QORROLLEPSJA POLITIKE E GRUPASHËVE SHQIPTARO-AMERIKANË
Nga KOLEC P. TRABOINI
Qorrollepsja
politike e disa shqiptarëve të Amerikës, do karrieristëve që duan emër e lavdi
por edhe përfitime, është histori e gjatë. Që nga korriku i vitit 1995 kur jam
vendosur në Amerikë e ku kam 20 vjet qytetar amerikan, këtë këngë kukuvajkash
politike servile kam dëgjuar. Zhgërryhen burrat e pilafit oriental të
komunitetit për politikën brenda e jashtë amerikane. Zhargiten edhe me gazeta,
u frynë dikur si gjela deti për Barac Obama-n, u kulmuan deri në orgazëm kundër
kandidatëve për presidentë, John McCain (ndjesë pastë ai amerikan i madh e
dashamirës i shquar i shqiptarëve), më pas edhe kundër Mit Romney, por u mbars
mali e polli një mi. Në një vështrim të pa anshëm, asgjë për tu ruajtur në
kujtesë historike në tetë vjetët e Presidentit Obama. Tregu amerikan në
vazhdimësi u mbush me produkte kineze. Tërë
industria e lehtë por edhe ajo elektronike amerikane doli jashtë
funksionit. U transferua në Kinë dhe në rajone të tjera, madje deri në Vietnam.
Ndërkohë u shpif ISIS, shteti kalifat i terroristëve. Udhëheqësia në dëlir.
Paradat e modës së Michelle Obames zinin kryevendin e lajmeve. Arriti sa në një
libër për 4 gratë më të shquara të botës, sorrosistët që ende manipulojnë
mediat e botimet, kishin vënë në krye, sipër Nënë Terezës, vetë Michellen. Me
tu neverit ky servilizëm i pa principtë që nuk njeh kufi në hierarkinë e
vlerave.Por
ndodhi që amerikanët u lodhën me këtë demagogji të madhe e me punë të vogla. Katër vjet më parë kërkuan një
udhëheqësi të re dhe një mënyrë të re të drejtimit të punëve në Shtëpinë e
Bardhë. Kasta politike parazite, të cilës ju prishën llogaritë me ardhjen e
Presidentit Trump, duan sërish privilegjet që humbën, të përdorin paratë e
amerikanëve, kinse me ca programe “shoqëri e hapur”, nëpërmjet të cilave të
kapin qarqet politike dhe krerët e shteteve nëpër botë. Ti manipulojnë ata,
duke shkatërruar identitetin e popujve në emër të kinse globalizmit. Kudo në
botë, si një epidemi sorrosiste, kanë dalë ca kinse majtistë, por spekulatorë,
demagogë dhe hajdutë të sprovuar. Këta janë parazitët e përhershëm të shteteve
e qeverive, janë viruset politike të korrupsionit. Administrata e Presidentit
Trump nuk u la shteg për rigjallërim, madje as frymëmarrje në qeverisje e
buxhet. U arrit deri atje sa ai tha se as rrogën e Presidentit nuk do ta merrte,
kur paraardhësi i tij në detyrë Obama, i zellshëm e i etshëm për para, u bë
çuditërisht presidenti më i paguar në historinë e Amerikës.Erdhën
zgjedhjet e reja. Amerika nën tysninë e një pandemie vrastare, Covid-19, që
futi në kolaps ekonomik mbarë botën. Vdekjet janë të shumta, lufta për jetët
njerëzore është e jashtëzakonshme, por edhe për jetën social-ekonomike
gjithashtu.Pikërisht tani në këto ditë të përzishme e gjetën rastin të
rishfaqen në skenë këta kinse politikanë tanë të Diasporës, të cilët mjerueshëm
pretendojnë të dalin në emër të komunitetit shqiptar, ta uzurpojnë atë, në
stilin e sorrosistëve, duke u bërë thirrje shqiptaro-amerikaneve të votojnë
kundër Trump dhe pro Biden me Kamala Harris. Po pse u intereson këtyre
demagogeve të komunitetit tonë shqiptaro-amerikan kjo dalje publike dhe
pozicionim i hapur i shqiptarëve të Amerikës në njërin krah të politikës
amerikane? Sigurisht llogarisin përfitimin e vet e jo të shqiptarëve kudo ku
ndodhen. Dikur,
në vitet e mia të para në Amerikë botoja e shpërndaja në komunitetin shqiptar
një periodik me titull të dubluar, shqip
“Lajmëtari i Bostonit” dhe
anglisht “Albanian of Boston”, me qëllime informimi brenda komunitar, por edhe
për çfarë ndodhte asokohe në Shqipëri e Kosovë, 1996-1999. Gjithmonë nëpër
shkrime bëja kujdes të shtuar në lidhje me prononcimet për krahët e politikës
në Amerikë. Asnjëherë anësi. Asnjëherë thirrje për veçanësi politike. Kam qenë
e mbetem me mendimin që si komunitet shqiptar asnjëherë nuk duhet të dalim në
en-bloc politik, madje për këtë kam bërë dhe polemika kundërshtuese me gazetat
shqiptare që dilnin në New York dhe bënin lojën e krahëve të politikës jo vetëm
në Amerikë, por edhe yshtje në aspekte të politikave konfliktuale në Shqipëri.
Secili ka dhe shpreh mendimin e vet, sjell argumentet e veta personale, pa
pasur nevojë për lista, grupime, tubime bolshevike, se kjo mënyrë më kujtonte
gjithherë tubimet komuniste, apo të mitingjet e turmave amorfe në post
diktaturë, kur populli manipulohej nga demagogë të rafinuar që e çuan
Shqipërinë në katastrofë e në prag të luftës civile.Dalja
grup me thirrje, me buçima, të sjellin dhimbjen e kokës. Sjellin konflikte e
pështjellime sociale. Këto karrshillëqe politike shqiptarësh në Amerikë nuk
shkojnë larg. Janë arkaike e mediokre. Nuk sjellin asnjë përfitim si komunitet.
Mua më vjen keq që gazeta “Illyria” e cila ka mision tjetër e jo politikën e
Amerikës, si dhe për profesorin 90 e sa vjeçarin shkodran Sami Repishti (por jo
për Ilir Zherkën, që është ushtar politik i ngulitur interesash), që hyjnë në
kësisoj qorrsokakësh politike. Aq më keq
që u bëjnë jehonë thirrjeve të grupazheve mendje cekëta, të cilat me
llapashitjen e tyre monotone në cirkun e
politikës, i sjellin dëme të pallogaritshme komunitetit
shqiptaro-amerikan, por edhe Shqipërisë e Kosovës. Është koha të heqin dorë nga
manipulimi i shqiptarëve e ti mbajnë ata sa më larg përdredhësive të veta
politike.
16 gusht 2020