03 July 2024

Pse qajnë turmat? - nga K. P. Traboini


 

Turmat e përlotura në homazhet për Diktatorin prill 1985

PSE QAJNË TURMAT?

Nga K. P. TRABOINI 

Sindroma e Stokholmit nuk është veç një ngjarje, por një filozofi e tërë se si tredhen mendjet njerëzore që ato të mos kenë më aftësi riprodhuese, por të artikulojnë me shabllone të parapregatitura.
Rri e lexoj këto ditë që nga lavdëruesin më qiellor e deri te mohuesi total, pa u përzierë në sherrnajën publike dhe përditë e më shumë bindem se pandemia më e madhe njerëzore në botë është shplarja e trurit të njerëzve. Ndryshe nuk ka si shpjegohet ngushëllimi për një shkrimtar që humb jeten sot duke e cituar në emrin e një shkrimtari tjetër vdekur 3 apo 4 vjet më parë. Pra padijeni e thellë shoqëruar me një mallëngjim hipokrit të pa cak. Këto njerëz flasin thjeshtë se dinë me folë, madje dhe në një ceremoni mortore ku kërkojnë pak publicitet.Hipokrizia është kthyer në një sistem.
Historikisht, por edhe deri në ditë të sotme, këtë përgjërim publik, më mirë se askush e kanë bërë dhe vazhdojnë ta bëjnë kallamarët ideologjikë nën hije sundimtarësh. I kemi përditë parasysh në media kazanët televizive. Ata shpesh shfaqen euforikë deri në zgërlaqje.
De Goli duke e ditur këtë përgjerim të falcitetit publik me lotë krokodili kërkoi që në vdekje të tij të mos ishte asnjë pushtetar, asnjë minister, deputet apo kryebashkiak, asnjë njeri jashtë rrethit të tij familjar. Dhe u varros larg zhurmave, në një varr të thjeshtë në vendlindje.
Se edhe mallëngjehen turmat, edhe qajnë në publik apo intervista televizive, sikur ti kish vdekur një pjestar i familjes. Kështu qanë e u bënë helaq kur vdiq ai Malukati i madh, që i vriste, i shtypte e i shtryllte më shumë e më fort se pushtuesi më i egër. Po ka ende, jo pak në Kosovë që qajnë për Sulltan Muratin, por as ju shkon mendja të kujtojnë arbërorin dardan Millosh Kopili që vrau sulltanin, të cilin dinakërisht, duke parë marrakotjen tonë, përpiqen ta marrin si hero kombëtar serbët. Ky mallëngjim fallc është skizofreni publike dhe asgjë tjetër. E pështirë sa më s'ka.
Personalisht do të thosha njëjtë, siç citova për De Golin, privatësinë e prologut të jetës për veten time duke shtuar se ato dy tre njerëz që duhen për të kryer punën në Rrmaj të paisen me kartpeceta, që kur të mallëngjehen si turmat, të fshijnë qurrat e të mos bëjnë pis barin e blertë, mbretin e mbretërve të gjithë botës.
Ai as nuk qan e as nuk qesh, thjeshtë bleron ani pse ne shpesh e shkelim me këmbë në të gjallë dhe kur vjen fundi nën pushtetin e tij të përjetshëm do të tretemi.