28 October 2012

Ambasadorët që e coptuan Shqipërinë - nga K.Traboini

Etyde shqiptare:
AMBASADORET QE E COPTUAN SHQIPERINE



KETA PLEQ MATUFER EUROPIANE E BENE SHQIPERINE COPA COPA. PO NE SHQIPTARET GJALLE JEMI. NE MOS NE - BREZAT QE DO VINE DO TA BEJNE SHQIPERINE!

 Nga KOLEC TRABOINI

Akti barbar coptimi i Shqipërisë nuk ka asnjë motiv historik. Asnjë argument. Nuk ka asnjë justifikim. Veç Kosovës, Çamërisë, Iliriadës, edhe pjesa e Malësisë që quhet Hot, Traboin, vendi i gjysh stërgjyshëve të mi, nuk ka patur kurrë në histori asnjë sllav e megjithatë ju dha sllavëve. Si mund të motivohet. Për mua këta janë një tufë
kriminelash. Pse a mos e kishin të kishin të vështirë të kuptonin këta pleq të marre se sapo të hynte serbi në këto troje shqiptare do të masakronte popullsinë për ta shkombtarizuar. A i dini çfarë krimesh janë bërë në 1913-1915 e më pas. A nuk i shihnin këta krimet. Mos ishin qorra. A thua nuk dinin as të lexonin në gazetat europiane një kronikë e tmerrshme vrastare  që përgjakte tokat shqiptare duke vrarë në mënyrë makabre gra burra, pleq e fëmijë, duke ua prerë kokat shqiptarëve.  Lexoni "Golgota shqiptare" botuar nga hebreu Leo Freundlich, në Viene në vitin 1913 ,përmbledhje me dokumenta të mbledhura nga shtypi i kohës dhe të ndjeheni jo një ditë por një javë të shokuar. Asnjë motiv nuk qëndron në këtë kasaphane mbi shqiptarët. Këta pleq matufër ambasadorë janë bashpunëtor në një krim e gjenocid të përbindshëm.
Mallkuar qofshin përjetë e ju përvëloftë shpirti në flakët e ferrit. Dhe mos kini asnjë iluzion, Europa më shumë do serbët se shqiptarët. Ai që na mbrojti më shumë në atë kohë 1913 sot është shteti më pa peshë në Europë se edhe atë e shkatrruan- perandoria Austriake.
Po të mos qe Amerika çeshtja e Kosovës do të qe e humbur përgjithmonë.
Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe Amerikën!


*          *          *

Ajo çfarë kemi arritur është pak përpara asaj që synojmë të arrijmë. Thaçët e bënë punën e tyre e tash po ja gëzojnë të mirat "kombit kosovar" por mua kjo më duket më shumë vet-tradhti idealesh. Adem Jashari nuk u kall në flakë i rrethuar nga ushtarët serb vrastarë aty në kullën e vet me 60 rob të shtëpisë që të kemi një komb kosovar e një flamur tjetër nga ai i Skenderbeut por një Shqipëri të Bashkuar. Sot jemi pak, pak në Kosovë e pak në Shqipëri me këtë ideal, por lumturisht me këtë ideal është rinia shqiptare -margaritari i kurorës sonë, shpresa e të ardhmes, dhe ideali është si flaka, mbahet ndezur nën hi deri sa bubulaket oxhaku. E di që idealet kombëtare nuk realizohen në një ditë, por prushi duhet mbajtur ndezur me të gjitha mjetet.
Në mos sot, nesër apo pasnesër, duan apo nuk duan ata që na coptuan, Shqipëria do të bëhet. Eshtë koha e shqiptarëve!

K.Traboini 2012
— in Boston, MA.

22 October 2012

NJE TABLLO ME ARVANITET NE MONTREAL- nga K.Traboini

Theodoros Vryzakis – “The oath in Agia Lavra”( Betimi në Shen Lavra)


Etyde:

NJE TABLLO ME ARVANITET NE MONTREAL

Nga KOLEC TRABOINI

Në një kuadër të fiksuar nga Lida Margariti, shqiptare me banim në Boston, gjatë një vizite në një kishë orthodokse në Montreal, Kanada, paraqitet një grup arvanitësh e në mes tyre Marko Boçari. Ajo na e dërgoi atë fotografi me medimin se diç mund të përftonim prej saj në aspektin historik. Nga kjo morem shkas dha pasi që u interesuam për këtë tabllo na rezultoi se ishte një riprodhim i veprës së piktorit Theodoros Vryzakis – “The oath in Agia Lavra”( Betimi në Shen Lavra) dhe ka për temë kryengritjen, ose ajo që quhet revolucioni grek. Vumë  re se riprodhimi është shumë larg origjinalit. Ai  të jep më tepër përshtypjen e një vepre të ngrirë ikonografike se sa një tabllo e gjallë në trajtimin e ngjyrave,dritës dhe detajeve. Riprodhimi që ndodhet në Montreal nuk ka asnjë ornament ose detaj të veshjeve arvanite.
Përndryshe autori i vepres origjinale piktori Theodoros Vryzakis ka dashur të përjetsojë aktin e betimit për revolucion dhe pavarësi të Greqisë por duke i qëndruar afër të vertetës historike si të ngjarjes por edhe të atmosferës, për të sjellë sa më realisht dhe në mënyrë emocionuese në tabllo atë kohë e ata njerëz heroike. Nuk e dime nëse piktori është grek apo arvanitas, por ai megjithëse ka vënë flamurin grek të asaj kohe, nuk ka pas asnjë mundësi ti shmanget faktit se më shumë se  90 përqind e heronjve të revolucionit grek janë arvanitas dhe në kuadër janë pikturuar Marko Boçari dhe arvanitas të tjerë. Të gjithë veç priftit e ndonjë tjetri janë me veshje arvanite, një veshje impresionante me fustanellën karakteristike të shqiptareve dhe xhamadanët e qëndisur, sa të krijohet përshtypja se këta luftëtar të veshur aq bukur luftën e konsideronin si një dasëm. Krejt natyrshëm si dasma e Lirisë. Në tabllo  zotërojnë arvanitët në  tërë hapsirën, e në energjinë që përmban e përcjell emocionalisht sa të duket se nuk ka kurrgjë tjetër veç tyre në këtë betim për Revolucionin. Prandaj dhe jo pak herë është thënë se të jesh grek, më parë duhet ta vertetosh se ke prejardhje arvanitase me shkakun themelor se arvanitasit e krijuan Greqine e re. Ata që nuk kanë qënë arvanitas u bie të jenë të ardhur nga vendet arabe, kryesisht nga Egjypti, Palestina apo Libani dhe në të vertetë vihet re se nga bjond që kanë qënë grekët e lashtë tashmë në Greqi dominon ngjyra brune. Fakti se para revolucionit rreth e qark Akropolit kishte vetëm fshatra arvanite dhe flitej vetëm arvanitika, pra shqip,  është domethënëse sado të mbulohet e vërteta me sofizma e pseudoargumenta në Akademinë e Athinës që punon si një makinë e vjetëruar e jashtë kohe. Akademizmi i tyre arkaik është krejt ngjashëm me tabllonë e flashkët të kopjuar në mënyre skematike në kishën orthodokse në Montreal  ku janë përpjekur t’i shuajnë sa të jetë e mundur indentitetin arvanitas. Një përpjekje qesharake kjo më shumë se mungese talenti.
E dimë ku është Greqia sot mes ngatrresash ballkanike për emra e territore që i aspiron si  një i sëmurë ballkanas në jerm, por problemet e Greqisë do të jenë më të mëdha kur të futen edhe Shqipëria e Kosova në Bashkimin Europian. Qarqet ultra të Athinës si do ti pengojnë atëhere lidhjet e forta historike, që janë lidhje gjaku, gjuhe, e kulture të njëjtë, në mes të shqiptarëve në dy anët e kufirit, pra arvanitëve dhe shqiptarëve?! Si do ti retushojnë tabllotë e historisë?!
Gjithësesi një gjë është e qartë si drita e diellit, Megaloidheja paraqitet zymtësisht si një kauzë e humbur nëpër zgafellat e historisë. Eshte veç si një atavizëm historik e pa të ardhme, tashmë…

© K.Traboini 2012

16 October 2012

LOTET E RUDINA XHUNGES - nga Kolec Traboini



LOTET E RUDINA XHUNGES

Nga  KOLEC TRABOINI

Pasi e lakuan emrin e babait të së mjerës Aishe Vata me soj e soj epitete makabre dyshuese, për të cilën turpërohet çdo shqiptar, pasi ekspozuan vepër-tmerrin e një krimineli patalogjik 80- vjeçar në një arë me misër duke i prerë kokën një vajze që do të bëhej nënë, po ky shtyp, kur policia realizoi se vrasës ishte dikush tjetër, atëherë, shtypi pra, e ktheu ndryshe duke përdorur tone patetike sikur po i qan hallin grave e vajzave të Shqipërisë. Problemi qëndron jo se vajzat e gratë nuk janë vërtetë në hall si të jetojnë në këtë ferr që kemi sajuar, por se gjithçka që shkruhet e flitet është një hipokrizi e gjallë. Radhiten emra si në një proces gjyqësor sikur gratë e vrara të ishin vetëm numra dhe kurrfarë përgjegjësie shtetërore apo shoqërore nuk del. Në këtë rast shkruhen edhe hartime me fjalë stisura duke kërkuar fajtore në ajër e pa vënë gishtin në plagë, a thua që nuk e dimë se gruaja është viktima më e madhe e kësaj mut demokracie që na kanë afruar si peshk i qelbur në një pjatë e duhet ta hamë patjetër.
Zonja Rudina Xhunga me hartimin e saj në gazetën MAPO është pjesë e kësaj loje të pistë që luhet në shtyp dhe lotët e saj janë një sajesë e thatë gërmash e boje. Një grimasë mund të thoja. Mjafton ta shohësh kë interviston kjo gazetare e si i trajton problemet, kujt i bën elozhe e kujt i lajkatohet nga vip-rripat e politikës në këtë vend që ajo tashmë po e konsideron të mallkuar në fatin e grave e vajzave.
Kurrsesi nuk mund të themi se ky vend është i mallkuar, por një vend që gjithnjë e kanë mallkuar ata që, si të ishin Ali Pashai, vetë inspirojnë për pushtet anadollak. Mjerë femrat në këtë vend e me këta prijëtarë që na drejtojnë si të ishim një tufë me dele.
Që nga ’91-shi e këtej në këtë Shqipërinë tonë femrat shihen vetëm si mish e kurrgjë tjetër.  Plot vajza kur kërkojnë punë, pronarët e bisneseve ua thonë hapur që veç punës do të kenë edhe ca gjëra të tjera...që duhet t’i bëjnë patjetër. Ajo çfarë bëri ish ministri Pango që e kushtëzoi vendin e punës me seksin e më pas fitoi dhe gjyqin!!! ( kapitull në vete ky lloj gjykimi e kësisoj gjyqtarësh) është një praktikë në Shqipëri. Ky vend është i mbushur me Pango të vegjël, apo më tej edhe me kriminelë që duan mish të njomë dhe si rrjedhim edhe  vajza që vriten kafshërisht.
Kjo që po gëzojmë nuk është liri sa kohë që është një liri që vret. Sa për thirrjet që u bën gazetarja Rudina Xhunga deri në lutje grave të politikanëve të mëdhenj më duket qesharake si thirrje, por tragjike si realitet. Gratë e të mëdhenjve tanë (që në të vërtetë janë liliputër) janë gra pa pikë personaliteti dhe ato e kanë mendjen tek paraja, pasurimi dhe as e çajnë kokën për hallet e popullit. Më thoni kush prej tyre dha një qindarkë për të varfërit. Më thoni si reaguan ata kur Romët i trajtojnë në mënyrë raciste e në mes romëve kishte gra e fëmijë të mbetur pa bukë e pa strehë...
Ato bashkë me burrakoçat e tyre janë hija e vetvetes. Rudina Xhunga të bëjë emisione për njerëz të thjeshtë e jo për lapërdharët e politikës që e kanë krijuar këtë kaos shqiptar.
E mjera Aishe Vata nuk kërkon as lot e as qiri nga gratë e vipave të me nder politikës, por të atyre vajzave e grave shqiptare që nesër tragjikisht mund të bien në fatin e saj.