BESIMI NE FLAMUR
Nga KOLEC TRABOINI
Kjo politikë idiote me këta marroqë skandalozë që i drejtojnë nuk të japin kurrfarë shpresë se një ditë do të jetojmë të qetë në këtë vend që po e shkatërrojnë materialisht dhe shpirtërisht. U hiqni vizë kërrmave të vjetra. Nuk kanë më ç’të thonë. Janë shterpëzuar në ide. Kanë marrë fund. Le të shpresojmë tek brezi i ri, djemtë e vajzat e Flamurit, ndaj, i vini të gjithë flamurët e Gjergjit të madh në ballkon!
Aristidh Kola mbeti një Martir i Kombit shqiptar në vazhdën e Anastas Kulluriotit, Papa Kristo Negovanit, Petro Nini Luarasit e plot të tjerë të vrarë nga shovinistët e jugut, ndaj arbërorin e madh e quaj shqiponjë flamuri se vërtet një shqiponjë ish. Ai e lartësoi kombin shqiptar në fushë të studimeve e dijeve duke sjellë krenari për historinë e shqiptarëve që nga kohët pellazgjike e deri në ditët tona. Çfarë është një titullar apo ministër para një gjigandi të tillë? Pse pra nuk po tunden ta nderojnë në këtë 100 vjetor Pavarësie, por mjaftohen me një emër rruge vendosur një shtegu të ngushtë fshati në Sauk që nuk e sheh kurrkush veç ca banorë që as nuk e dinë kush është Aristidh Kola. E si mund ta dinë kur përnatë na dalin në ekran ca zvarranikë, ca flliqana partish si vemje që vegjetojnë nëpër kolltukë me mendjen vetëm si e ku ta rrjepin këtë popull.
Si mund ta besoj unë ta zëmë Bamir Topin,
këshilltarit të të cilit, kur ishte president i kam kërkuar disa herë të
nderojnë Aristidh Kolën e do burra të mëdhenj kombëtarë si Nik Gjelosh Lulin,
kryekomandantin e kryengritjes së Malësisë së Madhe më 1911 në këtë 100 vjetor.
Nik Gjelosh Luli ishte ndër të vetmit
kryekomandant bashkë me Adem Jasharin që ranë në ballë të betejës duke ngritur
peshë shqiptarët me trimërinë e tyre spartane. Por as këshilltari i vogël dhe
as presidenti i madh, nuk e luajtën
qimen për të nderuar ata që treguan trimëri që përshkruhen si në legjenda. Bënë
të kundërtën, dekoruan një ish-sekretar partie, një komunist fanatik me një
rreth familjar që kanë terrorizuar popullin, apo një komunist tjetër që
deklaroi në gazetën “Koha jonë” se kam punuar me pasion në krijimet për Enver
Hoxhën e pas tre muajsh ish-Presidenti e dekretoi dhe sejmenët këshilltarë i
vunë në gjoks pasionantit të Enver Hoxhës një dekoratë e titull të lartë
"Mjeshtër i madh". Rrofsh moj Parti e Punës, e ngordhur je por si
mbretëreshë mbretëron edhe nga varri. Nuk le segment të shtetit pa i futur pinjollët e tu.
Çfarë
pret pra qytetari nga ky lloj politikani apo të tjerë që punojnë veç për të
mbajtur sumën majë kolltukut. Asgjë nuk pret.Veç rrena e mashtrime. Shpresën e
kemi tek të rinjtë. Ai brez që po kuqëlon me zemër të zjarrtë për bashkim kombëtar
e shporrjen e vemjeve që vegjetojnë si krimba në trungun e shtet-pushtetit.
Poshtë krimbat, pra! Rrofshin heronjtë që dinë t’i venë gjoksin dallgëve e
fortunave, ashtu siç trimërisht bëri edhe i dituri e trimërori arbëror Aristidh
Kolia! E mos prisni këto fjalë t’i botojë ndonjë gazetë, as t’i citojë ndonjë
TV, sepse edhe pushteti i katërt është kapur, është qelbur, i ka rënë murtaja e
zezë e korrupsionit. Janë bërë bij kumbullash që të gjithë politikmutbërsit, hapin
universitete, gazeta, TV, revista idiote për vipa e rripa, dhe për karrierë, pushtet
e para shesin edhe nënat e veta.
Kjo
politikë idiote me këta marroqë skandalozë që i drejtojnë nuk të japin kurrfarë
shpresë se një ditë do të jetojmë të qetë në këtë vend që po e shkatërrojnë
materialisht dhe shpirtërisht. U hiqni vizë kërrmave të vjetra. Nuk kanë më ç’të
thonë. Janë shterpëzuar në ide. Kanë marrë fund. Le të shpresojmë tek brezi i
ri, djemtë e vajzat e Flamurit, ndaj, i vini të gjithë flamurët e Gjergjit të
madh në ballkon!
11 nëntor 2012