🟪 KATRINA TRABOINI SKANJETI
VAJZA E MOTRES TONE
Nga KOLEC TRABOINI
Shumëkush flet për Motrën Tone/ Xhokonda Shqiptare/ por pak dinë
se ajo nuk ishte veç një imazh artistik por edhe një person real me jetën e
saj, madje tragjike. Më shumë flitet për bojërat në telajo se sa për njeriun e
pasqyruar në të. Sjellim një fakt-dokument nga jeta e Tones, martesën me Andrea
Skanjetin, mësuesin italian që kishte ardhur nga Italia në Korfuz i ri e më
vonë ish vendosur në Shkodër. Të njëjtën rrugë kishte bërë vite më parë edhe
shqiptari i Greqisë Arsen Idromeno, që dhe ai u martua në Shkodër me një
shkodrane, Roza Saraçin,e që i lindën dy fëmijë, Kola dhe Tonia, ose më saktë
në regjistrat kishtarë, kjo e fundit e shënuar me emrin Antonia Arsen Skanjeti.
Këto dy familje Idromeno-Skanjeti u lidhen me një krushqi fatlume por edhe me
elementë tragjike se Motra Tone do të vdiste e re, duke lënë jetimë gjashtë
fëmijë të vegjël, ndër këta pesë vajza. Martesa e Antonia Idromeno me Andrea
Skanjetin (i vjetri) u bë në Shkodër në Katedralen e Kishës Katolike (Kisha e
Madhe) më 14 maj 1877. Kemi shumë të dhëna për këto dy familje por edhe për të
tjerat lidhur me to, të cilat do të përpiqemi ti paraqesim në vazhdimësi.
DADA IME KATRINË - VAJZA E MOTRES TONE
Dada ime Katrinë, italiane ne atësi, në dije e në kulturë,
shqiptare në karakter, që më mbulonte kur më zinte gjumi, që ma hiqte lehtë
librin nga dora, që bënte kujdes të vinte një shenjë në faqen që kisha lënë
përgjysmë, ishte e bija e Motrës Tone, mbesa e Kolë Idromenos dhe gruaja e tim ati.
Që kur kam lindur u lidha me Dadën Katrinë si ajo lule dorëzoja që ngjitej
nëpër muret e avllitë e oborreve shkodrane, po edhe ajo i kish derdhur të
gjitha dashuritë e zemrës së saj. E kjo dashuri kish nisur që kur me vuri emrin e dajës së vet Kolë
Idromeno.
Nuk isha më shumë se dhjetë vjeç, kur Dada Katrinë më tha që të
shkoja në Fushë-Çelë (qendra e Shkodrës), që të shihja një fotografi ku bashkë
me Ded Gjo Lulin e hotjanët e tjerë, ishte edhe Palok Traboini.
Që nga ajo ditë, kërkimi për babanë do të ishte pasioni dhe
ankthi im. Kurrë nuk do të reshtnin. Sepse shumë gjana ishin shkatërruar e
humbur në shtëpinë tonë të vjetër, e cila pothuajse ishte kthyer në gërmadhë.
Edhe reliket familjare ishin zhdukur.
Dada Katrinë, ajo plakë e dashur dhe fetare (tezja e Monsinjor
Ernest Çobës i vdekur në burgjet e diktaturës), me vel te zi mëndafshi, se
mbante jazin e burrit, që shkonte e para
në orët e mëngjesit në Kishën e Madhe; ishte një histori e gjallë, qoftë me
jetën e saj, qoftë me çka dinte e tregonte. Më tregonte për kandilat e mëdhenj
në të cilët kishte mbajtur të fshehur flamurin kombëtar, të Skënderbeut çfarë
në kohën e pushtimin turk përbente rrezik me kokë. Më tregonte për fatin e saj
zi të vdekjes së djalit, vëllait tim, Tomës shtatëvjeçar, të cilit kur ishte
ende ferishte ja kishte prerë flokët si kumbarë Dedë Gjo Luli. Si sot më vjen
ndërmend ai çast kur më vuri në dorë një dorëshkrim, që shënonte vitin 1911.
Tha se ishte poema historike «Lufta e Maleve» - e Palok Traboinit, të cilën do
ta çonte në Tiranë me poetin e asaj kohe Mark Gurakuqi, që ta botonin. Nuk e di
çfarë u bë me atë dorëshkrim me kaligrafi të përsosur, të cilin Dada Katrinë e
ruante me aq kujdes, mbledhur me një fjongo. E vendoste në mes të çarçafëve të
punuar në avlëmend, që i ruante për vdekjen e vet, siç bënin të gjitha plakat e
mira e ta urta shkodrane. At dorëshkrim, i mbetur edhe ai pezull në kujtesën
time, e kërkoj edhe sot por janë fare të vogla shpresat se mund të gjendet. Aq
më shumë që me vdekjen e Dadës Katrinë, humbën të gjitha reliket familjare. Por
ruaj në kujtesë gjithçka që ajo më tregonte me aq butësi e mirësi ndërsa rregullonte
velin e zi, ruaj në kujtese atë fytyrë të dashur me zemër të madhe qe kishte
pare shumë travajë në jetë.
Mbaj mend një herë kur erdhi në shtëpi pasi kishte qenë tek shtëpia
e motrës së vet Orsolina, nxori nga borseti disa kartmonedha e me tha: “Më dhanë
disa pare se kanë shit portretin e Nanës Tone”. Ajo më kishte folur shumë herë
për nënën e vet, portretin e të cilës e kisha parë tek shtëpia e Orsolina Çobës
në Gjuhadol, që ka qenë shtëpia e Kol Idromenos, por ja kishte lënë mbesës së
vet sepse nuk kishte trashëgimtar. Dada Katrinë nuk e ruante në kujtesë nënën e
vet sepse kishte qenë ferishte kur mbeti jetime. Shpesh herë më merrte me vete dhe
shkonim te shtëpia e dajës se saj Kol Idromeno, të cilën unë e ruaj në kujtesë nga
fëminia. Një shtëpi me pak oborr përpara dhe me shkallë druri e me çardak. Kishte
dhe një dhomë që e quanin dhoma e xhamave, ishte me ndriçim natyral. Ndoshta
quhej dhoma e xhamave për shkakun se jo vetëm ishte me xhamllëk por se aty ende
ruheshin kutitë e xhamave fotografike. Deri atë kohë unë nuk e dija se çfarë ishin
xhamat fotografike sepse nuk i kisha parë kurrë. Por një ditë, kur po kthehesha
nga shkolla vura re se në Gjuhadol, aty ku niste rrugica e shtëpisë së Orsolina
Çobës, ishin një tufë xhamash të zinj e të thyer. U bëra kureshtar se kurrë nuk
kisha parë xhama të zinj e aq më tepër të hollë si të ishin llamba elektrike të
thyera. Mora një copë që ishte pak më e madhe nga të tjerat dhe vura re se
dukesh një fytyrë e zezë.
Kur shkova në shtëpi, Dada Katrinë me vuri për të ngrenë, por kur
pa duart e mia të pista më tha të lahesha dhe me pyeti se çfarë kisha prekur.
Mu kujtua dhe nxora nga çanta xhamin e zi. Me pyeti sërish se ku e kisha gjetur.
Në Gjuhadol, te rrugica e Orsolinës. Kishte plot xhama atje, i kishin hedhur në
rrugë, i thashë Dadës Katrinë. Paskan thyer xhamat e dajës Kolë, me tha. Vura
re se fytyra e saj u vërejt dhe u pikëllua. Por nuk foli.
Tepër vonë, kur do të rritesha, do ta kuptoja çfarë ishin xhamat
e zinj dhe çfarë shprehte pikëllimi në fytyrën e Dadës Katrinë. Dhe për më tepër
çfarë pasurie e madhe humbiste kultura shqiptare me shkatërrimin e arkivit fotografik
të Kol Idromenos.
Kur u sëmur, isha në shkollën pedagogjike dy vjeçare “Ndrec Ndue
Gjoka”, në Tiranë. Në atë shkollë, mbaj mend se kishte qenë nxënës edhe një
tjetër i hot si unë, Ndoc Kol Martini.
Shkova në shkollë pedagogjike vetëm për hatrin e Dadës. Duhej të
bëhesha mësues si baba im e si baba i saj Andrea Skanjeti, i vjetri. Nuk hoqi
dorë kurrë prej kësaj ëndrre e deri në fund më thoshte “Kur të mbarosh shkollën
e të emnohesh mësues si baba jot e si baba jem, do të vij me ty në Malci, e aty
do të jetojmë bashkë me malësoret e vocërr, që ti do tu mësosh shkrim e këndim!”.
Po kjo shpresë mbylli sytë bashkë me njeriun, amanetin nuk ja
mbajta dot, nuk u bëra kurrë mësues, por veç e di, po të jetonte ende Dada
Katrinë, nuk do të më linte lehtë të hiqja dorë nga mësuesia.
Pas një operacioni diletant në spitalin e Shkodrës, kirurgu,
(emrin e të cilit nuk dua ta përmend sepse nuk jeton më dhe... ka një emër me
publicitet politik), që ja kish lënë
operacionin studentëve, e pa se ishte një diagnozë e ndërhyrje e gabuar e
fatale. E bënë për të dytën herë, e ajo nuk duroi se ishte e vjetër, e nisi të shuhej ngadalë.
I thanë që duhej të më lajmëronin mua në Tiranë, por ajo u la
amanet: “Kurrsesi! Djali është në kohë provimesh (ishte fillimi i
qershorit)...do të dali mësues. Edhe po të vdes, mos i thoni. Kur të vijë në
Shkodër, mos harroni të ma sillni në Rrmaj te vorri, ta shoh, se ka shumë mall
Dada për djalin!”.
Mbylli sytë, ata sy të bukur e inteligjentë që kurrë më në këtë
botë nuk do ti shoh. Mua shtua edhe një brenge në kërkim. Kur në vitin 1982 në
Fototekën “Marubi” gjeta fotografinë e saj,
në rini, bashkë me tim atë, nga thellësia e shpirtit thashë: “Dadë,
kërkova veç njërin e ju gjeta të dyve, e, për besë,... tashmë kurrë nuk do t’ju
humbas!“.
Dhe them, se nuk i humba, as Atin, as Daden Katrinë.
Kur erdha në Shkodër e kishin varrosur. Trokita në derën e
trashëgimtareve të Jakë Zorbës dhe të Tezes Lenë, motrës së Dadës Katrinë sepse
aty kishte kaluar ditët e fundit të jetës. Shtëpia ndodhej diku pranë vilës së
Doktor Prelës dhe Kishës së Fretenve, por vajzat e Tezes Lenë, së kështu e thërrisja
kur ishte gjallë, më thanë se nuk kishin asgjë. Po ndonjë fotografi, u thashë,
ndonjë letër a ka lënë, ndonjë relike familjare a diç tjetër. Kurrgjë më thanë,
kurrgjë! Ma prenë shkurt, nuk kish farë kuptimi ndenja, aq më tepër, krejt kot
po përpiqesha ta fshihja një pikë loti prej 16 vjeçari, që më tradhtonte.
Ndërkohë në atë dhomë pritje, ku u ula për disa çaste, vura re
një burrë të panjohur, që nisi të fliste ca fjalë si nëpër dhëmbë. Është burri
im, më të cilin jam martuar kohët e fundit, më tha vajza e Tezes Lenë. E urova.
Ma ktheu se, se i shoqi me të cilin kishte pak kohë që ishte martuar kishte qenë
në burg politik e, sapo kishte dalë.
Ika me duar zbrazur nga shtëpia Zorba, nga ajo shtëpi, që tashmë
e di gjithkush, se aty përditë meditohej poezi nga poeti Zef (Bep) Zorba, i
biri i Tezes Lenë, nip i Dadës time Katrinë,
të cilin e kam takuar veç një herë, në vitet kur të dy punonim në
Kombinatin e Drurit në Shkodër...
Me vdekjen e Dadës Katrinë ndjehesha dy herë i humbur. Se me
Dadën kishin ikur të gjitha ato detaje e mikrosende me të cilat mund të
lidhesha në mungesë të njeriut, pra si të thuash ishte shuar dhe shpresa e
fundit në atë kërkim që ajo ma kishte nxitur...
Por në këtë botë, njeriu nuk mund të jetë pafundësisht pa fat e
pa shpresë... Ky fat kish qëndruar diku përskaj, duhej vetëm të trokisja në një
portë, në portën e intelektualit shkodran Andrea Skanjeti, nipi i Dadës
Katrinë, regjisor e dramaturg i njohur
që mbante emrin e gjyshit të vet, mësuesit të tim ati dhe babait të Dadës
Katrinë, i cili, për lumturinë time veterani i teatrit shkodran, më tha se
ruante një kopje të daktilografuar të poemës «Lufta e Maleve», këngën e parë të
së cilës e kishte botuar në almanakun «Shkodra 1962». Kështu poema e humbur e
tim ati, shkruar në vitin 1911 në Prizren, u gjend më së fundi në dorën time në
saj të intelektualit të mirënjohur shkodran Andrea Zef Skanjeti, kujtimi i të
cilit meriton çdo mirënjohje.
Ai ishte nip i Dadës sime Katrinë, djali i vëllait të saj Zef
Skanjeti, kësisoj gjithçka në jetën time, që kur më pagëzoi e me vuri emrin e
dajës së vet Kol Idromeno, është e lidhur me atë mrekulli që unë që kur kam
lindur e kam thirrur Dadë.