30 January 2026

Pse jemi kësisoj, të ndarë e të përçarë?! të



.



PSE JEMI KËSISOJ, TË NDARË E TË PËRÇARË?!

Nga KOLEC P. TRABOINI

Ka një sërë faktorësh. I brendshmi është më i rëndësishmi. E keqja e madhe filloi kur ende ishim nën pushtimin otoman, me ndarjen e trojeve shqiptare në 4 vilajete. Këtu filloi përçarja e madhe ndaj të cilës nuk luftuam që të mos ndodhte, nuk na bënin punë as ato 40 vezirët me të cilët mburren ca mendjecekët që nuk kanë mësuar asgjë nga historia. Pas saj vinte mungesa e ndërgjegjes arbërore të prinjësve feudalë të lidhur aq shumë në interesa ekonomike me sulltanët, sa nuk mund ta kuptonin veten pa ata.
Në shekullin e 19 Europa bëri një eksperiment me Greqinë, duke e krijuar nga hiçi në saj të luftës e sakrificave të shqiptarëve, por kur desh të bëjë të njëjtën gjë me shqiptarët, historia ngeci. Jo më kot erdhi Bajroni në trojet shqiptare e jo më kot u thuri lavde trimërisë së tyre. Mirëpo një fanatizëm e injorancë totale frynte ndër shqiptarët që nuk donin, jo më të luftonin për pavarësi, por as nuk e kuptonin veten jashtë Perandorisë Osmane. Edhe kur Perandoria po jepte frymë, 25 mijë koka lanë shqiptarët në Çanakala duke luftuar kundër armenëve që kërkonin lirinë e atdheut të vet. Po pse more kot e shkroi Pashko Vas Shkodrani atë poezi me vargjet "Feja e shqiptarit asht shqiptaria", që edhe sot vazhdojnë ta anatemojnë ata që e kanë mendjen Turqi e Greqi, por jo Shqiptari, apo ata që e kanë mendjen fe e aspak atdhe. Thënë hapur shqiptarët nuk kishin ndjenjën e bashkësisë (e nuk e kanë ende), atë cilësi-amalgamë që i bën popujt kombe e shtete solide. Të huajt shihnin tek ne shqiptarët cilësi të mira personale besnikëri dhe karakter luftarak, por aspak cilësi përbashkuese.
Kur kryengritej një krahinë të tjerat qëndronin të mënjanuara ose me e keqja viheshin në shërbim të sundimtarëve të huaj. Dhe më se shumti luftohej shqiptarë me shqiptarë. Mos po e nxijmë historinë? Jo more jo, historia është ajo që na nxin ne.
Dhe si arritëm të kemi një shtet shqiptar?!
Austria, të cilës pak i jemi mirënjohës, me përpjekje të jashtëzakonshme arriti që të shpëtojë diçka nga territoret shqiptare. Dhe deri në momentin e fundit platforma e Ismail Qemalit ishte autonomia, nga frika shkatërrimit krejtësisht e pafuqisë së forcave të brendshme për të mbrojtur vetveten përballë ujqërve ballkanikë. Nga mungesa e përbashkimit kjo. Kur u pa se Perandoria po fundosej, më së fundi u shpall pavarësia e një copë toke. Mezi ja dolëm të kemi një shtet. Një shtet që shtetarët ende e trajtojnë si ta kishin çiflikun e vet.
Shikoni edhe sot me se merrën shtetarucët shqiptarë. Me vjedhje e korrupsion. Dhe populli fle si peshku në akuarium. Dhe tregojmë përralla historike për qëndresën nëpër shekuj të lavdishëm prej të cilëve duhet të na vijë turp. Nuk ka asnjë platformë përbashkimi kombëtar, por duan dy minishtete që nuk i pjerdh njeri në diplomacinë europiane dhe botërore.
Jemi si mizat që bëjnë zhurmë, por fati i mizave dihet....Mjerim! Edhe shpresën e kemi të gabuar. Presim të na i nxjerrin të tjerët gështenjat nga zjarri. Pak gjasa ka që kjo të ndodhë prandaj nuk është vonë të mbledhim mendjen. T'ju krijojmë atyre që keqperdorojnë shtetin e pushtetin një gjendje të padurueshme, tu djegë toka ku vënë këmbët, por kryepari duart, se ato i përdorin më së shumti duke i futur në xhepat e popullit.
Gazeta SOT f. 17,  e shtunë 31 janar 2026


23 January 2026

Kur krijuesit konsiderohen një handikap social- Nga K. P. Traboini

 

KUR KRIJUESIT KONSIDEROHEN NJË HANDIKAP SOCIAL

Nga KOLEC P. TRABOINI 

Kemi ndërtuar një shoqëri ku kultura, arti dhe letesia ndjehen si handikap social. Pozitë dhe Opozitë në fushatat e zhgjedhjeve më shumë bëjnë hoka se sa paraqesin programe zhvillimore. Nëse bëjnë premtime ato janë butaforike. Në të vertetë i sjellin vetem varfërim e mjerim e asgjë tjetër. Keni degjuar të flasin e premtojnë diçka për artin dhe krijuesit e letërsisë? Asnjë fjalë. Kryeministri i sotëm ka qenë dhe ministër Kulture kohë të shkuara, si atëherë dhe sot, megjithse është një krijues piktor, nuk ka bërë asgjë. Veç një herë i dha çmimin veprës së hallakatun "Vrima" dhe me kaq e kreu misionin e tij për artin. Krijuesit i la në rrënim, veç ata që i konsideron miq u jep pension të veçantë. Të tjerëve asgjë. Shkrimtarët i botojnë librat me paratë e veta. Kësisoj kemi një kryeministër që nuk ja ndjen fare për krijuesit e artistët shqiptarë, por e ka mendjen tek Dylqinja e Tobozës italiane e si Kalorës francez i ulet në gjunj. Komedi për t'ia pas zili edhe Molieri.
Në krahun tjeter kemi Non Gratën që që premton për gjithçka me thes, por për shkrimtarët dhe artistët nuk thotë e nuk premton asgjë. Çfarë të premtojë? Gjithçka që njeh për artin është një tablet ku ka të shënuara mesazhet që i vinë nga qytetari digjital, një lloj patronazhisti, por i llangosur blu.
Kësisoj ky shtet është pa shpirt Se arti shpreh shpirtin e kombit. .Pasi i kanë marrë shtëpinë e shkrimtarëve në Tiranë, (kryedemokratit i takon merita e rrembimit të saj) tash ky tjetri në pushtet nga maja e Pikaloit bën lajm se rezidencen e diktatorit do t'ju a bëjë dhuratë piktorëve ta përdorin si bujtinë. Mendje kalorsjake kjo.
Duke parë se krerët e politikës nuk e vrasin qypin për Artin dhe Artistët dua t sjell një analogji me një roman distopik.
Romani "Fahrenheit 451" nga Ray Bradbury eksploron temat e censurës, konformitetit dhe fuqisë së dijes.  E vendosur në një shoqëri të ardhshme ku librat janë të ndaluar, tregohet historia e  Guy Montag, një zjarrfikës, puna e të cilit është të djegë libra.  Me kalimin e kohës, Montag fillon të vërë në dyshim shoqërinë në të cilën jeton dhe qëllimin e punës së tij, duke e çuar atë në një udhëtim të vetë-zbulimit dhe rebelimit.
Romani shqyrton një botë ku mendimi kritik shtypet dhe njerëzit shpërqendrohen nga argëtimi dhe teknologjia e cekët. Transformimi i Montag nga një pjesëmarrës i vetëkënaqur në këtë sistem në një kërkues të së vërtetës është thelbi i kësaj historie.  Gjatë zhvillimit të subjektit, ai ndeshet me personazhe si Clarisse McClellan, një adoleshente kurioze me shpirt të lirë, dhe Faber, një ish-profesor që e ndihmon Montag-un të kuptojë vlerën e letërsisë dhe mendimit të pavarur.
Romani i është i pasur me imazhe dhe simbolikë. Zjarri, një motiv i përsëritur, përfaqëson shkatërrimin dhe rinovimin, duke reflektuar luftën e brendshme të Montag. "Fahrenheit 451" shërben si një paralajmërim për rreziqet e censurës, humbjen e të menduarit kritik dhe efektet dehumanizuese të teknologjisë.  Eksplorimi i këtyre çështjeve mbetet i rëndësishëm, duke i inkurajuar lexuesit të vlerësojnë njohuritë, të vënë në dyshim autoritetin dhe të kërkojnë lidhje domethënëse në një botë që shpesh i jep përparësi komoditetit dhe konformitetit.
Një qeverisje që e anashkalon apo e lufton kulturën dhe artin pak nga pak kalon në një makineri absurde dhe e dhunëshme dhe sillet ndaj popullit të vet si një pushtues mizor