22 May 2012

“MUHAXHIRËT” NË PARLAMENT - Kolec Traboini

( SHENIM: Paraqes një shkrim që nuk e botojnë gazetat me shkakun se i kam sharë më shumë se duhet deputetët. Por kam bindjen se duhet ti kisha sharë edhe 100 herë më shumë sepse janë gjëja më bosh që ka ky vend)

“MUHAXHIRËT” NË PARLAMENT

Sipas Konicës në 100 vjet

Nga KOLEC TRABOINI

E vërteta therëse që do të thoshte Faik Konica po të ngrihej nga varri do të ishte se, ne s’kemi patur kurrë deputetë për të qënë,  por veç ca “muhaxhirë” në parlament në këto njëqind vjet, nga ajo rracë bastarde që “Shqipërinë e shesin për një pesëshe... Edhe bukën tonë hanë, edhe na lëshojnë….baltën e tyre përmi mësallë!”.
Përjashto një kohë të shkurtër kur parlamentarë ishin burrat e mëdhenj të Kombit si Gjergj Fishta, Fan Noli, Ndre Mjeda, Lazër Shantoja, Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina, Zija Dibra (tre të fundit të vrarë nga Zogu) e do të tjerë, mbas shuarjes së demokracisë e prej ardhjes përdhunshëm të diktaturës Zogiste, Shqipëria më pas do të kalonte nën pushtime të huaja me deputetë kuislingë e krejt më pas do të vendosej diktatura Enveriste, ku çdo gja mori fund në fushë të parlamentarizmit si nocion demokratik.
  Ta thuash në fjalë të vërtetë e jo në rrena gazetash partiake a panele televizive të shitura për një dhjetësh,  një bilanc i këtij 100 vjetori na sjell se ky mikroshtet si të ishte çifligu i një feudali anadollak, me përjashime që dihen e jetëgjatësi të shkurtër, pra e tërë shtrirja çfarë dominon në kohë historike apo aktuale është kurrgjë më shumë veç ardhja, jo e  trunit, dinjitetit e personalitetit,  por e llumit e kumit të kombit. Sepse kombet i kanë edhe njërën edhe tjetrën, por në parlament duhet të vinte më e mira. Aq më tepër që në traditën tonë kombëtare edhe në fshatin më të humbur të këtij vendi, kurrkush nuk është rrekur që kur shtronte një sofër,  të vinte në krye të vendit një keqot, a thënë ndryshe budallën e fshatit. Mirëpo tek ne aktualisht kjo po ndodh.  Ata që sot e nderojnë më pak këtë vend janë deputetët, çfarë është krejt e natyrshme sepse edhe liderët e këtyre partive klanore që stanojnë delet e veta në parlament, kanë sajuar ligje që veç një Esat pash Toptani mund t’i sajonte që të sillte në Parlament sejmenët e vet. Pik e shik siç i solli Zogu të vetët të kostumosur si kukulla parlamentare, pasi zboi e vrau çdo liberal e demokrat, po ashtu në mënyrë të qindfishuar  i vrau dhe i shfarosi Enveri kundërshtarët e vet intelektualë, ndërkohë solli në parlament skotën e partisë, shumica vëllavrasës e kriminelë që nuk e kishin për gjë t’i çanin kafkën madje edhe ish kolegëve të vet, siç e pësoi i mjeri admirali çam Teme Sejko prej Mihallaq Ziçishtit e Co, që ia tërhiqnin litarin në fyt derisa ia nxorrën frymën e jo në platon të ekzekutimit, por gjatë lëvizjes në ndenjësen e makinës. Deputet qe viktima mjerë, deputet faqezi dhe xhelati.  Të tillë katilë deputetë solli Enveri në parlament për afro 50 vjet.
Po më pas viteve ’90-të të shohim çfarë ndodhi. Ajo çfarë nuk mund të besohet. Të zë lemeria ta mendosh. Ish agjentët e Sigurimit, ish spiunët e shokëve, hafije të fëlliqta që i urrenim edhe në kohë të diktaturës, sepse ishin më të zellshmit e pushtetit,   dilnin nëpër lagje për spiunlliqe,  për të na i zbritur antenat e televizorit, apo bënin mbledhje fronti ku të çanin menderen nëpër mbledhje. Ja kur na u bënë deputetë. E kur këto kërma të sistemit që ngordhi e la pas sporie e bacile kolere pafund, pra u vjetëruan, u doli kallaji, u tërhoqën apo hëngrën brrylat,  pra u brrylosën nga një skotë e re, që u pasurua sa hap e mbyll sytë , me dallavere, ryshfete, fallsifikime, duke marrë pronat e të tjerëve, duke trafikuar drogë e mish të bardhë  a duke luajtur rolet e tutorëve rrugëve të qyteteve të Europës. Kush ndonjëherë do të bëjë ndonjë investigim se si u pasuruan e si na u bënë deputetë kjo skotë që kurrnjë vlerë sociale nuk ka. Shihni CV-të e tyre.  Ku janë kontributet e tyre sipas parimit të Xhon Kenedit "Mos thoni çfarë bën Amerika për ju, por çfarë bëni ju për Amerikën". Me një fjalë kjo debilëri parlamentare çfarë kontributesh ka dhënë për Shqipërinë. Nuk është çudi të nxjerrin ndonjë bukuroshe të kolme, zëdhënëse partie, që lëpihet e përdridhet nëpër konferenca shtypi duke thënë se Maliqët u lodhën duke thurur ligje.
E si rezultat kemi një parlament ku nuk ka më burra e gra që flasin për hallet e popullit, po për kosheret e partisë, thjesht janë garda pretoriane e partive të tyre, e kryetarëve që kanë në krye. Këtyre vipave e rripave, rrapave e trapave që ca po na i quajnë edhe karizmatikë u është bërë lëkura shollë. Janë si ata viruset që kanë fituar imunitet nga antibiotikët, pra kanë fituar rezistencë dhe janë indiferentë ndaj shtypit. Shkruaj sa të duash ti, ata në udhë të mbrothësisë së xhepave janë. E punojnë me shifra të mëdha, miliona Euro.
 Këtyre u duhet diçka më therëse se konstatimet  e thjeshta, diçka që të shpojë mish e kockë bashkë, koniciane a kafkiane  të thuash. E gjithë kjo prej humbjes së durimit, prej mediokritetit të përgjithshëm dhe majmunllëkut shoqëror që na rrethon e na zë frymën. Në këtë vend kështu duhet të jetë fjala sepse delenxhijtë e politikës janë të pandjeshëm si buaj, satira e grotesku duhet t’u  heqë brakeshat mahmurrëve me mendësi anadollake...
Duhet të pasurojmë fjalorin, të mbledhim fjalë e zhargone popullore, nga të gjitha dialektet, ku të jenë e ku të mos jenë, të marrim ca gjëmbaçë gomari e ca hithra e t’i lyejmë me m... e t’ua hedhim deputetëve mbi kokat e lavdishme, se fatlumturisht nuk kanë imunitet nga mutosja sepse,  ata në korrupsion mutosen përditë, nën retorika lavdimëdha për sukseset e mëdha që Shqipëria ka pasë në  këto 100 vjet. Se vërtet po na qelbin sukseset. E në krahasim me tërë popujt e Ballkanit ne jemi më të qelburit nga sukseset. Kundërmojmë fare prandaj dhe shtetet rreth e rrotull po kqyrin të na kthejnë në WC  e Ballkanit.
Nga “vitorja në vitore do të vemi” - thoshte Diktatori që nuk e artikulonte dot bashktingëlloren f,  ashtu siç e keqlexonte zanoren y  duke e kthyer në i, kur fliste në raportet e pleniumeve të partisë për begatinë e krasitjen e pyllit, ndërkohë që priste koka njerëzish. Por edhe sot e kësaj dite nga “vitorja në vitore” po vemi, çka nënkuptohej dje edhe sot: nevojtore,  e plot begati pylli ( alla Dulle) që trumbetojmë, - e mesa shihen bathët (a bythët- lexoni si të doni) prapë po këtë mender do të kemi. Këta nuk e kanë për gjë t’u thonë jo vetëm kundërshtarëve, por edhe popullit - nuk keni çfarë na bëni, veç na rruani trapin.
Më vjen keq, por këta farë deputetësh që ricikluan banditët e vjetër buroistë e komunistë, të cilët më së shumti i kishin baballarë natyrorë, dobiçorë apo dhe shpirtërorë, sipas ritualit djalli ia lë frymën djallit, por ia merr shpirtin njeriut.  Shumica e tyre pra, jo vetëm që nuk kanë kulturë, janë rrapa e trapa, skërmisin dhëmbët si qen të tërbuar, janë inatçinj, injorantë me kapacitet të plotë, por edhe diplomat i kanë marrë aforfe. Janë zagarë me diplomë fallso. Dhe zagarët që dinë të lehin më fort i kanë të gjitha gjasat të jenë në krye të listave elektorale të partive që janë bërë si prostituta në kryqëzime trotuaresh.
Këtyre soj sorollopëve pra, nuk di t’ua kemi dëgjuar emrin a zërin, a t’ua kemi parë fytyrën spitullaqe në kapërcyell të vitit ‘90-‘91. Më thoni diçka të kenë bërë këto palo burra që t’i meritojnë ato ndere e ylyfere që u siguron për bythën e tyre të bukur ky shtet që sot më tepër se kurrë i ngjan Zululandit konician...
Merita e tyre është se dinë të jenë servila të atyre që kanë mbi krye dhe të rrjepin ata që kanë përposhtë. Ah po, të jemi të drejtë kur flasim, këtë e bëjnë më së miri. Por themelorja, të  jenë funksionalë në lehje prej zagarit besnik të partisë nëpër panele televizive idiote... me imunitet të plotë deri në kafshim, qoftë dhe duke ua lënë protezat në mish kundërshtarëve politikë.
Më kot ankohet Brizhidë Bardo se në Shqipëri i vrasin qentë... Jo moj bukuroshe parisiane, jo, nuk i vrasim se na duhen, madje  i mbrojmë me policë e me truprojë, me bodiguardë po e po. I bëjmë deputetë në Parlament! Ua krehim bishtat e qelbur dredharakë, ua spitullaqim flokët e shpifura, u kashaisim të prapmet e palara,  bëjmë kujdes për makeup deri dhe në estetikën e lëkurës duke ua hequr në bythë e duke ua vënë në fytyrë, prandaj dhe kur dalin në foltore parlamentare duken vërtet fytyrbythë.
Gjithçka për zagar-mercenarët, këtë soj rrace që nuk e di kush na e solli, prej cilit skaj kontinenti erdhi e në derë na polli, sepse asnjë tipar shqiptari nuk kanë.  A ndoshta do të jenë lëng stërlëngu i “Muhaxhirëve”  e penës së burrit të madh të kombit Faik Bej Konica qëndisur në “Albanian” e tij këtu e 100 vjet më parë:

"Shqipërinë e shesin për një pesëshe...Se të kishin ardhur për mall të Shqipërisë, duhej t’ishin kombëtarë të nxehtë e miq të parë me né që luftojmë kundër të gjithve për të mbajtur lart flamurin e kombësisë. Po, jo! Ata vijnë të bëhen spijunë të Qeverisë. Tradhëtojnë, hedhin në burg Shqipëtarë, tallen me vendin tonë. Edhe bukën tonë hanë, edhe na lëshojnë….baltën e tyre përmi mesallë! Të kishin  pakë ment Shqipëtarët, nukë këmbejnë as një fjalë me këta zgjebët. Të mos ish kombi shqipëtarë një komb i poshtër e i ndyrë, i dërgojin muhaxhirët n’Anadoll, me një shkelm prapa!"

Po kush ta bëjë këtë o i madhi Faik Konica? Populli është në gjumë. Nanuriset i mjeri popull nën llomotitjet e përnatshme të gojëve të skërmitura që të kujtojnë dhëmbëhekurin e përrallës në Teatrit të Kukullave. Po, kur flë populli, a fundja është zgjuar e voton si i dremitur,  ngjet si në përrallën e maçokut, ku maçoku flë e minjtë e gjirizeve hedhin valle ashtu siç dinë ta hedhin ata rrufjanë,  madje duke sajuar edhe vidioklipe:  kaq më dhe e kaq të dhashë -Vjedhim bashkë. Po ma fute të bëra gjëmën - brenda e jashtë. Se kanë pas vetes gjykatën pra. Gjithçka në një sini, me shtet, me ligj, me qeveri. Me gjykatë  e polici. Ja kështu parlamenti ynë hiqet rrshqanë, mbushur plot me derdimenë në Tiranë, vipa, rripa e garipa, në këtë feudoshtet me zgripa, po festoka 100 vjet. Pis milet!
Çfarë bën presidenti në ikje Topi  do thoni ju, po këshilltarët me se merren, luajnë tavëll? Pse nuk dekretojnë titullin “Llapaqenët e Kombit”,  sepse të gjithë minjtë, breshkat, hardhucat, macet dhe qentë metaforike duhen dekoruar. Fjalë e thënë punë e mbaruar. Edhe Zoti e filloi nga fjala. Fjala që shpesh rrëshqet si ngjala. Fol dhe ti se je Zot e Kryezot në këtë vend kryekot, ku, edhe kolltukun po kërkon ta zërë një soj muhaxhiri pijanec,  o President!

Botuar në librin "Zhgenjimi i Ambasadorit Amerikan" faqe 105-109, Pantheon Books 2012.