04 September 2020

Krimi nuk ka kombësi - nga K.P. Traboini

KRIMI NUK KA KOMBËSI

- Një vrasës nuk mund të fshihet pas emrin shqiptar dhe akti i tij nuk mund të konsiderohet si tipar dallues i një kombi; në fjalë të fundit nuk vrasin shqiptarët, vrasin kriminelët pa indentitet. -

Më bëjnë përshtypje analizat e Dom Gjergjit me të cilin pëlqej të hyjë në një dialog konstruktiv mirëkuptues, por ndonjëherë edhe në kundërshti, sepse njerëzit kanë botkuptime e vështrime të ndryshme ani pse mund të jenë në të njëjtën hulli.
Një bari i grigjes njerëzore në fushë të besimit, jo vetëm konstaton të zezat që ka në shpirt njeriu, por kryekreje predikon për të ndriçuar shtegun për njeriun që e ka humbur rrugën e dritës, pa ba etiketime racash, popujsh apo kombësish. Feja i tejkalon këto nocione. 

Nuk duhet thënë, mendoj unë ndoshta gabueshëm, në mënyrë të përgjithshme shqiptari për një referim tipizimi negativ. Një Prift nuk është gazetar investigativ. Nuk mund të tipizojë të keqen si ves në indentitet kombëtar, por duhet thënë "Njeriu". E dimë ku e kemi plagën se na dhëmb, por kemi nevojë për një dorë shelbuese për tu shëruar. Universaliteti i ideve dhe predikimi i së mirës për shërimin e shpirtrave është karakteristikë dominuese e besimin kristian. 

Të mos e tipizojmë e të indentifikojme të keqen individuale me tiparet kombëtare. Jo të themi shqiptari vret për një vije uji. Ai qe vret për një vijë uji nuk është shqiptar, se kur vret ai nuk pyet më as për komb e as për popull e nuk përfaqëson asgjë veç djallit që e ka ushqyer në krim vëllavrasës. Kaini nuk ka qenë shqiptar, as italian, as gjerman, as grek e as francez po ka qenë një njeri- një vëllavrases, një mallkim. Krimi i tij mban vetëm emrin e tij. 

E keqja kurrë nuk mund të përfaqesojë të mirën e as të fshihet pas saj. Të indentifikosh të keqen si tipar themelor i një kombi është, do të thosha, po aq mëkat sa të vrasësh një njeri.
Të flasim siç mendojmë e me zemër të hapur gjithnjë me dëshirë e shpresë për mirëkuptim.

  K. P. Traboini
4 shtator 2020