HEQIN SHQIPONJËN E VËNË NJË QAFË PATE NË FLAMURIN E PAVARËSISË
Nga
KOLEC TRABOINI
Një flamur me
shqiponjë qafëgjatë si qafë pate na e paska valëvitur në ballkon të Vlorës
Plaku Ismail Qemali në 1912. Na paska mashtruar të gjithëve, madje ka mashtruar
edhe ata që e kanë parë dhe prekur me dorë atë flamur. Magji u paska bërë Plaku
i madh i Vlorës. Nuk i paskan pas sytë në ballë Luigj Gurakuqi, Faik Konica,
Dom Nikollë Kaçorri apo dhe Lef Nosi. Kësisoj si në një lojë kungulleshash, sa
të ketë në Tiranë televizione e gazeta, historia ndryshon mor tungjatjeta.
Por
ky nuk është zbulim por spekulim kokë e këmbë.
Megjithëse nuk ka as kokë e as këmbë ky studim i thellë në pus të cekët, por ka
veç bisht. Bisht si i dhelprës ardhur ndoshta nga qymezet e fqinjëve ballkanikë,
se ata e duan Shqipërinë pa histori. E duan gjithçka të dyshimtë e pa taban. Siç
patën shkruar dikur në gazetat e tyre fqinjët ballkanikë, se shqiptarët janë njerëz
të egër, janë njerëz me bisht, por ua dha përgjigjen At Gjergj Fishta në një
konferencë ndërkombëtare. Le ta lexojmë me vemëndje këtë histori jo vetëm për
të qeshur, por edhe për të menduar se në çfarë bataku na duan oreks-mëdhenjtë
ballkanas për trojet shqiptare, e gjithashtu si duhet t’ua tregojmë vendin që u
takon atyre që na e shtrembërojnë historinë me një të rënë të lapsit.
Rrinte
në këmbë Fishta ynë i madh.
I
tha kryetari që hapte konferencën
“Ulu Atë!”
Po
Fishta ngulmoi të mos ulej duke kërkuar një karrige tjetër me vrimë.
“Po
pse e do me vrimë?”- i thanë.
“Të vë bishtin!”- ua ktheu.
Aty
ishte dhe shkrimtari serb që kishte shpifur për shqiptarët dhe gjithë salla qeshi
me atë shkrimtar shovinist.
Tani
erdhi koha të qeshim edhe ne me një skicë të një grafisti të panjohur në vitin
1912, e bërë me nxitim në ndonjë kafene të Vjenës për ndonjë honorar, që sipas
një “zbulueseje”, ndryshoka realitetin shqiptar
të 28 nëntorit 1912 pas një shekulli e kusur. Kështu tregohen përralla në
shtypin shqiptar. Dhe meseleja e
përrallës për flamurin me qafë pate gjen jehonë marramendëse në të gjitha
televizionet ordinere që nuk kanë as minimumin e njohurive historike apo të
kulturës kombëtare. Dhe historianët profesionistë që marrin rrogat nga paratë e
popullit, nëpërmjet taksave qeveritare, heshtin si mumje egjiptiane. Pse të prishin qejf
ata. Rrogat i kanë të majme, vetë janë si gica, dhe asnjë njeri në pushtet nuk
u kërkon llogari sikur të mos ketë qeverisje në këtë vend. Por piramida e mumjeve
është vetë Akademia e Shkencave në Tiranë, që hesht dhe ajo si një varrezë.
Ndoshta
dikush ua paguan edhe heshtjen.
Por
le të tregojmë diçka për flamurët, por edhe për zbulim-shpifjen për portretin “Motra
Tone” që nuk na qenka vepër e Kol Idromenos, por e memurëve të qorollepsjes që
nuk dinë çfarë të bëjnë e lozin derën.
Në
Vjenë është punuar edhe Flamuri i Deçiqit,
një vit më parë se të botohej ajo grafikë ilustruese në Vjenë, që i turbulloi
mendjen “zbulueses” si në librat me përralla për fëmijë, pra në mars 1911. Flamuri
i Deçiqit është i fotografuar nga Kel Marubi në verë të vitit 1911, se ndryshe
edhe këtë si qafë pate apo si sorrë do të na e përshkruanin zbuluesit e
shekullit 21. Por shqiponja në flamurin e Deçiqit nuk është një shpend qafëgjatë.
Nga kjo del se qarqet në Vjenë e dinin modelin e flamurit shqiptar, por ai
grafisti i gazetës ka punuar kuturu në atë model flamuri të stilizuar dhe tani
e mbështet si një realitet i padyshimtë dhe kjo studiuesja jonë në një shkrim që nuk
ka të bëjë në asnjë drejtim me argumente apo fakte historike. Dhe këtë skicë që
e quajnë zbulim epokal në mediat mediokre të Tiranës, e kemi parë me qindra herë
në mediat sociale via internet. Madje këtu e shumë vite me parë se kjo studiuesja që e
zbulon në facebook të na e servirte. Por ne kemi thënë se ai që e ka bërë, ka
stilizuar se nuk e ka pasur të qartë se cili është flamuri i shqiptarëve. Kështu mosdija kthehet në "dije" prej mjerimit kulturor bashkëkohor.
Po
ju përcjellim në vëmendje një flamur shqiptar i dizenjuar dhe shpërndarë nga Parisi nga Alardo Kastrioti që në vitin 1902, që e konsideronte veten pasardhës të Gjergj
Kastriotit. Dy flamurë të tillë dhuratë nga Alardo Kastrioti, siç paraqitet në këtë kartolinë të vjetër të
asaj kohe, i ka sjellë fshehurazi nga
Parisi në Shkodër Dom Ndoc Nikaj në vitin 1902.Edhe Flamurin e Deçiqit po Alardo Kastrioti e ka paguar. Prandaj këto hamendësime që në
Vlorë është shpalosur një flamur tjetërsoj me shqiponjën si portretet e femrave qafëgjata
të Pikasos, pra qafë pate, janë sa të pavërteta po aq dhe groteske.
Çfarë
nuk ndodh në këtë konfuzion total në shoqërinë shqiptare ku dëshira e
shkatërrimit qenka më zotëruese se ajo e ndërtimit. Hidh një i paditur një gurë
në ujë dhe shfaqet zbulimi i shekullit ndër shqiptarë të paditur.
Jo
pak ditë më parë kështu e hodhi një gur në ujë të turbulluar edhe një restaurator
veprash të kishave mesjetare, kur tha se Kol Idromeno nuk e ka pikturuar Motrën
Tone. Dhe ngul këmbë si mushka ne shtyp e intervista të fryra kacek, duke mos sjellë
asnjë argument shkencor. Të tillë mohues të vlerave kombëtare nuk ja ndjejnë aspak
nevojën arsyetimit, por as dhe fakteve. Mjafton zhagitja në idenë e ngulitur se ata e vetëm ata kanë të
drejtë.
O
Tempera o Mores! E dimë nga kemi ardhur, por nuk po e dimë nga po shkojmë me këto
pasione mohuese. Mbase e bëjnë se, të pazot të ndërtojnë, duan të bëhen të famshëm
e të ngelën në histori duke mohuar e shkatërruar si Neroni.
Etja për lavdi është
në zenit në tymnajat e Tiranës. Shpifjet e denigrimet në këtë kohë janë në
mode. Kohë të marrësh!
12
korrik 2017