Nga KOLEC TRABOINI
Atyre që venë emra bulevardesh apo ngrenë
pavione historike, që e përmendin vend e pa vend e për konsum mediatik Ahmet
Bej Zogollin, i cili u vetshpall si në Teatrin e Kukullave mbret i shqiptarëve,
duam tu themi se tutmaku i kurorës, nuk ra prej qielli si pendë korbi a kukull
prej lecke, por hyri me bajonetat ruso-serbe dhe përmbysi Qeverinë e Fan Nolit
(le ta quajnë po deshën edhe të paligjshme – nuk ka rëndësi)! Zogu me pasuesit
e tij nuk zunë Malet e Shqipërisë, nuk shkuan ta bindnin popullin për
drejtësinë e ideve të veta, dhe “paligjshmërinë” e Qeverisë së Nolit, por
ndoqën një rrugë tjetër me të lehtë , atë të Beogradit, dhe u bënë puthadorët e
vrasësve të popullit shqiptar. Kjo është një e vërtetë historike dhe, sado
fakte të reja që të dalin, ato nuk arrijnë ta riparojnë atë precedent
antikombëtar.
Si mund të quhet legjitim edhe veprimi i
Ahmet Zogut, i shpallur mbret nga Asambleja e formuar në prapaskenat e Lal
Krosit me Pandeli Evangjelat e 27-tës, kur burrat më të shquar të politikës dhe
të shtetit shqiptar që prej shpalljes së Pavarësisë morën rrugën e mërgimit
politik, si Noli, Gurakuqi, Sotir Peci, Stavro Vijnau, Hasan Prishtina, Mustafa
Kruja e shumë të tjerë?! Ku është kriteri i legjitimitetit në këtë rast?! A e
dinë këta që duan ta rishkruajnë historinë sipas klaneve e konjukturave se në
të gjithë enciklopeditë Zogu është quajtur mbret i vetëshpallur, sepse që të
jesh mbret, sipas disa parimeve monarkiste europiane duhet të kesh gjak blu. Ku
e gjeti gjakun blu Ahmet Zogu që e shpalli nënë e vet mbretëreshë si në
përrallat me magjistrica “ Gëzuarsh Maktheth, sot je Than e nesër Mbret!”
Gjithashtu, kur bëhet vlerësimi i aktit
të Ahmet Zogut në dhjetor 1924, nuk ka pse t’i vihet si sfond rreziku i
depërtimit të bolshevizmit në Ballkan nëpërmjet Qeverisë Demokratike të Nolit,
kjo jo se nuk është e vërtetë, por gjithsesi, nuk e motivon ardhjen nën
ombrellën e Serbisë, nuk e motivon bashkëpunimin me armikun më të madh të
popullit shqiptar e që kishte pushtuar gjysmën e territoreve shqiptare ku i
shtypte shqiptarët me dhune e gjak.
Dihet që Noli e prishi
"biografinë" në arenën ndërkombëtare kur njohu Qeverinë Sovjetike dhe
ambasadori bolshevik u nis për në Tiranë...por nuk arriti për shkaqe që dihen.
Pra, vënia e portretit historik të Zogut në sfondin e rrezikut që i vinte
Ballkanit nga idetë e Tetorit, nuk është e motivueshme në asnjë aspekt ngado që
ta kthesh, prandaj nuk i lehtëson damkën e turpit të ardhjes nën bajonetat e
armiqve të popullit shqiptar.
Por edhe sikur ta zëmë se lehtësohet
disi nga kjo rrethanë, le të operojmë në aspektin tjetër; triumfatorit të
dhjetorit 24, së bashku me bajonetat serbe dhe ato të rusëve të bardhë, t’i
vemë në sfond edhe ngjarjet tragjike të përgjakura që ndodhnin në Kosovë në atë
situatë. Pra, ndërkohë që Ahmet Zogu me paratë, armët dhe izën e Serbisë
marshonte me hap të hekurt drejt Tiranës, ushtria serbe masakronte popullin e
Kosovës me një tmerr gjaku që nuk e ka parë historia e popujve të tjerë as në
Ballkan dhe as në Europë, me barbarizma që nuk kanë të përshkruar, me vrasje,
djegie, shkatërrime, përdhunime, djegie për së gjalli të nënave shqiptare së
bashku me fëmijët e tyre, pa kursyer pleq e plaka, mbytje në puse, masakrime
kolektive të fshatrave të tëra, jo një e dy, por me dhjetëra e dhjetëra Lidica
e Borova Kosovare. Kur flitet për Enver Hoxhën, me të drejtë thuhet se masakra
e Tivarit rëndon edhe mbi ndërgjegjen e këtij diktatori shqiptar si aleat i
Titos. Por kurrkush nga simpatizantët e Ahmet Zogut nuk e prek realitetin
tronditës të marrëveshjes me vrasësit e popullit shqiptar.
Mos vallë për hir të interesave të
shteteve evropiane (pengimin e influencave bolshevike në Ballkan) duhen fshirë
nga historia lumenjtë e gjakut të popullit shqiptar në Kosovë? Pra, në këtë pikëpamje,
edhe Ahmet Zogu, si shumica e pushteteve të vendosura me violence, kalon përmes
gjakut të popullit martir. Kjo do të thotë se historia nuk i bën kurrfarë
lehtësimi megjithëse bërbëlitjet e disa qeveritarëve që flasin përçartë e
kërkojnë votat e monarkistëve të mbetur tashmë pa prijës sepse Leka i ri nuk ka
kurrfarë gjasash të pozojë me uniformë bufonade mbreti. Është tjetër gjë pastaj
të diskutojmë se në 15 vjet të “mbretërimit” të Zogut, Shqipëria u konsolidua
si shtet - ky është një realitet me të cilin besoj se bien dakord të dyja
palët, qoftë ithtarët, qoftë kundërshtarët e tij, por shtet të konsoliduar
kishte edhe Enver Hoxha. Ku janë ndryshimet në staturë e tyre si shtetarë veç
shpirtit vrasës e diktatorial që kishin si tipar të përbashkët.
Zogu dhe Noli ishin dy figura komplekse
bashkëkohore që përfaqësonin dy rryma politike, të cilat fatkeqësisht, në vend
që të plotësonin njëra-tjetrën, duke mos gjetur gjuhën e arsyes, ndoqën rrugën
e konfrontimit politik që çoi atje ku dihet, me rrjedhime të disfavorshme për
popullin shqiptar. Ky stil ndiqet tragjikisht edhe sot e kësaj dite në skenën e
politikës shqiptare.
Gjithsesi, sfondi i bajonetave serbe,
shpallja e Shqipërisë mbretëri, shpallja e Zogut mbret me gjithë kundërshtarët
politikë të arratisur jashtë Atdheut- është pikë e errët në historinë e
mbretërimit të tij (arkivat e Jugosllavisë do të duhet të kenë dokumente të
marrëveshjeve të fshehta midis Zogut dhe Beogradit).
Nga ana tjetër të mos harrojmë se në
Shqipëri u vu prej fuqive të mëdha një Princ, Vilhelm Vidi, dhe se atë e
rrëzuan turkoshakët të cilët nuk duronin një princ të krishterë (siç i thoshin
“kaur”). Dhe në qoftë se Shqipërisë i duhej një mbret si nevojë historike në
vitin 1927, përse nuk iu kthyen Vidit, a ndonjë personi tjetër me gjak
mbretëror në Europë por pikërisht beut të Matit, i cili nuk kishte gjak
mbretëror? Të mos harrojmë se Greqia fqinje, për të evituar grindjet e
brendshme për sundim, pranoi mbretin e sjellë nga Europa, familja e të cilit u
trashëgua mbi një shekull në fron, deri në vitet 1960.
Natyrisht, kjo nuk mund të bëhej në
Shqipëri sepse Zogu e kish "zogun" në dorë dhe nuk donte ta lëshonte,
dhe, për më tepër, kishte një parlament pa kundërshtarë politikë e, kështu, nuk
ishte e vështirë të bënte atë që bëri, madje në fillim e quajti veten plot
pompë "Skënderbeu i III, Mbret i Shqiptarëve" ( lexo: The Vorld Book
Encyklopedia, Vol.18.faqe 9902, 1956 USA). Më pas, duke e parë se kjo
tingëllonte disi groteske, e uli tonin duke u quajtur thjesht “Mbret”.
Se si e qysh mbretëroi ky mbret, që
Serbia ia bëri peshqesh Shqipërisë, dhe analiza e krimeve të tij politike, janë
një çështje tjetër që nuk është me vend ta trajtoj këtu, por meqënëse disa
aludojnë për influenca sllave tek Fanolistet pra kundërshtarët e Ahmet Zogut,
mund të themi se kjo, jo vetëm që nuk qëndron (edhe armiku më i madh i
Sllavëve, poeti Gjergj Fishta ka qënë antizogist), por historia ka treguar të
kundërtën e, për këtë, mjafton të përmendim një fakt: Kreshnikut të Kosovës e
të Shqipërisë Hasan Prishtinës, Qeveria Jugosllave i afroi miliona për ta
zbutur si kundërshtar, por kur e pa se ai nuk ishte burrë që tradhëtonte
idealet e veta, bëri ç'është e mundur që ta vriste, ja kerkoi kete favor Ahmet
Zogut "Mbretit të Shqiptarëve". Ky për të zbatuar porosinë e
padronëve të tij serb që e sollën në pushtet, vuri katilin Ibrahim Çela të
kryente aktin mizor në një rrugë të Selanikut, në vitin 1933. Me këtë vrasje u
fik Kosova.
Kështu që, se kush janë të influencuar
nga sllavët ruso-serb; Monarkistët apo Republikanët, Zogistët apo Fannolistët,
nuk mund të përcaktohet ex - catedra, por duke u përpjekur, sa të jetë e
mundur, për të bërë një analizë të paanëshme dhe duke i vendosur figurat
historike në sfondin e ngjarjeve dhe në rrjedhimet e tyre. Aq më tepër që
klasifikime të tilla, jo vetëm që të çojnë në vlerësime të gabuara historike,
por edhe e tensionojnë bisedën deri në atë shkallë sa që humbet kuptimi i
debatit dhe i shkëmbimit të mendimeve, sepse monarkistët e sotëm duke e parë se
po e humbin terrenin përfundimisht, nuk lënë gur pa lëvizur për të sulmuar
Nolin e madh, dhe mjerisht në këtë lojë kanë hyrë edhe politikanë e pushtetarë
të cilët molloisin histori me histeri zogiste duke llogaritur disa vota me
tepër sa herë afron koha e zgjedhjeve. Por histori me histeri nuk shkruhet.
Nga libri "ACT NOW
Zhgënjimi i Ambasadorit Amerikan", Pantheon Books 2012