04 April 2021

Partitë politike nuk janë skalione në kazerma ushtarake, zoti gjeneral - nga K. P. Traboini

ALBENA RESHITAJ, DEPUTETE E KOSOVËS

  
PARTITË POLITIKE NUK JANË SKALIONE NË KAZERMA USHTARAKE, ZOTI GJENERAL!


Nga KOLEC P. TRABOINI

Deputetja e AAK Albena Reshitaj doli kundër vendimit të partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, përndryshe AAK dhe z. Haradinaj, që me bojkotin e vet parlamentar faktikisht kjo parti, pra AAK, ju bashkua partisë Listës Serbe e dirigjuar kjo e fundit nga Beogradi. Deputetja me moral të lartë social dhe ndërgjegje kombëtare e theu urdhrin e gjeneralit dhe shkoi në Kuvend për zgjedhjen e presidentit të Kosovës dhe me kurajën e një politikani të pjekur, votoi për zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente. Ky akt i saj duhet të vlerësohet jo vetëm politikisht por dhe kombtarisht. Është koha që njerëz të tillë me botëkuptim të gjerë që shohin interesat e popullit para se të vetat, të zgjidhen nëpër forume drejtuese pavarësisht se janë në opozitë a qysh tjetër.
Është koha gjithashtu që ushtarakët të gëzojnë pensionin, të jetojnë e gëzojnë me popullin, pa hyrë nëpër grindje e lufta për pushtet. Ramush Haradinaj me partinë personale AAK, duke u bashku në bojkot-akt parlamentar me partinë serbe, tregoi se për luftë ishte komandant i mirë, por për politike nuk vlen asnjë qindarkë. Nuk e ka në asnjë drejtim vizionin e politikanit. Partia e tij duhet të çmilitarizohet e të civilizohet së pari në mendësi, pastaj dhe në organizim, sepse nuk mund të këtë parti të UÇK-së në kushte paqe, nuk mund të ketë parti me komandë ushtarake ku vetëm urdhërohet e nuk gjen hapësirë të lirë mendimi ndryshe. Tashme Kosova ka Ushtrinë e vet. Tipat si gjeneral Ramushi është koha të largohen nga politika dhe partitë të ripërtërihen me brezat e rinj e kuadro me horizont të gjerë e të shkolluar si Albena Reshitaj. Dhe të tjerët, të fortët e luftës për të cilën kanë respektin e popullit, por që duan të bëjnë të fortët edhe në politike duhet të bëjnë të njëjtën gjë. Të ndjekin shembullin e heroit të Kroacisë, gjeneralit Gatovina, që nuk pranoi kur i afruan postin e presidentit të Kroacisë. Ndërsa këta tonët edhe pas 20 vjetëve duan dhe luftojnë fort për pushtet. E lufta për pushtet i çon direkt apo indirekt në aleanca me partitë serbe të komanduara nga Beogradi. Zgjedhja e Vjosa Osmanit presidente ishte veç dëshirës së popullit me votën e vet masive edhe preferencë Amerikane, dhe të mos harrojmë kurrë se pa Amerikën Kosova nuk do të gëzonte ato liri që ka sot.
Prandaj komandantët e luftës e kanë kohën të mblidhen në shtëpi, a të kontribuojnë në Ushtrinë e Kosovës e të mos merren me punët e politikës të cilat nuk dinë ti bëjnë, madje bëjnë skandale. Gjenerali Haradinaj u a fali Malit të Zi Çakorrin dhe trojet për rreth dhe tani po njoftohemi se ka vendos të përjashtojë nga Partia AAK deputeten Albena Reshitaj vetëm se kjo ushtroi të drejtën e saj për të votuar në parlament. Partitë civile nuk janë skalione ushtarake në kazermë, zoti Gjeneral.
Prandaj është koha të dalësh nga kryesimi i një partie, të ikësh nga politika dhe partinë t’ia lëshosh brezit të ri vizionar si Albena Reshitaj. Në këto rrethana presioni dhe zemërimi të gjeneralit të politikës, deputetes së AAK Albena Reshitaj nuk i mbetet veç ti bashkohet politikisht Listës së politikanes mëndje hapur Vjosa Osmani, që është në bashkëpunim e bashkërenditje me partinë VV, që drejtohet nga Albin Kurti.
Siç shihet edhe në zgjedhjet e 14 shkurtit, në Kosovë e reja përparimtare po triumfon mbi të vjetrën në politikë, sepse kjo e fundit tashmë është kthyer në pengese për të mos thënë në regres social-politik dhe më gjerë. Asnjë shoqëri nuk përparon nëse ka në udhëheqësi njerëz që nuk përshtatën me zhvillimet dhe punojnë si në politike apo dhe në instanca shtetërore, në kohë të reja me mendësi të vjetra që nuk të çojnë kurrkund.

5 prill 2021