mund ta përqasësh a ti gjesh spjegim me ndonjë fjalë të ndonjë gjuhe tjetër në botë, përveçse trajtës të së folurës së moçme shqipe.
Por, në të njëjtën kohë, të mos harrojmë se është spekullim me veprën e Aristidh Kolias edhe nëse kalohet në ekstremin tjetër, pra, nëse ndonjë studiues mediokër shqiptar, duke u nisur nga shëmbëllesat e përqasjet e fjalëve dhe shprehjeve të studiuesit arvanitas, të ngrejë teorira sikur gjuha shqipe na qënkërka mëma që ka pjellë gjuhët europiane, se kështu, të na falin këta studiues ëndrrimtarë, do t’ua kalojmë për nga megallomania edhe grekëve. Kësisoj, veçse keqinternpretohet vepra e Aristidh Kolias, e cila nuk është vepër e mirëfilltë studimesh gjuhësore, por "një vështrim historik, folklorik, politik, gjuhësor", siç vetë e ka cilësuar në faqen e parë të kryeveprës së tij, që është vepra më e plotë e shkruar deri më sot për arvanitët - arbëreshët e Greqisë "Arvanitët dhe prejardhja e grekëve" e njohur në më shumë se nëntë botime në të gjallë të autorit.
Për më tej, nëse Aristidh Kolia thotë se fustanella që sot mbajnë grekët në parada (çolejt), janë thjesht kostume të arbëreshëve (arvanitasve) të Greqisë, kjo për grekët është një thagmë e vërtetë (pa çka se e dinë fort mirë se janë arvanite), por për shqiptarët është një fakt që qëndron dhe e vërtetuar nga njohësit dhe studiuesit e kulturës popullore shqiptare dhe helene.
Nëse vallja çamiko sot konsiderohet pjesë e krenarisë së folklorit grek, kjo nuk do të thotë se ajo është puro greke por valle çame dhe dihet botërisht se çamët janë shqiptarë. Prandaj kur flitet për veprën e Aristidh Kolias duhet ndalur e folur qetë e shtruar, jo për t’u kapur pas dy - tre fjalëve, sepse vepra e tij nuk qëndron vetëm në argumentin leksikografik. Duhet kuptuar qëllimi i veprës së tij, e cila kurrsesi nuk konsiston në ndonjë dëshirë për të ulur popullin grek a për të ngritur atë shqiptar, por thjesht për të ndërgjegjësuar arvanitët të cilët meritojnë të jenë të nderuar si të tillë e jo të turpëruar e të poshtëruar për origjinën e tyre, siç një pjesë e madhe ndihen sot prej një politike që i poshtëron minoritetet në Greqi. Për më tepër, Arvanitët janë shtetformues sepse 80 deri në 90 përqind e heronjve të Pavarësisë së Greqisë janë arvanitas dhe, në parlamentin e parë të shtetit të ri grek dëgjohej shqipja po aq sa greqishtja, sa që u propozua të fliteshin dy gjuhë, por shpejt u ndalua.
Të gjitha këto i thotë Aristidh Kolia në veprën e vet. Edhe më tej, në kohët moderne, në kushtet kur mes Greqisë dhe Shqipërisë ekziston një hendek i madh e i rrezikshëm, Kolia "hyn" mes palëve në grindje e u thotë : "Po dale more, se në fund të fundit bashkëjetesa ndër shekuj dhe rrënjët pellazgjige si popujt më të lashtë në Ballkan, na nxjerrin të afërt, me të afërt se çdo popull tjetër përqark, prandaj, lerini luftrat, shihni miqësinë e përparimin."
Politika që kanë ndjekur a ndjekin grekët ka qënë dhe mund të vazhdojë të jetë negative, e kjo nuk varet nga ne por politika, ndërsa popujt, nëse çlirohen nga mentaliteti i politikës së egër të udhëheqësve, kurrë nuk gjejnë shkak për të patur mëri apo shpallur luftë njeri -tjetrit. A e dini se sa vajza shqiptare nga jugu para luftës së dytë botërore janë martuar në Greqi, dhe sa mijra shqiptarë janë vendosur atje. Kjo dyndje arbërish në të gjitha periudhat historike drejt lindjes, patjetër që kanë sjellë përzierje që akademikët e historianët më të njohur grekë e kanë quajtur një urë lidhjeje, një strukturë të re të popullsisë dhe një amalgamë grekoshqiptare. Ndaj, nëse popujt lihen të qetë e pa ngarkesa nacionaliste e shoviniste, janë aq të afërt shpirtërisht sa do ta gjejnë vetë rrugën e miqësisë e të bashkëjetesës pa patur nevojë për ‘izmat’ e politikës dhe demagogjisë.
Ne mund të flasim për malazezët çfarë të duam e të gjitha të vërteta janë, por sidoqoftë ka një fakt; edhe në kohë të monizmit po të shkoje në Shkodër, rrugëve dëgjoje të buçisnin këngë sllave të Podgoricës, sa që me humor vizitorët thoshin, "Bobo - na polli belaja, kemi kaluar kufirin". Sepse populli e kalon kufirin nëpërmjet vlerave shpirtërore të cilat i gjen edhe tek popujt e tjerë edhe pse për njëqint e një arsye gjenden "armiq". Për kësisoj "prapësirash" nuk besoj se politika duhet ta shpallë popullin tradhëtar.
Populli, shpesh herë, është shumë më i emancipuar se sa vetë politika.
Kështu i kalonte kufijtë e shteteve edhe Aristidh Kolia, si pjesa më ndërgjegjshme e popullit grek me gjak shqiptar në deje, si bashkëkohësit e tij arvanitas Melina Merkuri, aktorja Irenë Papas, akademiku Niko Haxhiqiriako - Gjikas, piktori i madh Tasos Haxhis, shkrimtari Jani Gjika e plot të tjerë, e, në këto kalime kërkonte gjurmë e lidhje në histori midis popujve të armiqësuar, por që kjo armiqësi një ditë duhej të kapërcehej, duhej të shuhej; ky ishte ideali i tij.
Se si e ku i kërkonte ai këto lidhje e rrënjë historike; në fjalë, në këngë, në vargjet e Homerit, në mitologjitë greke, tek Kadmi ilir, tek perëndesha Athena - thënësja e fatit, (Kadare i kërkon tek Eskili), tek Kollokotroni, Karaiskaqi, Boçari, Xhavella, nuk kanë fare rëndësi përpara qëllimit dhe ideve të tij të ndritura.
Rrezet e diellit që lindin mbi një shpatull mali mund të përplasen edhe baltrave, por ato kurrë nuk përlyhen, mbeten gjithjë rreze të praruara. Ashtu ndodh dhe me idetë e njerëzve të ndritur, ndër të cilët - për ne shqiptarët, arvanitët e arbëreshët -, në mënyrë të padyshimtë radhitet edhe emri i studiuesit dhe udhëheqësit arvanitas Aristidh Kolia, si një nga figurat më të shquara të kombit shqiptar. Sa më shumë të shkojë koha, aq më tepër do të prarojnë vepra dhe idetë e tij që predikonin dashuri midis njerëzve, mirëkuptim midis popujve, dinjitet ndërmjet kombeve dhe guxim në kërkimin dhe pohimin e të vërtetave historike prej të cilave, para se të kemi drojë duhet të na bëhen mësim ne ballkanasve të trazuar aq keq në egoizëm nacional dhe lavdidashje të paskrupullt.
Veprat e njerëzve me mendje të ndritur si Aristidh Kolia na mësojnë të kemi guxim për të kaluar kufijtë e shteteve, për të kapërcyer nacionalizmin primitiv që e karakterizon fuqinë e barutit ballkanik e, mbi të gjitha, për të kapërcyer vetveten që shpesh herë na lë pas në kohë e hapësirë duke mbetur në bisht të historisë dhe larg Europës në hapësirat e një shekulli.
ETIMOLOGJIA NË THES TË POLITIKËS
Aristidh Kolia, i cili i ka studiuar me themel Çabejn dhe studiuesit e tjerë shqiptarë dhe te huaj dhe ka referenca të shumta nga ata, spjegon në veprën e vet se shumica e emrave të perëndive të Olimpit nuk kanë kurrfarë mundësie spjegimi në gjuhën greke, përkundrazi spjegohen më së miri në gjuhën arvanite që është shqipja e vjetër.
Greket e sotëm e fort të vështirë të pranojnë se dyndjet e arbërve në tokat greke solli që
" kjo amalgamë popujsh" te ripërtrinte dhe ti jepte gjallëri popullit grek, i cili në periudhën e bizantit ishte degraduar gati deri në shfarosje.
Ja një referencë historike, nxjerrë nga një botim i vitit 1944 në Athinë, nga ish Kryeministri me gjak shqiptar gjenerali Pangalo:
"Admirali Konduriotis, tre Nikolaidët (gjyshi, babai dhe nipi), i paharruari gjeneral Kondulis, Admirali Saqellario, heroi i nëndetëses "L.Kaconis" B.Laskos dhe shumë të tjerë grekë të shquar, janë të gjithë me prejardhje shqiptare dhe është i njohur shërbimi që ata i kanë bërë atdheut. Paparigopulos ka shkruar se prej të gjitha racave që kanë ardhur në Greqi, përzierja me gjakun shqiptar ishte një ballsam e amalgamë e shkëlqyer. Hidriotët, Speciotët, Miaulët, Sakturis si dhe mijra luftëtarë që nga 1921 e deri në kohën tonë, e mbështesin dhe e dëshmojnë të vërtetë mendimin e Paparigopulos."
Kjo sa i përket historisë, ndërsa etimologjia ka vendin e vet pa patur nevojë të futet në thesin e shpuar të politikës megallomane ballkanike.
Gjatë pesë vjetëve, të qendrimit tim në Greqi kam hasur shumë emra vendesh në gjuhën shqipe si Kryekuq, Varibopi e plot fshatra të tjerë arvanitase, që nga Luca, Spata e ishujt Evia dhe Salamina, madje deri brenda në Athinë tek shtëpitë që varen buzë Akropolit me emrin, lagjia "Plakë".
Duke lexuar "Gjuhën e Perëndive" botuar në Athinë 1989, gjejmë hipoteza të tilla si prejardhja e fjalës Athina, emër i cili më parë në mitologji njihej si Krana´polis, dhe Akropoli quhej Krana´ që, në gjuhën arvanitase, Krana është e njëjtë me fjalën Thana.
Pra spjegimi kërkohet që në fjalët e vjetra të ardhura nga koha pellazgjike, si në emrin e vjetër Krana, (Thana) dhe në emrin e ri Athina (E thëna) sipas emrit të rivënë në mitologji.
Max Muller ka hipotezën se ky emër vjen nga sanskristishtja Ahana. Më 1854 në librin e tij "Albanesischen studien" J.G.Han supozon se emri Xronu (perëndia e dytë pas Uranos) ka prejardhje nga gjuha shqipe Kroni.
Sipas një miti të vjetër, jo Zeusi, por Poisedoni bëri dashuri me Dhimitrën nga u lind një vajzë që kurrkush nuk dëshironte t’i vinte emrin...por që u thirr me disa mënyra Persefoni, Persefassa, Persefatta, Fersefassa, Ferrefatta, Ferofatia, etj.
Spjegimi nga A.Kolia është se gjasat janë që emri të ketë ardhur nga bashkimi i dy fjalëve që në gjuhën arvanitase do të thotë Farr e Thata pra Farrethateia.
Në greqisht nuk mund të spjegohet me këtë fjalë sepse Sporos, ndryshe prej arvanitases është fjalë e gjinisë mashkullore.
Nuk është vendi këtu për të detajuar librin e studiuesit arvanitas por thjesht për të vënë në dukje se mundet që vendi ynë, momentalisht të ndodhet në pikë të hallit dhe çdo lloj
kërkimi i kësaj natyre në histori, arkeologji apo gjuhësi, mund të merret si një mburravecllëk e punë e kotë, mirëpo gjithsesi, gjendja ekonomike e vendeve dhe popujve ndryshon, por historia nuk mund të ndryshojë përditë sipas orekseve diplomatike apo kurseve të bursave që i fusin ekonomitë e shteteve në krizë dhe qeveritarët në panik.
Në këtë kuptim, u pëlqen apo nuk u pëlqen fqinjëve tanë të jugut e miqve të tyre qeverisës në Tiranë, etimologjia e hapsirave gjeografike ku historikisht kanë jetuar e jetojnë shqiptarët në Ballkan, veçmas në Greqi, nuk mund të futet në thesin e shpuar të politikës.
TË DHËNA BIOGRAFIKE
Aristidh Kolia është lindur më 8 korrik 1944 në Leontari (Kaskaveli) Thivës, rrethin e Tebës dhe kishte dy motra dhe një vëlla. Mbaroi gjimnazin e Thivës në vitin 1963 dhe më pas vazhdoi juridikun në Universitetin e Athinës, Fakultetin Juridik të cilin e përfundoi në 1968. Në këtë vit bën një përpjekje për të vazhduar studimet pasuniversitare në Francë por për shkak të situatave të turbullta nga demostratat dhe revoltat e studentëve parisianë, detyrohet të kthehet sërish në Athinë ku ushtron profesionin e juristit. Në vitet ’80, Aristidh Kolia do të linte profesionin për t’u marrë me pasionin e jetës së tij; studimet historike, traditat, folklorin dhe gjuhën arvanitase që ishte gjuhë e fëmijërisë së tij dhe e rrënjëve të tij arvanitase. Aristidh Kolia ishte shumë i apasionuar edhe pas arteve, njohës i muzikës klasike dhe popullore, piktor amator i admirueshëm, kjo për shkak të traditave familjare. Babai ishte piktor ikonash po ashtu dhe motra e tij, tashmë ka bërë emër si piktore ikonografe në Gjermani. Falë aftësive vëzhguese dhe analitike si dhe njohjes së arteve, që në studimet e para arvanitase do të kishte sukses të plotë. Libri i tij i parë “ Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve” u botua në Athinë në vitin 1983, duke njohur 9 (nëntë) botime deri në vitin 1999 dhe duke u bërë, krahas librit të Kosta Birit po për arvanitët, libri klasik që hyri masivisht në çdo familje arvanitase në Greqi. Autori i ri fitoi një popullaritet të madh tek arvanitasit dhe në rrethet studimore. Që nga viti 1986 e deri në vitin 1995, ai u zgjodh vazhdimisht president i Lidhjes së Arvanitasve të Greqisë. Në vitin 1989 boton librin e dytë studimor “Gjuha e perëndive” në përpjekje për të spjeguar fjalët dhe shprehjet e mitologjisë greke me ndihmën e të folurës arvanitase. Në vitin 1995 boton librin me temë aktuale “Greqia në grackën e serbëve të Milosheviçit”, që do të përkthehej më pas në gjuhën shqipe duke u bërë një nga librat më të shitur e kërkuar në vitin 1998 në Shqipëri. Në vitin 2002 ( pas vdekjes)do të botohej i përkthyer në Shqipëri edhe libri i tij madhor “Arvanitët”.
Aristidh Kolia ishte edhe themelues i “Qendrës së Studimeve Arvanitase”, të cilën e drejtoi në shumë vite.
Bashkë me kompozitorin dhe muzikologun Thanasis Moraitis, Aristidh Kolia do të ishte organizatori i festivalit të parë me këngë arvanite, më 15 dhjetor 1986, nga e cila do të dilnin kasetat dhe disqet e para. Më 7 mars 1998 do të organizohej po nga këta edhe festivali i dytë, nga i cili, në vitin 1999 do të qarkullonte një kompakt disk me titull “Trëndafilat e shkëmbit”.
Boton fillimisht revistën “Besa” si organ të Lidhjes Arvanitase, të cilën e drejton deri në vitin 1995 (34 numra) dhe, pas ndërprerjes së saj, do të krijonte shtëpinë botuese “Thamiris” dhe revistën e re dymujore “Arvanon” 1998-1999 (në 8 numra). I ngarkuar tej mase me punët studimore, detyrohet të ndërpresë botimin e revistës “Arvanon”.
Në vitin 2000 boton librin “Antonio Bellusci dhe magjia e gojëdhanave popullore”.
Janë të shumtë librat e shkruar por të pabotuar të Aristidh Kolias, ndër këta “Zeusi pellazgjik dhe mashtrimi indo-europian”, “Kadmos dhe Alfabeti”, “Marko Boçari, roman biografik”, “Poezi dhe tregime”, e të tjera vepra në dorëshkrim.
Aristidh Kolia u sëmur krejt pa pritur më 24 maj 2000 dhe të mërkurën e 11 Tetorit 2000, jeta e tij u shua duke lënë pas gruan Nansi, vajzën Polikseni, djalin Pano si dhe veprat që shkroi dhe e bëjnë emrin e tij të pavdekshëm në historinë e arvanitasve që është edhe pjesë e historisë së Shqipërisë.
DIALOGU BELLUSHI - KOLIA
Thenie të A.Kolias në një bisedë e inçizuar në studion e tij në gjuhën italiane:
"Ne arbërorët i kemi qorruar sytë tanë me duart tona kur kemi fshehur origjinën tonë etnike dhe gjuhën tonë".
"Problemet tona aktuale sipas një rregulli përparësor janë si vijon:
1. Të mos fshehim origjinën dhe gjuhën tonë.
2. Të njohim historinë tonë.
3. Të mbledhim material të bollshëm për folklorin.
4. Të mësojmë se si shkruhet gjuha shqiptare dhe të publikojmë libra në këtë gjuhë.
Antonio Bellushi, i cili ka botuar një libër voluminoz për arvanitët, të titulluar "Ricerche e studi tra gli arberori dell-'Ellade" ("Kërkime dhe studime për arbërorët e Greqisë"), libër që parathënien ia ka shkruar i shquari Aristidh Kolia, e përshkruan takimin me këtë arvanitas në këtë mënyrë:
"Kemi kaluar gjithë natën zgjuar në shtëpinë e arbërorit Aristidh Kolia. Ashtu si dhe vitin e shkuar, aty gjetëm një ngrohtësi dhe mikpritje të madhe. Ishte një lidhje tepër tërheqëse, që nisi që në momentet e para të takimit tonë. Një burrë me karakter të hapur, të fortë, i ri dhe shumë i çiltër. Gjithashtu është pjesëmarrës në një aksion të dukshëm kulturor pranë gjithë komunitetit arbëror të Greqisë. Libri i tij "Arvanitët" u shit shpejt e shpejt. Ai u përpi menjëherë nga tregu, duke u lexuar dhe studiuar me një zell të jashtëzakonshëm. Tre botime brenda një viti.
Gjendemi në shtëpinë e tij. Ndërsa shijojmë kafenë e ngrohtë, i drejtojmë disa pyetje mbi jetën e tij të përditshme, mbi motivet që e nxitën të shkruante veprën "Arvanitët", si dhe mbi përshtypjet që i kishte lënë udhëtimi i tij jo shumë i largët në Kalabri dhe Siçili së bashku me një grup arbëreshësh".
Po në shtëpinë e tij në Athinë, Antonio Belushi bëri një bisedë me të lidhur me punën dhe studimet e tij.
Bellushi: Po, ti shërben edhe si diqigoros. Si është puna, është e rëndë?
Kolia: E ashtu, dhe ashtu.
Bellushi: Të merr shumë kohë?
Kola: Pak, se tani kam shtie sevdanë me librat, në historinë, edhe unë si ti.
Bellushi: Aristidh Kolia shkruajti librin "Arvanites kai katagogi ton ellinon", një libër shumë të bukur e me shumë vlera historike. Sa copë kishe bërë në botimin e parë?
Kolia: Dy mijë copë botimi i parë. E para do kohe pata nxjerrë botimin e dytë. Ka edhe pak kopje akoma. Tani do të bëj edhe botimin e tretë.
Bellushi: Si zure të studioje, si fillove të shkruaje? Ku e gjete kohën?
Kolia: Kohën e pres nga atje ku s'pritet. Dhe natën, tërë ato ditë që nuk kisha punë, shkruaja. Libri më mori katër pesë vite.
Bellushi: Je i gëzuar se e bëre këtë libër?
Kolia: Shumë i gëzuar, pse për mua dhe për të tjerët ish një, si të thom...
Bellushi: Edhe shumë e shumë për të tjerët, pse ata nuk dinë faregjë për jetën arbërore.
Kolia: Nuk dinë faregjë. Thonë se arvanitët janë bastardo e se edhe gluha ish një gluhë bastarde. Po gluha jonë është shumë e vjetër, shumë e bukur, shumë e embël. Po neve ata na shtynë në atë propogandë, në atë politikë. Tani unë nuk mund të flas. Tani flas sikur kam një shatë në golë. Plaka ime flit shumë mirë. Mëma e madhe flit shumë mirë. Unë s'mund flas shumë mirë.
KORRESPONDENCA ME ARISTIDH KOLIAN
Disa ditë para se të largohesha nga Greqia për në SHBA, Aristidh Kolia më ftoi familiarisht në shtëpinë e tij në një darkë lamtumire. Për të bërë shoqëri në atë mbrëmje kish ftuar edhe piktorin Robert Alia-Dragot me të shoqen Mimozën, shkrimtarin Tasos Karantis, mikun e tij të rinisë, grekun Niko, me të cilin dikur kishin shkuar deri në Francë në tentativë për të ndjekur studimet pasuniversitare, si dhe një familje tjetër shqiptare çiftin Albana dhe Adrian Prifti . Ajo mbrëmje e bukur vere athiniote ruhet në kujtesën tonë si më e bukura ditë e pesë viteve jetë në Greqi. Në fund të mbrëmjes, të cilën Robert Aliaj nuk mungoi ta xhironte me kamera, Aristidh Kolia la miqtë e tjerë në shtëpi, nxorri makinën nga parkingu dhe na përcolli deri në shtëpi, në rrugën Filolao. Ishte pasmesnate dhe pjesëtarët e familjes sime u ndanë nga ai me sy të përlotur. Kur po ndahesha më tha miqësisht se bashkë do të takoheshim përsëri pasi e kishim lënë që me shoqërinë e gazetarit të BBC-së, Robert Goro e disa shqiptarë të tjerë intelektualë të shkonim në një lokal. Edhe ajo ishte një mbrëmje e bukur. Aristidh Kola në mes nesh ishte si shqiptari në mes të shqiptarëve. Në bisedë të afërt, ndër të tjera, mbaj mend fjalët që më tha për një brengë që ai kish. “Pse - më tha - ne shqiptarët vrasim njëri-tjetrin? Nuk bën! Nuk bën!” përsëriti disa herë.
Ai ishte një njeri që i kuptonte fenomenet që ndodhnin në gjirin e shoqërisë shqiptare, por i vinin shumë të hidhura lajmet kur ndonjë emigrant kish vrarë shokun vet për para. Ishte shumë i dhimbsur si njeri dhe i vinte keq për njerëzit e gjakut të vet.
Intervistën që i pata marrë atij e që u botua në gazetën “Illyria”, e priti me shumë kënaqësi. Ja si shprehet në një letër.
“ Athinë me 06.08.1996
I dashur dhe i paharruar vëlla,Mora letrën tënde të bukur që më dergove (në zarf i kisha dërguar dhe dy gazeta “Illyria” ku ishte botuar intervista e tij-shënimi im-KT) dhe mendoj se ishte dhurata më interesante për ditëlindjen time.
Dhe më pas vazhdon në shqip:
... të dërgoj librin e fundit që kam botuar i cili është një dokument historik i vitit 1899 me shumë interes, shpresoj se do ta përkthejnë djelmtë….” Në një letër tjetër më shkruante se ishte i mërzitur se një foto që i kisha bërë në Athinë, atë me çibuk, ia kishte kërkuar një gazetare kosovare që i kishte bërë një intervistë në zyrë, me premtimin se do t’ia kthente, por që nuk ia ktheu më kurrë.
Nuk mungonte të më shkruante se si shkonin punët në gazetën e emigrantëve “Egnatia” të cilën e lexonte rregullisht “Gazeta jote ‘Egnatia’ - më shkruante - vete shumë mirë, ke gjetur njeri shumë të përshtatshëm tek Floriana (Paskali) që po e përparon gazetën”
Në vitin 1999, im bir Donald, që asokohe vazhdonte studimet në Boston University, bashkë me një grup studentësh shqiptarë, propozuan që në kuadrin e takimeve e bisedave që organizonte universiteti të ftohej Aristidh Kolia për t’u folur studentëve mbi ngjarjet aktuale në Ballkan dhe arvanitasit në histori. Propozimi i bërë në emër të shoqatës së studentëve shqiptarë u mor në evidencë dhe, pas kësaj, hymë në lidhje me Aristidh Kolian që e priti me kënaqësi. Ia kish shprehur këtë edhe ambasadorit shqiptar Kastriot Robo.
Por në Universitetin e Bostonit nuk u gjet e mundur të bëhej ftesë për vitin 1999, me argumentin se për atë vit ishte i ftuar anglezi Malkolm, i cili kishte botuar një libër për Kosovën. Mund të shtyhej për vitin tjetër. Mirëpo duke ditur influencën e lobit grek në këtë universitet, asnjë nga studentët nuk u besoi argumentave që solli udhëheqësia e universitetit.
Ndërkohë, diaspora shqiptare, megjithë ndonjë përpjekje që bëra, nuk e kishte në mendje ta ftonte Aristidh Kolian në Amerikë, në mënyrë që, në takime direkte me intelektualët shqiptaro-amerikanë të shihej mundësia e përkthimit të veprës së tij në anglisht dhe të botohej në SHBA. Diaspora ishte tepër e zënë me pritjet dhe përcjelljet e partiakëve të hallakatur nga Shqipëria Kosova dhe nuk ia kishte ngenë veprimtarive kulturore intelektuale. Kështu humbi një rast e një mundësi që nuk do të vijë më kurrë.
* Anastas Kullurioti, sipas të dhënave të Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, ka lindur në vitin 1820. Ishte arvanitas i ishullit të Salaminës. Në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit botoi gazetën “I foni tis Alvanias” ( Zëri i Shqipërisë). Botoi abetare shqipe, si dhe broshura të ndryshme për çështjen shqiptare “Ankimet e shqiptarëve”. Mbrojti çështjen shqiptare dhe të drejtat e arvanitasve për gjuhë, kulturë e dije bashkë me kolegun e tij arvanitas të shquar Panajot Kupidorin (1821-1881)Në verë 1883 bëri një udhëtim në Shqipëri, por nuk qëndroi gjatë për shkak të ndërhyrjeve të konsullatës greke pranë autoriteteve osmane të Gjirokastrës, të cilat e dëbuan nga Shqipëria. Luftoi hapur kundër Megali Idhesë greke që punonte në dëm të çështjes shqiptare, për çfarë fitoi armiqësinë dhe më pas vdekjen prej qarqeve ultrashoviniste të cilat e helmuan në vitin 1887.Anastas Kullurioti është figura më e ndritur e arvanitasve në vitet 1880, ndaj të cilit edhe sot e kësaj dite në Greqi mbahet një qëndrim mohues duke u përpjekur që arvanitasit të mos ndikohen prej ideve të tij iluministe, si për shqiptarët në brigjet e Adriatikut dhe Jonit, po ashtu dhe arvanitasit anë e mbanë Greqisë.*Jorgo Maruga themeloi Lidhjen e Arvanitasve të Greqisë ”Marko Boçari”në 1982 e po atë vit e vranë në mënyrë misterioze. Pas tij u zgjodh president Aristidh P. Kolia( 1944-2000) që pati të njëjtin fund tragjik.
Aristidh Kolia në shtratin e vdekjes u tha miqëve të vet shqiptarë:
"Ju lutem mos ushqeni asnjë iluzion. Mua me vranë dhe kështu kanë vepruar edhe me dy kryetarët e tjerë të Shoqatës së Arvanitasve "Marko Boçari", të cilët vdiqën edhe ata nga "Leuçemia", këto fjalë ua kam thënë edhe të tjerë miqëve të mi."
Nga libri , ”E verteta përvëluese e Aristidh Kolias”, esè, K.Traboini