14 June 2015

Rrëfimet e djalit nga Hoti /refleksione nga Sazan Goliku

RRËFIMET E DJALIT NGA HOTI
-Refleksione për librin “Djali nga Hoti” të Kolec Traboinit –
Sazan Goliku
Nga Sazan GOLIKU
Një fletore hartimesh në frëngjisht e një nxënësi (më saktësisht të babait të vet) të vitit 1905,  i kanë shërbyer Kolec Traboinit për të krijuar një libër me 29 rrëfime për fëmijë, çfarë shënon prurje të re, anipse rrëfimet janë të hershme të një kohe mbi një shekullore, por për shkak të veçorive të moshës nuk duket dhe aq larg. Bota e fëmijëve në të gjitha kohërat ka edhe të përbashkëta, si ëndërrimet, miqësinë, dashurinë, respektin, dëshirën për zbavitje dhe etjen për dije, siç shkruan autori Traboini në rrëfimin e parë në hyrje “Rrëfim i vogël për atin tim”.
Letërsia për fëmijë e shekujve të kaluar  lexohet aq mrekullisht edhe sot. Teknika dhe teknologjia e ka lehtësuar jetën, por nuk e ka ndryshuar shumë njeriun, i cili shpesh i lodhur nga jeta moderne, ku gjithçka vrapon pa të lënë kohë as të soditësh hënën e yjtë, zogjtë në fluturim, kaprojtë në pyll, lëndinat me lule, krahët e fluturave, xixëllonjat e buzëmbrëmjes, lulëkuqet e manushaqet. Pra, në këtë lodhje ai shpesh i kthehet natyrës plot dëshirë. Dhe natyra nuk ndryshon dhe aq në kufijtë e një shekulli. Ajo është shlodhëse dhe frymëzuese. Në natyrë njeriu gjen prehje e gëzim dhe në rrëfimet e një kohe të largët vihet re më shumë prania e natyrës se sa e teknikës dhe makinave që herë herë nëpër qytete të zënë frymën. Rrëfimet janë të gjitha të ilustruara dhe i takojnë asaj moshe kur fëmijët kanë mësuar të lexojnë dhe dëshirojnë edhe ata të kenë bibliotekën e tyre me libra të formatuar si ato të rriturve.
Libri “Djali nga Hoti”, nga kjo malësi shqiptare e ndarë në mes të dy shteteve Shqipërisë e Malit të Zi, e dënuar të jetë dy gjysma, shpalos rrëfenjë pas rrëfenje ndodhi që e mbushin jetën e fëmijëve me mbresa të pashlyeshme nga koha kur kjo ndarje ende nuk kishte ndodhur. Ky libër plotëson një zbrazëti, atë të periudhës së jetës së fëmijëve shqiptarë para pavarësisë, me ngjarjet, mendimet, botën dhe ëndërrimet e tyre.
Titulli i librit është mjaft domethënës, sepse personazhi që rrëfen ndodhitë është një djalë nga Hoti që ka zbritur në Shkodër për të mësuar në Shkollën Teknike Tregtare Italiane, ku mësohej gjuha shqipe krahas gjuhëve të tjera. Rrëfimet janë të shkurtra, subjektet janë të thjeshta duke përfshirë ato që ndërtohen si fabula, të cilat kanë për bazë cilësitë morale që duhet të fitojë një fëmijë, e mira dhe e keqja, jeta në Malësi me vështirësitë e saj, por edhe ngjarje nga qyteti i Shkodrës, gjithnjë të lidhura me botën e fëmijëve.
Veç djalit nga Hoti, që është rrëfimtari, libri ka personazhe, të mirë por edhe ndonjë me vese,  njerëz me shpirt të madh, por edhe kurnacë e gënjeshtarë. Bie në sy edhe ndjenja e miqësisë mes nxënëseve, të cilët e ndihmojnë njëri-tjetrin, si dhe dashuria dhe respekti për mësuesit e shkollës. Një rrëfim tregon për ditën e karnavaleve të qytetit, një tjetër se si pa pritur ra zjarr në shkollë. Ka dhe ndonjë aventurë të rrezikshme kur nxënësi Mateo me babanë e vet mbetën të bllokuar nga ariu në pyll ose në rrëfimin “Ujku në mal” që tregon çfarë ndodhi kur Pali u gjend i sulmuar nga ujku, fabulat për fluturën dhe mizën etj. Në mendje të mbesin Toma, vogëlushi bujar që dhuratën e ditëlindjes së vet ia fal një të varfëri, shëtitja e Luizës me babanë në pranverë, Gjergji dhe bërthama e pjeshkës, Gjoni, fëmija i pabindur,  ndarja me mësuesin, festa në Malësi, marangozi i ndershëm që riparon dollapin e vjetër, një tregim për Gjergj Uashingtonin kur ishte fëmijë etj.
Ky libër ka dhe magjinë e vet; me thjeshtësinë në të shkruar, me ato ngjarje të pabujë që e rrethojnë jetën e nxënësve, të mbushur me mbresa, do t’i nxisë lexuesit e vegjël të tregojnë e shkruajnë edhe vetë, sepse kësisoj ata do të mësojnë të rrëfejnë e  kjo është shkolla e parë në krijimtari për ata, të cilët ëndërrojnë që kur të rriten të bëhen pse jo edhe shkrimtarë.