SHKODRANIA AKTORE E PARË E TURQISË
Shkruar nga KOLEC TRABOINI
Në kohën kur zhvillohej lufta në Kosovë, në shtëpinë time në Boston, ndiqja gjithçka që botohej në shtypin
amerikan për shqiptarët. Duke lexuar një gazetë të vogël që dilte për artistët
në Hollivud, ndesha në intervistën e Eliza Dushkut, e lindur kjo në Boston në
vitin 1980, që atëherë ishte vetëm 19
vjeçare dhe krejt e panjohur në Shqipëri. Ajo i kishte thënë gazetares amerikane se jam e trishtuar për
vuajtjet e shqiptarëve të Kosovës edhe me shkakun se prejardhja ime është prej
atij vendi. Pasi kërkova nëpër numura telefonash e shtëpitë e shqiptarëve në
Boston rashë në gjurmët e babait të saj Filip Dushkut me origjinë nga Korça,
madje krejt saktë me shtëpi të gjyshërve në rrugën Fan Noli. Përgatita një
shkrim të cilin dërgova në revistën
“Klan” me titull “Eliza shqiptare e Hollivudit”. Me këtë botim publiku shqiptar
mësoi për herë të parë për aktoren me origjine shqiptare. Tashmë ky fakt është
i njohur, i vjetër, ai shkrim mbase është harruar krejt , por gjithsesi është
një prej kujtimeve të mia të bukura në gazetari sepse lidhet edhe me
profesionin tim si kineast. Krejt
rastësisht, 15 vjet më pas zbulimit të Eliza Dushkut, rashë në gjurmët e një aktorja
tjetër, e cila ndryshe prej Eliza Filip Dushkut, kjo aktore e panjohur kishte
lindur në Shkodër. Tani le të shohim kush është kjo aktore me emër të madh në
Turqi por që nuk njihet as në Shqipëri dhe mjerisht është harruar krejt edhe në
vendlindjen e saj në Shkodër.
Një shkodrane me emrin Habibe Molla
Në familjen shkodrane të një ushtaraku më 16 korrik të
vitit 1906 lindi një vajzë të cilës, sipas kartelës së Sinematekes turke, i vunë emrin Habibe Molla, një mbiemer mjaft i njohur edhe sot e kësaj dite në qytetin e Shkodrës. Ishte një fëmijë i
bukur, i shkathët e lojcak që u bë gëzimi jo vetëm i shtëpisë, i prindërve te
vet por edhe i komshinjve. Një
vogëlushe që sillte kudo gëzim dhe e
donin të gjithë. Po ai gëzim fëminor i shkodranes së vogël do të ndërpritej me
një tragjedi që për moshën që kishte nuk e kuptonte se gjithçka do të kthehej
në rrjedhën e jetës së saj, për të ikur
përgjithmonë larg vendlindjes. Në vitin 1909
vritet babai i saj. Nuk kemi arritur ti mësojmë emrin e babait por mbiemri i tij është Molla. Nuk dimë në çfarë rrethanash por të dhënat thonë se
ishtë vrarë në krye të detyrës dhe konsiderohej nga shteti osman si dëshmor. Halideja do jetonte
edhe mjaft kohë në Shkodër derisa gjyshi i saj vëndosi të lërë Shkodrën e të
shkonte në Stamboll me ndihmën e një koloneli të ushtrisë me emrin Salih. Nëna
e vogëlushes duhet të ketë mbetur në Shkodër
por në të dhënat biografike nuk
thuhet se si ndodhi që vajza u shkëput nga nëna e saj. Habibes së vogël i mungonin shumë gjëra në
Stamboll, së pari i mungonin prindërit, i mungonin fëmijët me të cilët loste e
gëzohej. Kjo nuk po ndodhte në Stamboll e fëmijëria e saj sikur kishte humbur. Në Stamboll kishte më shumë njerëz nëpër rrugë, por nuk kishte të njohur, nuk gëzonte ato
përkëdheli që ua bëjnë jetën më të bukur dhe
i rrisin fëmijët. Asaj i kishin ndrruar edhe emrin, nuk njihej më me emrin Habibe por me emrin e ri Halide. Pa shkuar gjatë shkodranes së vogël që rrinte e
vetmuar në një qytet të madh i vdes edhe gjyshi për ta lënë krejt të vetëm.
Tashmë ajo nuk kishte më ku të shkonte dhe nuk e dinte të ardhmen e saj. Ju
sigurua një pension jetese për babain e vrarë. I japin bursë për shkollë dhe
rritet në konviktet e shkollës.
Nga Shkodra e Shqipërisë në Shkodrën e Bosforit
Pasi diplomohet në shkollën e mesme ajo u emërua
mësuse shkolle në Uskudar . Ja vlen të
ndalemi në këtë rajon të Stambollit në ngushticën e Bosforit sepse emri i këtij
rajoni me një popullsi afro një milion
banorë ka të njëjtin emertim historik siç e ka edhe Shkodra, Scutari. Ky
emërtim i këtij rajoni është bërë herët sepse ai është një qytet i lashtë,
shumë kohë para se të themelohej Kostandinopojë . Scutari u themelua
aty nga shekulli i 7-të para
Krishtit, fillimisht me emrin “Qyteti i Artë”. Ky emërtim ka disa të
dhëna, por një historian i lashtë grek
shkruan se ky qytet e mori emrin Krisopolis/Qytet i Artë sepse
perandoria perse kishte atje një thesar të madh të fshehur ose sepse ky qytet
lidhej me Agamemnonin dhe të birin Krises. Por sipas një shkrimtar tjetër i
shekullit të 18-të qyteti e ka marrë emrin i Artë për shkak të përsosmërisë së
portit të saj. Qyteti është përdorur si një port dhe kantier detar dhe kishte
një pozicion i rëndësishëm dhe është
bërë arenë e luftërave mes grekëve dhe persëve.
Në vitin 324, në këtë qytet u zhvillua beteja më e rëndësishme dhe
përfundimtare mes Konstantinit I, perandor i Perëndimit, dhe Licinius,
perandorit romak të Lindjes, në të cilën
Konstantin e mundi Licinius. Kur
Konstandini i njohur për prejardhjen e tij Ilire, krijoj kryeqytetin e perandorisë
Bizantine me emrin e tij, Krisopolit i
humbi rëndësia e mëparshme dhe u bë
periferi megjithëse mbeti i rëndësishëm gjatë gjithë periudhës bizantine, sepse
të gjitha rrugët tregtare në Azi fillonin atje, dhe të gjitha njësitë e
ushtrisë bizantine që drejtoheshin për
në Azi mblidheshin pikërisht atje. Në shekullin e 12-të, qyteti
ndryshoi emrin e tij në Skoutarion
–Scutari, emër që kishte edhe pallati i perandorit aty pranë. Në 1338
udhëheqësi osman Orhan Gazi mori Skutarin, duke i dhënë mundësi osmanëve të
kenë një bazë fare pranë Konstandinopojës.
Sa i përket emërtimin besohet se emri Scutari, siç e
kishte edhe Shkodra, do të thotë "lëkurë të papërpunuara". Është i njohur fakti se edhe Shkodra e
Shqipërisë ka qënë një qënder ku mblidheshin lëkurë të kafshëve të pyllit dhe
tregtoheshin në Venedik e gjetkë përmes anijeve tregtare që kalonin në Bunën e
lundrueshme aso kohe. Të tjerët të cilët
e shkuan në atë zonë e kanë quajtur atë edhe Eksüdar ose Escutaire.
Në kohën kur shkoi aty Habibe Molla, kjo periferi e Stambollit ishte pjesa
më karakteristike, me rrugica të shtrembra e shtëpitë e vogla prej druri, me
dyqane të shumta artizanale. Po këtu ishte dhe vendi i varrezave të mëdha e të
moçme të Stambollit, duke përfshirë ato
myslimane por edhe hebraike dhe të krishtera.
Në këtë qytet aq te ngjashëm me Shkodrën e vendlindjes
sepse rrethohej dhe ky me ujëra, madje në vitin 1910 qarkullonte një
kartolinë në Stamboll por edhe në
Shqipëri në të cilën qenë bashkuar pamjet e këtyre dy qyteteve me emrin Scutari
të cilët dhe në imazh aq shumë ishin të përafërt. Në Scutarin e Bosforit Habibe Molla, do të pësonte një tjetër tragjedi. Kur ishte mësuese shkolle kishte
rënë në dashuri dhe u martua me një tregtar pambuku. Dhe ishte fare e re në moshë. Po muajt e
martesës i kaluan shumë shpejt. Fati
tragjik sikur e ndiqte hap pas hapi në jetën e saj plot dhimbje e humbje. Ashtu siç i kishte ndodhur vrasja e babait
kur ishte 3 vjeç, vetëm tetë muaj pas martesës së saj dhe kur ndjehej më e
lumtur se kurrë i vdes burri. Tashmë ajo
e shihte të ardhmen më të zezë se kurrë.
Aktorja e parë e Turqisë
Në vitin 1923 ishte krijuar nga Sadi Fikret një grup teatror i lëvizshëm që aso kohe
ishin aq shumë të preferuar. Nuk vinte spektatori në teatër por shkonte teatri
shetitës fshat në fshat e qytet në qytet. Shumica e shfaqjeve ishin skeçe e
vodevile, kryesisht skena humori. E rekomanduar nga një i afërt, drejtuesi i
trupës së teatrit shëtitës e pranon për
një turne në Izmir. Shfaqjet teatrore në atë kohë nuk kishin aktore femra. Ishim
meshkujt që losnin rolet e femrave. Kjo ka ndodhur edhe në Shqipëri deri
vonë. Habibe Molla, tashme me emrin Halide Piskin, kishte një natyrë pak e
zymtë. Ishte pikërisht jeta e saj pa dashurinë prindërore dhe me fatkeqësi në jetë që e bënin të ishte
hijerëndë. Dhe krejt ndryshe prej moshës që kishte, roli që i dhanë ishte ai i
një halle, e cila kishte si
karakteristikë të folurën hundore të forte, tip të cilin ajo e realizoi shumë
bukur dhe që do ta vazhdonte për vite të tëra si personazh në situata të
panumërta dhe në gjini të ndryshme si në teatër por edhe në emisionet e radios.
Mirëpo në vitin 1925 ndodhi që grupi i teatrit lëvizës nuk mundi të vazhdonte
veprimtaritë. Meqë ishte e para aktore e
skenës e morën pa shumë hezitim në Teatrin e Stambollit.
Në vitin 1933 ajo u bë shumë e njohur me rolet e veta
në filma dhe një aktore e kërkuar. Madje në kronikat e kohës shkruhej se
spektatorët u dyndeshin në të gjitha kinematë e vendit për të parë lojën
brilante të Halide Piskin. Kalon një periudhë të vështirë dhe detyrohet të
punojë në radio gjithnjë me tipin humoresk që kishte krijuar, me skeçe e humore
të cilat i përgatiste vetë. Ajo konsiderohej gjithashtu edhe si një krijuese
shumë e mirë e materialeve letrare të
skenës.
Në vitin 1944
pasi që kishte punuar në kompani të ndryshme teatrore u kthye sërish në
teatrin e Qytetit të Stambollit duke u bërë një nga aktoret kryesore.
Ajo ka një repertor të gjërë si aktore por edhe
si shkrimtare filmi si në “Kivircik
PASA” (1941),/ “Duvaksiz Gelin” (1942) dhe “Dügün gecesi “(1933). Ne
Filmografine per Halide Piskin mund te rradhisim edhe : "Kafes Arkasında" (1930), "Fermanlı Deli Hazretleri" (1930), "Kafatası"
(1932), "Yanlışlıklar Komedyası"
(1938), "Anna Karenina" (1939) , "Lüküs
Hayat" 1950, "Yelpaze" (1955), "Kızımın Başına Gelenler" (1958) , "Bir Kilo
Namus" (1959).
Filmi i saj i fundit i Halide Piskin ishte "Çfarë ka ndodhur me vajzën
time", për të cilin ka shkruar edhe
skenarin. Ishte një aktore e madhe, e talentuar, e kompletuar si artiste por
edhe autore e shume shkrimeve e skenarëve, skeçeve, artistja e parë e varieteteve
në Turqi, e konsideruar një talent i madh, i jashtëzakonshëm dhe i
papërsëritshëm. Edhe pse pa arsimimin e duhur profesional për skenë, arriti të
bëhet aktorja e parë dhe më e njohura në Turqi. Dhe për më tej edhe pse e kish ndjekur fati i keq në jetë, në skenë
ajo ngjallte aq shumë humor, aq shumë
dritë e besim tek njerëzit të cilët e donin shumë. Siç mbeti e vetmuar në
fëmini në Shkodër ashtu i shkoi
jeta, gjithsësi një jetë e vrullëshme
artistike, pasiononte, me një individualitet të spikatur, kurrë pa u
shkëputur nga skena e teatrit apo ekrani
i filmit.
U nda nga jeta për shkak të dëmtimin të veshkave në
moshen 53 vjeçare, me 1 nëntor 1959 në qytetin e Stambollit. Filmat e saj në
Turqi edhe sot e kësaj dite shihen dhe admirohen, aq shumë ka lënë gjurmë në
kinematografinë turke artistja e madhe që lindi në qytetin e Shkodrës, Halide
Piskin.
Kontribut i madh dhe njohje e vogël e vlerave që ka nxjerrë kombi shqiptar
për popujt e tjerë.
Është për të ardhur keq që nuk ka veprimtari kulturore
të ndërsjellta mes të dikastereve të kulturës, shoqatave artistike që do të
ndikonin në krijimin e një klime të tillë që të mësohej më mirë kontributi
shqiptar në kulturën e popullit turk, por edhe në të gjithë popujve e tjerë
ballkanikë. Kujtojmë se shqiptari Abedin Dino është një figurë e madhe e artit,
piktor, kineast, poet, të cilit i kanë
kushtuar edhe monumente në Turqi, siç
vëllait i tij Ali Dino , konsiderohet
karikaturisti i parë më i kompletuar në Greqi dhe ka qenë deputet në parlamentin grek si dhe
themelues i shoqatës së parë të karikaturistëve greke. Apo se Eleni Bukura piktorja e parë femër në Greqi
është një arvanitase, Niko Egonopulos,
një piktor i madh me dimensione panevropiane
është arvanitas, pra me gjak shqiptar. A doni tju rithem se dritën e
Rilindjes Evropiane e ka përhapur në Rusi një shqiptar nga Arta, nxënës e
dishepull i Girolamo Savonarola,
rilindësit të madh italian që ka një monument në Firence? Po le të
kalojmë në të sotmen, se njëri nga
aktorët më të mëdhenj të filmit në Turqi Halit Ergenc, që interpreton
sulltan Sulejmanin, është me prejardhje
shqiptare, çfarë e deklaron me krenari në media: “Më duhet të them që të parët
e mi nga ana e mamasë sime në periudhën osmane kanë ardhur në Turqi, ... mund
të them me plot gojën që edhe në damarët e mi ka gjak shqiptari. Unë dua të
përshëndes gjithë Shqipërinë. Shpresoj që sa më shpejt të gjej mundësinë të
vizitoj tokën shqiptare dhe të njihem me ju”.
Besoj që është e mjaftueshme të themi se atë që nuk e
bën politika në krijimin e një Ballkani Europian për nga dimensionet e
kulturës, mirëkuptimit e paqës e bëjnë më së miri arti dhe kultura të cilat
krijojnë ura miqësie në mes të gjithë popujve dhe duke i tejkaluar kundërshtitë, moskuptimet, atavizmat e
mentalitetet e të shkuarës. Për Ministrinë tonë të Kulturës dhe programet e saj
do të kisha një sugjerim, që vërtetë ne dëshirojmë të shkojmë në Europë, kemi
pasion për kulturën perëndimore, flasim e përkushtohemi gjerë e gjatë
për atë frankofone, japim edhe fonde përkthimesh për këtë tendencë mbi bazë
shijesh personale, por duhet të jemi
open mind, e të mos bëjmë sikur nuk e dimë që në kulturë e art nuk ka
prioritete gjeografika e as busulla të ngrira që tregojnë veç një drejtim, në art e kulturë nuk ka as Jug e as Veri dhe
as Lindje e as Perëndim. Gjithsesi, se pari e mbi gjithçka stimulohet arti e
kultura kombëtare bashkërenduar kjo me afirmimin e kontributit shqiptar në
popujt e tjerë.
2014