Filmmaker, Journalist and Author of 47 books of which 30 with poetry. / Kineast, gazetar dhe autor i 47 librave nga të cilët 30 me poezi.
23 September 2016
19 September 2016
08 September 2016
Përkujtohen në Tiranë Josif e Vasil Pani / nga Kolec Traboini
PËRKUJTOHEN NË TIRANË JOSIF DHE VASIL PANI
Përurohet libri kushtuar këtyre atdhetarëve “At
e bir për mëmëdhënë”.
Nga KOLEC TRABOINI
Përurimi i një libri u bë shkas që në Muzeun
Historik Kombëtar të mblidhen dardharë e devollitë, por edhe shkrimtarë e
artistë për të përkujtuar dy nga figurat më të rëndësishme të Komunitetit
shqiptar të Amerikës, veprimtarëve e drejtues të Shoqatës “Vatra” Josif e Vasil
Pani.
Libri është shkruar nga i biri i Vasil Panit,
Sotiri, i cili jeton në Boston të Amerikës, pikërisht atje ku e kanë zhvilluar veprimtarinë
atdhetare babai dhe gjyshi i tij.
Veprimtarinë e hapi Kolec Traboini, i cili është
kujdesur për botimin e librit. Ai theksoi se përtej përurimit kemi përkujtimin e
këtyre dy figurave që nuk kursyen asgjë për çështjen kombëtare dhe meritojnë nderim
e respekt nga të gjitha brezat që do të vijnë. Është një libër historik me shumë interes, që jo vetëm meriton të
lexohet por edhe e pasuron bibliotekën e pasionantëve të historisë
kombëtare, në të cilën komuniteti shqiptaro-amerikan zë një vend të
rëndësishëm
Fjalën kryesore e mbajti Prof. Nasho Jorgaqi,
shkrimtar e studiues, i cili e njeh më mirë se kushdo veprimtarinë e shqiptarëve
të Amerikës dhe ka botuar veprën voluminoze për jetën, veprimtarinë e krijimtarinë
e Fan Nolit. Megjithëse e kam njohur veprimtarinë e Josif Panit, për mua tha
Profesor N. Jorgaqi, ky libër është një vlerë e veçantë, sepse sillen kujtimet
familjare gërshetuar aq mirë me dokumente të shumta dhe origjinale. Mund të
thosha, theksoi shkrimtari Nasho Jorgaqi, se ky libër ka ardhur në kohën e
duhur, madje historia e komunitetit
shqiptar të Amerikës do të ishte i mangët pa këtë libër për Josif e Vasil Panin.
Në vazhdim ai solli fakte nga jeta e Josif Panit këtij njeri punëtor por të
pasionuar që bënte njëkohësisht edhe punën e botuesit dhe të gazetarit. Ai
ishte ndër veprimtarët e parë, u njoh e bashkëpunoi me atdhetarin e madh Sotir
Peci, ishte edhe mik i ngushte e besnik
i Faik Konicës. E çuditshme por e vërtetë, vuri në dukje Profesor Nasho Jorgaqi,
se Josif Pani ishte një njeri me ide të majta socialdemokrate, ndërkohë që dihet se Faik Konica ishte i
djathtë madje konservator, e megjithatë ishin miq shumë të ngushtë e kurrë nuk
u prishën me njeri-tjetrin, sepse të dy
ishin atdhetar të mëdhenj dhe punonin me përkushtim për kombin.
Ne vazhdim ai foli edhe për Vasil Panin, vazhdimësinë
e ndritur të Josif Panit që Noli i madh e karakterizon atdhetar e bujar i madh
e me shpirt të mirë. Vasil Pani ishte zgjedhur kryetar i “Vatrës” më shumë se asnjë
njeri tjetër, në tre periudhat më të vështira të cilat i përballoi aq mirë sa
siç thoshte Noli po të mos që Vasil Pani shoqata “Vatra” do të kishte pushuar së
qeni prej kohësh.
U sollën përshëndetjet e shoqatës “Devolli” dega
Amerikë për kontributin e autorit të librit Sotir Pani i cili, u tha, vazhdon veprën e babait e gjyshit të vet. Këtë
botim shoqata e vlerëson një vlerë e shtuar në veprimtarinë e shqiptarëve të
Amerikës.
Letërsia jonë dokumentare sot ka një vepër tjetër
të re, tha në fjalën e tij Prof. Musa Kraja duke e përgëzuar autorin dhe duke vlerësuar
dy figurat kombetare Josif e Vasil Pani, të cilët qëndrojnë krahas atdhetarëve
të mëdhenj të periudhës së Pavarësisë e me pas.
E mori fjalën edhe Novrus Shtylla duke çmuar veprimtarinë
e palodhur të Sotir Panit si vazhdues i denjë i babait dhe gjyshit të vet.
Nga Bostoni një grup emigrantesh shqiptare, Fuat
Memelli, Jani Plasa, Kiço Çeku dhe Kostandin Mosko i dërguan një përshëndetje,
të cilën e lexoi Kolec Traboini.
“Çdo
28 Nëntor, te shtëpia e Sotir Panit në Dardhë, është ngritur flamuri shqiptar,
ndërsa me ardhjen në Amerikë, ngrihet te shtëpia e tij këtu në Boston. Siç ka
thënë Fan Noli, ne mërgimtarët, vetëm degët kemi në dhera të huaja, ndërsa
rrënjët i kemi në atdheun tonë.” - thuhej ndër të tjera në letrën e emigranteve
shqiptarë nga Amerika.
Të
pranishmit i përshëndeti autori i librit “At e bir për mëmëdhenë” Sotir Pani, i
cili theksoi se e ndjente për obligim të sillte kujtimet e dokumentat që me
durim i kishte mbledhur, se pari për rrethin familjar, por kur e pa se dorëshkrimi
kishte marrë një formë të plotë vendosi ti botojë. Ai falënderoi të pranishmit,
shtëpinë botuese “Emal” dhe Muzeun Historik Kombëtar për ketë organizim që është
një nderim dhe përkujtim për Josif e Vasil Panin që tërë ja kushtuan Atdheut.
Po kush kanë qenë Josif e Vasil Pani:
Nga fundi i shekullit 19-të i riu nga Dardha e
Korçës Josif Ligor Pani emigroi ca
kohë në Greqi ku ra në kontakt me atdhetarët shqiptarë. Por atje u konfliktua
me qarqet shovinistë të fqinjit të jugut dhe vendosi të shkojë emigrant në
Amerikë në vitin 1903. Josifi qe ndër veprimtarët e parë e më të njohur për
çështjen shqiptare. Veprimtaria e tij kishte dy drejtime kryesore, organizator
shoqatash atdhetare që më pas do të formonin “Vatrën” dhe botues gazetash e
revistash në gjuhën shqipe. Ishte botues i gazetave “Sazani” dhe “Drejtësia” si
dhe autor i librit “Adriatiku dhe lufta europiane” . Gjithashtu autor i plot
shkrimeve në gazetën “Dielli”. Josif
Pani ishte bashkëpunëtor i ngushtë me Faik Konicën, me të cilin e lidhte një
miqësi e madhe. Aq tipike ishte kjo miqësi sa që Faik Konica nuk pranonte të
dilte në fotografi me ndonjë tjetër, këtë privilegj ia ka bërë vetëm gazetarit
e botuesit Josif Pani. Nën shëmbullin e
Faikut, Josif Pani njihet për polemikat e forta me greket e Amerikës por edhe
me shqiptarët që punonin për Greqinë në dëm të çështjes shqiptare. Josif Pani
jepte kontribut të madh edhe në Federatën “Vatra” deri sa këtë veprimtari
atdhetare do ta vazhdonte i biri Vasil
Pani. Në vitin 1922 kthehet në Atdhe, në fshatin Dardhë. Është e njohur lidhja
e miqësia e tij me Hil Mosin që aso kohe ishte prefekt i Korçës dhe ndihmoi për
hapjen e rrugës Korçë -Dardhë në vitin 1929. Faik Konica kur e mori vesh se
Josif Panit kishte vdekur në Dardhë të Korçës më 14 maj 1934, ka shkruar:“Josif Pani, ish një shqiptar me karakter të shëndoshë,
një nacionalist me ndjenja të këthjellta, bashkëpuntor i imi i vjetër dhe një
mik i patundur.”
Vasil Josif Pani ishte fare i ri kur në vitin 1912 u kthye nga
Amerika në Shqipëri dhe u fut në radhët e luftëtarëve të çetës së Themistokli
Gërmenjit. Mori pjesë në luftë kundër forcave andarte greke që donin të
pushtonin Korçën e fshatrat përreth. Qëndroi në çetat atdhetare edhe në vitet
1913-1914, por edhe në xhandarmërinë e qytetit në ruajtjen e rendit, e më pas
do të shkonte përsëri në Boston të Amerikës pranë babait të vet.
Në gazetën “Drejtësia” 1920, atdhetari Naum
Cerja ka shkruar:“Josifi (Pani) nuk e kurseu djalin e tij, por e bëri therror
në altarin e atdheut si Abrahami Isakun
dhe e dërgoi shpresën dhe ngushëllimin e pleqërisë, Vasilin, 19 vjeçar, të
mbrojë truallin e shenjtë të Atdheut me krahërorin dhe gjakun e tij.”
Vasil Pani ka hapur asokohe një restorant të
madh në Boston, i cili u bë qëndra ku mblidheshin shqiptarët dhe veprimtarët e
“Vatrës” me Fan Nolin dhe Faik Konicën. Vasil Pani një pjesë të madhe të
fitimit në restorant e kalonte për Federatën “Vatra”, sa edhe Noli do ta
pranonte se, të mos ishte Vasil Pani Federata Panshqiptare “Vatra” do të ishte
shuar e harruar. Duke i njohur meritat, anëtarët e Federatës e zgjodhën fillimisht
për 10 vjet kryetar i “Vatrës. Por u zgjodh dhe dy herë të tjera. Vdiq papritur më 11 dhjetor 1947 në moshën 52
vjeçare. Fjalët e shprehura nga shqiptarët e Amerikës për këtë humbje të madhe
janë me të vërtetë prekëse. Vetë Fan S. Noli për këtë figurë të Komunitetit
Shqiptar në Amerikë, ka vënë në dukje
tre kategori ku mund të ndahej jeta e tij: Vasil Pani patriot, Vasil Pani si
besnik, dhe Vasil Pani si shpirtmirë për ta përmbyllur me fjalët:
“Vasil Pani ka qenë kurdoherë në krye të taborit të Shqiptarizmës.”
“Vasil Pani ka qenë kurdoherë në krye të taborit të Shqiptarizmës.”
Tiranë, 8 shtator
2016
LAJMI I MUZEUT HISTORIK KOMBETAR
“At e bir për mëmëdhenë”, historia e panjohur promovohet në Muzeun Kombëtar
Historia e panjohur promovohet në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. Jeta e vepra e Josif dhe Vasil Panit, bashkëpunëtorë të afërt të Fan Nolit dhe Faik Konicës vjen kështu nëpërmjet një libri të ri. Në prag të vjeshtës 2016 vjen për lexuesit libri me titull “At e bir për mëmëdhenë” i shkruar nga Sotir Pani, përgatitur për botim nga Kolec Traboini në serinë e botimeve Pantheon, nga shtëpia botuese Emal. Një libër ky që veç jetëshkrimit ka edhe një mori dokumentesh me shumë vlerë e që mbase për herë të parë bëhen të njohura për lexuesin shqiptar. Në këtë libër kemi dy kapituj kryesorë për dy jetë atdhetarësh, por që kanë një përputhshmëri, sepse të dy këta kishin një veprimtari dhe një ideal të përbashkët. Josif Pani, ky mik për kokë i Faik Konicës, ishte ndër themeluesit e shoqatave të para shqiptare në Boston, më pas edhe i Vatrës, ndërsa i biri Vasil Pani, do të ishte ai që do të mbante të gjallë këtë shoqëri shqiptarësh për vite me radhë. “At e bir për mëmëdhenë” është një libër me plot ngjarje jo vetëm për dy figurat e mëdha atdhetare Josif e Vasil Pani, që shteti shqiptar i ka vlerësuar e dekoruar, por është i mbushur me plot fakte, dokumente, fotografi dhe përshkrime të veprimtarive nga jeta e Komunitetit Shqiptar të Amerikës. Me 260 faqet e tij, libri është një histori e gjallë, e dokumentuar që i shton njohuritë edhe për shoqatën atdhetare “Vatra”, e quajtur dhe Qeveria Shqiptare në mërgim. Kolec Traboini u shpreh se, “Është një libër historik me shumë interes, që jo vetëm meriton të lexohet por edhe e pasuron bibliotekën e pasionantëve të historisë kombëtare, në të cilën komuniteti shqiptaro-amerikan zë një vend të rëndësishëm”. Gjatë ceremonisë së promovimit folen dhe prof. Nasho Jorgaqi si dhe Prof. Musa Kraja.
01 September 2016
Napolon Bonoparti: Me gratë flasë frengjisht, me burrat flas shqip
NAPOLON BONOPARTI:
ME GRATË FLAS FRËNGJISHT, ME BURRAT
FLAS SHQIP
Napoleon Bonaparti
është një nga strategët më të mëdhenj ushtarakë që ka nxjerrë njerëzimi. Ai
meriton që të vihet pranë burrave të tjerë të mëdhenj, pasi arriti të pushtojë
monarkitë më të mëdha të Evropës, si atë gjermane, austriake, madje dhe vetë
Rusinë, sepse hyri në Moskë, dhe nuk ishte faji i tij që car Aleksandri nuk
doli të luftonte, gjë që e mërziti Bonapartin dhe e detyroi të linte Rusinë.
Bonaparti ka
meritën se vuri në zbatim në vendet e pushtuara feudale konservatore e
evropiane idetë e revolucionit francez. Po të mos ishin pushtuar këto vende nga
Napoleoni, me siguri Evropa dhe bota nuk do të ishin kështu siç janë sot, sepse
me luftën e tij theu zinxhirët e hekurt të feudalizmit Mesjetar, që bëheshin
pengesë për zhvillimin e kapitalizmit dhe të qytetërimit botëror. Pra Napoleoni
nuk ishte vetëm ushtarak i zoti, por edhe politikan, pasi në vendet që pushtoi
vendosi parimet kryesore të shtetit modern, që lindi me revolucionin anglez,
amerikan dhe francez.
Ai i ka dhënë
qytetërimit botëror më shumë se sa mund të imagjinohet, sepse reformat e tij që
bazoheshin në idetë iluministe të Revolucionit Francez, të cilat kishin të
bënin me barazinë e shtetasve, lirinë, të drejtën e pronës etj., zgjuan popujt
e shtypur nga feudalizmi prej shekuj. Revolucionet që përfshinë Evropën në
vitin 1848, janë quajtur ndryshe dhe si “pranvera e popujve”. Ato janë meritë e
reformave të Napoleonit, sepse me rënien e tij nga pushteti në vitin 1814-1815,
reformat që ai kreu i anulluan nga mbretërit feudalë që u rikthyen në fron. Por
njerëzit u zgjuan, nga të drejtat që u dha Napoloni, dhe nuk do të pranonin që
të ribujkrobëroheshin përsëri, ndaj u rebeluan për t’i fituar këto të drejta.
Cila është origjina
e këtij burri të madh?
Napoloni ka lindur
në Korsikë, e cila një vit pas lindjes së tij kaloi nën sovranitetin francez.
Lindi në një familje të vogël fisnikësh që nuk gëzonin pasuri të mjaftueshme
për të jetuar normalisht. Sot është pranuar që nuk ishte francez, edhe pse bëri
shumë për Francën.
1. – Shatobrion
një studiues i famshëm francez i kohës, ka ngulur këmbë për origjinën e huaj të
Napolonit. Ai ka qenë i bindur se ishte i huaj, por nëse do të ishte italian,
do ta kishte theksuar.
2 - Janë
studiuesit francezë ata që kanë komentuar origjinën shqiptare të Napoleonit.
Myfit bej Libohova në librin e tij “Ali Pashë Tepelena” të botuar në gjuhën
turke thotë se Adolf Thiers që ka shkruar historinë e Revolucionit Francez, pra
që është njohës i mirë i kësaj epoke se kishte jetuar afër kësaj kohe dhe që më
vonë do të bëhej president i Francës, flet për origjinën shqiptare të
Napolonit. Ai citon Thiers, i cili thotë se “kur Josef Bonoparti vëlla i madh i
Napolon Bonopartit u bë mbret i Napolit në vitin 1806, shqiptarëve të Napolit
që shkuan për t’i uruar mirseardhjen, u tha edhe familja Bonoparti është me
origjinë arbëreshe”.
3 – Në fakt, Myfit
bej Libohova, në lidhje me shpjegimin e Adolf Thiers shton se “Sipas hetimeve
të bëra del se është e vërtetë që familja Bonoparti është me origjinë arbëreshe.
Në shekullin XV rreth 100.000 shqiptarë të larguar nga viset shqiptare të
Shqipërisë, u vendosën në More. Sipas të dhënave të enciklopedive greke në
shek. XIV-XV në Peloponez kanë jetuar me mijëra shqiptarë, të cilët kanë qenë
vendosur në krahinën malore të Manit, por sipas tyre këta shqiptarë kanë ardhur
nga Shqipëria. Ata qëndruan aty për rreth 100 vjet. Shqiptarët luftuan me
Turqit, dhe pas vrasjes së prijësit të tyre me origjinë nga Himara, Pjetër Bua
ikën për në Itali.
Ikja e shqiptarëve
të Peloponezit është përjetuar në këngën Moj e bukura More që e këndojnë edhe
sot shqiptarët kudo që janë, sidomos ata ta Italisë.
Myfit bej Libohova
thotë se “është fakt që shqiptarët në Korsikë formuan një fshat, siç është fakt
se paraardhësi i Napolonit ishte nga ky fshat arbëresh”.
4 – Një
aristokrate franceze që jetoi në kohën e Napolonit, dukesha d’Arbantes gruaja e
një nga gjeneralëve më të aftë dhe më besnik të Napolonit në librin e saj
“Revolucioni, Perandoria dhe Restaurimi” thotë se Napolon Bonapartin e njeh së
afërmi dhe që të dy janë me origjinë nga zona e Manit në Peloponez”. Ajo
përmend, gjithashtu, dhe interesimin e beut të Manit që Bonoparti të çlirojë
nga Turqit, Manin vendlindjen e gjyshërve të tyre. Në fakt, kjo dukeshë, burri
i së cilës ishte mik i afërm i Napolonit e shkroi librin në kohën që jetonte
Naploni, dhe fakti që ai nuk i përgënjeshtroi, tregon se këto fakte janë të
vërteta.
5 – Studiuesi
francez me origjinë nga Korsika, Rober D’Angely në veprën e tij Enigma e quan
Bonopartin shqiptar, ashtu si Aleksandrin e Madh dhe Aleksandrin tjetër. Ky
studiues Korsikan, një njohës i mirë i shqipes dhe i shqiptarëve, ka thënë me
plot gojën se Napoloni ishte shqiptar. Ai sqaron se mbiemri i vërtetë i
Napolonit ka qenë Kalëmiri, i cili është deformuar nga grekët gjatë kohës
100-vjeçare që familja e tij jetoi atje si Kalomeros, që do të thotë ana e mirë
që u përkthye në italisht si Buonaparte. Pra, që mbiemri i tij i vërtetë është
Napolon Kalëmiri e nëse do të përkthehej në italisht do të ishte Naplon Buoncavalo,
dhe jo Napolon Buonaparte.
6 – Në ditarin e
tij Napoloni shkruan, se kur po shkonte në një betejë detare kundër Albionit,
pra Anglisë, i lutet që me të të ishin të gjithë paraardhësit e tij dhe përmend
aty Ene Dardanidin, Akilin dhe Odisenë. Pra, përmend Trojanin Ene nga fisi i të
cilëve janë Dardanët e sotëm, pra një pjesë e madhe e racës shqiptare të mbetur
sot në Ballkan, i kërkoi ndihmë Odisesë që ishte një shqiptar tjetër nga Epiri
Pellazg, po ashtu Akilit nga Thesalia dhe Fthija Pellazge. Këto tregojnë se ai
e dinte shumë mirë origjinën e tij shqiptare dhe u kërkonte ndihmë këtyre
heronjve. Po kështu, ai donte t’i ngjante Aleksandrit të Maqedonisë një tjetër
shqiptari, dhe kur shkoi në Egjipt vizitoi vendin ku ka qenë varrosur
Aleksandri, dhe thuhet se urdhëroi të gjithë ushtarët ta linin vetëm në dhomë.
8 – Një fakt i
tërthortë është se kur zgjodhi simbolin e perandorisë së tij francezët i afruan
gjelin dhe luanin, ndërsa ai zgjodhi shqiponjën, një simbol mijëra vjeçar të
racës shqiptare, që edhe sot e kanë në flamurin dhe në emrin e shtetit të tyre.
Shqiponjën – thoshte e kanë pasur simbol perandorët romakë, paraardhësit e mi,
por në fakt, shqiponjën e vendosën në perandorin romake perandorët ilirë të
Romës, që do të thotë se Napoloni i dinte mirë paraardhësit e tij.
8 – Robert
D’Angely vë në dukje se Napoloni u bënte shpesh vizita familjeve shqiptare në
Marsejë, që kishin ardhur nga Shqipëria, Greqia apo Italia. Pse duhet ta bënte
një gjë të tillë? Ç’e lidhte me shqiptarët? Ka vende në Evropë sot që nuk i
njohin fare se kush janë shqiptarët dhe nga bie Shqipëria, ndërsa ai i njihte
dhe u bënte vizita.
9 – Sipas prof.
Eqrem Çabej “Njëri nga gjeneralët më besnikë të Napolon Bonapartit ka qenë edhe
marshalli Ney. Njëri me trup të madh që nga gjatësia ia kalonte shumë
perandorit. Thuhet se ky i fundit kur e qortonte, Ney-in, i thoshte se do t’ia
shkurtonte ndryshimin që kishte me të në trup, dhe fjalët i shoqëronte me disa
fjalë në një gjuhë të huaj, që marshalli Ney e shokët e tij nuk e kuptonin”. Cila
ishte ajo gjuhë? Se po të ishte italisht padyshim që do ta kuptonin që bëhej
fjalë për italishten. Pa dyshim gjuha shqipe që flitej krahas italishtes në
shumë territore të saj.
10 – Ai
gjithashtu, pati marrëdhënie të mira me Ali Tepelenën, të cilin e ndihmoi për
të ngritur një ushtri të tijën dhe një fonderi për derdhjen e topave dhe
barutit. Napoloni dërgoi konsull në Janinë, në kundërshtim me Portën dhe de
fakto e njihte atë si kryeqytet të Shqipërisë. Ai donte që Shqipëria të ishte
një shtet i pavarur nga Turqia.
11 – Të dhënat
historike flasin se ka pasur një legjion shqiptar në ushtrinë e tij të cilin e
ka mbajtur si gardë personale, sepse ata i kishte më të besuar.
12 – Familja
Bonoparti në Itali ka pasur marrëdhënie me shqiptarët, kështu një vajzë e
familjes së famshme Durrsaku, ka qenë martuar me Gabriel Bonopartin, me të
cilin pati një djalë, Jerom Bonopartin. Gjatë qeverisjes së Italisë nga
Napoloni, shqiptarët e familjes Durrsaku i ngriti në detyra të larta. Kështu,
Francois Luis Jerom Durazzo u bë kont i perandorisë së Napolonit, dhe senator
në 1808. Eshtrat e tij për meritat e mëdha prehen në Panteonin francez ku
prehen burrat më të mëdhenj të Francës. Po kështu, një tjetër shqiptar i kësaj
familjeje Gaetano Gian Luca Durazzo u bë kont i perandorisë frënge, mori
titullin e patricit dhe u dekorua me urdhrin e kavalierit të legjionit të
nderit, arriti të bëhej dhe çamberleni i perandorisë frënge.
13 – Aristidh Kola
në librin e tij “Arvantasit” thotë se kur e pyetën Napolonin se cilën gjuhë
konsideronte më të bukur u përgjigj “Kur flas me gra, më pëlqen të flas
frëngjisht dhe kur flas me burrat e mi më pëlqen të flas shqip”
Pra, të dhënat
direkte ose indirekte flasin për origjinën shqiptare të Napolonit të Madh, por
ende ka vend që secili të thotë mendimin e tij në bazë të fakteve.
Napoloni u martua
me një vejushë të quajtur Jozefina, e cila ishte me fëmijë dhe më e madhe sesa
ai në moshë. Ai ishte i dashuruar marrëzisht pas saj, aq sa nuk i shikonte fare
difektet, dhe deri diku imoralitetin e saj. Pas kësaj ai u martua me princeshën
bukuroshe austriake për arsye politike dhe jo sepse nuk e donte Jozefinën. Ai
deri në momentet e fundit të jetës nuk e ndau nga mendja fiksimin Jozefinë. Me
princeshën austriake pati djalin trashëgimtar që se trashëgoi kurrë të atin.
Napoloni II i cili vdiq në moshë të re, rreth të 20, dhe që Napoloni nuk e pa
më kurrë që nga dita që e la kur ishte foshnjë për të ikur në një ishull të
vetmuar. Adolf Hitleri ia çoi eshtrat e të birit nga Austria në Francë për ta
varrosur përjetësisht pranë të atit të tij, aty ku ndodhet edhe sot. Është për
t’u çuditur veprimi i një fashisti si Hitleri kur dihet se Franca me Napoleonin
e pushtoi Gjermaninë. Kjo i mbetet historisë për ta gjykuar. Në histori mbetet
si një nga strategët më të mëdhenj të të gjitha kohërave dhe e meriton
plotësisht të quhet i madh. Djali i vëllait të Napoleonit me vajzën e
Jozefinës, gruas së tij, u bë perandori i Francës me emrin Napoloni III.
Gazeta InfoPress 2016
Subscribe to:
Posts (Atom)