"GOLGOTHA SHQIPTARE" NGA LEO FREUNDLICH
Leo Freundlich, hebreu që protestoi kundër
zhdukjes masive të shqiptarëve nga serbët në vitet 1912-1913. Holokausti mbi shqiptarët . Serbët vranë 500
000 njerëz
Libri i tij “Akuza që ulërijnë” ishte dëshmia e parë
për shfarosjen kolektive të një populli evropian para atij Ebraik. Masakrat që
u ndërmorën serbët në trojet shqiptare. Mbi 250 mijë shqiptarë të masakruar
vetëm në veriun etnik të Shqipërisë gjatë vjeshtën e vitit 1912. Kopja e vetme e librit të Freundlich “Akuza që
ulërijnë”, i cili përmban protestën ndaj Evropës që nuk reagoi në mbrojtje të
shqiptarëve gjatë zhdukjen masive të pjesës më të mëdha të popullit shqiptar në
Ballkan, është gjetur në bibliotekën e Universitetit të Harvardit në SHBA, në
vitin 1982 nga studiuesja Safete Juka, me banim në Amerikë.
Shkrimtari hebre Leo Freundlich me banim në
Vjenë, është njëri ndër intelektualët e pakët që mbajti koleksionin e të gjitha
gazetave të mëdha të kohës që tregonin mbi shfarosjen e së paku një gjysmë
milioni shqiptarëve nga serbët në vitet 1912-1913. I revoltuar ai ngriti zërin
e tij kundër asaj që ai e quajti “Golgotha Shqiptare”, e që u shoqërua nga
masakra të atij tipi që nuk i kishte njohur Bota më parë. “Unë e dënoj dhunën
që ushtrohet padrejtësisht ndaj çdo populli. Ai që nuk bën kështu sot, të mos
çuditet nëse nesër edhe ai vetë do të bëhet viktimë e një Golgothe tjetër” –
thotë shkrimtari hebre. Vetëm pas 10 vjetësh, pikërisht në vitin 1992, ky libër
njohu botim në tri gjuhë, në saj të ndihmës së jashtëzakonshme të gjermanit
Hans Peter Rullman me banim në Hamburg. Botimi në anglisht u bë në saj të zotit
Steve Tomkin, kroat i lindur në Kosovë. Në Kroatisht libri i përkthye dhe u
botua nga mjeku Dr. S Leban, i lindur në Bosnje. Ndërkohë që përkthimin në
shqip e realizoi Riza Lahi, nën sponsorizimin e Xhaferr Kastratit nga Kosova
dhe përkujdesjen e shtypshkronjës “Eurorilindja” në Tiranë.
Serbia, “macja që kërkon të behet luan”
Pas traktat të Shën Stefanit mes Turqisë që
humbi luftëra të njëpasnjëshme dhe Rusisë fituese, kombi shqiptar u vu në rrezik
të jashtëzakonshëm, pasi aleatja ballkanike e perandorisë së Carëve Serbia,
kërkoi të zgjeronte zotërimet e veta për tu kthyer në një fuqi ballkanike dhe
evropiane, megjithëse kishte një popullsi vetëm 900 mijë banorë. Por nëse deri
në vitin 1911 synimet ruse dhe serbe në Ballkan do të dështonin, kjo nuk erdhi
për meritë të Perandorisë Turke nën të cilën ndodhej Shqipëria, por thjesht nga
fakti që shqiptarët me anë të Lidhjes së Prizrenit më 1878 nuk e lejuan një gjë
të tillë dhe e kundërshtuan me armë.Që nga viti 1906 deri në vitin 1912, një
sërë kryengritjesh për pavarësi të shqiptarëve, kryesisht në veri të trojeve
etnike shqiptare, u shtypën me dhunë dhe barbari nga na e ushtrive turke. Me
fillimin e luftës ballkanike, Shqipëria ishte gjysmë e shkretuar dhe trupat
serbe, në emër të luftës kundër Perandorisë Osmane, ndërmori një sërë
pushtimesh të cilët i shoqëruan me masakra masive kundër një popullsie
krejtësisht të paarmatosur, ku sipas shtypit evropian humbën jetën 250 mijë
shqiptarë. Ndërkohë ka të dhëna të sigurta se shifta mund të jetë edhe një gjysmë milioni. Nga 180 mijë kilometra katrorë, me një popullsi rreth 2 milionë
banorë që numëroheshin brenda territoreve shqiptare në fund të shekullit të XIX,
në vitet ‘ 30 kishin mbetur territore shqiptare vetëm 80 mijë km katrorë, dhe
këto në pjesën më të madhe jashtë shteti shqiptar. Sipas historianëve të kohëve
moderne, ekspansioni sllav që u shoqërua dhe me shpërngulje masive dhe dukje të popullsive etnike të vendeve të mësipërme, që njehsohej me ekspansionin
komunist më vonë i mori popujve gjermanë, hungarezë, shqiptarë, rumunë, armenë
etj territore të cilat kapnin sipërfaqen rreth një milionë kilometra katrorë nga
të cilat një dhjeta i takonin territoreve shqiptare. Etnia shqiptare në prag të
shkatërrimit të perandorisë së kalbur Osmane humbi më shumë se gjysmën e territoreve të veta. Zona e Tivarit, e Hotit, e Grudës, e Pazarit të Ri,
Sanxhakut (Novipazarit) Nishit, Rrethinat e manastirit, shtoju këtyre edhe
humbjen e krahinave të Janinës dhe të Çamërisë, të cilat u shpopulluar ose u
asimiluan me forcë nga Greqia, përbëjnë edhe fushatën më të egër antishqiptare
të ekspansionit sllav kundër popullit më të vjetët në Ballkan dhe Evropë. Njëri
ndër libra që hedh dritë mbi shpërnguljet masive të shqiptarëve është edhe
libri historik i Leo Freundlich “Golgotha shqiptare” Dëshmitare e krimeve të
serbëve në vitin 1912-1913 ka qenë edhe “Nënë Tereza”, atëherë fëmijë. Ajo pa
me sytë e saj sesi serbët i helmosën të atin, ndërkohë që anëtarët e tjerë të
familjes shpëtuan duke u arratisur në drejtim të Tiranës.
Shqiptarët në holokaust para Hebrenjve
(Shënime të gazetarit gjerman Hans Peter
Rullmann)
Më 1913, të dielën e pashkëve, sa pa shpërthyer
Lufta Ballkanike një shkrimtar vjenez, Izraeliti Leo Frojdlih botoi një libër
të titulluar “Akuza që ulërijnë” (Accusation Records). Në të përfshihen
dokumeta akuzuese të cilat rrëfejnë barbarizmat masive të bëra nga Serbët në
krahinat shqiptare të veriut jo më larg se 80 vite më parë, ose më saktë rreth
30 vite më parë se të ndoshte lufta e dytë botërore. Holokausti i parë Evropian
është planifikuar dhe zbatuar nga Serbia kundër popullit shqiptar. Leo Frondlih
përshkruan ngjarjet nga mezi i tetorit 1912 deri në marsin e vitit 1913. Në një
periudhë kohe më pak se pesë muaj ushtria dhe bandat çetnike serbe “egërsisht
dhe në mënyrën më antihumane që ka shfaqur ndonjëherë çizmja e pushtuesit, bëri
barbarizma që nuk kanë të përshkruar. Me qindra e mijëra burra të paarmatosur,
të therur, gra të përdhunuara, pleq të mbytur, me qindra gra të djegur dhe të
rrafshuar për tokë” Gjatë luftërave evropiane të shekullit të XVIII dhe XIX ,
nuk ka pasur asnjëherë synime për shfarosjen kolektive të ndonjë kombi. Në
rastin më të keq, një vend orvatej për të pushtuar një vend tjetër. Përpara
luftës serbe kundër shqiptarëve më 1912, askush nuk është përpjekur për të
zhdukur një popull të tërë. Në vitin 1912, kur mbi shqiptarët po ndodhte
katastrofa e madhe, Frojndlih kishte një parandjenjë se sundimi serb kundër
ekzistencës së një kombi të tërë, kishte përmasat e një sinjali historik. Ai
ishte i vetëdijshëm se ky kthim i papritur kundër qytetërimit dhe shpirtit
human, siç kishte nisur Serbia nuk do të venitej aspak në të ardhmen, në qoftë
se bota nuk do të ndëshkonte popull në mënyrë të menjëhershme.
Freundlih përshkruan masakrimin e shqiptarëve
Mënyra sesi ushtria serbe, veproi më 1912-1913
ndaj shqiptarëve gjatë luftës ballkanike, përbën edhe rastin e parë të një
zhdukje masive të një populli nga një popull tjetër. Megjithëse Mbretëria Serbe
u njoftua se Komisioni Ndërkombëtar i kufijve, menjëherë sapo situata të
qetësohej do të niste punë për përcaktimin e kufijve, ushtria e këtij shteti
nuk i njohu paralajmërimet e fuqive të mëdha dhe vazhdoi pushtimin e territoreve
jo serbe. Më 22 tetor të vitit 1912, këmbësoria serbe pushtoi qytetin e
Prishtinës në Kosovë. Më pas ajo vazhdoi sulmin në dy drejtime. Nga krahu i
Shkupit dhe tjetri nga Prizreni për tu futur në drejtim të luginës së Drinit të
Zi. Pas një muaji, më 20 nëntor 1912 serbët pushtuan edhe gati gjithë
Shqipërinë e veriut dhe më 29 nëntor 1912 pararoja e kësaj ushtrie u vendos
në Durrës. Lufta e serbëve kundër shqiptarëve, nuk kishte karakter pushtues,
por shumë më tepër. Ajo mori karakterin e spastrimit etnik, dhe synonte që
brenda një kohe të shkurtër ti tregonin Botës se shqiptarët qenë zhdukur nga
Ballkani. Pikërisht për këtë arsye ata i quanin shqiptarët turq dhe me këtë
justifikim ose i shpërngulnin ose i masakruan. Frojdlich i përshkruan masakrat e
serbëve në vjeshtën e vitit 1912 – pranverën e ’13 në trojet shqiptare, Kosovë,
Maqedoni kështu: “Me qindra e mijëra kufoma të masakruara notonin në rrjedhat e
lumenjve. Ata që mundin ti shpëtonin sëmundjeve, urisë, plumbave të pushkëve të
këmbësorisë dhe gjyleve të artilerisë serbe, grumbulloheshin në vende të
caktuara dhe u jepej nga një plumb kokës. Më zi e pësonin ato që fshiheshin në
shtëpitë e tyre. Pas kontrolleve të imta që bëheshin për plaçkitje dhe florinj,
gjendeshin lehtë dhe thereshin si berrat. Torturat më të mëdha i pësonin gratë shqiptare,
të cilët përdhunoheshin, lidheshin më pas, bëheshin kapicë, mbuloheshin me
kashtë dhe digjeshin të gjalla. Në rast se ata ishin shtazanë, ju çahej barku
me bajonetë dhe pasi u nxirrej fëmija nga barku vendosi në majë të bajonetës
apo të hunjve. Pas masakrimit serbët pinin vere, këndonin dhe hidhnin valle.
Kishte raste që ata gjatë therjes mblidhnin gjakun në kupa dhe e hapnin gostinë
me të”.
Pas krimeve, Edit Durham nis e urren serbët
Gjatë kohës që në Shqipërinë etnike, shqiptarët
masakroheshin në shtëpitë e tyre, anglezja Mery Edit Durham, punonte për
“Macedonia Relief Organisacion”. Kur shkeli për herë të parë në Ballkan,
historiania dhe antropologia angleze ishte admiruese e popullit serb, si shumë
njerëz të tjerë në perëndim. Por siç vëren anëtari i Parlamentit Anglez Aubrey
Hernert “ishte vetëm mizoria e serbëve që e ktheu dashurinë e saj në përbuzje”.
Pas masakrave të njëpasnjëshme, ajo vendosi të dalë hapur kundër
serbo-malazezëve: ” E mbështolla medaljen e florinjtë që ma kishte dhënë Krajl
Nikolla duke e bërë të qartë se Nuk mund të pranoja një medalje nga ata që
kishin miqësi me Abdul Hamidin dhe merrnin dekoratat dhe paret e tij. Unë e kam
kuptuar, i shkruan Durham krajlit Malazez se pasuesit e tu, janë shumë më
mizorë sesa turqit, dhe unë nuk mund ta mbaj më për asnjë çast dekoratat e
përlyer me gjak të pafajshmish”. Vendimin e saj ajo ai komunikoi shtypit anglez
dhe austriak. Meqenëse nuk kishte mundësi për të takuar Mbretin ser Petër, ajo
i tha shtypit anglez se do të ruante rastin e përshtatshëm për tia kthyer urdhrin e “Shën Savës” që në takimin e parë.
Të dhëna mbi shqiptarët, para masakrave serbe
Ami Bue, botanist, gjeograf dhe gjeolog
Francez, i lindur në qytetin Hamburg të Gjermanisë në fillim të Shekullit të
XIX, gjatë viteve 1836 –37 ndërmori një udhëtim në Ballkan, i cili në atë kohë
i përkiste Perandorisë së madhe Turke. Pas kthimit në Gjermani më 1840, Bue
përmblodhi në katër volume, secili me nga 400 faqe të mëdha, përshtypjet e tija
të udhëtimit në Evropën Juglindore. Saktësia shkencore e tij, pati një vlerësim
të jashtëzakonshëm edhe nga vetë serbët . Akademiku Aleksandër Beliç shkroi se
“Librat e Bue-së janë një enciklopedi e vërtetë, e cilat nuk mund të krahasohen
nga saktësia me asnjë botim tjetër të këtij lloji”. Sipas shkencëtarit, Serbia
në gjysmën e parë të shekullit të XIX ka pasur më pak se 900 mijë banorë, kurse
Shqipëria mbi 1 milionë e 600 mijë banorë. Në analizat e tij gjeografike
Shqipëria etnikisht e pastër ka ka qenë një hapësirë me rreth 180 mijë kilometra
katrorë. Në gadishull- gjithmonë sipas tij – kishte shumë më tepër Shqiptarë
sesa Grekë dhe së paku dy herë më shumë shqiptarë sesa Serbë.
Kronologjia e krimeve serbe ndaj shqiptarëve
Pranverë 1912 : Rreth 6 mijë familje shqiptare shpërngulen me forcë nga zona e Nishit në drejtim të Turqisë. Po në këtë kohë
nisin masakrat e malazezëve në krahinat shqiptare të Hotit e Grudës.
12 nëntor 1912: “Dejli Chronicle” shkruan se 2
mijë shqiptarë në krahinën shqiptare të Shkupit dhe 5 mijë në afërsi të
Prizrenit janë therur në mënyrë masive.
Dhetor 1912 – Gazeta pariziene “Humanite”
shkruan se në Drenicë dhe Palikurë u mbytën të gjithë banorët. Në këtë vend
është zbuluar një vargan varresh masive, një pjesë e të cilëve si gurë varri
kanë kafka njerëzish. Në fund janë varret e atyre që janë djegur të gjallë.
Gjatë masakrave 31 fshtata dhe qytete shfarosen krejtësisht.
1913 : Masakrohen 300 shqiptarë në krahinën e
Lumës. Gazeta gjermane FRANGFURTER ZEITUNG shkruan se fëmijët u dogjën në
kashtë në sy të prindërve, dhe më pas u masakruan prindërit me batare pushkësh
dhe bajoneta
Pranverë 1945- vriten 40 mijë shqiptarë në
krahinë e Kosovës, me pretekstin serb ishin antikomunistë dhe të shitur në perëndim.
1930 – përfundon asimilimi me forcë i gjithë
shqiptarëve të Sanxhakut
1949-50- Largohen forcërisht nga zonat kufitare Kosovë Lindore serbi rreth 300 mijë shqiptarë, pas një marrëveshje
turko-jugosllave.
1989- Helmohen në sholla fillore nga ushtria
serbe mbi 6000 fëmijë të vegjël shqiptarë.
Mars 1998, masakrohen 32 banorë të fshatit
Raçak në Kosovë
Mars – Qershor 1999, gjatë luftës në Kosovë,
përzihen nga shtëpitë e tyre 1 milionë shqiptarë dhe vriten mbi 12 mijë gra,
burra, fëmijë dhe pleq.
2000 -Kosova Lindore ( Preshevë, Medvegjë –
Bujan), vazhdon të mbetet e pushtuar prej Serbisë, nën shtetrrethim. Mbi 300
shqiptare janë vrarë nga vera e vitit 1999 deri në verën e vitit 2000 në këtë
krahinë.