02 July 2012

APOLOGJIA E MUNGUAR "Më fal, Bilal Xhaferri !"


APOLOGJIA E MUNGUAR
"Më fal, Bilal Xhaferri !"

Shkruar nga KOLEC TRABOINI

Që nga viti 2004 kur është shkruar kjo esè e deri më tani që ribotohet, ka patur mjaft ngjarje të reja, zëra të rinj mbytës kundër hapjes së dosjeve. Mjerisht ndër ta edhe zëri i ish kryetarit të Lidhjes (që nuk ekziston më) të Shkrimtarëve, zëri i të ndjerit Zyhdi Morava, që në një intervistë publike kërkoi me insistim të mos hapen dosjet. E kam pyetur por asnjëherë nuk jepte arsyet e vërteta të cilat, nga mënyra se si u morën titujt e nderet, nuk është e vështirë të merren me mend. Loja me dosjet arriti në prefeksion me faljen publike që i bëri spiunëve të poetëve të ekzekutuar Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, falje që nuk ishte pa përfitim. Ish kryetari si shperblim për këtë veprim të tij mori çmimin e argjendë të vitit për një roman "E veçanta e një dashurie", ku kryetare jurie ishte shkrimtarja që kishte denoncuar krijimet e poetëve të vrarë nga diktatura. E e jo vetëm kaq, të mirat rrodhën edhe më tej per kryetarin e Lidhjes se Shkrimtareve duke iu dhënë titulli i lartë presidencial "Mjeshtër i Madh", çfarë nuk kishin arritur ta gëzonin poetë në zë të letërsisë shqipe si Frederik Rreshpja dhe Ndoc Gjetja. Nuk e di a i është dhënë ky titull në të gjallë shkrimtarit Martin Camaj. Si darovitje e ndërsjelltë për keto mirësira, spiunia shkrimtare ( bijë sigurimsi kjo) që dërgoi në ekzekutim dy poet të rinjë, u propozua nga kryetari i shkrimtarëve për çmimin Nobel. Kjo ështe llogjika në Shqiperi. Njëra dorë lan tjetrën e të dyja lajnë fytyrën e pistë të spiunlliqëve e poshtërsive që janë bërë në këtë vend për gjysëm shekulli, e që vazhdojnë me të njëjtin pasion të lig... Mund të kishte edhe të tjera shkaqe, për të cilat pikërisht një njeri që ka qënë në burgun e diktaturës, të këmbengule të fshiheshin bëmat e spiunëve të cilët me mjeshtri kanë arritur të zënë edhe vende kyçe në politikë, ekonomi e në hallkat e pushtetit. Kjo gjithashtu tregon se Morava, autori i 30 veprave letrare duke e njohur realitetin absurd të letërsise shqipe ku real-soci ligjëronte hapur e pushtetshëm, pra ku nuk ka asnjë alternative për të zbuluar të vërteten, zgjodhi rrugën e heshtjes dhe akoma më tej të kompromisit.
I vetmi zë i rëndësishëm për hapjen e dosjeve ka qënë e mbetet shkrimtari i njohur Kadare, i cili , ani pse këmbëngul, e di fort mirë se dosjet nuk hapen kurrë, ose hapen pjesërisht, kur duhen të lahen hesapet me ndonjë që nuk e bën mirë punën e lakeut. Mesa duket Kadare në këtë aspekt e ka ndergjegjen e qetë, por gjithësesi këmbëngulja e tij për hapjen e dosjeve anipse në vesh të shurdhër, është për t'u vlerësuar e përkrahur.
Megjithëse ka një të vërtetë universale, nuk mund të ketë pendim as falje për krimet në këtë botë, pa nisur fillimisht me gjyqin e ndërgjegjes që duhet t'i bëjë vetvetës çdo njeri që ka jetuar e, në një mënyrë a një tjetër, është molepsur me ose pa dëshirë prej një epoke të pistë. Të gjitha apologjitë duhen filluar nga vetja. Duhet filluar me fjalët "Më fal, Bilal Xhaferri!", e për ta bërë këtë nuk ka nevojë për referendume, as dekrete presidenciale, as ndryshime kushtetuese nga deputetët, në mes të cilëve gëlojnë si zogj sorre edhe bijtë e antarëve hiena të Byrose Politike, instrumentit më gjakatar që ka njohur populli shqiptar...

* * *

Për të bërë pendesën, persekutuesit e Bilal Xhaferrit nuk është e nevojshme të kërkojnë të hapen dosje... Madje edhe pse spiunimi i tij është publik dhe i hapur, askush nuk i tha shkrimtarit (të paktën për së vdekuri), "Më fal, Bilal Xhaferri!". Atëherë çfarë kërkojmë nëpër varreza dosjesh dhe çfarë është qëllimi i hapjes së tyre?! Mjerisht, ata që sot kërkojnë me insistim të quhen disidentë, dikur e martirizuan shkrimtarin, ndër më të talentuarit e letërsisë shqipe. Thonë të hapen dosjet. Bukur! Le të hapen (paçka se u kujtuan si kofini pas të vjeli), nëse vërtet ka mbetur gjëkund ndonjë dosje?! Por për të gjetur persekutuesit e Bilal Xhaferrit nuk ka nevojë të hapen Arkivat e Shtetit (prej ku nisin të gjitha spekullimet e sotme të nxitura prej ish sekretarit të Ramiz Alise që sot gëzon titullin Profesor ), as ato të Komitetit Qendror e të Ministrisë së Brendshme, sepse spiunimi i tij është bërë publikisht në Lidhjen e Shkrimtarëve, por edhe në gazeta e libra të atyre që jetojnë ende nëpër delire disidencash të paqëna e për të cilët Frederik Rreshpja thoshte se atyre, edhe sot e kesaj dite " ...ua gervish pasqyrën ku shihen diamanti i mprehtë i Bilal Xhaferrit.".
Edhe pse diktatura është shembur dhe shkrimtari i deklaruar "armik", Bilal Xhaferri, ka afro dy dekada i tretur në dhè, ai vazhdon ende të jetë i persekutuar. Sigurisht, jo nga lexuesit e dashamirësit e tij të shumtë, por nga ata që u përpoqën sa mundën t'ia nxijnë jetën njeriut, kolegut të tij shkrimtar.
Madje edhe ish këmbora e madhe e letërsisë që u katandis mjerimi i madhështisë së vet fodulle, Fadil Paçrami( pak kohe para se te vdiste), ka deklaruar se kishte patur fakte fakte që Bilal Xhaferri ka qënë “spiun i sigurimit”. Po nuk thoshte ky xhelat shkrimtarësh (para se të metamorfohej prej Enver Hoxhës në viktimë), se nga i mori këto të dhëna dhe a ka ndonjë të dhënë tjetër plotësuese se kush e plagosi me thikë e kush e dogji dy herë redaksinë e dorëshkrimet në Amerikë. Dhe, edhe më tej, kush e vrau në mënyrë misterioze në spitalin e Çikagos Bilal Xhaferrin? Mesa duket, Fadil Paçrami që e anatemoi Bilal Xhaferrin në Lidhjen e Shkrimtarëve duke e nxjerrë jashtë nga salla me ulurimat "pinjoll i armikut të Partisë" kërkonte ta persekutojë edhe pas vdekjes shkrimtarin Bilal Xhaferri. Mirëpo Fadil Paçrami harronte se ky nuk është mision shkrimtarësh por nekrofagësh; është i njëjti mision që ai kishte patur si një nga llafeollogët dhe demagogët më të zellshëm të diktaturës. E nuk mund, mesa duket, të rrinte pa e ushtruar zanatin e vjetër edhe në fund të jetës se vet zullumqare, në kohë të demokracisë..
I lindur në nëntor 1935, në fshatin Ninat të Konispolit, në një familje patriote çame, Bilal Xhaferri u rrit jetim, pa nënë e pa baba (baba të pushkatuar si armik nga shokët e idealeve komuniste të Fadil Paçramit), dhe e ndjeu që në fëmijëri varfërinë dhe përbuzjen klasore. Punoi që i ri nëpër kantiere, i dënuar për të mos ëndërruar arsimimin e lartë. Punëtori i Ulzës shumë shpejt do të binte në sy për talentin e madh letrar, për çfarë u pa sa me simpati e dashamirësi nga lexuesit, aq edhe me cmirë e ligësi nga shkrimtarët e përkëdhelur të regjimit, të cilët jetonin në fodullëk e në domenët e letërsisë së partishme.
Nuk e lanë të botonte përveçse një libër me tregime, që gjithsesi i dha emër të nderuar tek lexuesi i thjeshtë si edhe tek disa kritikë e rrethe letrare dashamirëse që e përkrahnin.
Deri këtu e lejuan, por kur Bilal Xhaferri guxoi të mendonte dhe të shkruante një roman historik për periudhën e Skënderbeut si "Krastakraus" lindën plot ambicje keqdashëse, plot fjalë nisën të qarkullojnë për birin e një të pushkatuari, që guxonte të konkuronte me majat e letërsisë se kohës. Këtë, Partia e Punës (dhe e Lidhjes së Shkrimtarëve) nuk mund ta linte të ndodhte, prandaj mezi prisnin rastin të dënonin pinjollin e "armikut". Dhe rastin u a dha në dorë vetë Bilal Xhaferri, i cili duke jetuar e vuajtur bashkë me popullin e vet, dinte shumë më tepër se sa kritika zyrtare apo aparatçikët e Komitetit Qëndror mbi problemet e letërsisë e artit dhe të lidhjeve të saj me realitetin e jetës.
Por, çfarë tha Bilal Xhaferri në Lidhjen e Shkrimtarëve. Pse nuk e tha Fadil Paçrami se çfarë gjëme i bëri letërsisë shqiptare diskutimi i Bilal Xhaferrit? Vetëm pse tha hapur në strofen e gjarpërinjeve të PPSH-letrare, që trajtimi i figurës së grave malësore në një roman, një pamflet i keq politik (konformist me ideologjinë zyrtare të PPSH, që disa shkrimtarë mediokër e quanin "hymni i letërsisë së klasës punëtore"), ishte i gabuar. Kjo për faktin se, banorët e malësive pasi iu nënshtruan dhunës e egërsisë së komunizmit me pushkatime në prag të shtëpive, tashmë edhe artistikisht po i nështroheshin poshtërimit moral si kanunorë mesjetare, reaksionarë dhe përfaqësues të errësires dhe regresit. Nuk është ashtu-u tha njeriu me shpirt fisnik Bilal Xhaferri, për të cilin malësoret dhe Malësia e Veriut ruan një respekt të jashtëzakonshëm se ishte i vetmi zë që i mbronte hapur prej hunëve të komunizmit që hyjnizoheshin letrarisht prej
epigonëve të letërsisë së llogoreve të luftës së klasave.
Vërtet gruaja malësore në shfaqje dukej e nështruar dhe e poshtëruar, - u thoshte asokohe shkrimtari dinjitoz Bilal Xhaferri -, por në thelb shoqëria dhe mjedisi shqiptar gjithnjë e kanë respektuar. Po kush të dëgjonte... hienat. Edhe analizat e Kanunit bëheshin prej pseudokritikëve të rregjimit, gjithnjë me qëllimin e keq për ta nxjerrë si ana më e zezë e jetës shqiptare. Malësia dhe malësorët ishin bërë sinonim i diversantëve dhe shpellave në letërsinë e partisë. Edhe Kanuni lexohej dhe interpretohej së prapthi, duke mos gjetur tek ai kurrfarë vlerë, të paktën historike për kohët kur shoqëria shqiptare jetonte ende jashtë legjislacioneve civile dhe në kushte izolimi historik. Duke harruar qëllimisht faktin se ishte ai kod qe e mbajti dhe ruajti lidhësinë e bashkësinë në ato kohë të errta të historisë, kur popujt e Europës ende nuk i kishin një të tillë por notonin në kaos.
Duke jetuar në mes të malësorëve të zonave veriore, ku dhuna komuniste ishte shfaqur me egërsi të pashoqe, Bilal Xhaferri do të zbulonte tek ata jo vetëm vuajtjen e mjerimin ku e kish katandisur popullin regjimi monist, por do të dallonte edhe tiparet e madhështisë së malësorëve shqiptarë si nderi, besnikëria, urtësia, mikpritja, respekti njerëzor. Bilal Xhaferri nuk mund të mos i mbronte ato tipare e virtute të larta të njerëzve në vatrat malësore ku ai kishte ngrënë bukë dhe ishte pritur me bujari.
Bilal Xhaferri foli, tha të vërtetën që buçiste jo vetën në shpirtin e tij por edhe në gjokset e malësorëve të martirizuar prej skuadroneve të ndjekjes (lexo vdekjes). Bilal Xhaferrit deshën t'ia bënin varrin së gjalli duke e ndarë nga letërsia. Librin "Lirishta e kuqe" që ia vonuan për t’ia nxjerrë në dritë (jo pa qëllim), ia kthyen në karton. Romanin në dorëshkrim "Krastakraus" që shikohej me lente, thonë se edhe nga vetë Ramiz Alia (fjalë e përhapur me qëllim mbase), ia zhdukën që të mos i mbetej nam e nishan sfidës që i “deklasuari” i bënte një romani historik (me kohë të përqasur) e që ishte ngritur aso kohe në peidesdal dhe hymnizohej prej kritikës shabllone të rregjimit.
Ajo çfarë i kishte mbetur Bilal Xhaferrit ishte të shpëtonte të paktën jetën, para se ta shqyenin çakenjtë e diktaturës. Dhe falë njohjeve, miqve të mirë, respektit që njerëzit kishin për të, arriti të arratisej në fund të gushtit të vitit 1969.
Por, më kot mendoi Bilal Xhaferri se do t'i shpëtonte egërsisë e dinakërisë së rregjimit. Do ta gjenin edhe pse larg. Enigma e vdekjes së tij, pas një operacioni në kokë të deklaruar "i suksesshëm" nga ku shkrimtari doli nga salla i vdekur e kurrfarë hetimi i plotë nuk u bë. Kjo të bën të kuptosh se "parja e kuqe e hafijellëkut (siç më thoshte në të gjallë i ndjeri Preng Gruda, që e kishte strehuar mjaft kohë Bilal Xhaferrin në shtëpinë e vet në Detroit), ka shkuar në dorën që duhej për të kryer punën e Sigurimit të Tiranës".
Gjithsesi, kjo vdekje mbeti enigmë dhe shkaktoi traumë për Komunitetin Shqiptar në Amerikë, ku Bilal Xhaferri ishte ndër intelektualët më aktivë me revistën e tij "Krahu i Shqiponjës", dhe humbje e madhe për Letërsinë Shqipe.
Në vend që të heshtej me dhimbje për këtë vdekje tragjike, në një botim të ditëve të fundit të monizmit, emri i Bilal Xhaferrit (edhe pse me iniciale), u satirizua në mënyrë cinike nga një shkrimtar i nderuar e i respektuar, por që megjithë talentin e admirueshëm, kurrë nuk i shpëtoi vogëlsirave në të cilën e fuste në ngasje ambicja.
Është e vërtetë që "shkrimtarin B.XH. koha ia dha varrit" por, jo për t'u harruar siç thuhet në atë libër botuar rreth vitit 90. Përkundrazi, për të shkëlqyer dhe për t’u admiruar nga populli shqiptar duke u vendosur në altarin e letrave shqipe si martir dhe talent i madh që kurrsesi, megjithë dëshirat vetiake të ndokujt, nuk mund të përbëhet vetëm nga një dorë, vetëm nga një mendje e kurrsesi vetëm nga një penë...
Në spitalin e Çikagos, në tetor të vitit 1986, në moshën 51 vjeçare vdiq njeriu, por mbeti gjallë në kujtesën e njerëzve krijuesi i martirizuar, krijimtaria e tij që sot është pronë e gjithë lexuesve shqiptarë. Mirënjohjen prej lexuesve e meriton intelektualja çame Ballkize Halili, e cila ruajti një kopje në dorëshkrim të atij romani. Duke shpëtuar veprën e Bilal Xhaferrit prej zhdukjes, përmes rrezikut të jetës së vet, ajo bëri shumë më tepër se një akt disident. Në këtë rast, ruajtja e librit të "armikut", është akt shumë herë më kurajoz nga "disidencat" e disa shkrimtarëve zyrtarë, që më kot përpiqen t’i mësojnë publikut t’i lexojnë veprat, që deri dje ishin konformiste të regjimit monist, si disidente e kundërshtare. E njëjta mirënjohje i takon edhe kritikut Adriatik Kallulli që ka ruajtur poezi të Bilal Xhaferrit në shtëpinë e tij, kur kjo përbënte një rrezik të jashtëzakonshëm për jetën vet.

* * *

Miti i martirit të letërsisë Bilal Xhaferri ndrit udhën e brezave shqiptarë, të atyre që artin e bëjnë nëpërmjet dhimbjeve dhe sakrificave, e që vlerat i arrijnë nëpërmjet veprave të veta dhe aspak nëpërmjet mizanskenave, tarafeve, klaneve, të cilat (pse jo) të japin edhe çmime të mëdha kombëtare kur dhënësve ua do mideja dhe interesi.
Edhe hapja ose mos hapja e dosjeve, është një lojë (krahas tërë lojrave dinake pseudo-demokratike të tranzicionit) që po luhet prej 15 vjetësh e, po në këtë sens, do të luhet akoma nga ata që diç duan të përfitojnë, qoftë nga varrimi apo çvarrimi i dosjeve në varrezat e diktaturës.
Ia nxinë jetën popullit duke varrosur të vërtetat dhe jetët njerëzore, e tashmë kur populli ka plot halle të tjera, kur korrupsioni dhe krimi të ze sytë dhe varfëria e skajshme e ka sjellë jetën në zgrip, per te terhequr vemendjen herë pas here media me një kumbim të bujshëm thërret”Të hapen dosjet!”. Patjetër, por çeshtja është se sa seriozisht e kanë, apo thjeshtë sepse populli ka nevojë për spektakël e hashish informativ sensacional...
Ashtu si për zbulimim e “bujshëm” të poemës "Pashallarët e kuq" që u bë çështje e madhe por u fry e u çfry si tollumbacet e 1 Majit para tribunave, (me "urra" kur u ngrit e "urra" kur u rrëzua), ashtu do të përfundojë edhe kjo nismë zulmëmadhe dosjesh pas afro dy dekadash të vendosjes së pluralizmit.
Kemi një dosje të Bilal Xhaferrit me "spiunë" të vetëdeklaruar publikisht në zezonën Lidhje të Shkrimtarëve të diktaturës. Pse heshtet e nuk ka kurrfarë vrasje ndërgjegjeje e reagimi në publik?
Le t’i marrim gjërat me rradhë, pra të lexohen së pari dosjet e hapura, pastaj gjejuani anën atyre të fshehura, se vërtet duhen hapur të gjitha (në ju lëntë Komiteti Shqiptar i Helsinkit që herë herë merr nën mbrojtje mafien zyrtare dhe banditët e qeverisjes), pra të hapen nëse ka mbetur ende ndonjë dosje dhe për më tepër pa u manipuluar gjëkund...
Por, në krye të fjalës të thuhet:
- Më fal, Bilal Xhaferri!

Boston, 2004


© Copyright Traboini - esè / traboinistudio@yahoo.com
Nuk mund të botohen në asnjë organ shtypi apo sit elektronik pa lejen e autorit