23 July 2012

PER DED GJO LULIN PSE NUK FLITET ASNJE FJALE - APO PSE ESHTE KATOLIK? - nga Kolec Traboini

Kreshniku i Traboinit të Hotit dhe i gjithë maleve shqiptare Ded Gjo Luli


PER DED GJO LULIN PSE NUK FLITET ASNJE FJALE - APO PSE ESHTE KATOLIK?

KOLEC TRABOINI

A e keni vënë re se Kryeministri shqiptar nuk e përmëndi as në janar kur e hapi 100 vjetorin e Festimit të Pavarësisë dhe as më pas, kohët e fundit kur përmëndi edhe Ahmet Zogun për një shtatore në Tiranë, emrin e Ded Gjo Lulit. A thue është rastësi që Kryeministri i vendit tone( i të gjithëve pra), sa herë mban fjalime të përditëshme nuk përmënd asnjë emër katoliku nga ata që kanë bërë emër në Histori, aq më tepër se Ded Gjo Luli ka qënë i vetmi që ka organizuar një kryengritje me përmasa të mëdha, Kryengritjen e Malësisë së Madhe, e paparë ndonjë herë në Shqipëri që nga koha e Gjergj Kastriotit- Skenderbeut, dhe më kryesorja ka ngritur i pari në Shqipëri pas 450 pushtim otoman, Flamurin kombëtar në Deçiqit me 6 prill 1911.
Ded Gjo Luli ka luftuar që në moshën 20 vjeçare për shqiptari, ka qënë 73 vjeç kur ka udhëhequr luftën për liri e pavarësi kundër gjeneralit turk Turgut Pasha dhe ka fituar mbi të, për të cilën ka shkruar edhe gazeta “New York Times” në Amerikë duke e bërë të njohur kështu çeshtjen shqiptare anë e mbanë botës.
Ded Gjo Luli ka dhënë jetën e dy djemëve të vet dëshmor për Atdhe e së fundi ështe i vetmi udhëhëqes i kryengritjesh në historinë tonë që pushkatohet për veprimtarinë e idealet kombëtare nga armiqt e kombit shqiptar në moshën 75 vjeçare, duke e mbyllur jetën e vet me lavdi e me gjakun e tij ja ngriti lavdinë edhe kombit shqiptar.
Mirë Kryeministri i këtij vendi e i të gjithëve, u gjend, mbase rastësisht, në një udhë pa krye, po zonja Jozefina Topalli, kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, e vetmja katolike në krye të shtetit e pushtetit (!!!), vallë nuk e di se Ded Gjo Luli është heroi më i panjollë në Historinë e Shqipërisë, për të cilin Ismail Qemali ka thënë"Ded Gjo Luli është pushke e ngrehun për Shqipërinë."
Pse kjo harresë. Aq shumë më lodh e më tundonn edhe personalisht kjo pyetje sepse në këtë pavarësi kam edhe vepren, luftën dhe plaget e tim eti që ka qënë sekretar i Ded Gjo Lulit dhe e ka sjellë atë Flamur të Deçiqit prej Vjene përmes Dalmacisë për ta ngritur e valëvitur në malet e epike që bota i quajti termopilet shqiptare.
Pse pra!? Mos vallë ....Mos vallë...
Meqë ka kohë për të ndrequr këto gabime që unë i quaj të pakonceptueshme që Ahmet Zogu ti zërë vendin në Pavarësi Ded Gjo Lulit,Nikoll Kaçorrit e Luigj Gurakuqit( të tre katolikë)...e me dëshirën e mirë për ti konsideruar si rastësi e të mundshme për tu shmangur si incidente, nuk po aludojmë por gjithësesi tingllojnë fatalisht të dëmshme për mjedisin shqiptar dhe ekuilibrin shoqëror.
Ka ca mardhënie delikate ndër popuj që kanë diversitete kulturash e besimesh të cilat qeveritarët duhet të dinë si ti trajtojnë për të mirën e vendit, e për të cilat edhe zoti Neritan Ceka që e njeh historinë dhe është këshilltar i kreut të Qeverisë nuk ka pse të zgjedh rolin komod të vegjetuesit apo soditësit pas kolltukut të qeverisë.
Faqen njeriu e ka për tu nderuar por edhe për tu turpëruar gjithësesi. Eshtë tepër e rëndë për çdo qeveri e çdo qeveritar që të marr mbi supe një turp të tillë, një akt të paprecedent përveçse në diktaturë, aq më tepër që 100 vjetori i Pavarësisë Kombëtare festohet vetëm një herë dhe përbën një ngjarje që ruhet gjatë në kujtesen e popullit.


23 korrik 2012
___________________________________


Ju sjell shkrimin tim botuar ne gazeten "Tirana Observer"me 21 dhjetor 2011, mund ta lexoni ne BLOG ose ne faqet elektronike te gazetes ne fjale duke kerkuar emrin e autorit.

http://traboini1.blogspot.com/2010/09/kush-dhe-pse-e-denigrojne-ded-gjo-lulin.html