KATARSASI SHOQËROR PAS EKSPERIMENTIMIT TRAGJIK
ME KOMUNIZMIN
Nga Kolec TRABOINI
Që nga 21 janari i vitit 1924, kur mbylli sytë
përjetë, Lenini ka patur dhe ende ka miliona simpatizantë të kauzës së tij, të
paktën teorikisht si lëvizje punëtore, por edhe miliona të tjerë që e urrejnë
për shkak të sistemit shtypës që u krijua në Rusi e në vazhdim, pas Luftës së
Dytë Botërore, në mbarë Europën Lindore. Madje ka edhe sot që e
anatemojnë duke e parë me ndikim të frikshëm sepse ishte njeriu që me forcën e ideve vuri në
lëvizje masa qindramilionëshe dhe përmbysi një sistemin të urryer nga populli i
vet në një nga shtetet me sipërfaqen më të madhe në botë, nga Europa në Siberi,
nga Deti Barenc në veri, në bregun e Detit të Zi dhe Kaspik në jug.
Kush i ka lexuar veprat e tij teorike të filosofisë e zhvillimeve sociale
e kupton se Lenini ka qënë para se një revolucionar një nga mendjet më
inteligjente të kohës së vet në fushën e studimeve ekonomiko-shoqërore. Por
edhe i traumatizuar në rinin e tij nga regjimi carist gjithashtu. Mirëpo
megjithë mbështjelljen e tyre me shprehje për drejtësi sociale, joshese këto,
jo gjithmonë teoritë sjellin përparimin e shoqërisë njerëzore.
Shpesh bëhen edhe fatale në përplasjet e konfliktet që sjellin. Natyrisht
revolucioni në Rusi në vitin 1917 ka mjaft krime, prodhoi aq shumë
gjak e vuajtje, por një gjë mbetet konstante, pa një revolucion regjimi i
kalbur e mizor carist nuk mund shëmbej. Lenini e kishte prirjen për ta
shëmbur atë sistem jo më shumë nga idetë që kishte në kokë se sa urrejtja ndaj
rregjimit që i kishtë varur në litar në vitin 1887 edhe vëllain e tij më të
madh, Aleksandër Iliç Uljanov, student 21 vjeçar, një
nga figurat revolucionare të kohës. Edhe lutja që bëri e ëma e
Leninit tek Cari i Rusisë Aleksandri i III Romanov për falje, u refuzua.
Përtej tragjedisë familjare, të mos harrojmë se kishte ndodhur edhe masakra e
quajtur “e shtuna e përgjakur” e 22 janarit( 9 janar sipas kalendarit të
vjetër) të vitit 1905 mbi popullin në Shën Petërburg ku në një manifestim
paqësor u vranë mbi 1000 njerëz nga ushtria cariste, zërat flasin edhe
për 4000. Masakra e përbindëshme e makinës cariste do të shkonte edhe më
tej nga tetori 1905 deri prill 1906 kur në të gjithë Rusinë u varën apo u
pushkatuan 15,000 fshatarë e punëtorë. Ndoshta ky është edhe shkaku që shëmbja
e sistemit të përgjakur carist të Nikolla II Romanov ndodhi nën
indiferencën e plotë të Europës e përfshirë në Luftën e Parë Botërore. Madje mund të
thuhet e njëjta gjë edhe vrasja e carit megjithë familje në vitin 1918 në
Ekaterinburg të Rusisë sepse askush në Europë nuk u dha strehimin e kërkuar dhe
kësisoj kur u përmbys sistemi carist, mbetën në dorën e pamëshirë të
bolshevikëve.
Shembja makinës së vjetër vrasëse për fat të keq nuk e
ndryshoi karakterin shtypës të shtetit që pas Leninit ra në dorën e një vrasësi
të paepur si Stalin që e shndrroi idenë e barazisë sociale në një burg popujsh
e ferr të vërtetë torturash. Në pikpamje të rendeve ekonomike të dy
sistemeve të ndryshme e kundërshtare në teori e praktikë, në fund të fundit
asnjë nuk e ka përcaktuar vijimsinë historike më mirë se Lenini. Ai
shkruante: "Në fund të fundit do të fitojë ai sistem që siguron një
rendiment më të lartë në prodhim"... Pra luftën e fiton ekonomia. Dhe
dihet. Rusinë e tërë kampin socialist e shkatrroi gara ekonomike me SHBA
dhe perëndimin dhe jo ideologjia. Perëndimi triumfoi ekonomikisht dhe jo
nga konflikti ushtarak. Ne mund të tregojmë shumë historira( madje edhe duke i
përrallizuar) si na do mideja e kohës apo konjukturat, por realiteti aty është,
në histori, dhe brezat që do të vijnë do ta lexojnë historinë më me pak pasione
se sa ne që e kemi hequr mbi kurriz idenë e barazisë sociale si barazi në
varfëri. Gjithësesi aspirata për barazi sociale kurrë nuk ka për të reshtur
sakohë që ka shfrytëzim herë-herë edhe të tejskajshëm të njeriut të punës dhe
humanizmi tek shtresat e larta e të privilegjuara në shoqëri nuk ekziston. Dhe
të mos harrojmë se kapitalizmi pas rrezikut që pa në përballjen me komunizmin
është bërë më i arsyeshëm. Ne e dimë si ka qënë kapitalizmi në fillim të
shekullit XX dhe cili është ai bashkohor ku edhe vetë ligjet dhe
strukturat shtetrore janë bërë më humane dhe problemet sociale i kanë në
përparsitë e veta. A mund të themi se megjithëse ndodhi tragjedia e
eksperimentimit me idetë e barazisë shoqërore nuk doli prej saj një mësim i madh,
se shteti duhet të jetë edhe një rregullator në jetën sociale, kemi parasysh në këtë rast program-reformat e presidentit amerikan Franklin Delano Ruzvelt në vitin 1933-35 ndër të cilat edhe Sigurimet Shoqërore që vazhdojnë të funksionojnë në Amerikë edhe sot e kësaj dite. Ky është edhe
shkaku që megjithë shembjen e kampit socialist antagonist, shtetet dhe mbarë shtresat
shoqërore që tashmë janë kundër radikalizmit, anarkizmit dhe dhunës, gjithësesi
nga idetë e majta progresive paqësore dhe nga humanizmi nuk kanë hequr dorë.
Mendjet e ngushta të politizuara skajshëm deri në ekstremizëm, që nuk arrijnë
ti kuptojnë fenomenet sociale e as ti interpretojnë ato nuk e kanë për gjë që
humanizmin shoqëror ta konfondojnë me majtizmin radikal apo marksizmin që nuk e
pranon rikonstruktimin e shoqërisë por preferon shkatrrimin e saj nga themelet
për të ngritur një shoqëri hibride e të klonuar ideologjikisht. Por humanizmi i
vërtetë nuk ka të bëjë me shkatrrimin por përmirësimin e jetës së
njerëzve, duke i bërë shoqëritë më të arsyeshme e duke shmangur sa të jetë e
mundur më shumë konfliktet sociale nga të cilat kurrkush nuk mund të dalë i
fituar.
NEXT ---------------------> NENE TEREZEN E RREZOI NATA NE MITROVICE http://traboini1.blogspot.com/2014/01/nene-terezen-e-rrezoi-nata-ne-mitrovice.html
NEXT ---------------------> NENE TEREZEN E RREZOI NATA NE MITROVICE http://traboini1.blogspot.com/2014/01/nene-terezen-e-rrezoi-nata-ne-mitrovice.html