19 January 2014

Nënë Terezën e rrëzoi nata në Mitrovicë- nga Kolec Traboini



NËNË TEREZËN E RRËZOI NATA NË MITROVICË

 
Nga Kolec TRABOINI
 

Nuk duhet të na qetësojë fakti se vetë ndjehemi atdhetar dhe ardhmëria e Atdheut bash për këtë shkak na qënka  e sigurueme. Duhet me ditë shumë gjana para se me ardhë tek vetja a përndryshe të nisim tek vetja për të dalë tek të tjerët.
Së pari duhet me ditë çka ndodh edhe tek fqinji në oborrin tjetër. Në rrugicën tënde, në qytetin tënd por edhe në mbarë trojet shqiptare por edhe kudo ku ka bashkombas e pse jo edhe në botë. Duhet me e ditë se përqark si komb kemi miq e armiq. Duhet me e ditë se edhe nëse flemë  ne, ata kurrë nuk vënë gjumë në sy.  Duhet me e ditë se ferrat e shkurret e mjekrrat përditë po na  shtohen. Duhet me e ditë se jo vetëm në Shqipëri Kosovë apo Macedoni do shqiptar po mjekërrzohen, jo ma shum në fytyrë se sa në mendje.  Duhet me e ditë se edhe shtëpisë së Kulturës në Obiliq i kanë vu emrin Sulltan Murati,  çka e di gjithkush kush ka qënë Sulltan Murati të cilin e ka vra një arbëror me emrin Millosh Kopili( rrejnë ata që thonë ka qënë serb e jo arbëror), tash pra armiku lartësohet dhe trimi harrohet.
Duhet me e ditë se shumë djem shqiptarë nga Kosova e Maqedonia kanë shkuar në lufte për ideale terroristë të kokave të fandaksura në Siri, dhe duhet me e ditë mirë se nuk janë pak. Duhet me e ditë se do lapërdhare përditë po lehin nëpër faqet e internetit duke na i sharë heronjtë kombëtar pa bërë dallim që nga Skënderbeu e deri tek Ded Gjo Luli, e duke na i shpallur si heronj tradhtarët e kombit ta zëmë si Esat Pash Toptani apo nipi i tij i vetshpallur mbret.
Duhet me e ditë se shpesh këtyre mendjeve të mykura, këtyre pra po u lihet herë pas here vend edhe në Media, në Shqipëri, në Kosovë por lëvrijne lirshëm edhe në Maqedoni.
Duhet me e ditë fort mirë ajo çfarë ka këto ditë në Mitrovicë të Kosovës.  Shtatorja e Nënë Terezës në ag të mëngjezit të 19 janarit u gjet e përmbysur....e rrëzoi nata....ajo natë e zezë që ka zënë vend në shpirtin e muhaxhirëve siç i cilëson Faik Konica kallëpin e ayre, që erdhën në Shqipëri si mercenarë të Otomaneve e tanimë vetquhen shqiptarë, por kurrgjë shqiptare nuk kanë.
Duhet me i ditë të gjitha këto.
Kryekrejet duhet me e ditë se prej erërave orjentale, fanatike, ekstremiste që po na fryjnë prej Stambolli e më përtej e  kemi mullarin kombtar shumë të thatë e veç pak duhet, një kunj shkrepse e vogël për me i vue flakën. A ka kush me e shue atë zjarr mbasandej apo të digjemi e përvëlohemi si komb. E pse? Sepse sot po i anashkalojmë rreziqet që mund të na sjellë nata e errësimi i mendjes. Syçelësia është një tipar që asesi nuk duhet nënvleftësuar, ajo tregon sa na dhemb e sa e duam këtë popull e këtë vend e sa punojmë për ardhmërinë e tij.
Nuk na shpëton fakti që gjitha këto bëjmë sikur nuk ekzistojnë apo i dijmë, i quajmë gjëra pa rëndësi,  i vëmë në një qoshe të mendjes për ti harruar pastaj, sepse gjoja  gjithçka në faqe të botës shqiptare na qënka e mirë e bukur. Se ja, nata na a rrëzoi Nënë Terezën në Mitrovicë të Kosovës. Po nuk është hera e parë që cënohet Nënë Tereza. Edhe në Tiranë një matrahul me makinën e tij i ra ndesh shtatores së Nënë Terezës në Tiranë  vite më parë, por u kalua në heshtje si “aksident”.  Se edhe atëherë ishtë natë. E do gjëra ndodhin në errësirë, bash atëhere  kur dalin e lodrojnë bijt e qoftëlargut.
Duhet të dime pra, se ka gjëra për të cilat jo vetëm nuk duhet të bëjmë sikur nuk i dimë, por ti dimë  mirë e kryekreje asesi ti harrojmë.