Nga Kolec P. TRABOINI
Gjatë punës sime si redaktor në sektorin e Kinokronikës në vitit 1975 kam pasur rastin
ta takoj në zyrën e tij inxhinierin Xhavit Sallaku, që drejtonte punimet e
ndërtimit të Uzinës së Përpunimit të Naftës së Ballshit, i ekzekutuar nga
diktatura dhe ende sot e kësaj dite kurrkund s'i gjendet varri.
Bashkë me grupin realizues kishim shkuar në Ballsh për t’i
bërë një intervistë inxh. Xhavitit. E
takuam në zyrën e tij. Në fakt ai nuk kishte predispozitën për të dhënë
intervista, mirëpo meqë ne këmbëngulëm, me dashamirësi e pranoi kërkesën tonë.
Intervista ishte e shkurtër dhe do të vendosej në
kinoditarët që shfaqeshin zakonisht përpara filmave artistikë në Kinema. Pasi
na tregoi për stadin e punimeve në uzinë, inxh. Xhaviti rekomandoi për të parë
kantierin, duke na shoqëruar tek Çelo Arrëza, ish komandant i kampit famëkeq,
sepse pa lejen e Çelos nuk mund të hynte njeri në kampin e punës ku punonin të
burgosurit e Ballshit.
Intervistën e Xhavitit e vendosën në Kinoditar dhe doli një
intervistë e mirë, sepse Xhaviti ishte
fotozhenik dhe kishte një zë të sigurt e të plotë. Flas sa i përket anës teknike.
Pas disa kohëve,
duhej të ishte fillimi apo mesi i vitit 1977, Adriana Elinin regjisore e
sektorit të Kinokronikës, e thërret ish
drejtori Vangjush Zallëmi, i cili pasi
kishte marrë udhëzime në Drejtorinë e shtypit të KQ, i kërkon që të rishikojë
kinokronikat që ishin në qarkullim, për
t’i hequr disa prej tyre nga kinematë e për ti dërguar në arkivë. Adriana Elini e tronditur vjen tek unë e më
thotë (në konfidencë sigurisht) se "diçka do t’i ketë ndodhur
Xhavitit". Adriana e njihte, sepse edhe vetë, si Xhaviti, ishte tiranase
dhe ishte motra e portierit të ekipit të futbollit të Tiranës, Ilir Elini që e
njihnin të gjithë në kryeqytet. Xhavit Sallaku
kishte qënë më parë edhe nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës.
Në fjalët e Adrianës ndjehej keqardhje. Kërkuam Kinokronikën Nr. 5 të
vitit 1975 ku në krye ishte sinkrona e Xhavit Sallakut. Kuptohet filmi u
bllokua. Por Xhavitin e kishim xhiruar edhe në një Kinokronikë tjetër, në atë
më Nr. 8 1975, në suxhetin e fundit, të katërt, i cili në Arkivën Shtetrore të
Filmit është skeduar me këtë përshkrim: “Në vendosjen e reaktorëve të Uzinës së
Ballshit. Pamje e reaktorëve, vendi ku vendoset reaktori, punëtorë duke punuar,
rrota që rrotullohet, vendosje shinash, punëtorë duke punuar. Myzafer
Trebeshina duke biseduar me drejtorin e punimeve Xhavit Sallaku.”
Më pas u tha se e kanë dënuar me vdekje si agjent, por kjo ishte vetëm fjalë e përhapur ndoshta
nga vetë sigurimi, për të mbuluar vrasjen e tij mizore në hetuesi prej katilëve komunistë. Sepse ekziston
vendimi i Kryesisë së Kuvendit Popullor firmosur nga sekretari Telo Mezini, ku
ai është në grup me Abdyl Këllezin dhe Koço Theodhosin, por ndërsa për këta të
dy është procesverbali i ekzekutimit, për Xhavit Sallakun nuk ka asnjë dokument
përveç vendimit për refuzimin e faljes, sepse ai është vrarë në hetuesi:
Ja dhe dokumenti: Presidiumi i Kuvendit Popullor, në
mbledhjen e datës 31.5.1977 refuzoi t’u falë jetën:
“Nr. 3. Xhavit Ymer Sallaku, dtl. 1929, lindur
në Tiranë dhe banues në Fier, dënuar me vendimin nr. 67 datë 25.3.1977 të
Gjykatës së Rrethit Fier me vdekje (pushkatim), për krimin e tradhtisë ndaj
Atdheut, sabotim ekonomik dhe agjitacion e propagandë kundër Pushtetit
Popullor”.
Ndoshta ajo intervistë në kinoditar është fjala e fundit
mbetur në celuloid e Xhavit Sallakut,
që mund
të jetë ruajtur akoma në Arkivin Qendror Shtetror të Filmit dhe do të
ishte gjithsesi një ngushëllim, për dy vajzat e veta Vera dhe Elena dhe gruan ruse Irina në Leningrad, që t'u
dërgohej ky material për arkivin e familjes, sepse babait e burrit të dashur,
të vrarë mizorisht, nuk i gjendet as
edhe varri në Shqipërinë e mjerë që e
sundonin satrapët dhe xhelatët.