12 September 2010

MEJDAN NE KOKEN TIME - esè - KolecTraboini



MEJDAN NE KOKEN TIME

Çfarë pritet nga politikanët dhe shtetarët që nuk bëjnë as dhjetë hapa në rrugë me qytetarët e vendit të vet.

Shkruar nga KOLEC TRABOINI


Burrat e shteteve gjithmonë kanë qënë burim i shprehjeve e mendimeve të mençura, ndaj jo pa shkak ne çastin kur nisa të lexoj shkrimin e ish presidentit tonë Rexhep Mejdani me titull “A mund të vazhdohet kështu”, kujtova Çerçillin që në mes të ditës me diell dilte në Londër me çadër". Pa kaluar dy -tre paragrafë ne lexim, papritur më erdhi koka vërdallë. Nuk po merrja vesh çfarë po ndodhte ndaj vendosa ta ndërpres. Nisa sërish leximin. E njëjta gjë. Atëherë hoqa dorë. Për t’u davaritur rufisa me nge një kafe turke. Si mblodha mendjen, iu ktheva sërish me një durim prej kali dhe kur arrita deri në fund atë analizë, thashë me vete: ky ish-president pse kaq enigmatik në të shkruar. Pse kaq konfuz sa të mos e marrë vesh askush. Dhe ato pak çfarë merren vesh ta bëjnë kokën dhallë sepse ish lideri i së majtës shqiptare, çfarë shitet edhe sot, na shfaq ca ide, në mund ti quajmë të tilla kalamendjet ultra të djathta, për shpëtim të Shtetit, Qeverisë dhe kapitalit të madh prej barrës së rëndë sociale të shtresave varfëra të shoqërisë.

Përmbajtja e shkrimit të tij fund e krye nuk ish tjeter veç një lëmsh Ariane që nuk i gjendej filli kurrkund. Çfarë kërkon kur trajton problemin e “Kundërshtive” të brendshme të etatizmit social, që ky profesori ynë i shkencave të natyrës paska zbuluar në programin e Franklin Ruzveltit, i cili në mënyrë të padyshimtë mbahet si presidenti më pranë shqetësimeve e halleve të popullit amerikan e që e shpëtoi vendin e vet nga kriza më e madhe ekonomike që kish njohur ndonjëherë. Programi i tij edhe sot pas afro një shekulli e tregon Amerikën vendin më të ndjeshëm ndaj problemeve të shoqërisë. Dhe këtë e shpreh edhe fakti që shqiptarët e varfër që emigrojnë në Amerikë, brenda një dhjetëvjeçari jo vetëm që adaptohen, por edhe kanë një përparim të madh të mirëqënies së tyre anipse mund ta kenë filluar duke trokitur në dyert e ndihmave sociale. E këto në sajë të programeve të shumta që i ndihmojnë njerëzit për të gjetur vendin e tyre e për t’u bërë të vlefshëm për veten dhe shoqërinë.

Për më tepër ky Mejdani ynë “zbulon”këtu në këtë vendin tonë të vogël postulatën e madhe se: “në thelbin e vet, rezultati logjik i një zbatimi etatist të parimit të “shanseve të barabarta” është njëlloj padrejtësie dhe diskriminimi – si ndaj atyre që janë të aftë dhe të talentuar, ashtu edhe ndaj atyre, që shfaqin mundësi shumë më të pakta fizike e mendore.”

Dihet se Amerika është vendi i barazisë dhe i shanseve të barabarta. Mos vallë Profesori ynë i quan jashtë kohe parimet amerikane të trajtimit të problemeve të shoqërisë? Sepse Amerika, megjithë barrën e rëndë në buxhetin e shtetit ndjek një kurs që i ka nën vëmendje të vazhdueshme kujdesin për asistencat sociale. Aq shumë bën kujdes shteti amerikan sa kanë dalë jashtë loje sindikatat për të cilat amerikanët e thjeshtë as duan më të dëgjojnë.

Për më tej Profesori, i konsideruar i majtë, u sjell lexuesve shqiptarë të tilla klasifikime si : “përgjegjësia publike ndaj atyre që janë të paaftë të sigurojnë minimumin e kushteve për jetë normale është në vete njëfarë “mishërim skllavërimi” prej njeri-tjetrit.”

Ku do të dalë ky Profesori ynë i madh. Se njerëzit e paaftë, të pamundur, të papunë, të pastrehë janë të tepërt e nuk i duhen këtij kombi. Por ama, të gjithë këta janë pjesë e elektoriatit kryesisht të majtë. Nuk e di ky profesor i majtë se prej nga vjen varfërimi i skajshëm i një pjese të popullsisë. Po këtë e dinë edhe bufat si nuk e dinë profesorat.

Shoqëria skajohet prej babëzisë për t`u pasuruar shpesh në mënyrë të padrejtë nga një pjesë e vogël e popullsisë, duke e lënë me mundësi të pakta pjesën tjetër. Sepse pasuria nuk është e pafundme. Kjo është e natyrshme të ndodhë kudo, por Shteti e Qeveria nuk duhet të jenë vetëm e atyre që kanë aftësinë të pasurohen në mënyrë habitore duke u bërë milionere brenda një dite, si ministri i majtë në qeveri të djathtë i energjitikës, por edhe atyre, që Mejdani i etiketon si “mishërim skllavërimi” e peshë në kurriz të shtetit.

Mejdani për të mbështetur mendimet e veta antisociale kalon nga i majtë në një ekstremizëm të djathtë sa arrin të gjejë një mbrojtëse të kapitaleve të mëdha në Amerikë e të na e shesë dogmën e saj si një normë këtu në vendin tonë. Ja çfarë na afron Profesori ynë: “Nisur nga thelbi i gabuar i konceptit të shtetit të mirëqenies sociale, një filozofe amerikane, Ayn Rand, midis të tjerash, sqaron: “Në pikëpamje morale e ekonomike, shteti social përshpejton mundësinë e një tërheqjeje për nga poshtë..”

Jo i nderuar Profesor, Amerikën nuk mund ta shohësh e as ta kuptosh nga një formulim teorik i një filozofeje si Ayn Rand, se të tilla si kjo filozofe Amerika ka me mijëra, superprodhim, por të ulesh e ta studiosh ekonominë amerikane nga brenda, t`i vëresh se si funksionon shteti dhe si ka arritur të shmangë krizat e mëdha pas viteve `30 të shekullit të kaluar. Të studiosh se përse erdhi ajo krizë dhe si arriti të shmanget katastrofa pikërisht nga një kthim të shtetit me fytyrë për nga probemet e shoqërisë, duke e bërë shtetin amerikan më human e më social se më parë. E ky kurs vazhdon i sigurtë pavarësisht përpjejkeve të dështuara të Bushit të Dytë, që ndërsa harxhonte miliarda në luftën e Irakut përpiqej për ta reformuar, pra zvogëluar fondin e shërbimeve sociale apo uljen e taksave si për klasën e miliarderëve edhe për shtresën e mesme të cilën Obama me programin e vet social po e rishikon në dobi të shtresave të mesme amerikane. Nuk ka gjasa se edhe këtë shekull programi i shtetit “social” amerikan të ndryshojë pavarësisht rokanisjeve të Ayn Rand. Por edhe të profesorit tonë që pak e njihka Amerikën po akoma më pak Shqipërinë, për sa kohë që kërkon të aplikojë parimet konfuze të Ayn Rand, që në Amerikë nuk ma do mendja se e dëgjon ndokush veç ndonjë auditor universiteti. Atje shteti nuk drejtohet nga filozofët por nga parimet e ligjet që i mbrojnë qytetetarët, qofshin të aftë apo të paaftë, qofshin normalë apo handikapë, qofshin miliarderë apo ata që flenë nën urë të cilët( për analogji) në konceptet e ish presidentit tonë janë barrë e skllavërim për kastën e milionerëve shqiptarë që një zot e di si i kanë vënë pasuritë, në mos qoftë dhe vetë Profesori ynë një prej tyre.

Në mes të oratorisë së tij kundër shtetit social, ish presidenti lëshon shashkën tjetër që mund të merret si një antiamerikanadë: “Aktualisht duket sikur Amerika, si shoqëria e parë e lirë në botë, me garantim të të drejtave njerëzore fondamentale (të së drejtës së jetës, lirisë, fesë, pronës, lirisë së fjalës, të të drejtave të barabarta ndaj ligjit dhe proçesit të drejtë gjyqësor, etj.) po synon të përfaqësojë një nivel më të lartë të etatizmit social.” Pra të etatizmit social që profesori i nderuar e konsideron si një barrë e bezdisur.

Dhe çon deri në atë masë oratorinë e tij kundër shtetit social sa sugjeron as më pak as më shumë por: “b) heqja dorë prej tij në kuptimin fondamental të vetin. Shumë më afër këtij varianti të dytë është Shqipëria, por nuk është vetëm ajo! “Shteti i mirëqenies” në shumë vende, si në Shqipëri, po dështon në qëndrueshmërinë e tij. Natyrisht, ai ka pasur meritat e tij, duke arritur qëllime të rëndësishme, por ama sot ai mbetet tepër i kushtueshëm për mjaft nga këto vende. Dhe jo vetëm për to!…”

Harron ky ish president se Shqipëria më shumë se asnjë vend ka nevojë për një program social sepse është populli më i varfër në Europë. Duke qenë Presidenti i këtij shteti të varfër as nuk i ka vajtur mendja kurrë të propozojë të bëhet ajo që zbatohet në SHBA në politikën e taksave. Pra ashtu si në Amerikë edhe në Shqipëri të mos taksohen konsumatorët për ushqimet, sepse të mjerët pensionistë 20 përqind të pensioneve të vogla që marrin e kthejnë prapë në shtet nëpërmjet taksave. Amerika me një standart të lartë jetese z. ish president nuk e takson popullsinë për ushqimet që blen, kurse shqiptari e paguan ushqimin si frëngu pulën plus 20 përqind që mer shteti. Çfarë i thonë kësaj? A e lodh sadopak mendjen për këtë. Si mund të rrojë një njeri në Shqipëri me 15 mijë lekë të reja( 150 dollarë) në muaj kur 20 përqind të kësaj shume automatikisht nëpërmjet taksave e merr prap shteti, pra si rron njeriu me 12 mijë lekë( 120 $) kur edhe për këtë duhet të paguajë energjinë që shkon deri në 4 mijë lekë( 40 $). Llogarit çfarë i mbetet një njeriu për të mbajtur frymën Profesor. Aspak më shumë se ajo çfarë ti shpenzon veç për kafe në një muaj, ndaj e ke të lehtë t`u vësh etiketën barrë e rëndë, të tepërt, të padëshiruar.

Të jesh i majtë e të dalësh me flamur të djathtë në opinionin publik, të dalësh kaq hapur e në mënyrë cinike kundër shtresave të popullsisë që të kanë zgjedhur madje deri president i një shteti, është vërtetë për të vënë duart në kokë se deri ku arrin shpërftyrimi i njerëzve të politikës, sa të pacipë, demagogë e sofistë jemi në raport me popullin e thjeshtë, njerëzit që mezi e mbajnë frymën, njerëz që kur i humbin shpresat se nuk kanë më as bukën e gojës, hedhin litarin në trarin e shtëpisë dhe vetvaren duke e lehtësuar shtetin tënd z. ish president nga ai që ti quan “mishërimi e skllavërimi” që u vikërka miqve të tu kapitalistë prej barrës së rëndë, teksa u japin a s`u japin të varfërve një kothere bukë si lëmoshë për të mbajtur frymën.

Ku jetoni ju ish-presidenti ynë. Në cilin qiell. Në cilën parajsë tokësore. Atje ku jeton ti njerëzit a kanë zemër apo në vend të saj një llogari bankare e ca ligje të egra antihumane që sajojnë një shoqëri të pashpirt që i lë njerëzit të vdesin?!


* * *


Nuk e di se çfare shkolle politike e kanë mësuar sofizmin e kohëve të vdekura këta politikanët tanë të tipit Mejdani. Në botë, a të paktën në Amerikë shkruhet e flitet me një gjuhë sa më të kuptueshme nga masat, të paktën sa kohë që ke si auditor mjetet e komunikimit masiv. Nëse Mejdani që nuk e ka profilin e shkencave politike sociale, por atë të shkencave të natyrës, mendon se i ka këllqet të bëjë filozofi hermetike mbi ekonominë dhe problemet social-politike të botës sonë të vogël shqiptare, të dalë në botën e madhe, le të botojë studimin e vet tek "The ekonomist" dhe të shohin si do ta zënë me gurë. Por edhe atje pak vështirë është t`ia botojnë sepse kudo rendin drejt njerëzores, së thjeshtës, të kuptueshmes,duke bërë kujdes që të mos keqinterpretohen idetë e veta, qoftë dhe nga një lexues i vetëm aq më tepër se me daljen e mediave elektronike çdo lexues ka të drejtën e komentit qofsh ti dhe president jo më i Shqiperisë, por edhe i Amerikës. Kjo është bota sot. Është thjeshtësur jeta në këtë shoqëri konsumi, sa ta sjellim dollapin me elemente në një kuti kartoni e ti pasi e hap lexon udhëzuesin dhe e monton për 10 minuta. Kjo është Amerika e nuk besoj vetëm Amerika. Thjeshtësia dhe prakticiteti amerikan nuk është më pronë e këtij supershteti, por ajo është përhapur kudo ku ka njerëz me mend në kokë. Por, me shtetet e vogla si Shqipëria, jonë ndodhka si me kapelen e majmunit. I morën majmunët një tregtari ambulant të gjitha kapelet kur ky po flinte nën një palmë dhe kur u zgjua kish veç kapelen e vet në kokë. U lut njeriu po ku merrnin vesh majmunët të cilët gajaseshin. Ateherë i nervozuar tregtari nxorri dufin duke e hequr kapelen e vet e duke e hedhur në tokë me forcë. Pas pak nga pema ranë përdhe të gjitha kapelet. Majmunët në fillim qeshën, por më pas si e panë tregtarin të ikte me kapelet e veta u ngërdheshën. S'kishin çfarë të bënin tjetër.Tani ne çfarë po bëjmë. Përdorim sofizmin për t`i dhënë mësime këtij populli tonë të varfër nëpërmjet medias tonë konfuzë e të paprinciptë. Tepër vonë jemi kujtuar të aplikojmë ato metoda që bota i ka braktisur me kohë si të pafrytshme. Këtu qenka modë për të krijuar qorrsokaqe politike dhe ekonomike, për t`u shitur teoricienë të fushave që bota i ka eksploruar dhe ezauruar që në shekullin e kaluar. Duhet pastaj të na dalë një ambasador amerikan të na tregoje si duhet e si nuk duhet të jenë gjërat në politikë, në ekonomi dhe legjislacion. Duhet pra dikush ta hedhë kapelen i nervozuar qe të bëjmë të njëjtën gjë edhe ne se ndryshe nuk lëvizim. E shfaqemi kështu si majmunë të vegjël në botën e madhe të dijeve, të politikës, të ekonomisë e fusha të tjera ku e vetpërsosim sofizmin duke harruar se sofizmi më tepër se dije shpreh mosdije, shpreh paaftësi për të qartësuar në sytë e opinionit publik fenonemet që përpiqesh të trajtosh.

Nëse shkruan që të mos marrin vesh, askush nuk të lë vend në faqet e gazetave e revistave, sepse jetojmë në kohën e botën e komunimimit masiv. Sofizmat e demagogjia ekzistojnë në gojë të politikës kryesisht në fjalime nëpër tribuna për të joshur e marramendun turmat, por kur shkruhen në letër këshilltarët bëjnë kujdes të mos këtë as dhe një fjalë të pakuptimtë.

Ajo çfarë kuptoj unë nga shkrimi i Mejdanit është se krejt kot ka qenë president. Njeri në këllëf profesorati që nuk e ka idenë se çfarë ndodh në realitetin shqiptar, që nuk bën as dhjetë hapa në rrugë me qytetarët e thjeshtë të këtij vendi të cilët i quan barrë e rëndë dhe u mohon “shanset e barabarta” sepse janë as më pak e as më shumë por shprehje e padrejtësisë dhe diskriminimit –ndaj atyre që janë të aftë dhe të talentuar. Mesa duket, ndër të talentuarit Profesor Mejdani fut edhe veten. Dhe shtresat në nevojë të popullsisë qënkan ato që të janë bërë si vargoj nëpër këmbë. Shkrimi i tij as mish e as peshk "A mund të vazhdohet kështu?!" këtë tregon.

Por kjo tregon gjithashtu se në çfarë vorbulle e në dorë të kujt ka rënë në këto njëzet vjet ky shtet e ky popull.


Shtator 2010



© Copyright Traboini 2010/ e-Mail: traboini@yahoo.com

Nuk mund të botohet në asnjë organ shtypi apo media elektronike pa lejen e autorit.

esè nga Traboini në këtë sit: http://traboini-ese.blogspot.com/

08 September 2010

MADU 59 - nga Kolec Traboini


Jamarbër Marko
MADU 59

Shkruar nga K.TRABOINI

Shpesh herë kohrat e vrasin njeriun edhe pa qënë nevoja të jenë diktaturë. E vrasin pak e nga pak, nga një ditë në një tjetër, e lenë duke e varfëruar skajshëm, duke i larguar gëzimin, duke i prerë krahët e shpresës.

Prania fizike e poetit Jamarbër Marko nuk është më, por le të mos flasim për vdekjen por për jetën sepse për njerëzit me botë të madhe siç janë poetët, vdekja është veç një shaka e hidhur, shija e të cilës u lihet atyre që mbeten e jo atyre që ikin.U lihet atyre që tek rrufisin kafenë e mortit filosofojnë fatin e jetëve njerëzore tek thonë "Ma bëj të hidhur se farmaku me farmak mundet". Dhe jeta e Madut kishte diçka nga kjo shprehje proverbiale. Ja bënë jetën helm në diktaturë duke e privuar nga liria, por ky helm nuk ju nda as në kohën tjetër të demokracisë në aparencë, por autokracisë në thelb, kur njeriu mendon se është i lirë. Por liri absolute nuk ka e ky term shpesh herë është për qytetarët e këtij vendi në amulli, një lodhje e madhe. Tragjizmi ndodh që e ndjek njeriun në tërë cirkuitin e jetës së tij, sepse sakohë që e shtypin e privojnë nga liritë ai gjen në vetvete forca e reziston së brëndshmi, arrin të mbijetojë, por ka raste që kur kjo shtypje e jashtme ka sosur, ka nisur një luftë e brëndshme, së cilës ai është shpesh i pamundur t’i rezistojë. Duke mos mundur ti spjegojnë këto fatalitete njerëzit shpesh thonë "Eshte fati!" Me këtë shprehje mbyllet çdo dritëz për të zbuluar enigmat e kësaj bote, kjo shprehje është si guri i rëndë i varrit që perjetësisht mbyll një kapitull shpesh herë të padeshifruar jete. Por Madu në këtë det helmi ku jeta e detyroi të notojë deri në fund sa humbi nga sytë, e deshifroj jetën e vet. E deshifroj në mënyrën më të mirë që mund të kuptohet nga njerëzit. E deshifroi poetikisht. Kaq të mëdha ishin dallgët e jetës, sa ai , si të ishte varkëtari që me kovëz heq ujë nga fundi i varkës së vjetër që të mos mbytet, Madu pra nxirrte nga shpirti ndjesitë e tij. Duke e bërë këtë me siguri lehtësohej dhe arriti deri në kufirin e të 59- ve. Ky ish caku i tij. Pak për një jetë njerëzore, por kur ke travaja është ndoshta disi tepër e gjatë, sepse jetën nuk e masin më shumë vitet se sa perjetimet. Le të marrim Migjenin, poetin më jetëshkurtër e njëkohësisht me epokal në historinë e letersisë sonë. Sa jetoj Migjeni? 27. Po dhembja e tij e tejkaloi kufirin e një shekulli sepse nuk mund ajo dhembje kolosale të mbetej në një shtrirje aq të vogël në kohë sa ç’ish jeta e tij. Kur me Madun ishim bashkëstudent në Universitetin e Tiranës, të shumtët e shihnin me syrin e mendimin "Lum ky. Ishtë i biri i Petro Markos!”. Romancierit të “Hasta La vista”, të “Qytetit të fundit” që lexoheshin me një frymë. Ishte dhe i biri i piktores Safo Marko. Por Jamarbër Marko nuk e shfaqte asnjëherë atë çfarë ne e quanim si lumturi. Nuk kish asnjë dëshirë për tu dalluar e aq më tepër asnjë ambicje për tu ngjitur në shkallët e administratës shtetërore apo partiake, çfarë për shumë studentë të tjerë karieristë ishte një dëshirë e shfrenuar. Vite pas mbarimit të studimeve e pashë në oborrin e Kinostudios dhe kur e pyeta më tha se do të fillonte punë këtu. Mendova se do ta caktonin në Redaksi, si ne të tjerët që kishim mbaruar bashkë studimet për gazetari, por ai më tha se e kishin caktuar punëtor në sektorin e mirëmbajtjes së Kinostudios. Do të bënte llaç për Bim muratorin. Luan Rama më pas ma spjegoj se ç'po ndodhte me Madun. Ish vështirë të lexoje në fytyrën e tij të menduar emocionet që përjetonte aq sa gjithmonë e kam vrarë mendjen se si e kanë zënë në grackë ata që një ditë e burgosen. Me siguri do të kenë qënë shokë të ngushtë që i silleshin rreth e rrotull e bënin punën e Judës. Dhe e mbyllën në ferr, një tmerr për t’ia patur zili edhe ferri i Dantes. E kish provuar i madhi Petro Marko qelinë burgut. Duhej ta provonte edhe i biri. Ndoshta e bënë që Petro Markon, njeriut që u dënua nga tre rregjime, ta gjunjëzonin përfundimisht nga që kishte një shpirt krenar e të pamposhtur. Pastaj, ç'e donin Petro Markon monistët kur kishin ca bilbila të rinjë që cicëronin më mirë se vetë sorra Parti. Aq me tepër kur Petro Marko shkruante në kokë të vet romanin që u ndalua "Në katër rrugë". Romani u riciklua në karton kur lexuesit e aso kohe i prisnin librat e Petro Markos si ujë i pakët. Një kopje e romanit të tij "Hasta la Vista" i kishte shkuar në dorë edhe nobelistit Ernest Heminguej që e kishte përshëndetur. Por monistët i kishin shpresat gjetkë, tek kokat e përulura e jo tek njeriu me karakter të fortë Petro Marko. Kur gjatë një interviste e pyeten për dënimin e tij nga diktatura, Jamarbër Marko tha: “Dënimin e prisja. Unë e dija fatin tim. Isha biri i Petro Markos”. Madu vertetë që njeri i mbyllur por veç në poezi e shfaqi veten çiltërsisht. Aty mund të lexohet më mirë se kudo jeta dhe bota e tij. Tragjizmi do ta ndiqte në vazhdimësi edhe atëhere kur mendohej se liria të sjell edhe çlirimin shpirtëror, por nuk qënka e thënë. I shtrirë në shtrat pak ditë para se të vdiste, në vitin 1991, i madhi Petro Marko i kish thënë të birit: “O Madu kujton se po vjen demokracia në Shqipëri? Pa kaluar dhe 50 vjet s’bëhet hapi i parë për të kaluar në demokraci”. Shpesh kohrat e vrasion njeriun edhe pa qënë nevoja të jenë diktaturë. E vrasin pak e nga pak, nga një ditë në një tjetër, e lenë duke e varfëruar skajshëm, duke i larguar gëzimin, duke i prerë krahët e shpresës. Botoi dy vellimet me poezi “Rastësisht me dashje” 1995 dhePro nobis” 2001 dhe tjetrin “Nuk di të kthehem”e la në dorëshkrim. Le të marrim qoftë dhe një poezi të tij për ditën e shtunë, një poezi e madhe për vogëlsinë e botës në një ditë të veçantë, si më të zgjedhuren e ditëve, e shtunë pra: Sot është e shtunë/ Për të vetmen thjeshtësi dhe mendim/ Për të vetmen kënaqësi dhe trishtim/ Për të bërë një hap/ Në botën e vogël të njerëzve./ Madu e ka derdhur në atë poezi tërë shpirtin e lodhur dhe çuditërisht një ditë të tillë zgjodhi, në ag të së shtunës së 4 shtatorit 2010, për ta lënë këtë botë, duke e bërë këtë ditë të përzieshme. Iku shumë shpejt, në kundërshti me atë që shprehte në poezinë e tij: “Secili ëndërron të jetë cigarja e fundit në paketën e madhe/Ku tymi mbulon gjithçka/Lë pa prekur majën e mprehtë/ Atje ku jeton njeriu i vërtetë/. Pushoftë në Paqe!- themi, ani pse poetët as në këtë botë e as në atë botë nuk gjejnë paqe. Mbase kjo është zgjedhja e tyre. Edhe jeta edhe vdekja për ta është luftë. Se kush më shumë se poetët e luftojnë erresirën dhe vdekjen. Ca thonë e besojnë, e ndërmjet tyre dhe unë besoj, se poetët nuk vdesin. Atëherë pse të hidhëroheni për shakanë e tyre të hidhur tek ikin e na lënë, për atë ikjen e tyre fizike kur i kemi diku rreth nesh, ani pse nuk arrijmë t’i shohim.

shtator 2010

© Copyright Traboini - esè / traboini@yahoo.com
Nuk mund të botohen në asnjë organ shtypi apo sit elektronik pa lejen e autorit.
http://traboini-ese.blogspot.com/

Jamarbër Marko
Poezi

PA EMER

U rrëzuan të gjitha mrekullitë në greminë
Askush nuk i vuri re
Vetëm i panjohuri
Ulur tek stoli i tij
Duke pritur të ardhmen

Secili ëndërron të jetë cigarja e fundit në paketën e madhe
Ku tymi mbulon gjithçka
Lë pa prekur majën e mprehtë
Atje ku jeton njeriu i vërtetë


SOT ESHTE E SHTUNE

Sot është e shtunë...
Për mua dhe për ty
Për të gjithë.
Për të gjithë ata
Që patën diçka në tokë.
Sot është e shtunë
Edhe për ata që janë mërzitur
Për ata që nuk dijnë të jetojnë.
Është e shtunë edhe për ata
Që nuk janë më.
Sot është e shtunë
Për kuajt që tërheqin karrocat në errësirë
Për lodrat që u luajtën
Dhe për vendet bosh në sallat e lavdisë.
Sot është e shtunë
Edhe për ata që nuk e dijnë këtë gjë
Që vuajnë e s'janë të lumtur.
Vetëm sot është e shtunë,
E dëgjova në rrugë
Në derën e spitalit.
Sot është e shtunë
Edhe sikur askush të mos e kujtojë...
Jo vetëm sepse unë sot jam mërzitur,
Por për madhështinë e një dite
Që veshi mbi vete pelerinën e vjetër të botës.
Është e shtunë
Sepse nuk ekziston asnjë ditë tjetër
Si kjo e sotmja
Dhe dikush mund të thotë
Se asnjëherë nuk ka qenë e shtunë,
Se asnjëherë, asnjë ditë
Nuk ka shpënë buzë greminës kuptimin e madh
Jetën e madhe përpara një bluze
Të thjeshtë dite
Siç është dita e shtunë.
Ditë e shtunë sot
Që u përsërit aq shumë
Mbi atë çka bënë ata që nuk jetojnë sot
Me lehtësinë e atyre që jetojnë
Të mbështjellë nga e shtuna
Që si letër karamelesh
Bie mbi butësinë e vjetër.
Sot e shtuna bie mbi kërcënimin e vjetër
Dhe thuhet nga të gjitha buzët kudo
Edhe atje ku dita është ngatërruar me një tjetër
Edhe atje ku dashuria është është zëvendësuar me një tjetër.
Kudo sot e shtuna përkëdheli plagët dhe buzëqeshi
Për t' ua bërë më njerëzore,
Për t' ua larguar sadopak nga pesha e kohës,
Që e veshur me hijen dhe dritën e një të shtune
Ndaloi lozonjare dhe tha:
Sot është e shtunë
Kur filluam të kuptojmë
Se vetëm në botën tonë është diçka
Të rrish pak më shumë në të ftohtë
Për të larguar diku drejt pafundësisë
Nyjen e vërtetë,
Që lëkundet me përkëdheli
Brenda thellë së shtunës
Që duket se nuk do të ndërrohet me asnjë ditë tjetër.
Sot është e shtunë
Për të vetmen thjeshtësi dhe mendim
Për të vetmen kënaqësi dhe trishtim
Për të bërë një hap
Në botën e vogël të njerëzve.


15 August 2010

PESHORJA E ZOTIT...


PESHORJA E ZOTIT...


- është fjala për zotin Zogaj -


Shkruar nga KOLEC TRABOINI


Korrupsioni dhe demagogjia antikorruptive është e vjetër sa vetë njerëzimi, ca thonë se kjo ka lindur me vetë njeriun. Të tjerë shtojnë se perendorinë me shkelqimin më të madh në botë, Romën, më shumë se sulmet e jashtme të hunëve të Atilës e shkatrroi korrupsioni i brëndshëm. Sa i perket demagogjisë edhe ajo e vjetër sa bota është. Shekspiri e ka trajtuar në mënyrë të përsosur një situatë të tillë të një gjëndje dyfishe në gojën e Mark Antonit i cili po varroste tiranin Çezar me lejen e Mark Brutin. Pak a shumë Mark Antoni thoshte se Mark Bruti kishte zemër të mirë por edhe Jul Çesari ishte si një ëngjëll…e rezultati dihet, qytetarët romakë të zemëruar e zunë me gurë republikanin “zemërmirë” Mark Bruti.


Nuk e di pse duke lexuar shkrimin e Preç Zogajt ”Raste të pakrahasueshme” ( është fjala për përqasjen korruptive të minstri Prifti me çiftin Albana Vokshi – Arjan Tartari ), më erdhi ndërmënd ky imazh historik romak. Ndoshta se në një anë autori flet rreptë kundër aferave korruptive nga ana tjetër thotë diku hapur e diku me nëntekst, po lëreni tani se boll u morët me çeshtjen Vokshi-Tartari, madje në fund të shkrimit shkruan dy herë disi me nervozizëm: “Mjaft! Mjaft!”. Me gjithë analizën e stërmundimshme të autorit nuk arrita ta kuptoj se përse duhet lënë jashtë vemëndjes së medias një çeshtje që ka të bëjë me miliona, të cilat po të mos qe bisnesmeni Tartari i lidhur me deputetën Vokshi, zor se mund të binin në qesen e tij.

Dihet që çdo lloj konçensioni i përfituar prej lidhjeve familjare, klanore apo politike me segmentet e qeverisjes është aferë korruptive. Mirëpo edhe për këtë autori i shkrimit e gjen solucionin çudibërës me shprehjen akuivoke “Jo çdo lloj shkelje është korrupsion” pa arritur të na tregojë se ku na qënka kufiri në mes tyre në rastin konkret.

Pasi që autori i shkrimit e merr nën mbrojtje të hapur bisnesmenin Tartari bën edhe këtë piruete mbresëlënse: “Unë nuk e di a i paguan ai taksat në rregull apo jo dhe nuk e vë dorën në zjarr për asgjë, por ai po trajtohet si mish për top në këtë histori.”.

Pra nga njëra anë autori i shkrimit nuk di kurrgjë për bisnesmenin, por nga ana tjetër i bën një mbrojtje për tia pasur zili edhe Mark Antoni.

A mund të na thojë z. Zogaj që merr nën mbrojtje bisnesmenin, për të cilin ai shkruan se “është bërë kokë turku nga opozita e media”, të thojë pra nëse i ka marrë në rrugë ligjore apo në rrugë miqësie konçensionet për hidroçentralet në fjalë apo dhe të tjera bisnese. Të thojë edhe pse duhet opozita e media ta largojnë vëmëndjen nga pasuria përrallore e bisnesmenit në fjalë apo dhe të bisnesmenve të tjerë, çfarë mesa duket opozita dhe media pas udhëzimeve “konstruktive” të Zogajt, kanë nisur ti zbusin deri në shuarje zërat e vet? Pyesim, a ka të drejtë ky popull të dijë se si vihen këto pasuri të paimagjinueshme edhe në vëndet me të zhvilluara në botë si Amerika? Në këtë vend ku ligjin e bën Maliqi, mendoj se nuk duhet të ketë imunitet askush, sakohë që marrin nëpër duar dhe e shpërdorojnë apo vjedhin pasurinë e popullit. Nuk ka pse ti bëhet thirrje opinionit dhe opozitës që t’i mëshohet më tepër Dritan Priftit dha ja zbusin situatën Arjan Tartarit dhe të deputetes Albana Vokshi, e cila “bashkë me bisnesmenin bashkëjeton ka një fëmijë”, por, e këtu na qëndroka zgjidhja sipas tij, nuk na paska një vertetim martesor në gjëndjen civile. Pse i rrjeshton këto Preç Zogaj?! Kujt i hynë në punë. Si qytetarë nuk na intereson jeta private e askujt. Por si dhe pse i mori konçensionet A. Tartari? Duke shtruar këtë pyetje, nuk besojmë se preket privatësia e ndokujt, sepse kushdo që merr konçensione nga shteti i të gjithë shqiptarëve ( e jo vetëm i politikanëve apo shtetarëve), ka për detyrim të jetë transparent përpara qytetarëve të këtij vendi e institucioneve që ai zgjedh. Ju zoti Preç Zogaj i kërkoni këto që shtroni në shkrimin tuaj si politikan i një kahje politike( i majtë , i djathë , i qëndres), apo si qytetar i thjeshtë i këtij vendi të rreh zemra për këtë gjëndje në të cilën është katandisur vendi ynë ku, çdo kush që e ka një mik deputet apo ministër mund të bëjë bisnese e marrë konçensione, mund të gjejë punë si ku të dojë. Në këtë vend të vogël që quhet Shqipëri, çdo arapçi mund të bëhet Vali, del ne Pazar pa një grosh e kthehet në shtëpi me një thes në kurriz. A nuk po dalin do shqiptare drogaxhijtë të Amerikës të dënuar në mungesë, nënpunës në Ministrinë e Jashtme dhe këta duhet të arrestohen vetëm kur shkojnë të marrin viza( tashmë me sherbim diplomatik) në Ambasadën Amerikane, sepse policia shqiptare bën të paditurin ngase personi ne fjalë ka lidhje me segmente te pushtetit dhe politikes. Bëjnë sikur nuk i kanë lexuar shpalljet e interpolit policia “moderne” e ministrit Basha!!! E pra ky vend e ka një shtet. E ky shtet e ka një qeveri që e paguan sa qimet e kokës. E kjo qeveri jep vakëfe për ofiqarët ë vet. Ndërsa të tjerët pa kësisoj lidhje tarafi e klani le të shkojnë e të marrin bukë me listë ose të vdesin.

Për kë e harton këtë artikull këshillimor ku i jepet të drejtë njëkohësisht edhe të akuzuarit por edhe akuzuesit, kur dihet se jo gjithëherë këshillat janë të dobishme. Ta zëmë si të ketë vdekur ndokush nuk besoj se mund t’u këshillohet familjarëve t’i japin atij një kupë çaj të ngrohtë. Kështu edhe këshillat që jep për korrupsionin janë veç një vargan fjalësh nga ato që politikanët i kanë në xhepat e vegjël të xhaketave e i nxjerrin sa herë duhet pak tymnajë e trendafiltë. Se gjithkush e di dogmën e pushtetarëve që “ Kushdo që konstaton korrupsion të marrë direkt kryeministrin në telefon”, sikur të ketë mbetur fati e siguria e një shteti në telefonatat anonime, ose “Zero Tolerancë” kur zyrtarët vjedhin me të dyja duart, e parrulla të tjera idiote si këto.

Dikur nga grupimi politik në të cilin keni bërë pjesë është shpikur termi “terapia e shokut” në ekonomi çfarë solli shkatrrimin e çdo vlere të punës kolektive të krijuar në afro 40 vjet, me fabrika e uzina e ndërmarrje bujqësore madje dhe kanale vaditëse, shkolla e spitale. Sikur në Shqipëri të kishin kaluar fiset barbare. Duke e njohur mirë efikasitetin shkatrrues sa një bombë atomike të terapisë së shokut, (sepse jeni i asaj aradhe historike duke vajtur deri në kolltukun e ministrit), me autoritetin që keni krijuar pra, pse nuk merrni nisiativën në rang kombëtar për një terapi shoku në fushën e korrupsionit. Do të ishte vertetë shkatrrues, por një shkatrrues kësaj here për mirë. Për një terapi të tillë kemi nevojë të na flasë si politikan e gazetar z. Zogaj e jo të thuhet se opozita po i bie në qafë ca bisnesmenve që kanë nëpër banka miliona e ca thonë miliarda euro e që u pasuruan sa hap e mbyll sytë në këtë shkretirën tonë që jeton me importe e thuasje nuk prodhon asgjë. Madje z. Zogaj, nëse je konsumator i përditshëm, nuk ke shërbëtorë e shkon vetë në pazar(çfarë unë dyshoj për këtë), do të kesh vënë re se edhe frutat e perimet janë me çmime të larta sepse na vinë nga Greqia e Maqedonia. A keni dëgjuar këto ditë të nxehta vere një lajm për një inxhnjere ndërtimi 40 vjeçare që e panë fqinjët të blente veç dy kokrra domate, se me 4000 lekë ndihmë në muaj që merrte si e papunë, shumë e barabartë kjo me 40 dollarë, nuk kishte tjetër të blente. Një kokërr domate qe dreka e saj e fundit sepse atë ditë u hodh nga apartamenti ku jetonte në Tiranë duke bërë vetvrasje , sepse kjo shoqëri e mbrapsht që kemi ndërtuar, ky shtet e kjo qeverisje antihumane nuk i kishin lënë asnjë mundësi për të jetuar. Si i thonë kësaj z. Zogaj? Nuk të pyes si poet por si politikan. Më shumë të vjen keq për inxhinjeren apo për “kokën e turkut” të miliarderit të cilit, sipas jush, po i bikërka në qafë opozita dhe media të cilës ti i jep urdhër që të heshtë ?

Po pyetjes se sa nga miliarderët tanë si Tartari apo Taçi Oil e plot të tjerë janë sadopakë filantropë. Kush nga miliarderët shqiptarë, qoftë dhe me emrin e vet , siç u kanë vënë emrat benzinatave(!!!), kanë hapur ndonjë mencë supe për të varfërit e të pastrehët?!...

Si një politikan profili i këtij vendi që je, para së të nxjerrësh lotë për bisnesmët që po “vuajnë”, që “nuk kanë para për rrogat”, jeni të lutur të na thoni në ëmër të popullit që po çmëndet nga lumturia, se a ka ndonjë ligj që e kontrollon pasurimin magjik si në përrallat e Ali Babait në ketë Zululandin tonë, siç thoshte Konica, ndonjë ligj pra që i kontrollon, në mos Ali Babain, të paktën 40 bisnesmen-hajdutët që i vinë nga pas?!


Tiranë gusht 2010


© Copyright Traboini - esè / traboinistudio@yahoo.com
Nuk mund të botohen në asnjë organ shtypi apo sit elektronik pa lejen e autorit

12 August 2010

Fjalet e fundit të Karaiskaqit- nga Kolec Traboini

FJALËT E FUNDIT TË KARAISKAQIT
Karakteri shqiptar

 Nga Kolec TRABOINI

Gjergj Karaiskaqi u shkarkua nga detyra si komandant dhe në vend të tij vunë një gjeneral tjetër grek. Këto makinacione bëheshin nga grekët për ti larguar arvanitasit që shiheshin si heronj nga populli, por si kundërshtarë nga qarqet helenike dhe ato kishtare që bënin ligjin. Përdornin tërë metodat, pa kursyer helmin e plumbin dhe ta zbehur sa të ish e mundur shkelqimin e tyre sfidues.
Ndërsa herojtë arvanitas të Revolucionit 1821 e mbyllën luftën me pavarësinë e Greqisë dhe me ëndërrimin për çlirimin edhe të Shqipërisë nga Osmanët, grekët pikërisht atëherë nisën luftën e tyre të vertetë duke i vrarë udhëheqësit arvanitas siç bënë me Kollokotronin që e dënuan me vdekje por ja falen jetën dhe tjerë. Gjenerali grek që e zëvëndësoi Karaiskaqin, me qëllim e urdhëroi të shkonte tek Kisha e Shën Spiridonit ne Perea ku ishin mbyllur si robër 300 shqiptarë musliman e të bënte kështu e ashtu...fjala ishte që t'i mundonte e torturonte për vdekje.
Karaiskaqi nuk pranoi.Si mund të pranonte të derdhte gjakun e vllëzerve të vet shqiptar. Gjenerali grek u grind me Karaiskaqin. Karaiskaqi, ky trim i paepur arvanitas me e karakter të fortë, ju kthye ballë për ballë e i tha: "Atë urdhërin që po më jep do ta shkruaj në k....tim!". Pastaj vazhdoi, ne të dy jemi me një gradë, gjeneral, si më jep urdhëra ti mua? E si mund të shkoj unë tek arvanitët musliman të mbyllur në kishë? Kjo sepse ai vetë qe arvanitas. Gjenerali grek që e kishte dërguar me qëllim tek robërit arvanitas muslimanë për ta poshtëruar, se, kështu jua bëjmë ne grekët shqiptarëve. Duke qënë një hakmarrës i lig komandanti grek, gjeti një turko-grek dhe e porositi ta qëllojnë pas shpine gjeneralin Gjergj Karaiskaqi. Në momentin e fundit që po binte, heroi arvanitas pa andej pas nga erdhi plumbi e i lëshoi një thirrmë sa buçiti vendi "Të q....nënën!", në gjuhën arvanite-shqiptare, dhe ra përdhe. Eshtë koicidence që njëjtën fjalë, në të njëjtën situatë, sipas protokollit të policisë së Tiranës me dëshmitarët e ngjarjes, ka thënë Avni Rustemin në 1924 kur u qëllua pas shpine nga Isuf Reçi mullisi i toptanëve
Monumenti i Karaiskaqit në kalë është derdhur në bronx në një shesh të Athinës që mban emrin e tij "Platia Karaiskaqi", e ku kalojnë shpesh edhe emigrantët shqiptarë, bashkëpatriotët e tij. Po ti pyesësh grekët e sotëm për heroin, të ushqyer që në fëmijëri në shkolla me idera të sëmura nacionaliste, të thonë se Gjergj Karaiskaqi ka qënë grek e vetëm grek. Por Karaiskaqi para se të vdiste tha ndryshe.Madje e tha në atë gjuhë që në Greqi është e mohuar dhe e ndaluar sa me demagogji aq me represion. Ndërkohë që Turqit e Ksanthit e kanë shkollën turke, por edhe deputetë e xhami kanë, ndërkohë që arvanitasin me gjuhën e tyre shqipe janë të ndaluar.Turpi i Europës që lejon ende të tilla ndalime. Fundja grekët po ja shperblejnë turqëve sepse edhe këta të fundit dikur kur na kishin të pushtuar, lejonin gjuhën e shkollën greke por e shuanin me zjarr e plumb gjuhën tonë shqipe. Dëgjojmë grekët të na shajnë neve "turko-albanian" kur ata janë më turq se vetë turqit. Por të mos ua mohojmë një meritë, të mos ua mohojmë një të vertetë, ani pse lehin si çakej nëpër parada idiote, pshurrën në brekë prej frikës së turqeve. Por edhe neve, që tani jemi bërë dy shtete shqiptare në Ballkan, tmerr e frikë na kanë. Nuk kanë më as autoritetin e as tutelën që kishin mbi ne para një dekade.
Gjeopolitika ka ndryshuar dukshëm në këtë shekull te ri, miti grek si superfuqi në Ballkan e tokat arbërore është shpërbëre ani pse ka mjaft politikanë e shtetarë të vetquajtur shqiptarë, që për hirë të interesave të karierës e xhepit janë gati tu japin grekëve tokën dhe detin, se shpirtin e vet ja kanë falur djallit! Tani pra, me dy shtete shqiptare në Ballkan, ashtu si trimi shqiptar Karaiskaqi i tha gjeneralit tinzar grek, edhe ne pa pikë droje mund t'u themi pëllitjeve skizofrenike e shoveniste nëpër parada ushtarake mburravece athinjote: "Arqidhia!". Nuk mendoj se meritojnë fjalë me të bukur në gjuhen e tyre çakejt e shovenizmit ballkanas.


© Copyright Traboini
Nuk mund të botohen në asnjë organ shtypi apo sit elektronik pa lejen e autorit