30 May 2021

🟢 Ëndërrimet e 22 marsit 1992 - nga Kolec P. Traboini


🟢 ËNDËRRIMET E 22 MARSIT 1992

(Gazeta “Egnatia” mars 1995 f.5 & 11)

 

Nga KOLEC P. TRABOINI

 

Pranvera e vitit 1992 na ka gjetur me plot dëshira e plot ëndrra. Mbahen mend ditët entuziaste të marsit, kur edhe emigrantet, me mijëra, u shkulen për të shkuar në Atdhe se do të bëheshin votimet. Kishim gabuar në marsin e kaluar si popull, e nuk besonim dhe dëshironim që fatalisht të gabohej për herë të dytë. Është fjala për dy faktorë; e para heqja nga kurrizi të një barre gjysmë shekullore, dhe e dyta, për të çelur një rrugë plot dritë për Shqipërinë, që të hynim edhe ne në oborrin e ndaluar të familjes sonë europiane. Ato ishin ëndërrimet... Koha kalon. Trishtimi si një mjegull shekullore kurrsesi nuk do të largohet nga qielli i Shqipërisë, nga sytë e shqiptarëve, si popull, si komb. Ç' ka ndodhur në këto tre vjet që na trishton aq shumë, e nuk na le ta gëzojmë sa duhet faktorin e parë, i cili gjithsesi, është tejkaluar sepse jetojmë në një vend të lirë? Ndoshta është përplasja në mes të ëndrrave dhe pamundësive, dëshirave dhe realitetit, shpresave dhe zhgënjimeve. Mund të radhiten dhe raporte të tjera, por do të ndalojmë në këta të fundit që na shqetësojmë më shumë, e për të cilat mund të   thuhet se, ose ne gjithmonë kemi jetuar e do të jetojmë në botën e ëndërrimeve për shkak të imagjinatës sonë të ndezur, ose me ato që kanë ndodhur e po ndodhin në ekonomi, që kanë ndodhur e po ndodhin me moralin shoqëror e politik, me grindjet e vëllavrasjet për të mos shkuar me tej, me ato ç' kanë ndodhur e po ndodhin me çështjen kombëtare në trekëndëshin Tiranë-Prishtinë-Tetovë, të gjitha këto tregojnë jo vetëm paaftësinë për të zgjidhur punët tona, por edhe kokëfortësinë për të mos mësuar nga askush dhe, mëndjeshkurtësinë për të mos mësuar kurrgjë nga historia.

 

 Kush po e shet e kush po e blen ekonominë shqiptare?

 Kryepyetja duhet të jetë kush e shkatërroi  atë që me mundin e gjakun e popullit ishte krijuar, por meqenëse për këtë politikanët akuzojnë njëri-tjetrin për oratori, duhet ta anashkalojmë. Edhe pyetja e shtruar në titull mund të përballohet me një përgjigje të koncentruar: E shesin dhe blejnë parallinjtë. Se kush; punëtorët e papunë apo inxhinierët e pastrehë, ish të burgosurit apo pensionistët që mezi mbajnë frymën gjallë, funksionarët e lartë apo artistët e mbetur rrugëve pa shprese, ballistët apo legalistët që, megjithëse dolën të mundur nga lufta, ju doli për hair ajo punë, sepse u kthyen nga bota si bosë. Kush e blen pra Shqipërinë, ata që bënë pare të madhe me trafikun e drogës në Zvicër apo emigrantët që flinin deri vonë nën urën e Larisës apo në malin e Varit përball detit? Në sytë e kasapëve të ekonomisë kjo mund të duket një retorikë e mërzitshme e pa rëndësi, se në fund të fundit, në plan historik, të mirë a të këqij,  të ndershëm apo matrapazë, burra të urtë apo mëndje çartur, nëpunës korrekt apo të korruptuar  deri në palcë, të gjithë këta shqiptarë janë.  Prandaj edhe përgjigja e rrumbullakosur gjendet: Shqipërinë po e blejnë shqiptarët (ndërsa populli saktëson: kusarët). Por ndoshta edhe populli gabon!!!Dhe akoma më pak rëndësi ka një vend tepër të varfër si ky i yni, që gjëja e parë që bëjnë funksionarët kur vinë në pushtet është të korruptohen. Është krejt e natyrshme. Historia edhe me parë, por edhe tani, na ka treguar se sa më patriot shiten politikanët në rrugë, kafene e mitingje, aq më shumë i bëjnë hyzmet kolltukut. Pastaj, gjithsekush ka të drejtë të  quaj veten patriot duke rrahur gjoksin deri në rraskapitje. Politikanët natyrisht kanë një arsye më shumë. Nga ana tjetër duhet marrë në konsideratë se pushteti, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën e qytetëruar dhe paqytetëruar, është si ai kali gërmuq që pjell flori për të zotin.E pse ne  duhet të bëjmë ndryshe nga të tjerët?   Prandaj dhe pyetja që shtron gazeta “Demokracia”, se, «ku shkuan 20 miliard dollarë, vlerë me të cilën në vitin 1994 u shitën 2500 ndërmarrje në Shqipëri, të deklaruara nga ish-zëvendëskryeministri Bashkim Kopliku?» na duket disi pa vend. Ose e thënë saktë gjysmake, se pyetja mund të bëhej: Ku i morën shqiptarët varfër 20 miliardët që ja dhanë Qeverisë? E sa për atë se ku shkuan, nuk ka rëndësi. Qeveria ka xhepa boll, edhe thesin e ka të shpuar, të pafund. Prandaj parat andej nga erdhën, andej shkuan. Si në motivin poetik  «Nga luftërat vijmë - në luftëra shkojmë!»,  por në këtë lojë parash, duku- zhduku, nuk ka asgjë poetike.Nga ana tjetër, kurrkush të mos ketë iluzionin se Shqipëria po shitet e ato para do ti ndajmë në mes të shqiptarëve vëllazërisht. Edhe staticienët e ekonomistët e së ardhmes të mos presin bilance, llogari  e hyrje-dalje financiare, sepse me një qeveri që krasitet e shartohet me ministra të rinj vazhdimisht, me funksionarë zyrash që  ndërrojnë sipas padronsisë politike e tarafit  të shefave në kabinet, kurrgjë e dokumentuar nuk mbetet. A nuk po vihet vërdallë si miza në qyp, me muaj e vite, për 1 milion e 500 mijë dollarë që kanë dalë nga Banka për në xhepat e Nikolla Arsidit.  Rrinë e merren me thërrimet e tryezës se Arsidit, që qenkan kthyer prap tek funksionarët tanë «bujarë» Hoti, Tartari, Saliu, Xhyheri dhe një tjetër. Te krij0het përshtypja se këto janë gjyqe spektaklesh televizive që televizioni ynë (Tele Blu) i ka   fort për hosh, se kështu realizon planet partiake e shtetiake të partisë mëmë. Edhe gjyqi i deputetit adoleshent, që hyri në    politikë si të hynte në valle, Arben Lika, të duket fare qesharak. I qenka bërë hataja ekonomisë shqiptare se s' paska paguar doganat Beni. Merru me merlucat kur peshkaqenët shqyejn rrjetat. Gjithkush e di se Ben Lika nuk është dopio gjashta, guri më i rëndë i dominosë së korrupsionit. Me siguri ndonjë bos i madh ka thënë që të hedhim me jek-e-jek në tavolinë për të mashtruar partnerët në lojë. Ndërkohë hidhet dritë e dyshime për cigaret, armët në Bosnjë, e kushedi sa të tjera që u përket e nesërmja. Nga ana tjetër, për zhvillimin mund të flasësh me gjuhën e shifrave sepse janë ngritur punishte pastash, floktore moderne grash e kozmetikë bukuria, kioska. Mund të flitet me shifra gjithashtu për 17-20 mijë makina të amortizuara, që po i hanë kokën njerëzve nëpër rrugët që janë për të qarë hallin, makina këto të sjella nga emigrantët, si dhe mijëra e mijëra thasë me plaçka të vjetra, që kanë kaluar në doganën e Kakavijës. Ndërkohë që “dallëndyshja e  parë e ekonomisë kapitaliste shqiptare” siç u tha me pompë në inaugurim, po siguron prodhim të bollshëm Koka-Kole. Kur dallëndyshja ka mbetur e trishtuar, pa qiell e  pa shoqe, njerëzve s' u mbetet veçse te pinë një Koka-Kole nën hije të manit dhe ti bien mandolinës për ti thurur këngë  ekonomisë që po vendnumëron. E megjithatë (o zot, si nëpër përralla) ajo na paska ritme më të larta zhvillimi se tërë Europa  Lindore, madje se Polonia e Çekia. Dhe propagandistët e rinj nuk e vrasin mendjen për të gjetur ndonjë shaka tjetër më pak të hidhur se sa kjo për ekonominë tonë.

 

Kriza e moralit politik e qytetar

 Padyshim që morali shoqëror është ai që ka pësuar persekutimin më të madh në epokën e demokracisë. Mund të shihet në shumë plane e mund të nxirren shkaqet e pashmangshmërisë së këtij fenomeni të shëmtuar. Sidoqoftë, e vërteta mbetet ajo që është: ish të persekutuarit stimulohen, ndërsa morali shoqëror persekutohet. Mund të na lehtësojë disi barrën e përgjegjësisë historike fakti se këto shëmtime i sjell tranzicioni, se janë pjellë e një pjelle të dikurshme, të kaluar (Edhe Hoxha akuzonte të kaluarën e hidhur zogiste), qelbëzime të plagëve të mbyllura me zor që në kushte të reja shpërthejnë si epidemi. Mund të shpjegohen si revoltë e instinkt çlirimi nga çdo gjë që e frenonte dhe e shtypte njeriun në monizëm e diktaturë, si dalje nga një moral bajat e hipokrit e nga një ideologji shterpë që përpiqej të kalçifikonte mendjen e njeriut. Ka edhe më për të justifikuar marrinë e shkatërrimit moral e që ata që  merren me sociologji e konsiderojnë si kriza e  moralit. Të ndodhur në një boshllëk shpirtëror, të ardhur prej diku ku e dimë çka ishte dhe duke rendur pas asaj që nuk e dimë çka do të jetë, çdo marri e çdo shpërfytyrim i cilësive të njeriut gjen shkaqe, gjen motive gjen justifikime. Kështu tragjedia e Pukës (para 22 Marsit) kishte në thelb marrinë e njerëzve, që ishte marria e marrisë se një kryeministri, z. Ylli Bufi, që mesa dimë rri i qetë në shtëpinë e vet pa i dhënë llogari as gjyqit publik, por edhe as ndërgjegjes së vet, megjithëse në me natë të hidhur kombëtare u dogjën të gjallë rreth 70 shpirtra njerëzorë. Klithmat e tyre Ylli Bufin duhet ta ndjekin edhe në varr, e megjithatë, meqenëse jetojmë në një epokë kur përgjegjësinë për ndërgjegjen e moralin tonë ja lëmë gjysmën të kaluarës e gjysmën tranzicionit, mund të shpëtojmë lehtësisht edhe nga gjyqësia, por edhe nga vetëgjyqësia. Harakiri për skandale në këtë epoke nuk mund të ketë e as mund të mendohen. Këtu nuk është fjala për të hyrë në labirintet e shpirtit të njeriut, por për at që ka duk në mjedisin shoqëror, në pushtet, në politikë, në masmedian tonë. Sot thuhet hapur e pa kurrfarë droje se nuk  gjen një pushtetar a një politikan të cilit nuk mund ti vihet damka e skandalit (Xhevdet Shehu - Zëri i Amerikës). Ajo që tha Zef Brozi, Kryetari i Gjykatës se Kasacionit, para se të kërkonin ta gozhdonin në kryq, se ai nuk vinte dorën në zjarr për kurrkënd nga gjyqtarët, ishte shprehje sintezë e një realiteti shoqëror. E pikërisht ky realitet ju kthye titullarit të drejtësisë trajtën më të  egër e më  të paskrupullt, pikërisht se  guxoi thotë një të drejtë. Kur me një të rënë mund të shembësh tempullin e drejtësisë, çfarë mund të presë njeriu i shkrete, ai i thjeshti, i panjohuri, i rrugës?! Kur kurrkush nuk ve  dorën në zjarr për gjyqtarët, si mund vihet dora në zjarr për të tjerët, që nga shtetasi anonim e deri tek qeveria. Kur e  shkreta perëndeshë gjokszbuluar e symbyllur, simbol i drejtësisë, shihet nga shtetasit si një femër rrugësh, me një trup të kolme ku mund të shuajnë epshet të gjithë ata që luajnë gishtin, atëherë merret me mend morali i perëndive të tjera, që nga Marsi i Luftës - i Mbrojtjes e deri tek Dionizi i Qejfit - i Turizmit. Nëpër këto labirinte shkallësh ngatërrohet e shkatërrohet morali shoqëror i një vendi. Morali politik ka të veçantën e vet. Ai nuk është statik. Ai vazhdimisht luhatet. Ai më shumë i ngjet lavjerrësit të një ore muri e cila punon vetëm kur lavjerrësi përshkon harkun e tij. Nuk e di pse gjithmonë më ka pëlqyer që politikën ta krahasoj me atë që bën akrobati duke ecur në tel. Ai e ruan ekzistencën e tij atje lart në tel, nën vështrimin e një publiku në ankth. Sa më shumë pehlivanllëqe të bëjë aq më i dashur është. Por ndryshe nga pehlivanët e telit, të cilët pas fitores i pret të nesërmen një ankth tjetër, pehlivanët e politikës, mbas  fitores, ulen në kolltukun e butë dhe shohin me qetësi e nge pehlivanllëqet e krahut tjetër, që u rrezikon qëllimin e jetës se tyre, KOLLTUKUN. Mihal Grameno ashtu i quante-Kolltukofagë. Megjithëse morali i politikanëve është një spektakël i pranueshëm, argëtues për publikun, edhe ata kanë “rrethin e djallit” të cilin nuk mund ta shkelin sepse mund të pësojnë fiasko. Pa e shkelur këtë rreth, mjaft politikane arritën të shkëputen nga baza fillestare e të krijojnë aleanca e parti të reja (Ceka, Kalakula, Bushati e tjerë), por nuk ndodhi kështu me politikanin Laço, i cili e shkeli rrethin e djallit dhe bëri atë që populli e klasifikon si “politika është kurvë”. Ndryshe nga të parët, të cilët nuk e humbën reputacionin, ish socialdemokrati Laço dha shembullin më të shëmtuar të pelivanit politik që sakrifikon çdo gjë, edhe reputacionin e vet, për një kolltuk ministri. Atë kolltuk që më së fundi, me shumë zor dhe mbasi e lodhën dhe e rraskapitën, e braktisi megjithatë me nder ministri Anagnosti. Dhe më e keqja e të gjithë të këqijave është se të gjitha këto, ky soj politikanësh me papion e syze të errëta, u servir si Moral i Ri, kur ky nuk është gjë tjetër veçse moral i ri i imoralitetit politik. Laço sot është me një emër që nuk ka kurrfarë peshe e rëndësie në jetën politike të Shqipërisë (ndoshta nesër për të lind dielli), por gjithsesi meriton vëmendje se është një fenomen i ri. Po vjen epoka e dhelprave në politikë. Është e natyrshme që në këtë sfond të krizave politike e të skandaleve në ekonomi, të shfaqën edhe kriza të tjera në shoqëri e të cilat kanë në bazë jo ambiciet pushtetore, por varfërinë e tejskajshme dhe shkatërrimin ekonomik. Kështu më shumë se urrejtje ndien dhembje për ato vajza shqiptare që kundër moralit të popullit të vet shesin trupin e tyre nëpër bordellot e Romës, Brindisit dhe Athinë. Sipas shtypit shqiptar, në Itali zënë vendin e dytë për nga sasia në raport me prostitutat e ardhura nga vendet e tjera, ndërsa në Greqi zënë vendin e parë për nga intensiteti i punës dhe pronarët e shtëpive publike i konsiderojnë si miniera floriri. Ndoshta ndonjë politikan në kolltuk do të ngutet duke u justifikuar se, në të kaluarën morali ka qenë fals. Po tani mos është i vërtetë?! Po merr përmasat e një tragjedie kombëtare hakmarrja, vëllavrasja. Shqiptari vret shqiptarin pa ju dridhur dora e qerpiku. Me keq se në fillim të shekullit. Bëhet vrasja politike e një të riu, Gjovalin Çekinit në Shkodër, në mes të qytetit dhe policia, hetuesia, gjyqet, qeveria dhe vetë shteti nuk janë të zot të gjejnë fajtorët. Fundja a njihet fenomeni dorëheqje në Shqipëri? Lajme tronditëse në veriun e Shqipërisë, ku po kthehet jeta në mesjetë e me forcë dramatike e tragjike si tek “Prilli i thyer” i l. Kadaresë. Me qindra e qindra familje në kulla të ngujuar, me mijëra njerëz, me dhjetëra e dhjetëra fëmijë kanë drojë me shkue në shkollë se i vrasin dhe ata!!! Mesa duket, të nxirë nga sytë e nga mendja, njerëzit nuk po respektojnë as Kanunin e Lek Dukagjinit. Dhe as atë të Enver Hoxhës që është në fuqi edhe sot e kësaj dite, vetëm e vetëm se dikujt i pëlqen me luejt cic-micin parlament-referendum. Kjo kokëfortësi kushtetuese po i jep me kuptue popullit se dikush po do me e pas Kushtetutën ligj personal, dhe Shqipërinë bahçen e vet. Për fatin tonë të keq a të mirë nuk e dimë, por Shqipërisë kurrë nuk i kanë munguar Ali Pash Tepelenat.E sa për fytyrën që po lemë sot në botë kjo të le me dyshim. I dëgjohet krisma e armës se bashkëkombësit tonë në mes pazarit të Frankfurtit, ku shqiptari vret shqiptarin si me   vra një qen duke lemerisur mijëra qytetarë gjermanë. Kuptohet se ç' mendojnë e ç' thonë ata për ne. Në Zvicër drogaxhijtë më të mëdhenj janë bashkatdhetarët tanë. Në Greqi vrasim njeri-tjetrin për kurrgjë, për një grindje, për një dorë pare. Në Shën Thanas të Selanikut shoku vret shokun me të cilin kish marrë rrugën e kurbetit e kish qarë hallet, vetëm për ti marrë rrogën e një muaji  e pastaj trupin e 17-vjeçarit pa jetë e hedh në një kanal, e mbulon me gurë të rëndë, duke menduar se sa më e rendë të jetë pesha mbi varr, aq më i lehtë është ankthi i krimit e barra e turpit.

Kjo është tragjedia, ky është trishtimi, ky është morali i një kohe që kërkon lavdi me çdo kusht! 

Nga balli i Europës... në bisht të Orjentit.

Ëndrra jonë e madhe për oborrin e ndaluar të familjes sonë Europiane është thelbi i çdo gjëje për të cilën është ëndërruar e luftuar. Kjo ëndërr e vjetër zë fill herët në histori, ka taban në epokën e Skënderbeut, rrënjë e degë në Rilindjen Europiane, që nga Barleti, Beçikemi, Maruli, Viktor Karpaçi e tek L. Tomeo i madh, mësues i Kopernikut, të cilët kolltukofagët e sotëm a nuk i njohin nga mungesa e kulturës, ase, se e konsiderojnë veten pinjollë lindorë të ardhur nga shkretira aziatike. Edhe ashtu mund të jetë. Edhe pse kalojnë shekuj jo rrallë kthen gjaku tek gjaku i vet. Prandaj ndodh që gjen emra turqish (që na kanë mbajtur nën shpatë pesë shekuj), nëpër rrugë, sheshe e shkolla, ndërsa emrat e këtyre burrave që kishin prush në zemër për atdheun e vet, kurrkund emrin nuk u a gjen, Por s' ka gjë, historia nuk shkruhet vetëm sot por edhe nesër. Ëndrra europiane ka qenë e shumë brezave, ka qenë e zjarrtë tek Naimi i madh, tek njerëzit që shtypi e mbyti diktatura, por edhe tek ata që përpiqeshin të mbijetonin duke mos i rënë në thonj asaj. Ajo ëndërr na mblodhi të gjithëve në sheshin e përbaltur të asaj dite në Qytetit Studenti, ku e para dhe me e madhja parullë ishte “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Po ja që u harrua shpejt, dhe për turp të tij dhe tonin, u harrua së pari nga Kryeoratori që thërriste e çirrej më shumë. Ishte ai që ëndrrën tonë e futi në kotec, në kotecin e Konferencës Islamike. A ka menduar ndonjëherë ai, apo ndonjë tjetër që e bën këtë krushqi djallëzore, se si do të shpëtonin nga linçimi i demonstruesve të zjarrtë, po të thërrisnin nga tribuna “E duam Shqipërinë si vendet islamike”? Natyrisht këtë nuk mund jo vetëm ta mendojnë, por as dhe ta shohin në ëndërr, sepse do të ishte një tmerr i vërtetë. Dhe kur (ky apo ai që i udhëhoqi Shqipërisë karvanin për orient), do të bëjë vetëgjyqësinë e do të shpjegohet para popullit? Do të ishte një tuafllëk i madh të mendohej se mund te kalohet pa dhënë llogari për këtë. Cili është motivi që u bë me akt, apriori, duke nëpërkëmbë dëshirën e ëndrrën e një populli. Në fund të fundit kush është Sovrani? Populli apo rrondokopet e historisë? Mos vallë sot në Shqipëri ka njerëz që e mendojnë veten me pushtet hyjnor dhe, kur e si te duan, heqin diellin dhe venë gjysmëhënën në qiellin e Shqipërisë. A nuk mendohet shija e keqe që kane lënë në opinionin europian aleancat tona me vendet islamike, në të cilat shtypet me dhunë, gjak, zjarr,  çdo ide e lirë, ku rrafshohen me automatik gazetarët dhe u pritet koka në mes të shesheve poetëve. Si të mjerit poet të Arabisë Saudite,  Sadok Melabah? (në një shkrim në faqen speciale të numrit të ardhshëm do t' ju sjellim një tabllo rrëqethëse të tragjedisë së iIntelektualëve në këto vende).  Këto që po shkruajmë nuk janë një oratori nëpër mitingje, por një dhimbje, me ulërimë për atë që dikush e përdhosi ëndrrën tonë të bukur europiane.

Le t' i fusin politikanët e qeverisjes kokat në ujë të ftohtë e të gjykojnë me mendje të kthjelltë. Le ti vënë gishtin kokës, sepse këto që po shkruajmë ne është bindja e shumë njerëzve që ishin të flaktë në atë Dhjetor të Madh, në atë Shkurt të Furishëm, në atë Mars plot Triumf. Le të kenë trishtim e jo inat kur e shohin se largohemi prej tyre, ashtu kemi ne kemi trishtim kur e shohim se si zvogëlohen përditë, ata që dikur u kishte aq dinjitet dhe aq hije oratoria dhe balli i demonstratave.

                                     Gazeta “Egnatia” Mars 1995, Nr. 19, faqe 5 & 11.

 


 

01 May 2021

🔴 Revolucioni i munguar i politikës- nga Kolec P. Traboini


REVOLUCIONI I MUNGUAR I POLITIKËS

Nga Kolec P. Traboini

Kur punët në një shoqëri ngërthehen e nuk gjejnë zgjidhje, aty ndjehet nevoja e përmbysjeve të mëdha për ti hapur rrugën progresit. Këtu nuk flitet për armë, as për 97-tën e mallkuar, por për beteja të mendjeve të zgjuara që inspirojnë progresin social. Por vihet re se nuk ka risi në strukturat e ngurta partiake e as në mentalitetin politik. Sa pranë kësaj zgjidhje ishim e kur presim të ndodh përmbysja e kastave të korruptuara të politikes? A do jete ky një evolucion i ngadalshëm me stërmundime i politikanëve të konsumuar, apo një revolucion intelektual i menjëhershëm e shpëtimtar i brezave të rinj?

Një realitet absurd ishte skema si funksionoi opozita shqiptare në fushatën e zgjedhjeve të 25 prillit 2021. Duke qenë pjesë e elektoratit gri vrisja mendjen si mund të fitoheshin zgjedhjet kundër një makinerie shtetërorë që punonte me tëra kapacitetet. Si mund të fitoheshin zgjedhjet kur nuk ke në dorë asnjë institucion në pushtet qendror dhe lokal. Bojkoti parlamentar dhe i zgjedhjeve lokale ishte një katastrofë e krijuar prej vete opozitës, duke harruar se politika punon me parime e përvoja si, "mos i fut të gjitha vezët në një shportë", mos rreziko gjithçka, aq më tepër blofet nuk janë zgjidhje e nuk të çojnë kurrkund. Opozita i vuri të gjitha në risk, rrezikoi për të fituar gjithçka  dhe oreksi i madh e tundimi e çoi ti humbiste të gjitha. Veç një Bashki në një zonë të sigurte si Shkodra, që u ruajt aksidentalisht. Si mund të fitohen zgjedhjet pa figura  të fuqishme me aftësi organizuese dhe komunikuese në elektorat, ndërkohë që socialisti Veliaj punonte ditë për ditë në Tiranë me 6 motorë. Dhe si mund të fitoheshin zgjedhjet me aleatë figura politikisht të konsumuara në sytë e opinionit publik, si Fatmir Mehdiu, Nard Noka, Dashi i përjetshëm e Co, që përfaqësojnë një elektorat të pakët e që nuk thotë asgjë. Nuk kisha asnjë besim që kjo aleancë e plakur, ku vetëm Basha ishte aktiv e reflektonte energji, do të fitonte zgjedhjet. Por edhe energjia e përpjekjet e Bashës ishin jo bindëse, sepse pas shpatullave të tij elektorati shihte figurën sfiduese të shefit të madh, që elektoratit gri u sillte nëpër mend se PD ishte parti e familjes. Dhe pak shpresë kam se mund të fitojnë edhe pas 4 vitesh nëse nuk do të ndodh një rikonstruktim me themel i kësaj partie. Po kush ta bëjë? Karrieristët që luftojnë për kolltuk? Ish pushtetarë që shumëkush në Shqipëri ka dëshirë deri te ankthshme ti shohin pas hekurave në burgun e Reçit. Po çfarë kërkon ne media vizive ish presidenti që konsiderohet njeriu më i vakët deri në nivel politik mediokër, që në një intervistë ku kërkonte dorëheqjen e Bashës përdori 777 herë fjalën politikë, të cilën nuk di ta bëjë dhe as ka aftësinë të binde dy vetë nga mënyra se si i parashtron pretendimet e veta. Apo ish ministri i Mbrojtjes që ka pasur luhatje të çuditshme sa brenda dhe jashtë PD por edhe me aferat në ministrinë që drejtonte e që  janë një skandal i madh,  sepse u shitën apo u përvetësuan pronat publike të Ushtrisë Kombëtare.  Prandaj shohim në horizont prognoza të zymta. Kryetari aktual i PD, Lulëzim Basha duhej të inspironte një revolucion në politikën shqiptare, në transformimin e pushtetit, në nxjerrjen e përgjegjësive, në dhënien fund të korrupsionit, të ishte një zë i fuqishëm në mbrojtjen e pasurive kombëtare që shpërdorohen ose nuk dihet se ku e si shpenzohen të ardhurat që vinë prej tyre, as sa të ardhura ka që nuk bëhen publike.  Në çdo fjalim t’u përmendte drejtësinë e munguar e jo ta citonte atë si vegël të pushtetit, por as nuk premtoi ta bënte, çfarë nuk krijoi siguri se kjo plaçkitje e pasurive kombëtare do të merrte fund një herë e mirë e grabitësit do të përfundonin pas hekurave. Prandaj nuk frymëzoi. Mund të thuhet gjithë ditën, apo natën paneleve televizive se votat janë vjedhur, por ngado që të vërtiten, qeverisja tani është zgjedhur.  Aq më tepër se, jo vetëm populli që është  i lodhur e në hallet të veta, por as ndërkombëtarët nuk duan kokëçarje. Tani Bashës, apo atij që do ta zëvendësojë, revolucionin i duhet të bëjë në partinë e tij e kjo kërkon forcë e stërmundime për ta rikrijuar PD si parti e të ardhmes e jo të djeshmes, e ku të vërshojë brezi i ri.   Ndërsa të moçmit, të respektuar apo të korruptuar qofshin, të shkojnë në shtëpi se duke jetuar me dëlirin e të qenit VIP tërë jetën, kanë harruar të jenë qytetarë të thjeshtë e nuk kanë gatuar një drekë në jetën e tyre. Revolucionet, paqësore sigurisht që të mos keqkuptohemi,  nuk bëhet me babagjyshër me tespie dhe as me përfitues a përvetësues parazitë të pasurive kombëtare, të cilët i ngjiten hallkave të pushtetit si rriqna, të cilat vështirë të bien edhe kur të jenë ngopur me gjak. Kush ka jetuar në fshat qoftë dhe një ditë ja di kuptimin edhe metaforik të kësaj shprehje, ndaj rriqnat e pushteteve a të politikës duhen shkulur pa mëshirë. Amerika për këtë e krijoj SPAK-un, po gjë prej gjëje në horizont ende nuk po duket. Nuk na lejohet të jemi pesimiste, por edhe prej optimizmit që fluturon me pras asnjë e mirë nuk i vjen kësaj Shqipërie halleshumë.


2 maj 2021