18 February 2026

Kol Idromeno i dha Shkodrës Europianizmin - nga K. P. Traboini

KOL IDROMENO I DHA SHKODRËS EUROPIANIZMIN
Shënime nëpër rrugët e qytetit tim


Nga K. P. TRABOINI

Sërish u gjenda në Shkodër. Kalova rrugë në rrugë me nostalgjinë e fëminisë dhe rinisë. Kalova në rrugën "Gjergj Fishta" pranë Kishës Françeskane, aty në ballin e një ndërtese një pllakë "Këtu ka jetuar Migjeni" Vetëm kaq. Shkolla Françeskane ku dikur im Atë ka qenë mësues ishte rrethuar me mure të lartë e nuk shihej asgjë. Si burgjet e komunizmit. Më trishton mentaliteti i mbylljes së klerikëve, aq më tepër nuk shkon aspak me këtë kohë, kur ata duhej të ishin të hapur, siç rrinë ta zëmë Katedralja, Kisha e Madhe apo Kisha Zoja e Shkodrës rrezë kalasë ku sheh gjithherë njerëz. Besimtarë qofshin a jo.
Eci më tej, ish-shkolla "Vasil Shanto", e mbyllur, me një derë të madhe të zbërdhyltë. E ka marrë Kisha Françeskane se e asaj ka qenë, por pse e mbajtur aq zymtë si manastiret e murgeshave nëpër filma të vjetër plot mistere. Desha të hy në oborrin e shkollës time për të prekur çinarin e madh bashkë me kujtimet për bashkënxënësit dhe mësuesit, por kalova në heshtje me atë zymtësinë shpirtërore që më injektuan këtë mure të lartë e dyer të mbyllura. Eci më tej në atë rrugë që mban emrin e poetit të madh të poemës epike "Lahuta e Malësisë" Gjergj Fishta. Aty kthen një rrugë që unë e njoh mirë. Aty ka jetuar Tezja Lenë, siç e quaja në fëmini, vajza e Motrës Tone, motra e Dadës sime Katrina Skanjeti-Traboini. Tezja Lenë ishte nëna e poetit të shquar shkodran Zef Zorba që në rrethin familjar e thërrisnim Bep. Në vazhdim një ndërtesë e bukur në kthesë të rrugës. Në fëmini më kishin sjellë për vizitë te Doktor Prela që bënte vizita në familje dhe kur shihte se i vinin familje të varfëra nuk u merrte para. Doktor Prela ishte një njeri fisnik, në atë kohë ne fëmijëve na dukej si një babagjyshi zëmërbardhë. Dhe ashtu ishte. Ka mbetur i famshëm portreti i tij i realizuar nga piktori i madh që arriti të punojë në Luvër, Ndoc Martini.
Në dalje të rrugës ishte ende pusi i vjetër ku sa herë dilnim nga shkolla vraponin të pinim ujë se aty ishte një trumë.
Aty ku bashkohet rruga "Gjergj Fishta" me Gjuhadolin, përballë ka rrugën e Gurakuqëve ku ka pasë shtëpinë i madhi Luigj Gurakuqi, që ja shembën "pa nam e pa nishan" siç thotë populli. Pikërisht aty kam kujtimet e fëminisë e rinisë të cilat më vinin si valë të nxehta përvëluese. Kujtimet e fëminisë kurrë nuk mund të jenë të ftohta. Këtu ka qenë një rrobaqepësi ku punonte një mjeshtër me moshë të re, por modern për atë kohë, kështu e quanim duarartin Ejll Hila ku qepnim kostumet.
Ndërsa në ndertesen e madh të familjes Mazi, që shteti e kishte shtetëzuar kam kujtime që lidhen me rininë time. Sapo isha kthyer nga ushtria dhe i papunë shkoja zyrë në zyrë, por të gjitha më refuzonin kur dëgjonin mbiemrin tim. Natyrisht një me mbiemër të tillë ishte një djale i ri i arratisur. Një tjetër Mark Fran Marketa - Traboini dhe atë e kishim të fisit Gojçaj dhe ishte më i anatemuari, madje i dënuar me vdekje në listat komuniste të vitit 1945 me numër rendor 104, por ai kishte ikur me gjermanët dhe u kish lënë hijen komunistëve, bashkëpunoi me amerikanët në Frankfurt dhe erdhi në Shqipëri pas vitit 1990 me trishtim për çfarë i shihnin sytë. Vura re se përballë shtëpisë ku jetoja e që ishte kthyer në gërmadhë, ishte një dyqan që shiste fruta dhe perime. Edhe para më se gjysmëshekulli një dyqan i njëjtë ka qenë. Madje në një poezi "Cokla" e kam përmendur si dyqani ku shitej pistili.
Ja dhe shtëpia e Doktor Kel Naraçi, pediatër me emër të madh që ruhet në kujtesën e shkodranëve. Në këtë shtepi kam hyrë plot herë sepse kisha shok klase Luigji Kel Naraçin dhe mësuesi na kishte venë detyrë të mësonim bashkë. Eci në rrugën Gjuhadol që është kthyer në shëtitore, piacë, pedonale, quani si të doni sepse ajo të jep kënaqësi. Kam kujtime plot për këtë rrugë që dikur ishte bota jonë sa e madhe aq e vogël njëkohësisht. Por kryekujtimi është aty ku dikur ka qenë shtëpia dhe studio "Dritshkroja" e Kol Idromenos". Punishten ku bëheshi punime druri dhe studion fotografike i kishte me dalje direkt në rrugën kryesore, por hyrjen e shtëpisë ku banonte i kishte te një rrugicë përbri, ajo rrugicë ende vazhdon të jetë e vogël pa dalje. Ende muret e avllisë ishin ata të vjetrit të bërë me gurë të rrumbullakët të marra në Zallin e Kirit. Porta ishte e mbyllur dhe nuk arritëm të shihnim nga brenda oborrin dhe shtëpinë e Kol Idromenos ku ai dikur në faqen e murit kishte pikturuar një kalë të kuq. Erdhëm rrotull dhe po kërkonim a ka ndonjë shënj, shënim a diç tjetër që të kujtonin Kol Idromenon. Plot shpenzime ka bërë shteti për këtë pedonale- shëtitore, por për Kolën, Da Vinçin tonë, siç na pëlqen t'i themi, asgjë, asnje cent. Edhe varrin që ishte lënë në harrim e i rrenuar veç sa e lyen me bojë të bardhë dhe krisën e ikën. Aq ishte përkujdesja për këtë gjeni në kohën e Voltana Ademit. Po tash? Eh, tash...
E fotografova në disa kënde shtëpinë e Kol Idromenos. Dikush kish pas idenë, që të bënte ca figura murale që nuk thoshnin asgjë që lidhej me këtë ndërtesë historike. Ndërsa aty ku ishte studioja fotografike që ka hyrë në histori si "Dritëshkronja Idromeno" aty pranë ishte strehuar një mejhane ku pihet ndonjë kafe, me raki, a birrë, a dreqi e di se çfarë. Kaq ishte historia. Varfëri për një tempull arti. Kur duhej që pushteti në Shkodër, para se të shpenzonte para kot për çelsa të ndryshkur që nuk thonë asgjë, të punonte me ngulm që të blihej shtëpia e Kol Idromenos që trashëgimtarë ja shiten juristit, antarit të Gjykatës së Lartë të komunizmit Zija Vuci për një copë bukë dhe për ironi të fatit në atë shtëpi është rritur Monsinjor Ernest Çoba, që kjo gjykatë e dënoi me 25 vjet burg dhe me pas e vranë në spitalin e burgut në Tiranë më 8 janar 1980. Atë shtëpi histori Bashkia e Shkodrës prej vitesh ishte dashtë ta merrte në pronësi publike dhe ta kthente në identitet për ta bërë qendër me interes turistik ndër më të çmuarit dhe interesantët të kryqendrës së Veriut. Eh, po na ikin jeta duke notuar në dëshira të parealizuara vetem se qeverisësit tanë janë më të lirë në miell e më të shtrenjtë në krunde.
Ndersa po kaloja pranë shtëpisë se Kol Idromenos ku në femini kam qenë, e ku mbaj mend dhomën me xhama, çardakun dhe atë pikturen murale që Kol Idromene kishte bërë për t'jua bërë më të gëzueshëm mjedisin fëmijëve të shtëpisë, pikturë që ndonjë studiues me prioritete akademike (Zot na ruaj prej tyre) e ka quajtur gomar, kur ai në të vërtetë, siç e kam parë me sytë e mi ishte një kalë i kuq. Se more vëllezër e motra që merreni me studime akademike deri më sot, ani pse kam shetit vende e shtete deri në Amerikë e gjetkë, por gomar të kuq nuk kam parë. Por kam parë studiues kuqalashë në tru e në trajtë të gomarit në kryeqytetin e atdheun tim, diku pranë kalasë Toptani. Aty e kanë hajen gomarët e kuq e aty dhjesin, se për të krijuar nuk kanë bereqet aspak. Malësorët thonë, nuk kanë grat.
Por le të vazhdojmë udhëtimin nëpër pedonalen e Gjuhadolit, nëse na lënë makinat që shkojnë e vinë pa teklif duke rrezikuar jetën e kalimtarëve. Se çfarë dua kaq shumë makina, atë mund ta dinë vetëm policët bashkiakë që paguhen me parat e popullit dhe tundin zinxhirin e vet.
Nuk na pëlqente ta mbyllnim shkrimin kësisoj se edhe punë të bukura e të dobishme janë bërë, por ndonjë herë ndodh që një qime të gjesh në tepsi, bakllavaja sado e ëmbël të jetë të neveritet.
Duke dalë nga Shkodra vumë re se anës së Bunës ishin prishur të gjitha ndërtimet në tokë të zanun, dhe mirë kanë bërë, po si i bëhet për rrugën Tiranë-Shkodër që kalon në një korsi si rrugë fshati dhe duhen 4 orë të hysh nga Tirana në Bahçallëk, pra 100 km në 4 orë. Pra 25 km. në orë. Do hyjmë në Europë thonë. Shuj bre...Çfarë Europi?! Po a hyhet në Europë me mure të lartë, me dyer të mbyllura, me mejhane në vend të muzeumeve, me një çelës të ndryshkur e tuba çeliku që sikur nxjerrin naftë nga nëntoka, një qytet pa asnjë shënj që tregon identitetin 2500 vjeçar, të një qyteti që kishte mbret e mbretëreshë, e tash ngecur nëpër rrugë si në mesjetë ku ecet me ritmin e breshkës dhe... monumenti më i lartë është obelisku përkujtimor i një pashai osman ku valëvitet një flamur turk, krenar ashtu si gjatë 500 vjetëve që e shkretuan këtë vend si pushtues e shkatërrues të gjithçkaje arbërore.
Aferim, moj Shkodra jonë! Kangë e muzikë ke plot, në festa, në dasma e në gëzime, por duhet te mendojmë edhe më shumë se sa çasti kalimtar së Shkodra ështe qytet i lashtë sa Roma, e përtej Romës në histori. Por në Romë, kudo takon historinë e ndërsa në Shkodër kurrkund. Ah, po, në një shenj vendi e takova historinë rakapjekthi e për faqe të zezë, kallamarin e Sulltanëve Evlia Çelebiu në një pllakë me emër rruge që ma neveriti. Më erdhi për te vjellë. Mbylla sytë e nxitova hapin për t'u gjendur sa më larg pisllëqeve të historisë. E mu dhimbsën ata luftëtarë e kalasë se Shkodrës në rrethimin e parë 1468-1479, të rënët me trimeri si vëllezërit Llesh e Nikoll Begani, Arkitekt Donati, Nikoll Gradislavi, 300 djemtë luftëtarë të Drishtit që turqit ua prenë kokat një e nga një rrezë kalasë për tua tronditur qëndresën luftëtarëve mbrojtës shkodranë, si dhe qindra e mijëra luftëtarë të tjerë që qëndruan 10 vjet në rrethim, një histori e lavdishme, unike në Europë, të cilën ne e lëmë në harrim. Historia e Shkodrës është historia e Europës ndaj dhe Perandoria Austriake luftonte aq shumë në mbrojtje të shqiptarëve dhe për krijimin e shtetit shqiptar të pavarur.
Çfarë po ndodh me Shkodrën tonë? Kush po këmbëngul aq paturpësisht, aq egërsisht e aq poshtërsisht që ky qytet të harrojë vetveten?
E lehtë të bësh pyetje, por tepër e vështirë të gjesh gjegje.
Kush pra?




Foto nga Studio Traboini







17 February 2026

Unë jam Barak Obama...- nga K. P. Traboini

 

KOLEC P. TRABOINI

 .UNË JAM BARAK OBAMA
Fejton për mendjeçalët e atdheut tim

Nga K. P. TRABOINI

Më është mbushur mendja top se duhet të bëj edhe një libër me humor dhe satira se shpesh ndodhem në situata që nuk i përfturon asnjë mendje njerëzore jashtë kufinjëve gjeopolitike të kësaj Shqipërie të vogël që e ndanë si tortë fuqite e mëdha në vitin 1913. Këtu gjithcka ndodh, por edhe hata të jete, ka vetëm tre ditë jetë.
Ka dhe ca njerëz të çuditshëm në këtë botë shqiptare që, nuk u mbushet mendja për gazep të Zotit, se ti je ti e jo një tjetër. Jo, të thonë, duke ngulur këmbë si mushka. Ti vërtetë je ti, por je edhe një tjetër allasoj. Kanë nisur këto histori të dyzimit tim imagjinar këtu e dekada të shkuara. Asokohe një skuth anonim në Nju Jork , me email-pseudonimin Geg Toska, bënte ca ironira për krijimet e një zonje shqiptare po në Nju Jork. Të dy njiheshin, ishin në shoqatën e shkrimtarëve shqipo-amerikane ku gëlojnë edhe sot e kësaj dite rapsodët e Zylo Kamberit, e megjithatë prapa kurrizit të dy këta u bënin hatanë të tjerëve, por kur u lodhen me të tjerët nisën edhe për njëri-tjetrit. Të dy përdornin dhjetra pseudonime. Kjo zonja shkrimtare m’u qep duke më akuzuar se isha unë Geg Toska. Nuk kishte gjë që ja mbushte mendjen se nuk isha unë personi anonim po ta kërkonte gjetkë. Më zu belaja me atë femër. Më ore të tëra në telefon. Po nuk ma gjete atë Gegën që më ka sulmuar, je ti e askush tjetër. Tejet vonë, për të nxjerrë të vërtetën, ju qepa "me bukë në traste" atij Geg Toskë anonomit dhe me së fundni e detyrova të më shfaqej. Pra Geg Toska ishte "shkrimtari" AB...Po përdor iniciale sepse nuk dua ta ekspozojvetëm se me këtë kusht m'u vetzbulua. I thashë asaj zonje që unë për hesapin tim e kam zbuluar kush është Geg Toska, por nuk mund ta them se më është lutur personi dhe i kam dhënë fjalën se nuk do t’a ekspozoj. Ajo edhe sot e kësaj dite rri me mendjen se kam qënë unë Geg Toska, kur Geg Toska ka qënë ai pseudoshkrimtari, që sot e ka mik për kokë. I bashkon ligësia që kanë brenda vehtes, mesaduket sepse te dz bashke percollen ne internet nje nekrologji ku shkruanin se une kisha vdekur. U hap lajmi dhe në Shqipëri dhe një mikja ime në gazetën "Ndryshe" i ra telefonit e shtëpisë sime në Boston për të dhënë ngushëllimin e rastit dhe të njoftonte se do botonte nekrologjinë në gazetë. Dola unë e u thashë, i vdekuri ju flet nga varri.
Këtë gjëra bënin anonimet që në komunitet e quajnë vetën shkrimtarë. Mua aq më bëjnë llomotitjet e tyre pas vrimave të gardhit, sepse vetë kurrë nuk kam sulmuar njeri në anonimitet, as ata e as të tjerët. Nuk ma bluan mideja anonimitetin. Çfarë kam patur për t’ia thënë ua kam thënë të dyve ndër sy..
Kanë ndodhur edhe ngjarje të tjera të përaferta e gjithnjë me një avaz. Kështu për dy muaj që isha në Shqipëri, larg internetit, është bërë nami me emrin tim, me të shara e të palara vetëm me shkakun se zonja L. mikja e zonjës V. sajon një shpifje të ligë duke thënë në listë-grupin shqiptar “Çamëria” se isha pikërisht unë kundërshtari i tyre i rrebtë në debate, një farë Arbër Thesproti.
Intriga u krye. Veç një shami ju desh Jagos dhe e thuri ligësinë. Kështu edhe zonja L. e cila deri me sot nuk është përgjigjur fare për këtë sajim shpifje të thurur prej saj dhe mikes së saj, se more miq ju nuk dini një gjë që di unë. E mailin zonjës L. ja ka hapur zonja V. e kjo ka aces dhe e përdor e-mailin e zonjës L. si posten e vet personale. Kështu që herë shkruan njëra e herë tjetra. Këtë histori e di që në zanafillë sepse ma kanë pohuar me gojën e vet në vitin 2003. E jo vetëm aq por kjo faktohet fare thjeshtë me programin ProjectWhois, sepse një mesazh i zonjës L. shfaqet nga Tirana e tjetri pas një ore nga Italia. Këta që thurin intriga harrojnë se teknologjia të nxjerr zbuluar, ja heq poturet mashtrimeve dhe i le intrigat e intrigantet cullak në mes te ngricave.
Me shumë veshtirësi i binda zotërinjtë e inatosur të Listës “Çamëria” se nuk isha unë Thesproti kundërshtar dhe as ndonjë pseudonim anonim tjetër. Epo shyqyr thashë, do më lënë rehat jo vetëm mua, por edhe të vdekurit e mi se këta shqiptarellat edhe me të vdekurit merren kur të kanë zët. U fut në lojë një fare pseudofallci gjoja Avni Rustemi nga Gjermania, por kur ja zbulova gënjeshtrat publikisht, iku me bisht ndër shalë...e një zot e di në çfarë vrime miu fshihet e thur intriga të reja.
Sapo u mbyll kjo ngatrresë e çmëndur, ja plasi nga lista tjetër po e çamëve, të ndarë këta çamët si në lojën e kungulleshkave në dy pjesë. M’u përvesh pikërisht ai person anonim, i cili prej disave mendohej se isha tepkë unë. Ja me të tilla gjëra u dashka të merremi ne shqiptarët. Në fakt të detyrojnë të merresh, anipse krejt pa dëshirë, se këta nuk të lënë të rrish në punën tënde.
Por me hyrjen e këtij viti 2009 , falë Zotit, më kanë dhënë pushim. Nuk po merren më me mua, veç ndonjë përmendje emri fare kot nga kosovari i ngatrruar me të vetët z. Bahtir Hamza në Kanada, të cilit nuk e di çfarë borxhi i kam. E keqja është se edhe ai nuk e di, por ka nevojë për emra e lista e na përdor si barut për çifte.
Dhe ja rrufeja në qiell të kthjellët në ditën e janarit 13 -të. Kësaj rrallë është rrufe Gjermanie se andej vjen plot shkrepëtima. Një azgan djalë me emrin Enlirat Hoxhaj nga Berlini, që po thashka se është inxhinier elektronik kompiuterik, bën be e rrufe dhe vë dorën në flakadan e katran, se unë e kurrkush tjetër është Ilir Dardani që shkruan në revistën elektronike “Zemër Shqiptare”. Më polli groshi me këtë inxhinjerin e Berlinit. Ky ngul këmbë si mushka se jam unë Ilir Dardani ngase ky e ka vertetuar me teknologjinë e internetit që e paska profesion. Kësaj rallë nuk më vjen në ndihmë as teknologjia, se ky e ka kompiuterin me diplomë ndërsa unë jam empirik. Si t’ia bëj e ku të vete. Kujt ti qahem e ku të mbytem. Mo Zot ma keq. Kujt t’i them se unë nuk jam Ilir Dardani, si ta vërtetoj. Aq më tepër se ky inxhinjeri më ka vënë një ultimatum për deri nesër, në mos do të lëshojë tërë artilerinë e raketat (si në Gaza) kundër meje anë e mban Gjermanisë.
Apo nuk kam një kushurirë gjermankë me mbiemrin Traboini që punon në një Televizion shumë të njohur... Do të turperohem në sy të Afërditës vajzës së Mark Traboinit. I mjeri unë si do të bëj me gjitha ato raketa. Një herë mendova se, sa të bëhet luftë e të vriten mileti, më mirë po bëj si në kohën e diktaturës, ku më e lehtë ishte t’a pranoje një gjë që s'e ke bërë kurrë, se sa t’a kundërshtoje akuzën e të kerkoje të vertetën. Hetuesi t’a thoshte hapur e shkoqur si kokrra kallamboqi: Pranoje që të mos rrahim ndryshe do të dalë shpirti me hu në qeli.
Tani ky i fisit të Hoxhajve, elektroniku them, edhe ky ma thotë hapur, por ky e ka edhe artilerinë fort të rëndë. Ky më thotë se unë po të sulmoja Zotin, që i qofshim falë. Po pse të sulmoj Zotin unë?! Ky i fisit të Hoxhajve nuk ma thotë. Por ngul këmbë se, sikur qeni qepën t’a hajë, unë prap se prap do të mbetesha Ilir Dardani.
Po mirë, more njeri, them unë, po pse të jem Dardani e jo Pellazgu. Pse të mos jem Pirrua i Epirit apo Batua që e humbi betejën, ra rob dhe e hoqën romakët zvarrë.
Për t'ju shmangur luftrave e bombave, raketave elektronike të Hoxhajt, duke qenë edhe përpara ultimatumit të tij kërcënues, unë më mirë po e pranoj se jam Ilir Dardani dhe mbyllet tërë kjo histori lufte. Se fundja, botës po i del e tepron lufta në Lindjen e Mesme, ç’ne edhe një luftë tjetër thelë mbi bisht në internet.
Po, o vëllezër ngatrrestarë shqiptar, po vetsakrifikohem edhe unë si Krishti në kryq. Po marr përsipër mëkatet tuaja. Veç luftë në mes të shqipove të mos ketë. Që të mos acarohen elektroniket e mufanikët. Që të mos e shajnë edhe më tej njëri-tjetrin me fjalë të pista. Që të mos më shani edhe më tej të vdekurit e mi që ju patët paturpsinë të m’i lëndoni edhe në varr. Që çamët edhe më tutje të mos jenë pikë-pikë, por të bashkuar, se bashkimi bën fuqinë e përçarja mjerimin. Qe te mos e vrasin serisht Çelo Mezanin.Të mos ketë dy Lista e dy Liga e katërqind blogje por një.
Dua ta mbyll këtë fejton me një gojdhanë popullore.
Hajdutët s’po e linin rehat një shtëpi fshati.
- O baba, thirri një natë djali nga hauri.- E zura hajdutin.
- Po sille o bir, - tha babai i gëzuar se shpëtoi nga kusuret me tufën e dhënëve..
- I them, po nuk vjen.
- E po, meqë nuk vjen, lëshoje.
- Puna është, o baba, se e lëshoj unë, po nuk më lëshon ai.
Kështu edhe puna ime me ju, o vellezërit e mi shqiptarë, kokëtula, ndaj po i pranoj të gjitha si në birucat e hetusisë e pretencat e prokurorëve të Qoftëlargut:
- Unë jam Geg Toska. Unë jam Arbër Thesproti. Unë jam Bujar Shehu. Unë jam Tano Turku. Unë jam Ilir Dardani. Unë jam edhe ...Barak Obama!
A jeni të kënaqur zotërinj hetues? I pranova të gjitha. Tani mblidhni kaplloqen e merruni me punët tuaja se po më krijohet përshtypja se më mendjeçalë se ne shqiptarët nuk gjëndet fis njerëzor mbi faqe të dheut.


"Unë jam Barak Obama!" : fejton për mendjeçalët e atdheut tim: [prozë satirike] / Kolec Traboini. Gazeta "Ndryshe". - Nr. 817, 15 janar, 2009, f. 20.

01 February 2026

Tito i Athinës antar nderi i Akademisë së Tiranës- nga K. P. Traboini

Aristidh Kola, Nderi i Kombit dhe gazetari K. P. Traboini, Athinë 1995
 
TITO I ATHINËS ANTAR NDERI I AKADEMISË SË TIRANËS
 Çfarë më tha Aristidh Kola për antishqiptarin Tito Johalas në 1994, që Akademia e Tiranës e mban si antar nderi?

Nga KOLEC P. TRABOINI

Nuk e dinim e as nuk do ta mësonim kurrë se greku Tito Johalas është antar nderi i Akademise se Shkencave të Tiranës, sikur në korrik të vitit 2024, ne miqt e Aristidh Kolës të mos e organizonim përvjetorin e lindjes se arvanitasit të madh, Nderi i Kombit Aristidh Kola, në sallën “Aleks Buda” të Akademisë në Tiranë. Meqë isha ndër organizatorët shkova më heret në Akademi dhe kisha kohë të shihnja fotografitë e akademikëve, që ishin vendosur, ku me piktura e ku me fotografi. Mjaft prej tyre që nuk jetojnë më i kisha njohur, por ndërsa po kaloja me veshtrim nga një kuadër në një tjetër sytë mu ndalen tek një figurë që nuk e njihja e që poshtë saj shënohej emri Tito Johalas, antar nderi i Akademise së Shkencave të Shqipërisë.
Sikur të mos kisha dëgjuar kurrë për këtë Titon e Athinës, do kaloja pa i vënë rëndësi, por u stepa se mu kujtua biseda që në vitin 1994 kisha bërë me Aristidh Kolën, i cili po dihet se është helmuar e vrarë nga qarqet shoveniste greke, siç dhe vetë Aristidh Kola e ka pohuar në shtratin e vdekjes "Ju lutem mos ushqeni asnjë iluzion. Mua më vranë dhe kështu kanë vepruar edhe me dy presidentë të tjerë të Shoqatës së Shqiptarëve “Marko Boçari”, të cilët vdiqën, edhe këta nga "leuçemia". Këto fjalë ua kam thënë edhe miqve të tjerë të mi"... "
E kishte fjalën për Anastas Kulluriotin dhe Jorgo Marugën, dy arvanitas të helmuar nga ekstremistët grek.
Aso koha nxirrja gazetën “Egnatia” dhe ndiqja të gjitha lajmet mbi ngjarjet në Athinë. Ishte zhvilluar një përurim i një libri të Tito Johalas për Arvanitët ku kishin shkuar tërë kastat greke duke përfshirë dhe vajzën e kryeministrit grek Konstandin Micotaqi, që ne emigrantët e stigmatizonim si person me fytyrë njeriu, por me shpirt djalli. Ishte urdhëruesi i arrestimeve masive të shqiptarëve dhe pjellësi i makabritetit antishqiptar “Skupa- Fshesa” për arrestimin dhe debimin e shqiptareve me dhune. Mbi 100 mijë shqiptarë u keqtrajtua, u lidhën me hekura dhe u zbuan si të ishin keqbërës. Madje ndër kërkim-arrestime u bënë edhe vrasje.
I thashë Aristidh Kolës se a bën ky lajm për Tito Johalasin për gazetën tonë "Egnatia". Ai më pa me kujdes e me qetësi më tha."Na luftojnë egërsisht, por meqë me përballje nuk ja dalin dot përdorin kuazi-intelektualë që merren me arvanitët për qëllime politike. Sa kohë që ata rrinë pranë qeverive qëndroju larg tyre".
E kuptova mikun tim në çdo domethënie të fjalës së tij. Qarqet duke përfshirë edhe këtë Titon e Athinës ishin pjesë e konspiracionit që çeshtja arvanite dhe shoqata "Marko Boçari" në pamundësi të shkatërrohej, të kapej e manipulohej prej atyre që të mund të përdoreshin si marioneta duke trumbetuar se arvanitet nuk ishin shqiptarë e nuk kishin asnjë lidhje me Shqipërinë. Apo të ardhur vonë nga shekulli 15-16 çfarë ishte në kundërshtim me të vërteten historike. Kur erdhën turqit e parë dhe zunë Peleponezin aty rreth vitit 1420 apo me pas, bënë regjistrimet e popullsise dhe atje ne regjistrat e ruajtuara në arkivat osmane dalin 40% e popullsisë shqiptarë, ndërsa pjesa tjetër me vllahë, sllavë e grekë, por pjesë më të vogla. Mbizotëronin shqiptarët. Ndër këto zëra bashkë me Titon e Athinës ishte dhe një grua studiuese me emrin Marie Dede që kish botuar libra folklorikë për arvanitët dhe deklaronte hapur se arvanitët nuk janë shqiptarë ndryshe nga se thoshte Aristidh Kola dhe prifti arbëresh, studiuesi dhe miku më i madh i Aristidh Kolës, At Antonio Bellushi, të cilët edhe ngulmonin se arvanitet ishin shumë më të hershëm në Peleponez, Evia e mbatë brigjeve të Egjeut, me atribute autoktone.
Shqiptarët nuk qenë përhapur gjatë historisë, përkundrazi ishin rrudhur.
Këto pretendime antiarvanite i duheshin qeverisë greke, por edhe qarqeve ekstremiste për të mos u njohur shqiptarëve arvanitë asnjë të drejtë.
Antonio Bellushi, që nxirrte gazetën “Lidhja”, nga Italia shkonte shkonte shpesh në Greqi dhe bashkë me Aristidh Kolën bënte kërkime nëpër fshatrat arvanite, por kudo u nxirrnin pengesa, me pretekstin se Antonio Bellushi ishte italian e i duheshin leje të posaçme. Ajo që dihet ishte se këto pengesa i organizonte Titua i Athinës sepse të gjitha problemet e arvaniteve i mbikqyrte ky i lidhur me segmentet e qeverisë greke. Vetë Antonio Bellushi e ironizonte në shtyp si "shkencëtari" politik.Madje ky Titua i Athinës shkruante librushka ku teorizonte se arvanitët nuk kishin gjak shqiptar, ai ishte zëri më i egër kundërshtar i veprës së Aristidh Kolës, madje edhe kundër Antoniu Bellushit, i cili u detyrua që ti përgjigjej sulmeve të Tito Johalas me një letër botuar në revistën e vet arbëreshe “Lidhja”. Pavarësisht kurtheve të Titos së Athinës dhe nënpunësve qeveritarë grekë, Aristidh Kola dhe Antonio Bellushi, më 1988 udhëtuan në Bruksel dhe prezantuan kauzën e shqiptarëve të Greqisë duke dokumentuar praninë e 2 milion shqiptarëve dhe 695 fshatra shqipfolëse në shtetin grek.
Për te plotesuar portretin e Titos se Athinës na vjen ne ndihme edhe nje shkrim e studiueses se jetes e kultures arbereshe, Ornela Radovicka, e cila ka qenë ndihmëse në punët kërkimore të At Antoniu Bellushit.
“Tito Johalasi ishte akademiku që ka kundërshtuar Atë Belluscin në hulumtimet e tij, por Atë Bellusci iu përgjigj me një letër, të publikuar në revistën e tij "Lidhja" me titull "Shkencëtari në shërbim të politikës Tito Johalas". Duke e lexuar këtë letër që e kemi në dorë, kuptohet shkaku i kundërshtive. Në vitin 1988, Tito Jahalas kishte botuar një librushkë 84 faqe ku stigmatizonte Antonio Bellushi dhe Aristidh Kolën për kërkimet e tyre në folklorin arvanitas, duke pretenduar se është sajesë fakti se kishte 2 milion arvanitas në Greqi dhe se ata nuk ishin arvanitas të hershëm por refugjatë të vonë deri aty nga shekulli 16. Ndërkohë që Aristidh Kola dhe Antonio Bellushi ngulmonin në studime serioze se arvanitet ishin popullsi autoktone mijëra vjeçare dhe nuk ishin ardhacakë të vonë, pra nuk ishin në tokë të huaj por në tokë të vet. Qeveria e Athinës që i mbështet e stimulon pseudoshkencëtaret si Tito Johalas i intereson të konsiderohen arvanitët siç mund të konsiderohen greket e Dropullit që erdhën si argatët e kadilerëve të Libohovës të cilët ishin pronar të tokave të Dropullit.
Antonio Bellushi në fund të letres së vet vendos në greqisht shkrimin origjinal të Aristidh Kolës botuar në revisten "Besa". E kemi përkthyer këtë leter të cilën po e paraqesim që të kuptohet më mirë kush është antishqiptari Tito Johalas:
Shkrimi i Aristidh Kolës ka titullin "Rënia e një "shkencëtari". Le ta lexojmë:
"Ekziston një i vetëshpallur albanolog madje botëror Titus Giochalas, i cili e konsideron këdo që merret me kërkimin e gjuhës arvanite jo vetëm të paaftë, por edhe të dyshimtë kombëtarisht. Ai ushqen një urrejtje të pashuar kundër arvanitasve, të cilët herë i konsideron të paqenë si me magji, herë grekë të shqitarizuar, herë përpiqet t'i minimizojë në numër alkimikisht, herë përpiqet të provojë se gjuha arvanite është e paqenë, herë se është greqisht e korruptuar, herë një "fosil toskan" etj.
Ky burrë shkroi së fundmi një libër në të cilin përpiqet të korrigjojë tekstet e regjistruara të botuara në revistën "Lidhja" nga prifti arbëresh Antonio Bellusci, të cilat janë marrë nga turnet e tij në Arvanitokhori të Greqisë. Korrigjimet bëhen shoqëruar me komenteve ironike.
Pa dashur të mbroj Belluscin, jam i detyruar të theksoj se zoti Giochalas po bën një tjetër gabim shkencor duke këmbëngulur në korrigjimin e këtyre teksteve, të cilat pasqyrojnë situatën aktuale gjuhësore në Arvanitokori, ku arvanitikishtja është e përzier me greqishten dhe shumë elementë kulturorë për fat të keq janë harruar.
Nuk e di nëse ka pasur ndonjë Yochalas tjetër në shekullin e kaluar që ka marrë tekstet e Makrijannis dhe i ka "korrigjuar", duke e rikthyer greqishten e tij "barbare" me "qartësi kristalore". Ai me siguri do të jetë i pari në histori... Bravo, shkencëtar.
Fatkeqësisht, përtej humorit të rastit, ekziston edhe vulgariteti i neveritshëm, pasi ky zotëri, me librin e tij dhe intervistat e "inskenuara", e fut shpifjen në shkencë, pasi ai e konsideron, siç thamë, çdokënd tjetër që merret me gjuhën shqipe dhe shkencën tonë politike popullore, si... të dyshimtë kombëtarisht."
Këtu përfundon shkrimi i Aristidh Kolës. Tani që as Aristidh Kola dhe Antonio Bellushi nuk jetojnë më dhe mjerisht ka triumfuar ligësia dhe antishqiptarizmi, vjen ky antiarvanitas e antishqiptar dhe na vendoset pupthi si antar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Si është e mundur të ndodh kjo?
Si është e mundur që Akademia e Shkencave e Tiranës me lekët e popullit i publikon veprat e këtij qytetari grek i cili nuk ka pranuar asnjëherë gjatë rregjimit të Juntës së Kolonelëve origjinen e tij si arbëror i Greqisë, madje i ka mohuar siç shkruan Antonio Bellushi.
Duke parë këtë gjendje ku Akademia i bën strehe antishqiptari, është krejt e kuptueshme qe në 80 vjetorin e lindjes së Nderit të Kombit Aristidh Kola, megjithë ftesën që u bëmë, nuk erdhi asnjë akademik e nënpunës, e ftuam Irakli Koçollarin personalisht por nuk erdhi. Të gjithë Mediet heshtën, vetëm televizioni i Gjirokastrës, Aristidh Petro u gjend dhe bëri emision të veçantë.
Si mund të vinin miqtë e antishqiptarit Titos Johalas. Punë që s'bëhej. Por këta palo akademikë që i kanë bërë strehe një greku antishqiptar, as dënjuan të dërgonin njeri në homazhet e varrimin e Antonio Bellushit. Si të shkonin kur miku i tyre grek, që bën shkencen e politikës se qeverisë greke e kishte anatemuar të madhin At Antonio Bellushi.
Tito Johala, ky renegat antishqiptar, është nga Çamëria, fshati Rrapëza. E shoqja është arbëreshe e Siçilisë. Mbiemri i tij është Gjokala. Po kush e zgjodhi dhe pse pikërisht Tito Johalasin. Kush ja ka bërë rekomandimin kryetarit të Akademisë zotit Skënder Gjinushi. Për çështjet arvanite dimë se në Akademi merret Irakli Koçollari, i cili ka botuar libër për Arvanitët në bazë të njohjeve kur ka qenë nëpunës i Sigurimit të Ambasadës Shqiptare para vitit 1990. Pse zotit Irakli, nëse propozimin e ka bërë ai, nuk i ka shkuar mendje të propozojë një studiues të madh të kulturës e gjuhës arvanite, por dhe mbarë shqiptare, Niko Stillo, që ka lindur në Prevezë dhe jeton e punon në fushën e studimeve në Gjermani. Ai është një albanolog i madh dhe me reputacion ndërkombëtarë. Pse zoti Irakli nuk ka propozuar studiuesin Jorgo Miha, një studiues i madh dhe ish president i Arvanitëve, bashkëthemelues e bashkëpunëtor i Aristidh Kolës. Jorgo Miha është një personalitet me reputacion të madh ndër arvanitët, që thënë hapur do ta nderonte Akademinë e Shkencave të Tiranës, por këta si të ishin myteberrë totorisen me një antishqiptar si Titua i Athinës. Mund ta ketë propozuar edhe akademiku filogrek, Anastas Angjeli që në popull është telendisur si Cac Nafta, por ne flasim për Irakliun se e njohim, por jemi krejt pa njohje e nuk i dimë mire se si punohet në skutat e fshehta të Akademise ku fryn erë grekofone, por që të fryjë edhe erë antishqiptare, këtë nuk e kishim menduar.
Thuhet se siç ka merita e lavdi të meritueshme, çdo popull ka edhe llomishten e vet, por ne kemi më shumë dhe kjo llomishte tek ne është e institucionalizuar, i kap të gjitha pushtetet dhe ndodh ajo që thoshte Konica i madh me fjalë profetike, Shqipëria u bë për tua plasur zemrën shqiptarëve. Mirë të gjitha këto llomishtet tona që na zënë sytë e na zënë hundët, po llomin e llomit e Greqise çfarë e duam?!

Në fjalë të fundit, për të mos pas asnjë iluzion:
Ky Tito Johalas është një figurë që asnjë arvanitas nuk dëshiron ta shoh. Unë i besoj dëshmive të Aristidh Kolës dhe Antonio Bellushit para se  çdokujt tjetër në këtë çështje. Ky  dhe Maria Dede i konsideron Arvanitët rrënjë dalë, ardhacakë të vonë pra të huaj në tokën greke kur historia flet ndryshe. Arvanitët janë më të hershëm se sa kinse grekët që janë një amalgamë vllaho sllave dhe egjiptiane dhe nuk kanë asnjë lidhje me grekët e vjeter. Me grekët e vjetër kanë lidhje vetëm Arvanitet e Shqiptarët në përgjithësi. Titua i Athinës anipse arvanit nga nëna është një renegat antiarvanitas dhe antishqiptar, nuk e dimë pse e mban Akademia e Shkencave të Tiranës, ndërkohë që as e kujton dhe as e nderon martirin arvanitas,  Nderin e Kombit Shqiptar Aristidh Kola.


Titos Johalas