12 August 2014

Kujdes Qeveri- Embola greke në kufi- nga Kolec Traboini


KUJDES QEVERI - EMBOLA GREKE NË KUFI!

Asnjë emigrand afrikan që vjen nga Greqia të mos pranohet.

Greqia, fqinja jonë dhelpërueshe, që luan edhe rolin e çakallit ballkanik, që shkon pas mësimeve të kërmave të historisë, e pangopur ne orekse, e pafund në urrejtje, çfare u shfaq sërish në shfrimet e urrejtjes nacionale xhiruar në vidio me ushtarët grekë, po ndjek taktikën e sjelljes në Shqipëri  nëpërmjet kufirit tokësor të emigrantëve nga Afrika. E bëjnë kinse nuk i shohin kolonat me emigrantë afrikanë, kur për të kaluar në Greqi është tepër e vështirë sepse e ruajnë aq mirë kufirin, ditë e natë, as miza nuk kalon nga Shqipëria.   Ndërkohë  me dhjetra e qindra emigrantë afrikanë kalojnë nga Greqia në Shqipëri pa u trazuar e nën vështrimin e qetë të kufitarëve të vet. Ja një lajm i fundit i datës 12 gusht 2014:
"Sot policia e Vlorës ka ndaluar plot 40 klandestinë pasi kanë hyrë ilegalisht në vendin tonë përmes maleve greke.Pesë prej tyre janë dërguar menjëherë në spital pasi kanë shfaqur probleme shëndetësore, ndërkohë mësohet se klandestinët janë me origjinë nga Eritrea. Policia i ka dërguar ata në spitalin e qytetit, ku iu janë nënshtruar edhe analizave. Po të njëjtat burime saktësojnë se analizat e tyre iu janë dërguar në drejtorinë e ISH."
Grekët e bëjnë këtë jo pa qëllim,  ndërkaq policia shqiptare,  që nuk ka pikë inteligjence, i rrofshin syzet që llapsin në shkelqim të ministrit Saimir Tahirit, e uniforma e pastër si për grand parade e Artan Didit,  në vend  pra që  ti kthej afrikanet  prapsht në tokën greke,  i merr e i strehon,  çfarë është një kërcënim i hapur për epideminë e Emboles në Shqipëri. Asnjë emigrant afrikan i ardhur nga Greqia të mos pranohet. Të gjithë të dërgohen në kufi e tu lihen në dorë grekëve. Le ti marrin e ekzaminoje ata që marrin edhe miliona euro nga programet mbështetëse të Brukselit.   Tokën greke fundja  le ta ruajnë vetë grekët e jo ne.
Mos vallë ka në qarqet antishqiptare greke elementë që punojnë me skenarin e megaloidhesë për zhdukjen e shqiptarëve, që ta kenë më të lehtë pastaj pushtimin e tokave shqiptare për të cilën punojnë si të çmëndur. Kështu marrin jo vetëm detin që ju dha dyshja  monstruoze antikombëtare Berisha-Basha  por edhe tokën.
Kujdes qeveri shqiptare. I ktheni mbrapsht në Greqi të gjithë emigrantët afrikanë. Nëse ju me veprimet tuaj mediokrre do ti pranoni emigratët duke rrezikur popullin shqiptar unë do të jem i pari, a ndoshta i pari ndër të parët që do të dal në rrugë me thirrjen të ik qeveria. Mjaft  lozët me Fullanin deri në neveri, duke e mbrojtur hajdutin kinse nuk keni fuqi të veproni. Por ta dini mirë, jetën e popullit nuk do guxoni ta lini të kërcënohet e rrezikohet. Ju mund te ikni diku jashtë Shqipërisë  se andej Europës i keni vilat, por populli nuk ka ku të shkojë. Mjaft më me fjalë e premtime. Është koha e të vërtetës për ju.
E çfarë ishin kimikatet siriane para Emboles? Hiçmosgjë! Shqiptarë, zgjohuni,  mendoni mirë sot që të mos t'ju këndoje qyqja mbi varr nesër.

K. P. TRABOINI
12 gusht 2014



NEXT: ---> shkrime- esé- link :

07 August 2014

Punë kulturash - nga Tirana në Prishtinë - nga Kolec Traboini


PUNË KULTURASH- NGA TIRANA NË PRISHTINË

E di që Bibliotekën Kombëtare në Tirane e kanë rrudhur keq e më keq, e kanë vendosur me dalje nga pjesa anësore e Pallatin të Kulturës si apendiks, me shkakun se ky shtet që shet edhe brekët e veta, ua ka dhënë me qera hyrjen kryesore të këtij Pallati që e ka mbiemërtimin Kulture, disa kompanive e firmave private, por edhe Biblioteka Kombëtare  e Prishtinës nuk më pelqen, më duket si saraj sulltanësh.

Nga  Kolec TRABOINI

Gjithmonë i kam vlerësuar bibliotekat sepse ato janë thesari i dijeve njerëzore dhe kam vënë re se në Amerikë bëjnë kujdes dhe japin fonde të mëdha për biblitekat e shteteve. Nëse do të merrnim një shëmbull në Boston do të thonim se godina e “Boston Public Library”është me të vërtetë një ndërtim i madh mbrëslënës, një ndërtesë me kollona larta që sapo e sheh të çon mendjen tek stilin glorioz romak. Gjithçka flet për lavdinë e dijeve brenda një trukture solide sikur të thoshte se në këto tempuj dijesh qëndrojnë themelet e shteteve. E di që Bibliotekën Kombëtare në Tirane e kanë rrudhur keq e më keq, e kanë vendosur me dalje nga pjesa anësore e Pallatin të Kulturës si apendiks, me shkakun se ky shtet që shet edhe brekët e veta,  ua ka dhënë me qera hyrjen kryesore të këtij Pallati që e ka mbiemërtimin Kulture, disa kompanive e firmave private. Madje njëra nga ato e ka modifikuar për sallë filmash apo mbledhjesh përkundrejt shumave të mëdha 400 apo 600 euro për një ore promovin apo premiere filmi.  Me e trishtueshme është se masakrat ndaj institucineve të artit vazhdojnë të jenë të pandryshuara edhe me ndrrimin e qeverisjes.  Kësisoj në qëndër të Tiranës kemi një Pallat Kulture që nuk ka të bëjë në asgjë me kulturën, e fale zotit që nuk e kanë mbyllur dhe Teatrin e Operas dhe Baletit, salla e të cilës është katandisur si një teater provincial me ndenjëse erë djersë a diç më shumë. 
Po le të kalojmë në kryeqytetin tjetër të shqiptarëve se tashmë kemi si shqiponja me dy krerë edhe dy kryeqytete. Kisha parë në fotografi shumë herë Bibliotekën Universitare të Prishtinës por asnjë herë nuk e kisha kuptuar pamjen e saj. Që në fillim kishte lindur një lloj mospëlqimi mes meje e atij ndërtimi që e konsideroja apokaliptik. Këto ditë gushti u gjenda pranë ngrehinës së Bibliotekës së Kosovës. Këtu problemet nuk qëndronin si në Tiranë. Shteti këtu nuk ja kish shitur shpirtin bizneseve siç ndodh në Pallatin e Kulturës në Tiranë. Madje në këtë pikëpamja vumë re se Fakulteti Filologjik i Universitetit të Prishtinës  dhe Biblioteka aty pranë ishin në hapsira të lira dhe gjelbrim, por gjithsesi nuk rri dot pa shkruar për ndjesinë në lidhje me ndërtesën e Bibliotekës së Kosovës që ka jo pak por 5 mijë antarë të regjistruar.  Një stukturë e mbyllur me kube që të kujtojnë orjentin, hamamet e lindjes së mesme, a ndoshta diçka edhe nga fryma mistike bizantine. Gjithë kjo  më ngjallte mendime të ndryshme por asnjë herë me dritë. E sodita gjatë,  dhe u përpoqa ta largoj sadopak ndjesinë që kisha marrë prej imazheve kartolineske  por nuk qe e mundur. Zymtësia më shoqëroi që nga pamja e jashtme madje edhe hyrja si në koridoret e errta të ndërtimeve mesjetare. Mu duk se papritur do të më shfaqej trimërisht ndonjë luftëtar mesjete i veshur deri në dhëmbë me hekur.
Nuk e di kush e ka krijuar këtë model, nga janë frymëzuar arkitektët dhe sa vlerë i japim si zgjidhje një ndërtese guri futur në një strukturë hekuri që të krijojnë imazhin e një saraji mesjetar, a përndryshe të ngjallte ndjesinë  e përjetimëve filmikë kur ndodhte që zinin një kryengritës, e fusnin në kafaze prej hekuri dhe e shëtisnin në popull. Asgjë në këtë konstruksion nuk më kujtonte dritën, as dijen, as të ngjallte ndjesinë se në zemër të kësaj ngrehine gjënden dritëzat që ndriçojnë mendjet njerëzore. Përkundrazi. Po qellimi im i ardhjes këtu nuk ishte të prekja me dorë një imazh arkitekturor që më kishte krijuar një ndjesi të turbullt sa herë e kisha parë në foto, por ngase doja të sillja një sasi librash nga krijimtaria ime, sepse mjaft gjatë kemi shkuar në mosnjohje të njëri tjetrit. Se njohja nuk është vetëm të takohemi e të pimë një kafe në një lokal veror të Prishtinës apo ish Bllokun e Tiranës, por edhe të dimë çfarë mendojmë e çfarë ndjejmë si bashkombas pa fare dallimi në mes nesh, anipse ca fjalamanë profesionistë Tirane i kanë përrallisjet e ndarjeve në maj të gjuhës. Po dihet, flet më shumë paraja e serbit se sa mendja e shqiptarit mediatik.
 Kësisoj dhurova  6 tituj librash, “Flamuri në Deçiq”, “Aristidh Kola”, dhe katër vëllimet e mia të fundit me poezi. Ndërkohë që po dorëzoja librat nënpunësi plot respekt më njoftoi se Biblioteka tashmë ishte ndarë, në atë Universitare dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës që është e emërtuar "Pjetër Bogdani". Më erdhi mirë për këtë emër megjithëse mendoj se emërtimi i bibliotekave kombëtare që janë unike në një shtet,  nuk ja ndjejnë nevojën ndonjë emri për tu dhënë identitet.
Edhe tek dilja u përpoqa ta zbus vështrimin, me dëshirën ta shoh ndryshe këtë ndërtesë që më ngjallte një ndjesi të turbullt por nuk munda. Gjithçka mund të ishte, një muze armësh të ndryshkuara mesjetare a diç tjetër por jo një qëndër prej të cilës buron drita e dijes. Të paktën ta  kishin dhënë me qera e ta bënin bibliotekën në ndonjë ndërtesë tjetër- thashë me vete,- ta bënin si pushtetar-tregtarët e Tiranës të cilët duke mbetur peng të mosdijes, ndërkohë që Bibliotekës Kombëtare i kanë gjetur një furrik,ballin e Pallatit të Kulturës ja kanë dhënë tregtarëve, si te ishte shteti një fajdexhi qiradhënës. Kush e di ndonjë ditë do të shitet aty edhe djath kaçkavall si mënyja më preferuar e honxho-bonxhove të kulturës shqiptare. E akoma më tej  ndërtesën e quajtur Piramida në bulevardin Dëshmorët e Kombit e kanë lënë të rrënohet madje edhe  ta zhveshin nga pllakat e mermerit të blera si frëngu pulën në Itali. Vërtetë kush e mori mermerin e Piramidës, banjot e cilit deputet a ministër zbukurojnë? E këto nuk janë vetëm punë kulture por edhe punë vjedhjesh e matrapazllëqesh shtetërore. Për ndërtesën e Lidhjes së Shkrimtarëve shqiptarë, që shteti i Salit në mënyrë banditeske ua mori me forcë  krijuesve duke i nxjerrë në rrugë të madhe do flasim një herë tjetër. Meriton vemëndje për faktin se ky akt despotik i shfaq  shtetarët e qeveritarët tanë si urithët e antikulturës paçka se në të vërtetë vishen firmato nëpër dreka e darka qeveritare apo partiake, por të shkretën mëndje e kanë kashtë e byk.

gusht 2014



01 August 2014

🔴 Shkodrania aktore e parë e Turqisë- nga Kolec Traboini



  SHKODRANIA AKTORE E PARË E TURQISË
Shkruar nga KOLEC TRABOINI
 
Në kohën kur zhvillohej lufta në Kosovë, në shtëpinë time në Boston,  ndiqja gjithçka që botohej në shtypin amerikan për shqiptarët. Duke lexuar një gazetë të vogël që dilte për artistët në Hollivud, ndesha në intervistën e Eliza Dushkut, e lindur kjo në Boston në vitin 1980,  që atëherë ishte vetëm 19 vjeçare dhe krejt e panjohur në Shqipëri. Ajo i kishte thënë  gazetares amerikane se jam e trishtuar për vuajtjet e shqiptarëve të Kosovës edhe me shkakun se prejardhja ime është prej atij vendi. Pasi kërkova nëpër numura telefonash e shtëpitë e shqiptarëve në Boston rashë në gjurmët e babait të saj Filip Dushkut me origjinë nga Korça, madje krejt saktë me shtëpi të gjyshërve në rrugën Fan Noli. Përgatita një shkrim të cilin  dërgova në revistën “Klan” me titull “Eliza shqiptare e Hollivudit”. Me këtë botim publiku shqiptar mësoi për herë të parë për aktoren me origjine shqiptare. Tashmë ky fakt është i njohur, i vjetër, ai shkrim mbase është harruar krejt , por gjithsesi është një prej kujtimeve të mia të bukura në gazetari sepse lidhet edhe me profesionin tim si kineast.  Krejt rastësisht, 15 vjet më pas zbulimit të Eliza Dushkut, rashë në gjurmët e një aktorja tjetër, e cila ndryshe prej Eliza Filip Dushkut, kjo aktore e panjohur kishte lindur në Shkodër. Tani le të shohim kush është kjo aktore me emër të madh në Turqi por që nuk njihet as në Shqipëri dhe mjerisht është harruar krejt edhe në vendlindjen e saj në Shkodër.

 Një shkodrane me emrin Habibe Molla

Në familjen shkodrane të një ushtaraku më 16 korrik të vitit 1906 lindi një vajzë të cilës, sipas kartelës së Sinematekes turke,  i vunë emrin Habibe Molla, një mbiemer mjaft i njohur edhe sot e kësaj dite në qytetin e Shkodrës. Ishte një fëmijë i bukur, i shkathët e lojcak që u bë gëzimi jo vetëm i shtëpisë, i prindërve te vet  por edhe i komshinjve. Një vogëlushe  që sillte kudo gëzim dhe e donin të gjithë. Po ai gëzim fëminor i shkodranes së vogël do të ndërpritej me një tragjedi që për moshën që kishte nuk e kuptonte se gjithçka do të kthehej në rrjedhën e jetës së saj,  për të ikur përgjithmonë larg vendlindjes. Në vitin 1909  vritet babai i saj. Nuk kemi arritur ti mësojmë emrin e babait por mbiemri i tij është Molla. Nuk dimë në çfarë rrethanash por të dhënat thonë se ishtë vrarë në krye të detyrës dhe konsiderohej nga  shteti osman si dëshmor. Halideja do jetonte edhe mjaft kohë në Shkodër derisa gjyshi i saj vëndosi të lërë Shkodrën e të shkonte në Stamboll me ndihmën e një koloneli të ushtrisë me emrin Salih. Nëna e vogëlushes duhet të ketë mbetur në Shkodër  por në të dhënat biografike  nuk thuhet se si ndodhi që vajza u shkëput nga nëna e saj.  Habibes së vogël i mungonin shumë gjëra në Stamboll, së pari i mungonin prindërit, i mungonin fëmijët me të cilët loste e gëzohej. Kjo nuk po ndodhte në Stamboll e fëmijëria e saj sikur kishte humbur.  Në Stamboll kishte më shumë njerëz nëpër rrugë,  por nuk kishte të njohur, nuk gëzonte ato përkëdheli që ua bëjnë jetën më të bukur dhe  i rrisin fëmijët. Asaj i kishin ndrruar edhe emrin, nuk njihej më me emrin Habibe por me emrin e ri Halide. Pa shkuar gjatë shkodranes së vogël që rrinte e vetmuar në një qytet të madh i vdes edhe gjyshi për ta lënë krejt të vetëm. Tashmë ajo nuk kishte më ku të shkonte dhe nuk e dinte të ardhmen e saj. Ju sigurua një pension jetese për babain e vrarë. I japin bursë për shkollë dhe rritet në konviktet e shkollës.

Nga Shkodra e Shqipërisë në Shkodrën e Bosforit

Pasi diplomohet në shkollën e mesme ajo u emërua mësuse shkolle  në Uskudar . Ja vlen të ndalemi në këtë rajon të Stambollit në ngushticën e Bosforit sepse emri i këtij rajoni me një popullsi afro një milion  banorë ka të njëjtin emertim historik siç e ka edhe Shkodra, Scutari. Ky emërtim i këtij rajoni është bërë herët sepse ai është një qytet i lashtë, shumë kohë para se të themelohej Kostandinopojë . Scutari  u themelua  aty nga shekulli i  7-të  para  Krishtit, fillimisht me emrin “Qyteti i Artë”. Ky emërtim ka disa të dhëna, por një historian i lashtë grek  shkruan se ky qytet e mori emrin Krisopolis/Qytet i Artë sepse perandoria perse kishte atje një thesar të madh të fshehur ose sepse ky qytet lidhej me Agamemnonin dhe të birin Krises. Por sipas një shkrimtar tjetër i shekullit të 18-të qyteti e ka marrë emrin i Artë për shkak të përsosmërisë së portit të saj. Qyteti është përdorur si një port dhe kantier detar dhe kishte një pozicion i rëndësishëm  dhe është bërë arenë e luftërave mes grekëve dhe persëve.
Në vitin 324, në këtë qytet  u zhvillua beteja më e rëndësishme dhe përfundimtare mes Konstantinit I, perandor i Perëndimit, dhe Licinius, perandorit romak  të Lindjes, në të cilën Konstantin e mundi  Licinius. Kur Konstandini i njohur për prejardhjen e tij Ilire, krijoj kryeqytetin e perandorisë Bizantine me emrin e tij, Krisopolit  i humbi  rëndësia e mëparshme dhe u bë periferi megjithëse mbeti i rëndësishëm gjatë gjithë periudhës bizantine, sepse të gjitha rrugët tregtare në Azi fillonin atje, dhe të gjitha njësitë e ushtrisë bizantine që  drejtoheshin për në Azi   mblidheshin  pikërisht atje. Në shekullin e 12-të, qyteti ndryshoi  emrin e tij në Skoutarion –Scutari,  emër që kishte edhe  pallati i perandorit aty pranë. Në 1338 udhëheqësi osman Orhan Gazi mori Skutarin, duke i dhënë mundësi osmanëve të kenë një bazë fare pranë Konstandinopojës.
Sa i përket emërtimin besohet se emri Scutari, siç e kishte edhe Shkodra, do të thotë "lëkurë të papërpunuara".  Është i njohur fakti se edhe Shkodra e Shqipërisë ka qënë një qënder ku mblidheshin lëkurë të kafshëve të pyllit dhe tregtoheshin në Venedik e gjetkë përmes anijeve tregtare që kalonin në Bunën e lundrueshme aso kohe.  Të tjerët të cilët e shkuan në atë zonë e kanë quajtur atë edhe Eksüdar ose Escutaire.
Në kohën kur shkoi aty Habibe Molla, kjo periferi e Stambollit ishte pjesa më karakteristike, me rrugica të shtrembra e shtëpitë e vogla prej druri, me dyqane të shumta artizanale. Po këtu ishte dhe vendi i varrezave të mëdha e të moçme të Stambollit, duke përfshirë  ato myslimane por edhe hebraike dhe të krishtera.
Në këtë qytet aq te ngjashëm me Shkodrën e vendlindjes sepse rrethohej dhe ky me ujëra, madje në vitin 1910 qarkullonte një kartolinë  në Stamboll por edhe në Shqipëri në të cilën qenë bashkuar pamjet e këtyre dy qyteteve me emrin Scutari të cilët dhe në imazh aq shumë ishin të përafërt. Në Scutarin e Bosforit Habibe Molla, do të pësonte një tjetër tragjedi. Kur ishte mësuese shkolle  kishte  rënë në dashuri dhe u martua me një tregtar pambuku.  Dhe ishte fare e re në moshë. Po muajt e martesës  i kaluan shumë shpejt. Fati tragjik sikur e ndiqte hap pas hapi në jetën e saj plot dhimbje e humbje.  Ashtu siç i kishte ndodhur vrasja e babait kur ishte 3 vjeç, vetëm tetë muaj pas martesës së saj dhe kur ndjehej më e lumtur se kurrë i vdes burri.  Tashmë ajo e shihte të ardhmen më të zezë se kurrë.

Aktorja e parë e Turqisë

Në vitin 1923 ishte krijuar nga Sadi Fikret  një grup teatror i lëvizshëm që aso kohe ishin aq shumë të preferuar. Nuk vinte spektatori në teatër por shkonte teatri shetitës fshat në fshat e qytet në qytet. Shumica e shfaqjeve ishin skeçe e vodevile, kryesisht skena humori. E rekomanduar nga një i afërt, drejtuesi i trupës së teatrit shëtitës  e pranon për një  turne në Izmir.  Shfaqjet teatrore  në atë kohë nuk kishin aktore femra. Ishim meshkujt që losnin rolet e femrave. Kjo ka ndodhur edhe në Shqipëri deri vonë. Habibe Molla, tashme me emrin  Halide Piskin, kishte një natyrë pak e zymtë. Ishte pikërisht jeta e saj pa dashurinë prindërore  dhe me fatkeqësi në jetë që e bënin të ishte hijerëndë. Dhe krejt ndryshe prej moshës që kishte, roli që i dhanë ishte ai i një halle, e cila  kishte si karakteristikë të folurën hundore të forte, tip të cilin ajo e realizoi shumë bukur dhe që do ta vazhdonte për vite të tëra si personazh në situata të panumërta dhe në gjini të ndryshme si në teatër por edhe në emisionet e radios. Mirëpo në vitin 1925 ndodhi që grupi i teatrit lëvizës nuk mundi të vazhdonte veprimtaritë.  Meqë ishte e para aktore e skenës e morën pa shumë hezitim në Teatrin e Stambollit.
Në vitin 1933 ajo u bë shumë e njohur me rolet e veta në filma dhe një aktore e kërkuar. Madje në kronikat e kohës shkruhej se spektatorët u dyndeshin në të gjitha kinematë e vendit për të parë lojën brilante të Halide Piskin. Kalon një periudhë të vështirë dhe detyrohet të punojë në radio gjithnjë me tipin humoresk që kishte krijuar, me skeçe e humore të cilat i përgatiste vetë. Ajo konsiderohej gjithashtu edhe si një krijuese shumë e mirë e  materialeve letrare të skenës.
Në vitin 1944  pasi që kishte punuar në kompani të ndryshme teatrore u kthye sërish në teatrin e Qytetit të Stambollit duke u bërë një nga aktoret kryesore.
Ajo ka një repertor të gjërë si aktore por edhe si  shkrimtare filmi si në “Kivircik PASA” (1941),/ “Duvaksiz Gelin” (1942) dhe “Dügün gecesi “(1933).  Ne  Filmografine per Halide Piskin mund te rradhisim edhe :  "Kafes Arkasında" (1930),  "Fermanlı Deli Hazretleri" (1930), "Kafatası" (1932),  "Yanlışlıklar Komedyası" (1938),  "Anna Karenina" (1939) , "Lüküs Hayat" 1950,  "Yelpaze" (1955),  "Kızımın Başına Gelenler" (1958) , "Bir Kilo Namus" (1959).
Filmi i saj i fundit i Halide Piskin  ishte "Çfarë ka ndodhur me vajzën time",  për të cilin ka shkruar edhe skenarin. Ishte një aktore e madhe, e talentuar, e kompletuar si artiste por edhe autore e shume shkrimeve e skenarëve, skeçeve, artistja e parë e varieteteve në Turqi, e konsideruar një talent i madh, i jashtëzakonshëm dhe i papërsëritshëm. Edhe pse pa arsimimin e duhur profesional për skenë, arriti të bëhet aktorja e parë dhe më e njohura në Turqi. Dhe për më tej edhe  pse e kish ndjekur fati i keq në jetë, në skenë ajo ngjallte aq  shumë humor, aq shumë dritë e besim tek njerëzit të cilët e donin shumë. Siç mbeti e vetmuar në fëmini  në Shkodër ashtu i shkoi jeta,  gjithsësi një jetë e vrullëshme artistike, pasiononte, me një individualitet të spikatur, kurrë pa u shkëputur  nga skena e teatrit apo ekrani i filmit.
U nda nga jeta për shkak të dëmtimin të veshkave në moshen 53 vjeçare, me 1 nëntor 1959 në qytetin e Stambollit. Filmat e saj në Turqi edhe sot e kësaj dite shihen dhe admirohen, aq shumë ka lënë gjurmë në kinematografinë turke artistja e madhe që lindi në qytetin e Shkodrës, Halide Piskin.


Kontribut i madh dhe njohje e vogël e vlerave që ka nxjerrë kombi shqiptar për popujt e tjerë.

Është për të ardhur keq që nuk ka veprimtari kulturore të ndërsjellta mes të dikastereve të kulturës, shoqatave artistike që do të ndikonin në krijimin e një klime të tillë që të mësohej më mirë kontributi shqiptar në kulturën e popullit turk, por edhe në të gjithë popujve e tjerë ballkanikë. Kujtojmë se shqiptari Abedin Dino është një figurë e madhe e artit, piktor, kineast, poet,  të cilit i kanë kushtuar edhe monumente në Turqi,  siç vëllait i tij Ali Dino , konsiderohet  karikaturisti i parë më i kompletuar në Greqi dhe  ka qenë deputet në parlamentin grek si dhe themelues i shoqatës së parë të karikaturistëve greke. Apo se  Eleni Bukura piktorja e parë femër në Greqi është një arvanitase,  Niko Egonopulos, një piktor i madh me dimensione panevropiane  është arvanitas, pra me gjak shqiptar. A doni tju rithem se dritën e Rilindjes Evropiane e ka përhapur në Rusi një shqiptar nga Arta, nxënës e dishepull i Girolamo Savonarola,  rilindësit të madh italian që ka një monument në Firence? Po le të kalojmë në të sotmen,   se njëri nga aktorët më të mëdhenj të filmit në Turqi Halit Ergenc, që interpreton sulltan  Sulejmanin, është me prejardhje shqiptare, çfarë e deklaron me krenari në media: “Më duhet të them që të parët e mi nga ana e mamasë sime në periudhën osmane kanë ardhur në Turqi, ... mund të them me plot gojën që edhe në damarët e mi ka gjak shqiptari. Unë dua të përshëndes gjithë Shqipërinë. Shpresoj që sa më shpejt të gjej mundësinë të vizitoj tokën shqiptare dhe të njihem me ju”.
Besoj që është e mjaftueshme të themi se atë që nuk e bën politika në krijimin e një Ballkani Europian për nga dimensionet e kulturës, mirëkuptimit e paqës e bëjnë më së miri arti dhe kultura të cilat krijojnë ura miqësie në mes të gjithë popujve dhe duke i tejkaluar  kundërshtitë, moskuptimet, atavizmat e mentalitetet e të shkuarës. Për Ministrinë tonë të Kulturës dhe programet e saj do të kisha një  sugjerim, që vërtetë ne dëshirojmë të shkojmë në Europë, kemi  pasion për kulturën perëndimore, flasim e përkushtohemi gjerë e gjatë për atë frankofone, japim edhe fonde përkthimesh për këtë tendencë mbi bazë shijesh personale,  por duhet të jemi open mind, e të mos bëjmë sikur nuk e dimë që në kulturë e art nuk ka prioritete gjeografika e as busulla të ngrira që tregojnë veç një drejtim,  në art e kulturë nuk ka as Jug e as Veri dhe as Lindje e as Perëndim. Gjithsesi, se pari e mbi gjithçka stimulohet arti e kultura kombëtare bashkërenduar kjo me afirmimin e kontributit shqiptar në popujt e tjerë.

2014