25 June 2019

🟢 Gegnishtja si frymë - nga K. P. Traboini


GEGNISHTJA SI FRYMË

Nga K.P. TRABOINI

Me duket se në forumin mediatik “Pro Gegnishtes” ka ra diskutimi në nivele që nuk paraqesin asnjë lloj interesi gjuhësor e problematik.  Nuk shohim të na përcillen shkrime e debate nga ata që konsiderohen proemiment të mbrojtjes së Gegnishtes e mos-hupjes së saj. Nuk shohim të na përcillen copa letrare nga shkrimtaret e poetet gegë. Mendoj se ky sit, kjo lidhje a forum bashkëbisedimi, duhej të kishte mendime për Gegnishten, mendime të brezave të nxjerra nga arkivat e referenca por edhe mendime të atyre që sot shkruajnë dhe ndodhen para dilemash gjuhësore. Sepse ka mendime të ndryshme se si do gjendet një zgjidhje për të mos hup vlerat e mëdha që ka gegnishtja e kultivueme, e cila meritueshëm ka mbërrit deri ne nivele ma të nalta letrare. Kena jo pak  por kolosë të letërsisë, një Mjedë, një Fishtë, një Koliq, një Migjen, një Camaj, për të mos përmend autorë të tjerë kombëtarë të trungut të gegnishtes.
A duhet mendue Gegnishtja një formë letrare e mëvetësishme dhe krejt e çkapun prej dialekteve e formave të tjera, apo një bashkëveprim me tosknishten duke gjetun normat dhe frymën e përbashkët? A ma mirë e ma i fuqishëm asht një Dri që ndahet në dy degë apo një Dri, ku bashkohen dy degë e bahet një lumë ma i madh.
Nëse nji nanë e ka le një fëmi me njollë a deformim në fytyrë, si mendojnë se duhet t’i thuhet nanës, na tash po e vrasim këtë fëmi dhe ti lind tjetër, apo, me një operacion plastik mjeksia e Hipokratit bën mrekullinë  e vet e jeta vazhdon. Ne duam jetë. Jo shkatërrim.
Si mund të ecim në historinë e kombeve  duke u shkapërnda. Prandaj duhet të kthjellojmë mendjen e qëllimin tonë; cila është zgjidhja ma e dobishme për Gjuhën Shqipe të njësueme. Sepse Njësimit nuk kemi kah i ikim. E kjo nuk ka të bajë me standartin e ngurtë e të ngrim, sepse një gjuhe e ngrime është heret a vonë një gjuhë e vdekun.
Po le të kthehemi tek forumi mediatik "Pro Gegnishtes" ku ka mbi 7 mijë anëtarë. Pse aty shfaqen shkrime që nuk kanë asnjë lidhje me problemet gjuhësore, ta zamë se çfarë paska thanë Jozefina Topalli se "demokratët e vërtetë nuk djegin shkolla". Nuk dua të polemizoj me askend, por dua të them se nuk është vendi këtu për politizime e referime të atyre që bëjnë karrierë e për kolltuk e mirakande përleshën politikisht edhe në mes vedit. Këtu përkundra duhet të kishim letërsi të autorëve gegë duke filluar që nga Kristoforidhi tek Anton Xanoni e të tjerë, sepse Gegnishtja nuk flitet e shkruhet veç në Shkodër, por çfarë përfshin Shkumbini dhe përpjetë e deri në Kosovë.
 Do të duheshin të shfaqeshin këtu poezi e proza të autorëve gegë nga tradita e deri në kohët ma të vonshme, si dhe krijime të shkrimtarëve të sotëm me origjinë gegë, që e kanë gegnishten gjuhë të vendlindjes.
Por gjithashtu mendoj se nuk duhen të përjashtojmë, siç sugjerohet e thuhet në forum, autorët gegë që përdorin një sistem të tillë shkrimi ku gegnishtja e tosknishtja gjenden pranë e pranë, sepse veçimi ban ma shumë dam se dobi. Unë kam shkru shumë përsiatje për problemin e Gegnishtes, kam përdor, veçmas në krijimtarinë time poetike, të folme të veriut e të jugut pa dallim. Sepse gjuha është si ari, që nuk kemi luksin ta hedhim.
Por ve re se ka shumë që na shfaqen ma të fortit radikalë me fjalë por me vepra nuk gjenden kurrkund. Kam kenë e mbetem me mendimin se Gegnishtja para se me fjalë është mendim dhe frymë. Kur ne në dialektale apo në të ashtuquajtun “standart” përdorim fjalë të huaja si turqishte, serbishte e italishte, pse qenka krim me përdor fjalë e shprehje të tosknishtes nga autorët me prejardhje gegë apo dhe e kundërta. Veç në gjuhë, kulture e dije nuk ka pse kërkohen tradhtarë. Madje edhe kur shkruan në gjuhë të huaj nuk mund t’ia marrësh për të madhe tjetrit.
A e kena lexue vjershën e Ndre Mjedës, poetit mjeshtëror, me një dimension aq të madh që lexohet nga të gjithë ne trojet shqiptare, një poet Gegë që lexohet e kuptohet, madje mësohet përmendësh aq mrekullisht nga lexuesit e Tosknisë. Mjeda kish gjetun çelsin e artë të fjalës poetike dhe të ndjesive të zemrës të çdo shqiptari,  të cilën e shpreh edhe në poezinë  "Gjuha shqipe": “Geg e Toskë, malci jallia janë nji komb mu nda s’duron, fund e maj nji asht Shqipnia e nji gjuhë gjith na bashkon”.
Qe pra, poeti na ka dhanë nji rrfanë e na ka ndez një dritë me na ndihmue për me e gjet shtegun e mundësinë e bashkimit e jo të moskuptimit e ndamjes.

Nga blogu Traboini- ese