29 May 2012

Presidenti Topi harron Kostë Çekrezin...


Kostë Çekrezi,-  burrë shteti që luftoi tërë jetën e tij për kombin...


PRESIDENTI TOPI HARRON KOSTE ÇEKREZIN...

Dhe dekoron Van Christon e Bostonit i cili në 1995 personalisht në zyrën e tij më  tha "Çfarë doni në Amerikë ju shqiptarët?! Nuk ju do njeri këtu..."

KOLEC TRABOINI

Ka emra të ndritur në komunitetin shqiptar në Amerikë si: Arshi Pipa, Peter Prifti, Josif Pani e Vasil Pani, miku i ngushtë e bashkpunetori i Faik Konicës që në mjaft vite  ish-kryeredaktor i gazetës "Diellit", Rexhep Gurazezi, Qerim Panariti, Isuf Luzaj, ish kongresmeni Joe Di Guardi së bashku me bashkëshorten, një nga aktivistet më të shquara për çeshtjen kombëtare, znj.Shirley Di Guardi, vëllëzrit Lek e Pashk Gojçaj që kanë ngritur me shpenzimet e veta monumentet e Nënë Terezës në Detroit, Tuz, Kosovë, e plot të tjerë mund të dekoroheshin para se ky zotëri me emrin Van Christo të cilin e njoh mirë dhe është një njeri që merrte (e ndoshta ende merr) fonde në emër të komunitetit shqiptar për fondacionin me emrin e nënës së vet "Frosina". Në asgjë ky njeri nuk i ka ndihmuar emigrantët. Madje sapo kam mbërrritur në Amerikë në 1995, kam shkuar tek Van Christo sepse ishin përhapur fjalë se ai ndihmon emigrantët për të gjetur punë. Por, ai nuk ndihmonte njeri. Më tha fjalë për fjalë:- "Çfarë doni në Amerikë ju shqiptarët. Nuk ju do njeri këtu". Dhe sot e dekorojnë me pompë se ka ndihmuar emigrantët... Natyrisht duke marrë fondacione nga Bashkia e Bostonit për një faqe-blog elektronik nga të cilët mund të bësh sa të duash se ka edhe site falas, ai thjesht ka ndihmuar xhepin e vet. Pra ky dekorim është mashtrim. Dhe ka dekoruar edhe ca priftërinj orthodoks  shqipo-amerikane  për ca kontribute, kur dihet se themelimi i Kishën Orthodokse Shqiptare ne Amerike 1919,  është kontribut i patjetërsueshëm i Fan Nolit,  i cili bash për këtë qëllim atdhetar  u vesh  prift 1908. Presidenti të kishte dekoruar Koli Kristofor të parin emigrant shqiptar të regjistuar në Amerikë në 1886, krijuesi i komunitetit shqiptar në SHBA kur me inisiativën e tij solli 17 emigrantët e parë shqiptarë nga Korça, që edhe ai vesh  prift e ishte patriot i madh. Po ka edhe plot të tjerë si bashkëthemeluesi i Vatrës Kristo Floqi, Kristo Kirka vdekur në burg të  Burrelit, atdhetari e flaktë, editori i gazetës “Diellit”  Kostë Çekrezi.
Po kush ka qenë Kostë Çekrezi. I emigruar në SHBA, mbaroi studimet në Universitetin e Harvardit 1918.  U bë kryeredaktor i gazetës "Dielli" në qytetin e Bostonit në vitet 1915-1919 dhe e bëri atë gazetë të përditshme.  Botoi dhe  revistën e përmuajshme "Illyria". Kosta Çekrezi ka qenë pjesmarës në Kongresin e Lushnjës dhe përfaqësues i Shqipërisë në SHBA në vitet 1920-1922. Ka qenë profesor i historisë në Universitetin Kombëtar në Washington. Kosta Çekrezi  botoi  fjalorin anglisht - shqip në vitin 1923.I kthyer ne Shqiperi, per shkak te figures qe kishte krijuar,   në vitet 1922-1923 ka qenë caktuar anëtar i Këshillit të Shtetit, njëkohësisht edhe anëtar i Klubit Kombëtar të Shtypit në SHBA.  Ne vitet 1924-1925  konsiderohej botuesi e publicisti më i shquar në Shqipëri me gazetat  "Telegraf" dhe "Ora",  mirëpo arrestohet e dënohet me një vit burg  pas shpalljes së monarkisë.  Dy gazetat e krijuara prej tij u mbyllën.  Më pas ikën nga Shqipëria dhe si  atdhetar e demokrat i madh, pjesmarrës aktiv në Lëvizjen e Fierit, u dënua  me vdekje në mungesë nga regjimi zogist.
Janë të njohura  polemikat  e ashpra të Kostë Çekrezit me Mehmet Shehun në një kamp internimi në Francë pas përfundimit të Luftës së Spanjës, ku Mehmet Shehu mburrej me Stalinin ndërkohë që  Kosta Çekrezi  e urrente bolshevikun rus  e fliste me simpati për Franklin Rusveltin  dhe për demokracinë amerikane.
Në  tetor 1941 shkon sërish  në Amerikë.  Një muaj më pas  formoi në Boston organizatën "Shqipëria e Lirë".  Kostë Çekrezi ka bërë përpjekje për të mbajtur ura lidhjeje midis Aleatëve dhe Shqipërisë. Në vitin 1951 botoi në Washington analizën politiko-historike  "Plani i tretë për copëtimin e Shqipërisë" një studim që bëri jehonë të madhe. Ndërroi jetë në Bostonit në vitin 1959, në moshën 66-vjeçare.
Fjalët e Fan Nolit mbi varrin e Kosta Çekrezit ishin:  "Burrë shteti, që kishte luftuar gjithë jetën e tij për kombin e tij dhe ky Djalë i Madh i Shqipërisë, vdiq fukara".
Folëm për atdhetarë të mëdhenj, veçuam të harruar prej shtetit shqiptar Kostë Çekrezin, por mund të flisnim për plot të tjerë, që janë figurat e shquara të komunitetit shqiptar e para të cilëve dekret-dekorimet e Presidentit Bamir Topi të duken cingërima. Eshtë e natyrshme të pyesim: - mirë që e harroi Kostë Çekrezin, po ku e gjeti Van Christon?! 
Ky president kurrfarë lidhje me historinë me artin e kulturën nuk kishte ( se tashmë është i shkuar). Prandaj me të drejtë shumë njerëz  ngrenë supet përpara  spektakleve  presidenciale e thonë: 
- E dinë historinë këta presidentët tanë, apo ja fusin kot...
Dashtë Zoti që ai që do vijë ta dijë!


Van Christo i  Bostonit