26 May 2012

Shqipëri, një tragjedi përtej aksidentit

SHQIPERI, NJE TRAGJEDI PERTEJ AKSIDENTIT

Nga KOLEC TRABOINI


I ndoqa me vëmendje të gjitha diskutimet e hamendësimet mbi ç’ka ngjau më 21 maj 2012, ku u njoftua për 13 të vdekur dhe mbi 20 të plagosur nëpër panele televizive ku gjithsekush kish mendjen e tij dhe u lëshuan deri në fantazi të sëmura se fajin e kishte i ndjeri, shoferi, që ishte i pari që u vra në aksident pasi lëshoi klithmën: “Frenat nuk punojnë. Mbahuni… mbaruam….”. E dëgjuan vajzat studente të tmerruara, po këta komentuesit e mbrëmjeve televizive bëjnë sikur ato fjalë tragjike nuk janë thënë kurrë.
Pas kësaj klithme tmerri të njeriut që pati kohë të kuptojë se ishte fundi, çdo gjë shkoi në kaos. U gjendën kalimtarë që lëshuan alarmin. Erdhën himariotët dhe u përpoqën të bënin atë që duhej të bënte mjekësia dhe organet e urgjencave civile të specializuara.
Kur ndodhin aksidentet, gjëja e parë që bëhet është të mbledhësh mendjen, të kthjellohesh e të marrësh ato masa që çojnë në shpëtimin e jetëve. Në të vërtetë çdo gjë u la në dorë të spontanitetit. Që këtu e shoh sinoptikën shqiptare…si një tragjedi përtej aksidentit. Atyre që nanurisen nëpër ca panele televizive idiote, atyre ministrave që japin intervista, atyre deputetëve që nuk e dimë ku janë e çfarë bëjnë veç marrin rroga të majme do t’u thosha se mirë ne e dimë, po ju akoma besoni se kjo rrumpallë ku ju masturboni dëshirat tuaja për pushtet, kjo katrahurë prish e ndreq, quhet shtet?!
Po në cilin vend, lejohet të bëhet transportimi masiv i të plagosurve rëndë nga njerëz që jo për faj të tyre, nuk kanë një informacion se si jepen ndihmat e para mjekësore tek të aksidentuarit. Qytetari që jep ndihmën e vet është i ndërgjegjshëm e kurajoz për aktin human që ndërmerr, por mjekësia emergjente që mbahet nga shteti me paratë e taksapaguesve, pikërisht për të tilla raste, duhet të vijë më shpejt tek pacienti se sa të shkojë pacienti tek ai. Vetëm organet e specializuara dinë si të bëhet transporti i të plagosurve ndaj edhe kur nuk mund të jenë shpejt në ngjarje, japin këshilla nëpërmjet lidhjeve të komunikimit. Si është më praktike – të dërgosh njerëzit me makina private  të zakonshme deri në Vlorë, apo të vijë menjëherë me mjete ajrore ekipi mjekësor me kirurg e gjithçka në vendin e ngjarjes. Thonë se ndihma e parë e specializuar erdhi pas një ore e gjysëm. Në aksidente të tilla shpëtimi vjen nga shpejtësia e dhënies së ndihmës së parë të specializuar. A doni të dini si bëhen këto punë në Amerikë ku pas më pak se dhjetë minutash në vendin e aksidentit vijnë helikopteri, makina ambulancë me mjekë dhe pajisje, vjen edhe makina zjarrfikëse. Po ku doni të dini ju si bëhet në qytetet e shtetet e mëdha, kur keni këtë çiflig të vogël që e drejtoni si të ishte një kaza në kohë të Tanzimatit. Si mund të mbështillet në batanije një njeri me goditje në shtyllën kurrizore e të kapet si thes nga 4-5 veta…Po me çfarë pamë, as barrelat nuk dinin t’i përdornin kur arritën në vendin e ngjarjes helikopterët e kuq.
Dhe….tmerri i tmerreve, kur në helikopterët e shërbimit emergjent spitalor shihen të hipin qeveritarë. Mos u beso syve o njeri, por kjo është e vërtetë. Në vend që në helikopterë të shkojnë sa më shumë mjekë e specialistë me bagazhe ndihmash shëndetësore, hipën ta zëmë ministri i Arsimit me dy qeveritarë të tjerë – nuk kemi ndërmend t’i citojmë se nuk është qëllimi të kritikojmë njeri, por të përshkruajmë një tabllo. Kush ua jep këtë të drejtë?! Ndoshta vetëm një ministër i brendshëm që nuk u pa kurrkund, me autoritetin që ka për emergjenca të kësaj natyre mund të shkonte në vendin e ngjarjes, por me mjetet e veta. Askush veç mjekëve nuk ka të drejtë për ta përdorur helikopterin e emergjencës për udhëtim. Por në Shqipërinë e kazasë ku vepron ligji i Maliqit, mund të bësh si të duash. Ku ka autoritet e personalitet profesional këtu në kazanë tonë që ai i cili drejton këto mjete të emergjencave shëndetësore civile t’u thojë qeveritarëve: – na falni, por është e ndaluar me rregullore që të hipin në helikopterin e ndihmës së shpejtë persona jashtë profesionit mjekësor – Se e ka përgjigjen në fytyrë: – Ne të pushojmë nga puna e ti na trego pastaj kush ka të drejtë të hipë e të zbresë në helikopterët e kuq.
Kjo është kazaja jonë e këta janë qehajllarët që na drejtojnë.
Ndërkohë që është shteti në zi e flamuri në gjysëm shtizë, panelet televizive grijnë sallatë si përnatë. Çmendurira. Fantazira. Por askush nuk thotë një gjë që të prekë në plagë. As mjekët nuk folën shumë se ku të linin rradhë shtetarët të cilët raportonin se si është kjo apo ajo paciente në reaminacion. Flisnin në mënyrë profane për diçka që as nuk ia kishin idenë. Po lëreni kirurgun të flasë o  njerëz të pushtetshëm, lëreni drejtorin e spitalit ushtarak, i cili vërtet bëri të pamundurën, por a nuk e dimë ne çfarë është spitali ushtarak e si e kanë katandisur tej e krye pisllëk ata që duan ta shesin( apo vetë-blejnë)  për një copë bukë.
Ç’të flasin mjekët kur nuk të lënë qeveritarët. Mjaft të dëgjoni ministrin e transporteve që merret me rrugët – çdo gjë është mirë e bukur në rrugë me sinjalistikë e më the e të thashë. Rrofsh o ministër! Gjithçka mirë e bukur e autobusi me 33 vetë në greminë. Ti flet sikur të mos kishte 13 të vdekur e të tjerë as të gjallë e as të vdekur. I nderuari ministër flet sikur të mos kishte sy të shihte se bordura që ndan rrugën me greminën nuk është në gjendje të përballë një karrocë dore e jo më një autobus. Sa duhet të ishte muri mbrojtës i asaj rruge fatale me kthesa dhe pjerrësi, zoti ministër? Duhet të ishte një metër  e jo disa centimetër. Duhet ta dish zoti ministër se nëse muri mbrojtës do të ishte një metër, autobusi nuk do të mund të fluturonte në greminë, sepse do ta ndalonte muri e jo ato llamarinat si karton. Mos vallë ata që e ndërtuan ia hodhën paratë xhepit dhe bënë një rrugë sa për të motivuar milionat e tenderit?! Për këtë as ke folur e as ke për të folur, sepse është parimi i qeverisjes që lundron në delire suksesesh qorre që nuk i besojnë as skribomanet që i sajojnë. Ky është shkaku që dita e zisë na u shfaq edhe si ditë falenderimesh. Ra ky mort dhe u pamë!
Për më tej meqë kemi ambicie turistike si ka mundësi një rrugë riviere, që mendohet të jetë aksi kryesor i një rajoni  turistik, të mos ketë një helikopter në dispozicion që të sjellë ekipin e shpëtimit, a të mos ketë Himara një qendër shëndetësore model. Po atje në verë vijnë me mijëra njerëz- në dorë të fatit. Mirë me jetët e shqiptarëve që nuk i keni në hesap, po me ato të  huajve si do bëhet?!
Ky shtet rrumpallë e ka mendjen turbull se kush zog kurve do të bëhet president dhe as që mendohet se do të zgjedhin ndonjë “për të qenë”. Prandaj dalin pijanecët e thonë: – Ore,  problem e keni  presidentin? Ja ku më keni, bëhem unë…
Ai delirant më shumë i dehur  se esëll, nuk flet kot. E sheh të mundshme të bëhet sepse në këtë vend kurrkush nuk të sheh dhe as të vlerëson sesa tru ke në kokë,  por sa para ke në xhep.
Në krye të kresë problemi në vetvete nuk është aksidenti, sepse kanë ndodhur, ndodhin e do të ndodhin në këtë kaos shqiptar, por se ne nuk jemi të përgatitur të jemi në gjendje të përballojmë një aksident. Mendoni për një çast (mos ndodhtë kurrë!) një tërmet. Me këto pallate me shumë kate e pa asnjë garanci, çfarë do të jemi në gjendje të bëjmë përballë një fatkeqësie të tillë….do të vdesim nën gërmadha, se as buldozerë nuk kemi de. Shteti nuk ka asgjë në emergjencë civile. Shtet koti!
Nuk flet njeri fare për këto. Nuk pyet njeri ku në të sëmës ishte policia rrugore?! Policia duhet të jetë atje ku është rreziku më i madh dhe jo nëpër kafene në qendra qytetesh apo nën hije të fikut. Ky shtet është vetëm për të marrë rrogën ithtarët e mitingashët e partive. Për kurrgjë tjetër nuk është ky rrumpallë shtet e kjo m….qeverisje!

Tirana Observer