NISËM
PËR SHPALLJEN E ARISTIDH KOLËS NDERI I KOMBIT SHQIPTAR.
Kemi
një përhapje të menjëhershme të Nismës ARISTIDH KOLA- NDERI I KOMBIT, në
tërë trevat shqiptare. Në Prishtinë kemi nismëtarë figurat e njohura atdhetare,
Hydajet Hyseni, dhe Ismet Hajrullahu, në Prizren Neriman Braha dhe Prof.
Dr.Zymer Neziri, Nexhmi Lajqi në Pejë, ndërsa në Tetovë kemi nismëtar
historianin Arben Llalla, i cili e ka njohur nga afër Aristidh Kolen dhe ka
shkruar një libër për të. Në Tiranë ku lindi kjo nismë, Kolec Traboini dhe
Pandeli Koçi. Nismëtarët e Prishtinës në bazë të njoftimeve nga Ismet
Hajrullahu shprehin dëshirën e organizimit të një konference shkencore kushtuar
jetës e veprës së Aristidh Kola. Së shpejti do të kemi një takim të grupeve
nismëtare që mendohet të organizohet në Prishtinë, por edhe në qytete të tjera
të Shqipërisë dhe Kosovës.
Kemi përshendetje e përkrahje nga shoqata "Bijtë e Shqipes" në Filadelfia SHBA nepermjet kryetarit te saj Llazar Vero, të Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimeve Shqiptare me drejtor të përgjithshem Ilir Çumani, si dhe të shoqatës "Myzeqeja:" nëpërmjet kryetarit të saj Naum Kule. GRUPI NISMËTAR Tiranë, 20 Tetor 2015 |
Kolec Traboini duke lexuar propozimin për dhënien e titullit Nderi i Kombit arvanitasit të madh Aristidh Kola. |
Shkrimtari Pandeli Koçi duke folur për rëndësinë e jehonen e kësaj nisme |
Kolec Traboini, Qazim Muska, Natasha Lushaj, Riza Braholli dhe V. Lushaj. |
VEPRIMTARIA NIS NË TIRANË
Nisma e një grupi intelektualësh të Tiranës
dhe ish emigrantësh në Greqi, për dhënien Aristidh Kolës të titullit “Nderi i Kombit”,
bëri mbledhjen e saj të parë me rastin e
15 vjetorit të vdekjes së studiuesit dhe veprimtarit të madh arvanitas. Miq e
lexues të pasionuar të veprave të këtij studiuesi, por edhe ish emigrantë shqiptarë
në Greqi, u gjenden në kafe-bar Muza, një lokal ku mblidhen krijues kryesisht të
dielave dhe folën për jetën e veprën e Aristidh Kolës.
Fjalën e hapjes e mbajti shkrimtari Pandeli
Koçi, ndërsa kineasti dhe poeti Kolec Traboini, që e ka njohur personalisht
Aristidh Kolën dhe vitin e kaluar ka botuar një libër mbi atë, lexoi propozimin
e përgatitur që do t’i dërgohet Presidentit të Republikës duke sjellë arsyet e këtij propozimi si dhe një
biografi të shkurtër të veprimtarit të shquar arvanitas të cilat po i sjellim më
poshtë:
1-Krenaria e tij si shqiptar, e cila e shoqëroi deri në fund të
jetës e prej të cilës nuk hezitoi e nuk hoqi dorë kurrë sado presion dhe luftë
që i bënin.
2-Guximi për të thënë të vërtetën, për të mbrojtur kulturën gjuhën
e traditat shqiptare ndër arvanitët e Greqisë.
3- Dashuria e madhe për atdheun e të parëve dhe popullin shqiptar
në Shqipëri, Kosovë, arbëreshët e Italisë, shqiptarët e Maqedonisë dhe kudo ku
ata ndodheshin në botë.
4-Udhëheqës i madh i arvanitasve, veprimtar i palodhur në gjithçka
që i shërbente indentitetit arvanitas; organizator i veprimtarive për mbajtjen
gjallë të kulturës e traditave të
popullit të vet.
5-Përkushtimi i jashtëzakonshëm për ngritjen e dinjitetit të
shqiptarëve të Greqisë për të cilën la cdo gjë, dhe profesionin e avokatit, dhe
u mor tërësisht me kërkime e studime në fushën e kulturës popullore dhe historisë.
6-Studiues që solli vepra voluminoze që bëjnë histori, mjaftojmë të
kujtojmë “Arvanitët dhe prejardhja e grekëve”, që ka njohur mbi 14 botime dhe që
konsiderohet si bibla e arvanitasve, vepër që ka hyrë në çdo shtëpi shqiptare dhe
me fakte historike të ngjall krenarinë e të qenit shqiptar. Edhe “Gjuha e perëndive”
është një vepër studimore që sjell argument që gjuha shqipe është vazhdimësi e
gjuhës ilire dhe si një gjuhë të cilën e flisnin perënditë e Olimpit, çfarë e bën
krenar çdo shqiptar në botë.
7- Publicist i madh, mbrojtës i patundur i kauzës së shqiptarëve në
Ballkan, mbrojtës i shqiptarëve të Kosovës, për të cilën shkroi dhe veprën
“Greqia në kurthin e serbëve të Millosheviçit” Athinë 1995, përkthyer edhe në
shqip.
8-Njeriu i paqes, megjithëse
luftëtar i madh i kauzës së kulturës dhe dinjitetit të popullit të vet, ai dëshironte
që në mes të dy popujve më të vjetër në Ballkan të kishte miqësi e mirëkuptim,
sepse vetë popujt kurrë nuk janë burime luftërash ata më së shumti e pësojnë
prej politikës së mbrapshtë të kastave e qarqeve ekstremiste.
9- Sakrifikoi gjithçka për kauzën në të cilën besonte, pa kursyer
asgjë, madje edhe jetën e tij, sepse gjithmonë jetoi nën kërcënime deri me vdekje,
por kurrë nuk u zmbraps e kurrë nuk u mposht.
10- Figura e tij madhore, krenaria e tij për prejardhjen
shqiptare, është sot një burim frymëzimi për të gjithë shqiptarët e Greqisë,
por edhe në mbarë botën.
Mbi figurën e Aristidh Kolës folën Vasil Premçi, Kujtim Dashi, Natasha
Lushaj, Farida Ramadani që kishte ardhur nga Shkodra, Riza Braholli,Naum Kule-
kryetar i shoqatës “Myzeqeja”, Dhimitër
Xhoga, Namik Selmani, Agron Çalliku dhe Artur Zadrima ish-emigrant në Greqi.
Në këtë takim u recituan edhe krijime kushtuar Aristidh Kolës, të
autorëve Kolec Traboini, Sazan Goliku,
Robert Goro, Arben Llalla, Xheladin Mjeku, Arqile Gjata, Sotir Goxhaj,
Bardhosh Xhelaj si dhe elegji popullore
arvanite.
Informacioni u shpërnda nga grupi
“Miqtë e Aristidh Kolës”.
18 tetor 2015