23 August 2012

ZHGENJIMI I AMBASADORIT AMERIKAN - nga Traboini


ZHGENJIMI I AMBASADORIT AMERIKAN
Një libër që hedh dritë mbi kaosin  politik shqiptar

Libri  “Zhgënjimi i Ambasadorit Amerikan”  i gazetarit Kolec  Traboini përmban esè mbi zhvillimet bashkkohore në jetën politiko-shoqërore në Shqipëri dhe përpiqet të hedhë dritë mbi kaosin politik shqiptar. Libri ndahet në katër kapituj me trajtesa sipas problematikave që rrok  këndvështrimi i autorit.
 Vendin kryesor e zë shkrimi që i jep titullin librit e që ka të bëjë me përpjekjet e mëdha që ka bërë kohët e fundit  Ambasadori Amerikan në Tiranë për sjelljen në një hulli të kahjeve të ndryshme të politikës, të cilët parapëlqejnë më shumë se mirëkuptimin e debatin e qetë, ndërtimin e marrëdhënieve konfliktuale deri në mosfunksionimin e parlamentit shqiptar në atë nivel që kërkon demokracia e vërtetë e jo ajo fallso. Një aspekt i veçantë i kësaj pasqyre të trishtueshme u pa në zgjedhjen e presidentit ku në parlamentin shqiptar u luajt si në teatrin e kukullave. Mungesa e Ambasadorit Amerikan në momentin kur u zgjodh presidenti përbën një rast të paprecedent e megjithatë u kalua nga politika dhe mediat shqiptare si një çudi që zgjat tre ditë. Mirëpo rrënjët janë më të thella nga se shfaqen në dukje. Në shkrimin në fjalë që botohet shqip dhe anglisht analizohen tiparet e kësaj politike që më shumë të kujton mexhliset e kohës së pashallarëve sesa të një vendi  në shekullin e 21 që pretendon të hyjë në bashkimin e shteteve më të civilizuara të botës.
Libri përbëhet edhe nga disa kapituj si “Histori me histeri nuk shkruhet” në të cilin mbartet shqetësimi qytetar për politika personale pozitat e pushtetit, herë-herë imponuese sa të krijojnë përshtypjen e reminishencave me të kaluarën e trishtë ku gjithçka në jetën e njeriut imponohej nga lart me dhunë. Trajtohen edhe probleme të figurave historike apo lajthitjeve të historianëve të cilët anipse jetojnë në një kohë tjetër nuk dalin dot prej skemave konceptuale atavike të së djeshmes.
“Brainwashing- trushplarja” është kapitulli tjetër me esè në të cilin trajtohen efektet e mbrapshta të politikës  dhe medias mbi njerëzit,  të cilët ndodhen nën një presion thuaj të përditshëm të propogandave partiake, sikur çdo ditë e vitit dhe çdo orë e ditës të jetë një fushatë demagogjike zgjedhjesh, apo paradokset e moskuptimeve të krahëve të politikës, ku e djathta del me parulla majtise dhe e kundërta, sepse asnjë krah i politikës nuk ka një program të qartë dhe ky kaos politik krijon efektet e veta edhe në popull ku me shumë se njerëz që përkrahin ide, shfaqen thjesht fansa liderësh partiakë. Në këtë kapitull trajtohet, pos të tjerash edhe  problemi se çfarë në të vërtetë mishëron parlamenti shqiptar që të kujton më së shumti “muhaxhirët” e Faik Konicës.
Kapitulli i katërt “Rrënjët tona janë në Arbëri” përmban shkrime që kanë natyrën e kujtimeve, ku  përkujtohet figura e arvanitasit më të madh të shekullit të kaluar, Aristidh Kola.  Krahas të tjerave ka edhe një përshkrim mbi mitingun antikomunist të intelektualëve e krijuesve të kryeqytetit në fillimvitin e 1991 para stadiumit kombëtar,  i organizuar nga vetë autori i librit që atëkohë ishte kineast e punonte në Kinostudio,  si dhe shënimet e tij gjatë 15 vjetëve jetë në Boston me ngjarje e zhvillime nga jeta në komunitetin shqiptar në Amerikë.