16 July 2023

🟪 KATEKIZMI KATOLIK - nga Monsinjor Ernest M. Çoba

KATEKIZM KATHOLIK
PARATHANE

          Ne kie se parathanja në krye të njij libri nde shum raste àsht bàm nji formalitet, në krye të këti vëllimi me duket nji detyrë, detyrë evarije ndai bashkëpuntorë e bamirësa.
          Më bahet si sot, me gjithë se janë mbushë mà se dhetë vjet.
Në nji ndër lokale të Kolegjës Ksaverjane - shndërrum prei ngiariesh s'atyne dit ndër dhoma argëtimi - në mes të poterës tanë jetë e rini të djelmoçavet të Rrethit V.K. "D. Bosco", hyn, në nji nadje prendvere, F. i Nd. At Florian Berisha - ai jezuit sa i fjeshte e i përvujtë aqë fetàr e zelltàr - e më grishë për nji pyetje.
          "Këqyr - më thotë, - kam menden me pregatitë nji libër Katekizmi për klase fillore. A mundesh me më ndihmuem?" "Me gith qéf” ja kthej.
          Atëherë Áti nzjerrë nji tube letra e më difton landën qi kishte mbledhun.
Bazën e kishte vum tu "Shkurtorja e Piut X", por fjeshtësuem e diku shkurtuem, tue ia përshtatë fuqis mendore të moshës së njomë.
          E për disa muaj të mirë punën e vazhduem sëbashku. Katekizme githë nduerësh, shqip e në gjuhë të hueja, shfletsoheshin ndër duerë tona. Por, mbandej, veprimi u pezullue....
Kishte dalë në dritë Pjesa I e Katekizmit "Shpejt e mirë" e kopjet e shumta në pak dit u sosën.
Tue parapám se F. i Nd. At Mark Harapi S. J. do ta kryente veprën, menduem m'e lanë atë tánen.
          U shugurova meshtár.... Shkova në Qelë të Shkodrës....
          At Berisha qi tashmà e kishte hjekë mendimin e vijimit të Katekizmit - vinte shpesh me më pam.
          Ni ditë F. i Nd. Z. Famullitari, D. Mikel Koliqi, tue marrun vesht për Katekizmin e nisun, na këshillon me e vazhduem, veç jo ma si tekst filloresh, por lyceu s'ulte, mbasi ishte tepër i nevojshëm për këto kohë kritike.
          Mendimi na pëlqehet të dyve; vetem At Berisha don qi ta marr unë mbi veti punimin, tue më ndihmuem ai me grumbullimin e landës.
          Edhe nji frymzim i ri nga Z. Famullitari: Mos m'e lanë librin vetem me pyetje e përgjegje të thata, por m'e mbelmyem me zhvillime e ndodhje, në mënyrë qi ta shijojë me andje e ta bluejë pa të vështirë dhe populli i vogël.
          Mbas njij punimi së parreshtun për mà se nji vjetë, në mes tekstash e vëllimesh gjithë farësh, libri katekistik i fillorevet u metamorfozue.
          E ndë kaqë nji Mësues jezuit e muer mbi veti barrën e mërziteshme ta dysharisë me makinë shkrimi...
Kryem sẽ shkruemi, përherë bashkë me At Berishën i dhamë nji rikëqyrje e Ky, për eksperiment, e përdori, si dorëshkrim, në mësim të Besimit në I Gymnazike të Seminarit Papënuer e të Kolegjës Ksaveriane, tue grishun ndër sprovime të fundit Shk. e Ti Tëmz. Arqipeshkvin Metropolit, i Cili mbet shum i këndaqun.
          Por, nemo iudex in causa propria: prandej menduem të ja apim të gjitha dorëshkrimet, për shqyrtim, Poetit t'ambëlsis, F. të Nd. D. Ndré Zadëjës.
          Mbas pak muejësh, D. Ndreu i kthei me nji letër përgëzimi e urimi, ku dhe këshillonte qi disa fakte të shkurtoheshin paksá.
          Vërejtja ishte s ka má me vend! Me gëzim ja hymë punës s'operimit, pse ndryshej libri do të delte me të vërtetë tepër i gjatë. U kufizuem tue lanun ato ndodhje qi plotsojshin zhvillimin e katekizmit, e faktet e Shkrimit Shejt gati gjithëherë vetëm i nomotisëm.
          Kaloi edhe nji vjetë e vepra pritëte nji bamirës qi ta botonte...
          Njatje kahë vera e vjetit 1941 disá... shpëresë të mira, e letrat e këqyrëne e të rikëqyrëne shkruehen rishtas me makinë... Ndër kaqë nisim punimin e Liturgis...
         Por qe pengesë të reja, demoralizim, shpëresë gati të humbuna.... deri sa penda e Theologut të vëlerët, At Mark Harapit, i ep të prekënet e mistrin e mbrame Besojmës, tue prémtuem ndihmën e çmueshme të vetën dhe për pjesë tjera.
          Veçse çka? - me githë Imprimatur të Shk. së Ti Metropolitit - nga mungesa e mjetevet financiare, dorëshkrimi prap po flënte në gjumin e harresës, kúr pa pritë e pa kujtuem, shi në gusht të këti vjeti, Z. Famullitari i Trushit, F. i Nd. D. Nikoll Dragusha, me nji zémërgjánsi shembullore vetë se veti dha të hollat për botimin e kësajë pjesë së parë, tue marrun për sipër dhe shpenzimet e të gjithë blêjvet tjerë.
         Qe historija dhetëvjeçare e pregatitjes së këti teksti: Falënderje botore bashkëpuntorëvet e batmirësvet!


Ernest M. Çoba
ndihmësfamullitari
Shkodër, 4 Shtatuer 1944 

Monsinjor Ernest M. Çoba, (16 shkurt 1912 - 8 janar 1980), ishte kreu i Kishës Katolike Shqiptare në kohën e diktaturës komuniste në Shqipëri, u arrestua për veprimtari klerikale në kohën e ndalimit të institucioneve fetare, u dënua dhe e vranë në burg të Tiranës me 8 janar 1980. Dom Ernest M. Çoba ishte një nga figurat me emblematike të rezistencës kristiane antikomuniste. Në gjyqin që ju bë ai tregoi nje trimeri te pashoqe duke ju drejtuar hetuesve kriminelë e gjyqtarëve të sistemit diktatorjal:  "Komunizmin e kam urryer gjithmonë, e urrej dhe do ta urrej deri në vdekje!"

Përgatiti: Kolec P. Traboini 

 

IMZOT ERNEST ÇOBA- ARQIPESHKVI I SHKODRËS
(1912-1980) 

Imzot Ernest Çoba, ipeshkëv i butë, i ëmbël, simbol i gjallë i dashurisë së krishterë. Në periudhën e diktaturës komuniste e dëshmoi me heroizëm të pashoq Krishtin ndër tortura mizore, që ia shkurtuan edhe jetën. U bë kështu model për të krishterët e grigjës që i qe besuar. Vuajti me durim të pashoq, me shqetësimin e vetëm që t'i ngjante sa më shumë Krishtit në Kalvar, derisa vdiq në spitalin e burgut në Tiranës më 8 janar 1980.

Më 8 janar 1980, vdiq në burg dëshmitari i fesë së krishterë, imzot Ernest Çoba, kryeipeshkëv i Shkodrës, pasi, në kundërshtim me natyrën e tij të butë e të brishtë, e dëshmoi me heroizëm të pashoq Krishtin ndër tortura mizore, që ia shkurtuan edhe jetën. U bë kështu model për të krishterët e grigjës që i qe besuar.
Imzot Ernest Çoba lindi më 16 shkurt 1912 në një familje të vjetër qytetare shkodrane. Mësimet e para dhe ato të mesme i kreu në Seminarin Papnor. U shugurua meshtar më 9 shkurt 1936. Kreu detyra të ndryshme pranë seminarit papnor, ku ishte përgatitur. Shërbeu edhe si mësues i besimit ndër shkollat e qytetit. Pas vdekjes së imzot Gaspër Thaçit dhe arrestimit të dom Mikel Koliqit, kreu njëherësh detyrën e zëvendës-famullitarit dhe të famullitarit të Shkodrës. Ishte një nga ipeshkvijtë që u shugurua në kohën më kritike për Kishën, kur bëheshin përpjekjet për ta shkëputur nga Selia e Shenjtë. I vetmi ipeshkëv që ishte ende gjallë e jo në pranga, imzot Bernardin Shllaku, e shuguroi imzot Ernest Çobën, së bashku me ipeshkvin e Durrësit, imzot Pjetër Demën më 20 prill të vitit 1952.
Vishte petkat (paramentet) liturgjike me ngjyrë të kuqe, në kohën kur kjo ngjyrë simbolizonte gjakun e sivëllezërve të tij, që derdhej pa kursim ndër zaje të shkreta për Fé e Atdhé. Ai merrte në duar një mision, që i ngjiste shumë misionit të ipeshkvijve të parë të krishterimit, të cilët shumë shpesh e bënë më të theksuar të kuqen e petkut të tyre, duke e ngjyrosur me gjakun e derdhur amfiteatrove për t'i qëndruar besnikë Krishtit dhe Zëvendësit të tij mbi tokë, Papës së Romës. Pak kohë pas shugurimit të tij, imzot Shllaku vdiq. Dioqeza e Shkodrës, që mbas shkëputjes nga dioqeza e Tivarit, kishte pasur pesë ipeshkvij të mëdhenj: Imzot Karl Pooten, Pashko Guerinin, Jak Serreqin, Lazër Mjedën e Gaspër Thaçin, mbeti ndër duart e ipeshkvit të butë, të ëmbël, simbol i gjallë i dashurisë së krishterë, imzot Ernest Çobës.
Ja si e përshkruan, ipeshkvi ndihmës i Shkodrës, pas rënies së diktaturës komuniste, imzot Zef Simoni në librin e tij "Portrete klerikësh katolikë":
Imzot Ernest Çoba" kishte trup të shkurtë, sy të shkathët, gjysmë të mshehun mbas syzeve të errëta kur shërbente në kishë apo në zyrë. Kishte cilësi të mira: ishte i përvujtë, kryeulun, i qetë, i matun, i palodhun në shërbime, deri ndër ato që nuk i përkitshin si ipeshkëv. Monsinjori do të gjindej çdo ditë, mbasi kremtonte Meshën e orës 6, mbi krye të sëmurëve të qytetit, ndër koliba, tue çue sakramendet shenjte, ndërmjet fëmijëve në orë katekizmi masiv, kur Kisha e madhe gumëzhinte nga zanet fëminore. Kjo bani të fitonte popullaritet të madh e simpati, sidomos ndërmjet të vorfënve.
Qe drejtues i shoqnisë së Kryqtarëve të vegjël pranë etërve jezuitë, njohës i tri gjuhëve të huaja, specialist i teologjisë morale dhe i lëndëve të besimit, e jo ma pak, meshtar praktik në punët e fesë e të liturgjisë. Nuk mujti të marrë pjesë në Koncilin II të Vatikanit por, me largpamësinë e tij, bani të depërtojë fryma e Koncilit në gjithë jetën e Kishës. Pati guximin të mblidhte një grup dëshirtarësh për rrugën e meshtarisë dhe të shuguronte shatë prej tyne, ashtu si dhe guximin të mbante lidhje të ngushta me Selinë e Shenjtë, duke shfrytëzue të gjitha mjetet dhe rrugët e mundëshme".
Në prag të mbylljes së Kishave, në një të diel të hidhur, në sa ishte thirrur që të akuzohej nga regjimi komunist, imzot Ernest Çoba u kthye në akuzues, duke mbajtur një fjalim të zjarrtë, që i ngjiste predikimii, për të mbrojtur Zotin e sulmuar, Kishat në prag të rrënimit të madh. Megjithatë, jo shumë kohë më vonë dyert e Kishave e të Tempujve tjerë të Zotit, do të mbylleshin. Atëherë imzot Ernest Çoba u detyrua të kthehej pranë familjes. Prej derës atërore doli me pranga ndër duar. Ishte viti 1976. Gjyqi komunist e dënoi me 25 vjet burgim, si të ishte më i madhi kriminel. Akuzohej se kishte mbajtur lidhje me Selinë e Shenjtë me anën e legatës italiane.
Vuajti me durim të pashoq, me shqetësimin e vetëm që t'i ngjante sa më shumë Krishtit në Kalvar, derisa vdiq në spitalin e burgut në Tiranës më 8 janar 1980. Ishte një vdekje misterioze, - siç dëshmon në librin e lartpërmendur Imzot Simoni. Mbyllte sytë pas një injeksioni që iu bë në ditët e para të janarit 1980, pak ditë para përkujtimit të Shën Ernestit. Për figurën e tij është shkruar disa herë, por nuk janë bërë ende përpjekje serioze për të mbledhur dëshmitë mbi qëndrimin heroik dhe fundin e tij.

Vatican News, 7 janar 2020